Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 7 Korrik 2023 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 7 Korrik 2023

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 7 Korrik 2023:
V E N D I M
PËR
KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, QË PREKEN NGA NDËRTIMET  E LEGALIZUARA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet e legalizuara në drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Tiranë Veri, Elbasan, Tiranë Jug, Tiranë Rurale 1, Kamzë-Vorë, Tiranë Rurale 2, Gjirokastër, Kuçovë, Vlorë, Durrës, Berat dhe Sarandë.
2. Vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 507 537 720,45 (pesëqind e shtatë milionë e pesëqind e tridhjetë e shtatë mijë e shtatëqind e njëzet presje dyzet e pesë) lekë, për sipërfaqen 70 173,4 (shtatëdhjetë mijë e njëqind e shtatëdhjetë e tre presje katër) m², sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet e legalizuara, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi për pasuritë me numrat rendorë sipas kolonës nr.14, të shtojcës nr.1, përkatësisht: nr.18, nr.21, nr.24, nr.44, nr.48, nr.80, nr.81, nr.82, nr.90, nr.101, nr.126, nr.127, nr.130, nr.132, nr.135, nr.177, nr.178, nr.182, nr.183, nr.204, nr.209, nr.210, nr.218, nr.244, nr.245, nr.261, nr.290 dhe nr.291, sipas seksionit të veçantë (kolona 19), të shtojcës nr.1, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, sipas pikës 3, të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.
4. Për kompensimin e pronarëve përdoren po ato të ardhura që arkëtohen nga drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si rrjedhojë e kalimit të pronësisë nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale që legalizohen.
5. Drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Tiranë Veri, Elbasan, Tiranë Jug, Tiranë Rurale 1, Kamzë-Vorë, Tiranë Rurale 2, Gjirokastër, Kuçovë, Vlorë, Durrës, Berat dhe Sarandë të kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme.
6. Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR 
MIRATIMIN E KRITEREVE, RREGULLAVE DHE PROCEDURAVE PËR PËRFITIMIN E LEHTËSIRAVE FISKALE NGA ZHVILLUESIT DHE PËRDORUESIT QË OPEROJNË NË PARQET TEKNOLOGJIKE DHE SHKENCORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 12, të ligjit nr.58/2022, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e parqeve teknologjike dhe shkencore”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. KRITERET PËR PËRFTIMIN E LEHTËSIRAVE FISKALE
1. Zhvilluesi, që të përfitojë lehtësirat fiskale, duhet të plotësojë kriteret, si më poshtë vijon:
a) Të ketë lidhur kontratë me institucionin përgjegjës për ndërtimin dhe administrimin e parkut, ku janë pasqyruar lehtësirat fiskale.
b) Të jetë regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, si zhvillues i parkut teknologjik dhe shkencor.
c) Të përmbushë detyrimet që lindin nga kontrata e lidhur me institucionin përgjegjës.
ç) Tё jetё pajisur me autorizimin përkatës nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për administrimin e  zonës, si zhvillues, në përputhje me Kodin Doganor.
2. Përdoruesi, që të përfitojë lehtësirat fiskale, duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme:
a) Të ketë lidhur kontratë qiraje me zhvilluesin për fillimin e aktivitetit në park, ku janë pasqyruar lehtësirat fiskale.
b) Të jetë regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit për kryerjen e aktivitetit, si përdorues i parkut teknologjik dhe shkencor.
c) Të ketë realizuar detyrimet që lindin nga kontrata e lidhur me zhvilluesin.
II. RREGULLAT DHE  PROCEDURAT PËR PËRFITIMIN E LEHTËSIRAVE FISKALE NGA ZHVILLUESI
1. Institucioni përgjegjës njofton institucionet qendrore dhe lokale për miratimin e parkut dhe zhvilluesit, me qëllim përfitimin e lehtësirave fiskale.
2. Lehtësirat fiskale për zhvilluesin fillojnë me fillimin e veprimtarisë ekonomike në park.
3. Data e fillimit të punimeve konisderohet data e fillimit të veprimtarisë ekonomike në park, pas pajisjes me lejet, sipas legjislacionit në fuqi.
4. Zhvilluesi, në mjediset ku ushtron veprimtarinë ekonomike, krijon aksesin e nevojshëm për nëpunësit e administratës tatimore dhe vë në dispozicion të saj librat, regjistrimet, informacionin dhe dokumentacionin e kërkuar.
5. Zhvilluesi duhet të mbajë regjistrat dhe dokumentacionin kontabël, që përmbajnë informacionin e regjistruar në mënyrë kronologjike dhe sistematike të veprimeve ekonomike, të përcaktuar në legjislacionin tatimor.
6. Përfitimi i lehtësirave tatimore sipas shkronjës “c”, të pikës 1, të nenit 12, të ligjit nr.58/2022, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e parqeve teknologjike dhe shkencore”, nuk e përjashton zhvilluesin nga dorëzimi i deklaratës tatimore, sipas parashikimeve të legjislacionit përkatës në fuqi.
7. Sipërmarrësit, që ofrojnë dhe kryejnë shërbime ndërtimi, montimi dhe punë të ngjashme, për llogari të “zhvilluesit” në parkun teknologjik dhe shkencor, nuk përfitojnë lehtësirat fiskale për veprimtarinë që kryejnë në parkun teknologjik dhe shkencor.
8. Përfiton, sipas parashikimeve të shkronjës “ç”, të nenit 12, të ligjit nr.58/2022, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e parqeve teknologjike dhe shkencore”, stafi i zhvilluesit që ka lidhur kontratë pune, sipas dispozitave të Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë.
III. RREGULLAT DHE  PROCEDURAT PËR PËRFITIMIN E LEHTËSIRAVE FISKALE NGA PËRDORUESI
1. Përdoruesi përfiton lehtësirat fiskale vetëm pasi zhvilluesi ka njoftuar institucionin përgjegjës, institucionet e tjera qendrore dhe lokale për fillimin e aktivitetit të përdoruesit.
2. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në bashkëpunimin me zhvilluesin krijon strukturën përkatëse me personel doganor për kryerjen e formaliteteve doganore dhe administrative në park.
3. Llogaritja dhe përjashtimi nga tatimi mbi fitimin për përdoruesit e parkut teknologjik dhe shkencor fillon nga data kur zhvilluesi lidh kontratë me përdoruesin.
4. Përdoruesi, që ushtron veprimtari ekonomike sipas kontratës së qirasë të lidhur me zhvilluesin, brenda territorit të parkut teknologjik dhe shkencor dhe selia e regjistruar e të cilit është në park, do të përfitojë lehtësira fiskale sipas parashikimeve të shkronjës “c”, të pikës 1, të nenit 12, të ligjit.
5. Përfitimi i lehtësirave tatimore sipas pikës 4, të këtij kreu, nuk e përjashton përdoruesin nga dorëzimi i deklaratës tatimore, sipas parashikimeve të legjislacionit përkatës në fuqi.
6. Sipërmarrësit, që ofrojnë dhe kryejnë shërbime ndërtimi, montimi dhe punë të  ngjashme, për llogari të “përdoruesit” në parkun teknologjik dhe shkencor, nuk përfitojnë lehtësirat fiskale për veprimtarinë që kryejnë në parkun teknologjik dhe shkencor.
7. Përdoruesi duhet të mbajë regjistrat dhe dokumentacionin kontabël, që përmbajnë informacionin e regjistruar në mënyrë kronologjike dhe sistematike të veprimeve ekonomike, të përcaktuar në legjislacionin tatimor.
8. Përfiton sipas parashikimeve të shkronjës “ç”, të pikës 1, të nenit 12, të ligjit nr.58/2022, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e parqeve teknologjike dhe shkencore”, stafi i përdoruesit që ka lidhur kontratë pune sipas dispozitave të Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë.
9. Mallrat, pajisjet dhe shërbimet në parqet teknologjike dhe shkencore, që nuk përdoren për nxjerrjen e “Produktit inovativ”, por janë për përdorim apo konsum përfundimtar, nuk trajtohen si të përjashtuara nga TVSH-ja. Për këto furnizime zbatohet shkalla tatimore e TVSH-së, sipas përcaktimeve të ligjit nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
IV. DISPOZITA TË FUNDIT
Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN KUVENDIT PËR EMËRIMIN E DISA ANËTARËVE  TË KËSHILLIT DREJTUES TË AUTORITETIT TË KOMUNIKIMEVE ELEKTRONIKE DHE POSTARE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 114, të ligjit nr.9918, datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin Kuvendit për emërimin e disa anëtarëve të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, si më poshtë vijon:
a) Zj. Edlira Dvorani;
b) Z. Armer Juka;
c) Z. Bleron Dokle.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.763, DATË 12.12.2022,  TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E MASËS SË SHTESËS PËR NATYRË TË VEÇANTË PUNE PËR DREJTORIN E PËRGJITHSHËM DHE NËPUNËSIT NË NJËSITË TEKNIKE TË PËRMBAJTJES SË AUTORITETIT KOMBËTAR  PËR CERTIFIKIMIN ELEKTRONIK DHE SIGURINË KIBERNETIKE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5/1, të nenit 10, të ligjit nr.9880, datë 25.2.2008, “Për nënshkrimin elektronik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Lidhja nr.1, bashkëlidhur vendimit nr.763, datë 12.12.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e masës së shtesës për natyrë të veçantë pune për drejtorin e Përgjithshëm dhe nëpunësit në njësitë teknike të përmbajtjes së Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike”, të ndryshuar, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR
PËRDORIMIN E PASURIVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE NË PARQET TEKNOLOGJIKE DHE SHKENCORE DHE MIRATIMIN E MODELIT TË KONTRATËS SË QIRASË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 9, të ligjit nr.58/2022, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e parqeve teknologjike dhe shkencore”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. PËRDORIMI I  TË PASURIVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE NGA ZHVILLUESI
1. Pasuritë e paluajtshme shtetërore, në të cilat krijohet parku teknologjik, janë sipërfaqe të përcaktuara trualli apo ndërtesash dhe pasurish të tjera të paluajtshme.
2. Institucioni përgjegjës, kryesisht ose me kërkesë të shprehur të zhvilluesit, fillon procedurat e miratimit të një parku teknologjik, duke marrë informacion paraprak pranë organeve të qeverisjes qendrore dhe vendore, apo institucioneve të pavarura të cilat administrojnë pronat e paluajtshme shtetërore. Me marrjen e miratimit/konfirmimit se pasuria nuk përdoret për nevojat e institucionit përkatës, institucioni përgjegjës procedon me ndryshimin e pronësisë/ administrimit të pronës me qëllim përdorimin e saj për park teknologjik.
3. Institucioni përgjegjës merr informacionin nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, në përputhje me ligjin nr.111/2018, “Për kadastrën”, për statusin aktual të pasurisë, për sipërfaqen në të cilën do të ndërtohet parku teknologjik, të shoqëruar me kopje të aktit përkatës kadastral. Pas marrjes së këtij informacioni dhe të mendimit të shprehur nga organi shtetëror që administron pasuritë e paluajtshme, si dhe pas përmbushjes së kushteve dhe procedurave të përcaktuara në ligjin nr.58/2022, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e parqeve teknologjike dhe shkencore”, dhe aktet nënligjore në zbatim të tij, institucioni përgjegjës, në përputhje me nenin 4, të këtij ligji, i propozon Këshillit të Ministrave miratimin e parkut teknologjik.
4. Pasuritë e paluajtshme shtetërore, që përdoren për krijimin e parkut teknologjik, merren në përdorim nga zhvilluesi për një periudhë kohore jo më pak se 20 (njëzet) vjet. Elementet e kontratës së qirasë janë të përcaktuara  në aneksin 1, bashkëlidhur vendimit.
5.  Zhvilluesi gëzon të drejtën e dhënies me nënqira te përdoruesi të pasurive të paluajtshme.
6. Pasuritë e paluajtshme, në të cilat krijohet parku teknologjik, inventarizohen dhe administrohen nga institucioni përgjegjës.
II. DISPOZITA TË FUNDIT
Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR 
MIRATIMIN E PROCEDURAVE PËR PËRZGJEDHJEN E PËRDORUESIT NË PARQET TEKNOLOGJIKE DHE SHKENCORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 8, të ligjit nr.58/2022, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e parqeve teknologjike dhe shkencore”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. PROCEDURAT PËR PËRZGJEDHJEN E PËRDORUESIT NË PARQET TEKNOLOGJIKE DHE SHKENCORE
1. Çdo person fizik ose juridik, shqiptar ose i huaj, mund të paraqesë te zhvilluesi kërkesën për miratimin si përdorues për të ushtruar aktivitet brenda parkut. Forma dhe mënyra e paraqitjes së kërkesës përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për ekonominë.
2. Kandidati për përdorues duhet të paraqesë bashkëlidhur kërkesës dokumentacionin e mëposhtëm:
a)  Ekstraktin e regjistrit tregtar për të dhënat e subjektit, si dhe ekstraktin për historikun e subjektit;
b) Vetëdeklarimin se subjekti ka shlyer detyrimet tatimore dhe sigurimet shoqërore;
c) Vetëdeklarimin që nuk është në ndjekje penale, si dhe nuk ka procese gjyqësore në lidhje me aktivitetin;
ç)  Vetëdeklarimin që nuk është në proces falimentimi dhe kapitalet e tij nuk janë në proces ekzekutimi nga përmbaruesit;
d)  Studimin e fizibilitetit për veprimtarinë që do të ushtrojë në park.
3. Kur kandidati për përdorues është person fizik, juridik, i huaj, duhet të paraqesë dokumentin zyrtar i cili vërteton se ofertuesi është i regjistruar në regjistrat përkatës tregtarë ose dokument të ngjashëm, të lëshuar nga institucionet përkatëse në shtetin e origjinës.
4. Dokumentet e siguruara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë nga subjekte juridike të huaja duhet të jenë të notifikuara, në zbatim të legjislacionit në fuqi për ligjërimin e dokumentacionit të shtetasve të huaj që ushtrojnë veprimtari në Republikën e Shqipërisë.
5.  Kanditati për përdorues nuk do të fitojë statusin e përdoruesit nëse i nënshtrohet një ose më shumë kufizimeve të mëposhtme:
a)  25 ose më shumë për qind e kapitalit të autorizuar, direkt ose indirekt, i përket organeve të qeverisjes qendrore ose vendore;
b) Organizohet si organizatë jofitimprurëse sipas përcaktimit të dhënë në legjislacionin në fuqi për organizatat jofitimprurëse;
c)  Në kapitalin e autorizuar të të cilit 25 për qind ose më shumë janë në pronësi të drejtpërdrejtë ose të tërthortë nga persona juridikë të regjistruar, të shpallur në listën e financuesve të terrorizmit;
ç) Kur ai shpallet i falimentuar në përputhje me dispozitat në fuqi të ligjit për falimentimin;
d)  Kur është është në proces likuidimi, përveç transformimit.
6.  Zhvilluesi, në çdo rast kur miraton një përdorues, duhet të njoftojë institucionin përgjegjës, Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, njoftim i cili duhet të përmbajë kontratën e lidhur ndërmjet zhvilluesit dhe përdoruesit dhe të dhënat për subjektin.
II. RASTET E ANULIMIT TË KONTRATËS NDËRMJET ZHVILLUESIT DHE  PËRDORUESIT
1.  Institucioni përgjegjës ngarkon zhvilluesin për marrjen e masave për anulimin e menjëhershëm të kontratës ndërmjet zhvilluesit dhe përdoruesit brenda parkut, kur vërtetohet se:
a) përdoruesi ka kryer evazion fiskal, duke deklaruar të ardhurat e krijuara nga veprimtaritë jashtë parkut si të ardhura të fituara në park ose duke paraqitur informacion të rremë për këtë qëllim;
b)  mallrat kanë dalë nga parku në kundërshtim me Kodin Doganor dhe kur ka mospërputhje midis inventarit të mallrave brenda në park dhe të dhënave në regjistrin e stokut aktual;
c) përdoruesi gjatë zhvillimit të aktivitetit të tij nuk ka zbatuar për punonjësit legjislacionin në fuqi për punën.
2. Institucioni përgjegjës, në çdo rast të pezullimit të aktivitetit të përdoruesit ose anulimit të kontratës, duhet të njoftojë Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për revokimin e lehtësirave fiskale dhe doganore.
3. Zhvilluesi duhet të raportojë pranë institucionit përgjegjës për kontratat e lidhura me përdoruesit, vlerën e investimit dhe numrin e punonjësve të siguruar.
III. DISPOZITA TË FUNDIT
Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.858, DATË 29.12.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË PROCEDURAVE E TË DOKUMENTACIONIT PËR HYRJEN, QËNDRIMIN DHE TRAJTIMIN E TË HUAJVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 6, pika 1, shkronja “e”, 19, pika 4, 21, pika 3, 23, pika 1, 29, pikat 1 e 6, 33, pika 6, 37, pikat 1 e 4, 56, pika 7, 81, pika 4, 84, pika 4, 91, pika 3, dhe 140, pika 1, të ligjit nr.79/2021, “Për të huajt”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.858, datë 29.12.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave e të dokumentacionit për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në kreun II bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:
a) Në fund të fjalisë së dytë, të pikës 4, të nënndarjes “B”, shtohen fjalët “… ku t’i bashkëlidhet certifikata e lindjes në gjuhën shqipe ose anglisht ose dy kopjet e pasaportës së të dy prindërve.”.
b) Në nënndarjen “C” bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
i. Pas shkronjës “a”, të pikës 1, shtohet shkronja “b”, me këtë përmbajtje:
“b) biletën e udhëtimit drejt vendit të destinacionit.”.
ii. Pas shkronjës “b”, të pikës 2.1, shtohet shkonja “c”, me këtë përmbajtje:
“c) Listën emërore të grupit të organizuar turistik së bashku me itinerarin e udhëtimit dhe akomodimit për ditët e qëndrimit në territor.”.
iii. Në shkronjën “b”, të pikës 3.1, përmasat “5cm x 4cm” zëvendësohen me “47 mm x 36 mm.”
iv. Në shkronjën “d”, të pikës 3.1, pas emërtimit “Republikës së Shqipërisë” shtohen fjalët “… me përjashtim të punonjësve lëvizës digjitalë, për të cilët do të pranohet vetëdeklarim mbi ekzistencën e dokumenteve që provojnë akomodimin e përshtatshëm në Shqipëri, sipas aneksit nr.10, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.”.
v. Në shkronjën “a”, të pikës 3.17, togfjalëshi “Kontratë e vlefshme” zëvendësohet me fjalët “… vetëdeklarim mbi një kontratë të                 vlefshme, sipas aneksit nr.10, që i bashkëlidhet këtij vendimi …”.
vi. Pas shkronjës “a”, të pikës 3.17, shtohet shkronja “b”, me këtë përmbajtje:
   “b) Vetëdeklarim mbi ekzistencën e dokumenteve që provojnë akomodim të përshtatshëm në Shqipëri, në përputhje me standardet e banimit në Shqipëri, sipas aneksit nr.10, që i bashkëlidhet këtij vendimi …”.
2. Në kreun III bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Në nënndarjen “A” bëhen ndryshimet e mëposhtme:
i. Në pikën 10, pas emërtimit “Republikën e Shqipërisë” shtohen fjalët “… me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe në këtë           vendim …”.
ii. Pas pikës 12 shtohet pika 13, me këtë përmbajtje:
“13. I huaji, që pajiset me leje unike për raste të veçanta në zbatim të nenit 81, të ligjit nr.79/2021, “Për të huajt”, depoziton kërkesën dhe dokumentacionin shoqërues për lëshimin e lejes unike për raste të veçanta pranë autoritetit vendor për kufirin dhe migracionin.”.
b) Në nënndarjen “B” bëhen shtesat e mëposhtme:
i. Pas pikës 3 shtohet pika 3/1, me këtë përmbajtje:
“3/1. Vetëdeklarim mbi ekzistencën e dokumenteve që provojnë akomodim të përshtatshëm në Shqipëri, sipas aneksit nr.10, që i bashkëlidhet këtij vendimi, në përputhje me standardet e banimit në Shqipëri, vetëm në rastet e parashikuara shprehimisht në këtë vendim.”.
ii. Pas pikës 4 shtohet pika 5, me këtë përmbajtje:
“5. Pas miratimit të lejes unike, i huaji, që ka aplikuar me vetëdeklarim, sipas parashikimeve të kreut III, nënndarja “D”, shkronja “gj”, ka detyrimin, që, brenda 30 (tridhjetë) ditëve të depozitojë pranë strukturës përgjegjëse vendore për kufirin dokumentacionin origjinal provues.”.
c) Në nënndarjen “D” bëhen këto shtesa:
i. Pas nënparagrafit “ii”, të shkronjës “g”, shtohet nënparagrafi “iii”, me këtë përmbajtje:
“iii. Komisioni vlerësues për plotësimin e kushteve të lejes unike si të vetëpunësuar shqyrton dokumentacionin e mëposhtëm:
– Projektide për biznesin/aktivitetin (që pasqyron minimalisht elementet e rekomanduara nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive);
– Dokument që provon se ka mjete të mjaftueshme financiare, jo më pak se 500 000 (pesëqind mijë) lekë ose vlera ekuivalente me të në dollarë ose euro (vërtetim nga banka në Republikën e Shqipërisë ose në vendin e origjinës);
– Dokument që provon aftësitë e nevojshme (Certifikatë/Diplomë ose dokument të barasvlefshëm me të), ose licencë për ushtrimin e profesionit (sipas legjislacionit për profesionet e rregulluara);
– Certifikatën e regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit.”.
ii. Në shkronjën “gj” bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
ii/1. Në nënparagrafin “ii”, togfjalëshi “Kontratë e vlefshme” zëvendësohet me fjalët “… vetëdeklarim mbi një kontratë të vlefshme …”.
ii/2. Nënparagrafi “iii” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“iii. Vetëdeklarim mbi disponimin e burimeve financiare të mjaftueshme për të mbajtur veten dhe personat në ngarkim gjatë qëndrimit në Republikën e Shqipërisë, në vlerë jo më pak se 408 000 (katërqind e tetë mijë) lekë, sipas aneksit nr.10, që i bashkëlidhet këtij vendimi.”.
ii/3. Pas nënparagrafit “iv” shtohet nënparagrafi “v”, me këtë përmbajtje:
“v. vetëdeklarim mbi ekzistencën e dokumenteve që provojnë akomodim të përshtatshëm në Shqipëri, në përputhje me standardet e banimit në Shqipëri, sipas aneksit nr.10, që i bashkëlidhet këtij vendimi.”.
3. Në aneksin nr.8 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Në seksionin A, të nënpikës 1.4, pas fjalëve “ … unë kam bashkëngjitur kontratën e qirasë/dëshminë e pronësisë së bashku me aplikimin/çdo dokument tjetër që provon akomodimin …” shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Unë kam bashkëlidhur formularim e vetëdeklarimit për akomodim të përshtatshëm, në përputhje me standardet e banimit në Shqipëri.”
b) Në seksionin B, të nënpikës 2.4, pas fjalëve “… fotokopje e kontratës së punësimit …” shtohen “… formularin e vetëdeklarimit mbi një kontratë të vlefshme …”.
4. Pas aneksit nr.9, “Formularët standardë të aplikimit për lëshimin e lejeve të qëndrimit të kategorive: Për motive të bashkimit familjar, për motive arsimi, trajnimi, kërkimi shkencor, për raste humanitare, për qëndrim të përhershëm dhe për kategori të veçanta”, shtohet aneksi nr.10 “Formular vetëdeklarimi për akomodim/burime financiare/kontratë e vlefshme.”.
II. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR 
PËRCAKTIMIN E HYRJES, TË QËNDRIMIT DHE TË PUNËSIMIT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË TË SHTETASVE TË HUAJ, PUNONJËS TË NJË SHOQËRIE IT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 29, pika 2, e 56,       pika 1, të ligjit nr.79/2021, “Për të huajt”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, të ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. I huaji, i cili në momentin e kalimit në një nga pikat e kalimit kufitar gjatë hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë, provon se do të punojë në një shoqëri IT, nëpërmjet një deklarate të lëshuar nga vetë shoqëria, e cila ka aktivitet kryesor programimin kompjuterik, konsulencën dhe shërbimet e lidhura me to, përpunimin e të dhënave, hostimin dhe aktivitetet e lidhura me to, portalet në internet dhe/ose publikimin e programeve kompjuterike, sipas nomenklaturës së veprimtaritë ekonomike, të miratuara nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, dhe kryen veprimtari si përdorues në parqet e shkencës dhe teknologjisë, në zbatim të ligjit nr.58/2022, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e parqeve teknologjike dhe shkencore”, ka të drejtë të hyjë pa vizë dhe të qëndrojë pa leje unike në Republikën e Shqipërisë për një afat deri në 1 (një) vit.
2. Gjatë kësaj periudhe, i huaji, sipas pikës 1 të këtij vendimi, mund të aplikojë për t’u pajisur me leje unike në Republikën e Shqipërisë, sipas kritereve, dokumentacionit dhe procedurës së parashikuar në vendimin nr.858, datë 29.12.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave e të dokumentacionit për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
3. Ngarkohen Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.
Previous Ministrja Ibrahimaj, takim informues me biznese IT për punësimin e personave me aftësi të kufizuara