Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 7 Prill 2023 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 7 Prill 2023

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 7 Prill 2023:

 

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E DOKUMENTIT TË POLITIKAVE PËR STANDARDET E SHËRBIMEVE PUBLIKE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e dokumentit të politikave për standardet e shërbimeve publike në Republikën e Shqipërisë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Standardet e Shërbimeve, ministritë e linjës dhe institucionet e agjencitë përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve publike për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PROCEDURAT E ZBATIMIT DHE FILLIMIN E APLIKIMIT TË REGJIMIT TË VEÇANTË PËR BURSËN SHQIPTARE TË ENERGJISË ELEKTRIKE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 155/3, të ligjit nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Objekt i këtij vendimi është parashikimi i procedurave të zbatimit dhe fillimit të aplikimit të regjimit të veçantë për Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike.

2. Tregtimi i energjisë elektrike në Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike kryhet në përputhje me modelin e tregut të energjisë elektrike dhe rregullat e tregtimit, miratuar me vendimin nr.347, datë 27.12.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave të tregut të energjisë elektrike”.

3. Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike, në rolin e saj si kundërpalë qendrore, vendoset ndërmjet transaksioneve të palëve brenda tregut të energjisë elektrike dhe merr rolin e blerësit kundrejt kundërpalës shitëse dhe rolin e shitësit kundrejt kundërpalës blerëse me qëllim garantimin e transaksioneve.

4. Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike, sipas modelit të tregtimit të energjisë elektrike, nuk kryen në mënyrë të drejtpërdrejtë veprimtari të shitblerjes së energjisë elektrike, por ofron shërbimin e administrimit e të garantimit të kësaj veprimtarie, nëpërmjet platformës së tregtimit, klerimit dhe shlyerjes, si kundërpalë qendrore. Duke pasur këtë rol për të gjitha transaksionet që kryhen në Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike, si në blerje ashtu edhe në shitje të energjisë elektrike, Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike ka edhe përgjegjësinë e lëshimit të faturës, si për blerësin ashtu edhe për shitësin e energjisë elektrike.

5. Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike përgatit një faturë tatimore për kundërpalën blerëse dhe një faturë tatimore për kundërpalën shitëse, të cilat rezultojnë fitues nga urdhërporositë e vendosura në platformën e tregut dhe në transaksione të përmbyllura, si më poshtë vijon:

a) Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike lëshon një faturë tatimore për anëtarin e saj që nga transaksionet e përmbyllura gëzon pozicionin e blerësit të energjisë elektrike, e cila do të jetë me TVSH të përjashtuar.
b) Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike lëshon një faturë tatimore, në emër të anëtarit të saj, i cili nga transaksionet e përmbyllura gëzon pozicionin e shitësit të energjisë elektrike. Kjo faturë do të jetë me TVSH të përjashtuar, duke zbatuar përcaktimet e nenit 100, të ligjit nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

6. Mënyra e faturimit dhe qëllimet e përdorimit të energjisë elektrike të blerë nga anëtari fitues në pozicionin e blerësit të energjisë elektrike nga Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike kryhen, si më poshtë vijon:

a) Në rastin kur blerësi i energjisë elektrike e përdor atë për nevojat e veta, duke mos pasur si qëllim që ta rishesë, ai përgatit një faturë tatimore, në të cilën është edhe në pozicionin e shitësit edhe në pozicionin e blerësit. Ky furnizim do t’i nënshtrohet normës standarde 20% të TVSH-së.
b) Në rastin kur blerësi i energjisë elektrike ia furnizon energjinë elektrike një personi të tatueshëm brenda vendit, faturimi kryhet sipas rregullave të përcaktuara në ligjin nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe në legjislacionin në fuqi për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit. Ky furnizim do t’i nënshtrohet normës standarde 20% të TVSH-së.
c) Në rastin kur blerësi i energjisë elektrike ia furnizon energjinë elektrike një personi të tatueshëm jashtë Republikës së Shqipërisë, faturimi kryhet sipas rregullave të përcaktuara në ligjin nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe në legjislacionin në fuqi për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit. Ky furnizim eksporti do të trajtohet me shkallë 0% të TVSH-së.

7. Aplikimi i regjimit të veçantë për Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike fillon me hyrjen në fuqi të këtij vendimi.

8. Ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKUALIFIKIM I BLLOKUT TË BANESAVE TË KUFIZUAR NGA BULEVARDI “ÇAMËRIA”, RRUGA “PELIVAN LESKAJ”, RRUGA “PIRO SAVA” DHE RRUGA “KUJTIM BEQIRI””

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikualifikim i bllokut të banesave të kufizuar nga bulevardi “Çamëria”, rruga “Pelivan Leskaj”, rruga “Piro Sava” dhe rruga “Kujtim Beqiri””, Bashkia Vlorë.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Vlorë.

3. Pronarët e pasurisë së paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 36 852 455.36 (tridhjetë e gjashtë milionë e tetëqind e pesëdhjetë e dy mijë e katërqind e pesëdhjetë e pesë pikë tridhjetë e gjashtë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 36 852 455.36 (tridhjetë e gjashtë milionë e tetëqind e pesëdhjetë e dy mijë e katërqind e pesëdhjetë e pesë pikë tridhjetë e gjashtë) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Vlorë.

5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Vlorë.

6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Vlorë.

8. Bashkia Vlorë kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Vlorë.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Vlorë, sipas këtij vendimi.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Vlorë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.

12. Ngarkohen Bashkia Vlorë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E MINISTRISË SË KULTURËS, PËR VITIN 2023, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT TEKNIK TË NDËRHYRJES EMERGJENTE NË OBJEKTIN, MONUMENT KULTURE, KATEGORIA E I-RË “URA E MATIT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ministrisë së Kulturës, në buxhetin e vitit 2023, në programin “Trashëgimia kulturore dhe muzetë”, t’i shtohet fondi prej 57 515 644 (pesëdhjetë e shtatë milionë e pesëqind e pesëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e dyzet e katër) lekësh në shpenzime kapitale, për financimin e projektit teknik të ndërhyrjes emergjente në objektin, Monument Kulture, kategoria e I-rë “Ura e Matit”.

2. Ky fond përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2023.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Kulturës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE TË TRAJTIMIT ME USHQIM GJATË QËNDRIMIT NË PUNË TË PUNONJËSIT TË GARDËS SË REPUBLIKËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 48, të ligjit nr.33/2021, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Trajtimin me ushqim pa pagesë të punonjësit të Gardës së Republikës, si më poshtë vijon:

a) Me një vakt ushqim “drekë”, të gjithë punonjësit e Gardës së Republikës, kur kohëzgjatja e punës, shërbimit dhe trajnimit të tyre është 8 (tetë) orë;
b) Me tri vakte, kur punonjësi i Gardës së Republikës është i angazhuar në shërbime, gatishmëri apo trajnime, me kohëzgjatje 24 (njëzet e katër) orë.

2. Normat e ushqimit ditor, për punonjësin e Gardës së Republikës të jenë sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

3. Punonjësit të Gardës së Republikës, që trajtohet me ushqim, sipas shkronjave “a”, dhe “b”, të pikës 1, të këtij vendimi, vaktet e ushqimit, sipas normave të përcaktuara në lidhjen nr.1, i kompensohen në formë financiare për çdo ditë efektive në punë.

4. Masa e vlerës për kompensimin në lekë për çdo normë të trajtimit me ushqim, është për:

a) normën ditore të ushqimit me një vakt “drekë”, për Njësinë Speciale në Gardën e Republikës, në vlerën 664 (gjashtëqind e gjashtëdhjetë e katër) lekë;
b) normën ditore të ushqimit me një vakt “drekë”, për strukturat e tjera në Gardën e Republikës, në vlerën 556 (pesëqind e pesëdhjetë e gjashtë) lekë;
c) normën ditore të ushqimit me tri vakte, për Njësinë Speciale në Gardën e Republikës, në vlerën 1 382 (një mijë e treqind e tetëdhjetë e dy) lekë;
ç) normën ditore të ushqimit me tri vakte, për strukturat e tjera në Gardën e Republikës, në vlerën 1 193 (një mijë e njëqind e nëntëdhjetë e tre) lekë.

5. Vlerat e kompensimit në lekë të normave ditore të ushqimit, të përcaktuara në shkronjat “a”, “b”, “c”, dhe “ç”, të pikës 4, indeksohen çdo vit, sipas inflacionit të publikuar nga INSTAT-i.

6. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Brendshme, në programin buxhetor “Garda e Republikës”.

7. Vendimi nr.638, datë 29.7.2020, i Këshillit të Ministrave, “Për trajtimin me ushqim pa pagesë të punonjësve dhe kursantëve të Gardës së Republikës”, shfuqizohet.

8. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Garda e Republikës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.
Previous Dita Botërore e Shëndetit, Manastirliu: Mbi 35 mijë të moshuar kanë marrë fishat e diabetit falas