Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 7 Shkurt 2024 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 7 Shkurt 2024

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 7 Shkurt 2024: 
V E N D I M
PËR
NGARKIMIN E FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT, SI AUTORITET KONTRAKTOR, PËR REALIZIMIN E PROJEKTIT TË SHTESËS SË GODINËS “POLI I DREJTËSISË”, NË FUNKSION TË SHKOLLËS SË MAGJISTRATURËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 53, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, si autoritet kontraktor dhe njësi zbatuese, për kryerjen e procedurave të prokurimit publik për realizimin e projektit të shtesës së godinës “Poli i Drejtësië”, në funksion të Shkollës së Magjistraturës.
2. Fondi Shqiptar i Zhvillimit, si autoritet kontraktor dhe njësi zbatuese, sipas pikës 1, ngarkohet të kryejë:
a) të gjitha procedurat, sipas legjislacionit në fuqi, për prokurimin publik, duke lidhur edhe kontratën përkatëse, si dhe të ndjekë zbatimin e saj dhe të projektit përkatës;
b) paraqitjen, në emër dhe për llogari të Shkollës së Magjistraturës, të kërkesave për miratimin e lejeve të zhvillimit dhe të ndërtimit pranë autoritetit të zhvillimit të territorit, si dhe ndjekjen e të gjitha veprimeve e procedurave të nevojshme për këtë qëllim, sipas legjislacionit në fuqi për planifikimin dhe zhvillimin e territorit. Këtu përfshihet edhe marrja e miratimeve paraprake apo vijuese nga autoritetet përgjegjëse, sipas legjislacionit në fuqi.
3. Fondi Shqiptar i Zhvillimit i paraqet Ministrisë së Financave kërkesën për të hartuar dhe për të ndërmarrë nismën për alokimin e fondeve të nevojshme për zbatimin e projektit pranë tij.
4. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
*** 
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË PROCEDURAVE DHE TË DOKUMENTACIONIT PËR SUBJEKTET QË APLIKOJNË PËR STATUSIN “INVESTITOR NË STRUKTURË AKOMODUESE ME 4 OSE 5 YJE, STATUS SPECIAL”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 33/2, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Objekti i këtij vendimi është përcaktimi i kritereve, i procedurave dhe i dokumentacionit që duhet të plotësojnë subjektet që duan të aplikojnë për statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”, strukturës që do të merret me shqyrtimin e aplikimeve, si dhe i procedurës që do të ndiqet.
2. Për qëllime të këtij vendimi, me termat e mëposhtëm nënkuptohet:
a) “Autoriteti”, ministria përgjegjëse për turizmin;
b) “Aplikues”, çdo investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, që aplikon pranë autoritetit për marrjen e statusit “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”;
c) “Komisioni i përhershëm i vlerësimit të aplikimeve” (këtu e në vijim “Komisioni”), komisioni që ngrihet me urdhër të ministrit përgjegjës për turizmin, i cili shqyrton aplikimet dhe paraqet pranë ministrit vlerësimin në lidhje me dhënien ose jo të statusit special;
ç) “Sekretariati teknik i komisionit”, struktura administrative që asiston komisionin gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij. Rolin e sekretariatit teknik e luan struktura përgjegjëse për përgatitjen dhe fizibilitetin e projekteve në fushën e turizmit pranë autoritetit;
d) “Sigurimi i marrëveshjes së zhvillimit”, një sigurim në formën e një garancie bankare apo garancie financiare, të lëshuar nga një bankë ose një shoqëri sigurimi vendase apo e huaj, e licencuar nga autoritetet shtetërore për të ushtruar këtë veprimtari;
dh) “Subjekt për qëllime të veçanta (SPV)”, ka të njëjtin kuptim si ai i përcaktuar në nenin 207 e në vijim, të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”;
e) Termat e tjerë të përdorur në këtë vendim kanë kuptimin që u është dhënë në ligjin nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar.
II. KRITERET QË DUHET TË PLOTËSOJË APLIKUESI PËR MARRJEN E STATUSIT TË VEÇANTË “INVESTITOR NË STRUKTURË AKOMODUESE ME 4 OSE 5 YJE, STATUS SPECIAL”
1. Çdo aplikues, bazuar në parashikimet e neneve 6 dhe 33/1, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme për kualifikim:
a) Të investojë në ndërtimin e një strukture akomoduese me 4 ose 5 yje, e cila:
i. ndodhet në zonat me përparësi për zhvillimin e turizmit, të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi;
ii. ka vlerën e investimit, jo më të vogël se 8 000 000 (tetë) milionë euro për ndërtimin e  strukturës akomoduese me 4 yje dhe jo më të vogël se 15 000 000 (pesëmbëdhjetë milionë) euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 5 yje;
iii. menaxhohet nga një operator menaxhues, i regjistruar si markë tregtare ose i njohur  ndërkombëtarisht “brand name” me 4 dhe/ose 5 yje, nga autoritetet kompetente të vendeve ku ato ndodhen,  i lidhur me aplikuesin me një  marrëveshje të vlefshme gjatë kohëzgjatjes së statusit.
b) Të mos jetë subjekt i procedurave për deklarimin e falimentimit dhe të mos ketë një urdhër likuidimi të detyruar ose administrimi nga gjykata apo ndonjë procedurë tjetër të ngjashme;
c) Të mos jetë dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për veprat penale të parashikuara në nenin 6, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar;
ç) Të ketë përmbushur detyrimet për pagimin e taksave dhe tatimeve, në përputhje me legjislacionin shqiptar ose me dispozitat e zbatueshme në shtetin e origjinës.
2. Në rast se aplikuesi është një SPV ose “Bashkim operatorësh ose konsorciumi”, kriteret e kualifikimit plotësohen nga kompania mëmë/ secili entitet, sipas marrëveshjes së posaçme të lidhur.
III. PROCEDURAT QË NDIQEN PËR DHËNIEN E STATUSIT “INVESTITOR NË STRUKTURË AKOMODUESE ME 4 OSE 5 YJE, STATUS SPECIAL”
1. Çdo aplikues, që aplikon për marrjen e statusit të veçantë “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”, ndjek procedurat dhe plotëson dokumentet dhe kriteret që përcaktohen në këtë vendim.
2. Me paraqitjen e aplikimit, aplikuesi paguan tarifën e aplikimit, si më poshtë vijon:
a)  200 000 (dyqind mijë) lekë për marrjen e statusit investitor në strukturë akomoduese me 4 yje, status special;
b) 300 000 (treqind mijë) lekë për marrjen e statusit investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special.
Tarifa e aplikimit paguhet në llogarinë bankare të autoritetit, siç përcaktohet në dokumentet për paraqitjen e aplikimit. Tarifa e aplikimit që është paguar nuk kthehet.
3. Autoriteti është përgjegjës për pritjen, shqyrtimin dhe vlerësimin e aplikimit, ndjekjen e të gjitha procedurave të përcaktuara në këtë vendim, deri në lidhjen e marrëveshjes së zhvillimit ndërmjet autoritetit dhe aplikuesit të suksesshëm, nëpërmjet komisionit të përhershëm të vlerësimit të aplikimeve (komisioni).
4. Komisioni përbëhet nga 7 (shtatë) anëtarë, përfaqësues të strukturave përkatëse në ministrinë përgjegjëse për turizmin ose në institucione në varësi të saj dhe asistohet nga sekretariati teknik. Nuk mund të marrin pjesë në këtë komision personat që kanë konflikt interesi me aplikuesit, sipas kuptimit të ligjit nr.9367, datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, të ndryshuar. Përbërja nominale e komisionit dhe sekretariatit teknik, si dhe mënyra e organizimit dhe e funksionimit të tyre përcaktohen me urdhër të ministrit përgjegjës për turizmin.
5. Anëtarët e komisionit kanë detyrimin të ruajnë konfidencialitetin e përmbajtjes së aplikimeve.
6. Mbledhjet e komisionit zhvillohen sa herë që ka të paktën një aplikim, dhe komisioni mblidhet brenda 10 (dhjetë) ditëve nga dita e paraqitjes së këtij aplikimi.
7. Komisioni merr vendime me shumicë të thjeshtë (50+1) dhe në mbledhjet e tij marrin pjesë të paktën 5 (pesë) anëtarë. Në rast të ndarjes në mënyrë të barabartë të votave, vota e kryetarit të komisionit merr vlerë përcaktuese. Votimet bëhen të hapura dhe abstenimi nuk lejohet.
IV. APLIKUESIT, ELEMENTET PËRBËRËSE DHE DOKUMENTACIONI PËR APLIKIMIN
1. Çdo investitor, shqiptar ose i huaj, që kërkon të aplikojë për marrjen e statusit “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special” ka të drejtë që të aplikojë për të përfituar njërin nga këta dy statuse.
2. Aplikimi përbëhet nga tërësia e dokumenteve të përcaktuara në këtë vendim, nëpërmjet të cilave vërtetohet plotësimi i kritereve të përcaktuara në këtë vendim.
3. Dokumentacioni i aplikimit depozitohet nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-Albania”. Dokumentet që disponohen në gjuhë të huaj duhet të paraqiten të shoqëruara me përkthimin në gjuhën shqipe të noterizuar.
4. Dokumentacioni i paraqitur duhet të jetë origjinal ose kopje e noterizuar e tij dhe çdo dokument duhet të përmbajë nënshkrimin e personit/personave të autorizuar që paraqesin aplikimin.
5. Formularët për aplikim, sipas shtojcës nr.1, gjenerohen nga portali unik qeveritar “e-Albania” dhe përcaktojnë të dhënat bazë që kërkohen në lidhje me aplikimin dhe kërkesat e kritereve për kualifikim, sipas formularëve, si më poshtë vijon:
a) Formulari i aplikimit;
b) Formulari i ankesës;
c) Formulari i sigurimit të marrëveshjes;
ç) Formulari i kryerjes së pagesë së tarifës.
Formati tip i formularëve është sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
6.  Aplikuesi dorëzon dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Projektin teknik në lidhje me strukturën akomoduese, që duhet të përmbajë:
 i. projektin arkitekturor, të shoqëruar me preventivin e kostove respektive, së bashku me grafikun, fazat dhe afatet e realizimit të investimit;
ii. të dhëna për standardin turistik që do të zbatohet;
iii. planin operacional për funksionimin dhe mirëmbajtjen e strukturës akomoduese;
iv. të dhëna në lidhje me vendndodhjen, pronën ku zhvillohet projekti i investimit, si dhe dokumentin që përcakton marrëdhënien juridike të aplikantit me atë pronë, si certifikatë pronësie apo kontratë shitblerjeje, dhurimi, shkëmbimi, qiraje, enfiteoze, huapërdorjeje apo të tjera si këto, të cilat vërtetojnë të drejtën e përdorimit të pronës për qëllim zhvillimi.
b)  Vetëdeklarim pë mjetet e financimit të projektit;
c) Vetëdeklarim se nuk është objekt i ndonjë procedure falimentimi dhe/ose likuidimi apo ndonjë procedure tjetër të ngjashme, e cila mund të cenojë ndërtimin dhe/ose operimin e strukturës akomoduese;
ç) Vetëdeklarim që nuk është dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për subjektet dhe veprat penale, të parashikuara në pikën 2, të nenit 6, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar;
d) Vërtetimin e pagesës së tarifës së aplikimit;
dh) Deklaratën e aplikuesit, me anë të së cilës merr përsipër dhe garanton vërtetësinë e të dhënave dhe të dokumenteve të paraqitura në aplikim, nuk ka pengesë ligjore për të ushtruar veprimtarinë, si dhe njeh e pranon kriteret dhe detyrimet lidhur me aplikimin për statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”;
e) Autorizim me shkrim nga ana e aplikuesit, me të cilin komisioni, autoriteti apo çdo person ose entitet i caktuar prej tyre autorizohen për të kryer të gjitha verifikimet e nevojshme të të dhënave të paraqitura në materialet e aplikimit;
ë) Prokurën/autorizimin, në formën e përcaktuar nga legjislacioni në fuqi, që tregon se personi/personat që ka/kanë nënshkruar aplikimin kanë të drejtën e nënshkrimit të saj, në rast se aplikimi nuk paraqitet nga vetë aplikuesi. Prokura/autorizimi duhet të jetë e/i vlefshme/ëm gjatë gjithë kohës së vlefshmërisë së aplikimit, nga momenti i aplikimit pranë autoritetit deri në momentin e hartimit dhe të nënshkrimit të marrëveshjes së zhvillimit.
7. Autoriteti është përgjegjës për sigurimin e dokumentacionit të mëposhtëm:
a) Vlerësimin e ndikimit mjedisor të projektit;
b) Vërtetimet se aplikuesi nuk është dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për vepra penale, sipas parashikimeve të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar;
c) Vërtetimet se aplikuesi ka përmbushur detyrimet në lidhje me pagesat e taksave dhe të tatimeve.
8. Përjashtimisht, kur aplikuesi është shtetas i huaj nuk kërkohet vetëdeklarimi, por vërtetimi se nuk është i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për vepra penale, sipas parashikimeve të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar.
V. PROCEDURA E DORËZIMIT DHE E SHQYRTIMIT TË APLIKIMIT
1. Aplikimi së bashku me dokumentacionin e kërkuar dorëzohet nga aplikuesit nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-Albania”.
2. Shqyrtimi i aplikimit bëhet nga komisioni, bazuar në kriteret e kualifikimit të përcaktuara në këtë vendim dhe në dokumentacionin, pjesë përbërëse e këtij vendimi. Sekretariati teknik, brenda 7 (shtatë) ditëve nga përfundimi i afatit për paraqitjen e aplikimit kryen veprimet e mëposhtme:
a) Kur aplikimi dhe dokumentacioni shoqërues përmban të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, sipas parashikimeve të këtij vendimi, njofton aplikuesit për vazhdimin e procedurës së verifikimit të kritereve ligjore;
b) Kur aplikimi dhe dokumentacioni shoqërues nuk përmban të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, sipas parashikimeve të këtij vendimi, njofton aplikuesit për plotësimin e të metave, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga marrja e njoftimit.
3. Brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga njoftimi për vazhdimin e procedurës së verifikimit ose përfundimit të afatit për plotësimin e të metave, komisioni shqyrton aplikimin nëse aplikuesit plotësojnë kriteret e kualifikimit.
4. Në rast se gjatë shqyrtimit konstatohet mungesë informacioni, komisioni i kërkon aplikuesit duke dhënë arsyetimet përkatëse, plotësimin e tij nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-Albania”, brenda 30 (tridhjetë) ditëve.
5. Në përfundim të verifikimit, komisioni harton raportin përmbledhës dhe vendimin përkatës për secilin aplikues dhe ia dërgon atë ministrit përgjegjës për turizmin.
Raporti përmbledhës përmban:
a)  përshkrimin e procedurës së ndjekur;
b)  informacionin për ecurinë e shqyrtimit të aplikimit;
c)  dokumentacionin përkatës;
ç)  rekomandimin për ministrin përgjegjës për turizmin për pranimin   ose refuzimin e aplikimit për dhënien e statusit;
 d)  arsyetimin për çdo rekomandim;
dh) çdo informacion tjetër që gjykon të arsyeshëm në lidhje me procedurat e ndjekura në këtë shqyrtim.
VI. PROPOZIMI PËR DHËNIEN E STATUSIT “INVESTITOR NË STRUKTURË AKOMODUESE 4 OSE 5 YJE, STATUS SPECIAL”
1. Ministri përgjegjës për turizmin shqyrton raportin përmbledhës të komisionit dhe, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve miraton:
a) nisjen e procedurave për t’i propozuar Këshillit të Ministrave dhënien e statusit të veçantë “Investitor në strukturë akomoduese 4 ose 5 yje, status special” aplikuesit;
b) refuzimin  e aplikimit.
2. Formulari i refuzimit të aplikimit i njoftohet aplikuesit brenda 5 (pesë) ditëve për arsyet e kësaj vendimmarrjeje.
3. Kundër vendimit të refuzimit të aplikimit të komisionit mund të bëhet ankim te ministri përgjegjës për turizmin. Paraqitja dhe shqyrtimi i ankimeve bëhet sipas rregullave dhe afateve të parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative.
VII. MARRËVESHJA E ZHVILLIMIT ME INVESTITORIN
1. Pas hyrjes në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave për dhënien e statusit, aplikuesi njoftohet nga autoriteti kontraktues, që brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e njoftimit të nënshkruajë marrëveshjen e zhvillimit me autoritetin (në vijim “Marrëveshja”).
 2. Marrëveshja që do të nënshkruhet duhet detyrimisht të përmbajë, si më poshtë vijon:
a) Objektin e marrëveshjes dhe statusin e akorduar investitorit;
b) Vlerën e projektit;
c) Kohëzgjatjen e marrëveshjes dhe afatet e realizimit të projektit;
ç) Asistencën që mund të japë autoriteti për marrjen e licencave dhe të lejeve të nevojshme;
d) Detyrimet e ndërsjella të palëve;
dh) Ndalimet e tjetërsimit të destinacionit gjatë periudhës së mbajtjes së statusit;
e) Të drejtën e autoritetit ose të çdo autoriteti tjetër publik të ngarkuar nga legjislacioni në fuqi për të monitoruar ndërtimin e strukturës akomoduese me 4 ose 5 yje, status special dhe operimin e saj;
ë) Të drejtën për shtyrjen e afatit apo zgjidhjen e marrëveshjes;
f) Pasojat nga mosrespektimi i detyrimeve të ndërsjella, përfshirë heqjen e avantazheve, si pasojë e shfuqizimit të statusit;
g) Ligjin e zbatueshëm, mekanizmat për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe gjykatën kompetente.
3. Modeli i marrëveshjes tip, që autoriteti nënshkruan me investitorin, gjendet bashkëlidhur në shtojcën 2 të këtij vendimi.
4. Në rast se investitori nuk nënshkruan marrëveshjen me autoritetin, brenda afatit 30-ditor nga data e njoftimit sipas pikës 1, të këtij kreu, investitori humbet statusin.
5. Përpara nënshkrimit të marrëveshjes, investitori bën sigurimin e marrëveshjes, në përputhje me përcaktimet e bëra në marrëveshjen tip, si garanci për institucionet shtetërore në rastet e shkeljes së marrëveshjes nga ana e tij. Sigurimi i marrëveshjes përfundon pas përfundimit të kohëzgjatjes së rregullt të marrëveshjes.
6. Sigurimi i marrëveshjes bëhet, si më poshtë vijon:
a) Për hotelet me 4 yje për vlerën 240 mijë euro (3% e vlerës dysheme për hotelet me 4 yje prej 8 milionë eurosh);
b) Për hotelet me 5 yje për vlerën 450 mijë  euro (3% e vlerës dysheme për hotelet me 5 yje prej 15 milionë eurosh).
7. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, në Buletinin e Njoftimeve Publike publikohet njoftimi për lidhjen e saj. Ky njoftim përmban:
a)  emrin, adresën e investitorit dhe statusin special që i është dhënë atij;
b)  kohëzgjatjen e marrëveshjes;
c)  vlerën e projektit dhe afatin e realizimit të tij.
8. Marrëveshja është e vlefshme për një periudhë kohore dhjetëvjeçare, duke filluar nga data e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, e cila fillon jo më vonë se 3 (tre) vjet nga data e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje.
9. Marrëveshja zgjidhet menjëherë, në rastet kur autoriteti dhe/ose institucionet e ngarkuara nga ai për monitorimin e marrëveshjes konstatojnë se:
a) investitori falimenton ose ka kaluar në procedurë likuidimi;
b) janë paraqitur të dhëna të rreme apo dokumente të falsifikuara në lidhje me kërkesat dhe dokumentacionin e nevojshëm për marrjen e statusit, të cilat provohen në çdo kohë;
c) kushtet, për të cilat investitori e ka përfituar statusin, nuk qëndrojnë më dhe ai nuk ka marrë masat për t’u rikthyer në ato kushte apo kushte të ngjashme të pranueshme për autoritetin brenda 1 (një) viti nga njoftimi i këtij të fundit; si dhe
ç) investitori braktis ndërtimin e strukturës akomoduese me 4 ose 5 yje, status special, apo në rast se investitori braktis veprimtarinë turistike që zhvillon te kjo strukturë akomoduese, sipas përcaktimeve të bëra në marrëveshje.
VIII. SHFUQIZIMI I STATUSIT DHE EFEKTET E SHFUQIZIMIT
1. Kur konstatohet një nga rastet e listuara në pikën 9, të kreut të VII, të këtij vendimi, ministri përgjegjës për turizmin, bazuar në raportin përmbledhës të komisionit, i propozon Këshillit të Ministrave shfuqizimin e statusit.
2. Komisioni inicion hartimin e raportit përmbledhës për propozimin e shfuqizimit të statusit, pasi analizon/vlerëson dokumentacionin e paraqitur nga njësitë monitoruese respektive të ngritura nga autoriteti kontraktues.
3. Përveç rastit kur marrëveshjes i përfundon afati normal i vlefshmërisë, shfuqizimi i statusit për arsyet e tjera të listuara në pikën 9, të kreut VII, të këtij vendimi, detyron investitorin që të kthejë të gjitha avantazhet e përftuara, sipas parashikimeve të nenit 12, të marrëveshjes, e cila është pjesë përbërëse e këtij vendimi.
4. Përllogaritja kryhet nga organet kompetente tatimore, në formën që parashikon legjislacioni fiskal, dhe këto organe njoftojnë komisionin për detyrime që subjekti duhet të kthejë. Shuma e detyrimit është pjesë përbërëse e aktit të shfuqizimit. Për mbledhjen e këtyre detyrimeve organet tatimore kanë të gjitha të drejtat që legjislacioni në fuqi parashikon për mbledhjen e detyrimeve, përfshirë vendosjen e sekuestros ndaj pasurive të investitorit.
IX. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT 
1. Për kërkesat e paraqitura përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, për të cilat nuk ka përfunduar procesi i shqyrtimit, si dhe për subjektet që kanë marrë statusin special përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, por nuk kanë lidhur ende marrëveshjen, zbatohen dispozitat e këtij vendimi.
2. Procedura e aplikimit on-line hyn në fuqi në momentin e ngritjes së regjistrit dhe deri hyrjen në fuqi të kësaj procedure, dokumentacioni për shkronjat “b” dhe “c”,  të pikës 7, të kreut IV, të këtij vendimi, depozitohen nga aplikuesi. Dorëzimi i aplikimit, si dhe tërheqja e dokumentacionit të parashikuar në pikën 5, të kreut IV, bëhet pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin.
3. Vendimi nr.257, datë 9.5.2018, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe të dokumentacionit për subjektet që aplikojnë për statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”, shfuqizohet.
4. Ngarkohet ministria përgjegjëse për turizmin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
*** 
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KËRKESAVE E TË KRITEREVE QË DUHET TË PLOTËSOJNË START UP-ET DHE LEHTËSUESIT E START UP-EVE, TË PROCEDURAVE E TË AFATEVE, SI DHE TË RREGULLAVE PËR PËRBËRJEN E KOMISIONIT TË VLERËSIMIT DHE ANKIMIT, KRITEREVE, PROCEDURËS SË PËRZGJEDHJES E TË SHPËRBLIMIT TË ANËTARËVE TË TYRE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 3 e 4, të nenit 14, të ligjit nr.25/2022, “Për mbështetjen dhe zhvillimin e start up-eve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Objekt i këtij vendimi është përcaktimi i:
a) kërkesave dhe kritereve që duhet të plotësojnë start up-et dhe lehtësuesit e start up-eve, procedurave dhe afateve të thirrjes për përfitimin e granteve e të masave mbështetëse;
b) rregullave për ngritjen e komisionit të vlerësimit dhe të ankimit, kritereve, procedurave të përzgjedhjes dhe shpërblimit të anëtarëve.
2. Agjencia Shtetërore për Mbështetjen dhe Zhvillimin e Start up-eve dhe Lehtësuesve (këtu e në vazhdim, e njohur si Start up Albania) i propozon ministrit përgjegjës për sipërmarrjen shpalljen e “Thirrjes për kërkesa për masa mbështetëse”, të shoqëruar me vendimin e Komisionit të Ndihmës Shtetërore, në përputhje me legjislacionin në fuqi për ndihmën shtetërore.
2. Start up Albania harton dhe publikon në faqen e internetit:
a) thirrjen publike për kërkesa për përfitimin e granteve e të masave mbështetëse nga start up-et dhe lehtësuesit e start up-eve;
b) fondin në dispozicion për çdo thirrje;
c) dokumentacionin për përgatitjen dhe dorëzimin e kërkesave;
ç) formularët e kërkesës;
d) kontratën tip;
dh)  udhëzimet e detajuara, të cilat përmbajnë informacion për:
i.    mënyrën e shpërndarjes së fondeve dhe zbatimin e projektit;
ii.   procedurën e zbatuar;
iii. kriteret minimale të kualifikimit dhe dokumentacionin, që provon plotësimin e tyre;
iv.  kushtet e grantit;
v.   afatet kohore dhe formalitetet, që duhet të respektohen;
vi.  kriteret e përdorura për përzgjedhjen e kandidatëve;
vii. ndarjen e zërave në terma financiarë;
viii.mënyrën e vlerësimit të kërkesave;
 ix. detyrimet e raportimit për zbatimin e grantit;
  x. mënyrën e kryerjes së monitorimit të projekteve;
e) ndryshimet e kryera dhe sqarimet e bëra përgjatë procedurës;
ë) listën e projektpropozimeve dhe të kandidatëve pjesëmarrës për përfitimin e granteve;
f) vlerësimet përfundimtare të projektpropozimeve, kryer nga komisioni i vlerësimit dhe miratuar nga ministri përgjegjës për sipërmarrjen.
3. Start up Albania njofton kandidatin pjesëmarrës në procedurat konkurruese për:
a) përzgjedhjen e kërkesës për financim;
b) përzgjedhjen e kushtëzuar të kërkesës për financim dhe kërkesës për rishikim të tij, bazuar në rekomandimet e komisionit;
c) mospërzgjedhjen e kërkesës për financim, arsyetimin e vendimmarrjes dhe të drejtën për ankim.
5. Start up Albania kryen procedurën e negociimit me kandidatin e përzgjedhur dhe nënshkruan kontratën e financimit.
6. Start up Albania monitoron zbatimin e projekteve të financuara dhe përgatit vlerësimin e performancës së fondit grant deri në 12 (dymbëdhjetë) muaj pas përfundimit të implementimit të projektit.
7. Menaxhimi dhe monitorimi i realizimit të granteve financiare të miratuara sipas “Thirrjeve për kërkesa për masa mbështetëse” kryhet nga Start up Albania në bazë të rregullores “Për zbatimin dhe monitorimin e projekteve fituese të thirrjes për masa mbështetëse”, të miratuar me urdhër të ministrit përgjegjës për sipërmarrjen e të publikuar në faqen zyrtare në internet të Start up Albania dhe të ministrit përgjegjës për sipërmarrjen.
II. KËRKESAT DHE KRITERET PËR PËRFITIMIN E GRANTIT
1. Mbështetjen me grant e përfitojnë start up-et dhe lehtësuesit e start up-eve të vetëdeklaruar në regjistrin elektronik të start up-eve dhe lehtësuesve, që janë të pajisur me pasaportën përkatëse, sipas nenit 11, të ligjit nr.25/2022, “Për mbështetjen dhe zhvillimin e start up-eve”, të ndryshuar.
2. Subjektet kërkuese, start up, mund të aplikojnë si individ, person fizik ose juridik, vendas ose i huaj, përfshirë nomadin digjital.
3. Mbështeten me grant start up-et që plotësojnë kriteret e mëposhtme:
a) Të kenë përfunduar vetëdeklarimin në regjistrin elektronik të start up-eve dhe të jenë pajisur me pasaportën e start up-it përpara aplikimit;
b) Start up-et që përzgjedhin fazën aktuale të zhvillimit të specifikuar nëpërmjet formave të aplikimit:
i. faza fillestare (F1);
ii. faza e validimit (F2);
iii. faza e rritjes (F3).
c) Start up-et në fazën fillestare, e hershme, (F1) mund të jenë individë privatë, vendas ose të huaj, përfshirë nomadin digjital, të cilët kanë plan të vijojnë operacionet e biznesit në Shqipëri;
ç) Start up-et në fazën e validimit (F2) dhe fazën e rritjes (F3) duhet të jenë biznes i regjistruar ligjërisht në regjistrin tregtar të Republikës së Shqipërisë dhe jo më të vjetër se 6 (gjashtë) vjet në kohën e kërkesës;
d) Të kenë përmbushur shlyerjen e detyrimeve tatimore në momentin e kërkesës;
 dh) Një kërkues nuk mund të aplikojë më shumë se një herë për të njëjtën thirrje.
4. Mbështeten me grant lehtësuesit e start up-eve që plotësojnë kriteret e mëposhtme:
a) Kërkuesit duhet të jenë persona fizikë ose juridikë të regjistruar në regjistrin tregtar të Republikës së Shqipërisë ose në gjykatë në rastin e OJF-ve;
b) Të jenë në pronësi të shtetasve shqiptarë;
c) Të kenë kryer aktivitete në ndihmë të start up-eve gjatë 2 (dy) viteve të fundit në territorin e Republikës së Shqipërisë, të vërtetuar nëpërmjet kontratave dhe raporteve të publikuara;
ç) Të kenë përmbushur shlyerjen e detyrimeve tatimore në momentin e kërkesës;
d) Një kërkues nuk mund të aplikojë më shumë se një herë për të njëjtën thirrje.
5. Projektet e shpallura fituese duhet të zbatohen brenda afatit kohor të përcaktuar në thirrjen publike për mbështetje, duke nisur nga data e nënshkrimit të marrëveshjes së fitimit të grantit, midis përfituesit dhe Start up Albania.
6. Disbursimi i grantit për projektet e shpallura fituese bëhet deri në 3 (tri) këste pas përfundimit të periudhës së mbylljes së çdo faze të projektit, kundrejt dorëzimit të faturës/ave të shpenzimeve të kryera dhe dokumentacionit të kërkuar, sipas procedurave dhe kritereve të përcaktuara në rregulloren “Për zbatimin dhe monitorimin e projekteve fituese të thirrjes për masa mbështetëse”.
7. Start up-eve dhe lehtësuesve iu lëvrohet fondi për projektin në 3 (tri) këste:
a) Kësti i parë: 30% (tridhjetë për qind) të vlerës së fondit menjëherë pas nënshkrimit të kontratës së grantit;
b) Kësti i dytë: 40% (dyzet për qind) të vlerës së fondit menjëherë pas miratimit nga Start up Albania të raportit përshkrues dhe financiar të fazës së parë;
c) Kësti i tretë: 30% (tridhjetë për qind) të vlerës së fondit pas miratimit nga Start up Albania të raportit përshkrues dhe financiar përfundimtar.
III. PROCEDURAT DHE AFATET E THIRRJES
1. Në shpalljen e thirrjes evidentohen edhe forma dhe sasia e granteve financiare që parashikohen të akordohen.
2. Kërkesa për mbështetje me grant kryhet elektronikisht nëpërmjet portalit “e-Albania”.
3. Afati për dërgimin e kërkesave për masa mbështetëse dhe periudha e thirrjes nuk mund të jetë më pak se 10 (dhjetë) ditë kalendarike dhe jo më shumë se 30 (tridhjetë) ditë.
4. Dokumentacioni i nevojshëm që duhet të shoqërojë kërkesën për masa mbështetëse përcaktohet në rregulloren e shpallur të thirrjes.
IV. NGRITJA E KOMISIONIT TË VLERËSIMIT DHE ANKIMIT
1. Brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve kalendarike pas publikimit të “Thirrjes për kërkesa për masa mbështetëse”, me urdhër të ministrit përgjegjës për sipërmarrjen ngrihet Komisioni i Vlerësimit dhe Komisioni i Ankimit, duke caktuar edhe kryetarët përkatës.
2. Komisioni i Vlerësimit ka për qëllim shqyrtimin dhe vlerësimin e kërkesave nga start up-et e lehtësuesit dhe përbëhet nga 5 (pesë) anëtarë të cilët janë përfaqësues nga organet e administratës shtetërore, bota akademike, ekosistemi kombëtar dhe ndërkombëtar i start up-eve.
3. Drejtori i Start up Albania është anëtar i Komisionit të Vlerësimit për shkak të detyrës.
4. Komisioni i Ankimit përbëhet nga 3 (tre) anëtarë, të cilët janë përfaqësues nga organet e administratës shtetërore, bota akademike, ekosistemi kombëtar dhe ndërkombëtar i start up-eve.
5. Anëtarët duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:
5.1. Anëtari i Komisionit i përzgjedhur nga organet e administratës shtetërore duhet të plotësojë kushtet e mëposhtme:
a) Të jetë nëpunës i administratës shtetërore;
b) Të ketë pjesë të detyrave të tij funksionale hartimin, zbatimin ose monitorimin e politikave, programeve dhe projekteve për ekosistemin dhe kompanitë start up.
5.2. Anëtari i Komisionit i përzgjedhur nga bota akademike duhet të plotësojë kushtet e mëposhtme:
a) Të ketë të paktën 10 (dhjetë) vjet përvojë pune përkatëse në universitete dhe/ose organizata kërkimore për fusha specifike ku përfshin kërkimin dhe zhvillimin për industrinë;
b) Të ketë përvojë menaxhimi brenda sektorit të industrisë ose përvojë në projekte kërkimore;
c) Të ketë përvojë në vlerësimin e projektpropozimeve, në kuadër të programeve kombëtare ose ndërkombëtare në përgjithësi dhe brenda fushave që u përgjigjen objektivave të thirrjes.
5.3. Anëtari i Komisionit i përzgjedhur nga ekosistemi kombëtar dhe ndërkombëtar i start up-eve duhet të plotësojë kushtet e mëposhtme:
a) Të ketë të paktën 10 (dhjetë) vjet përvojë pune përkatëse në organizma kombëtarë dhe ndërkombëtarë që kanë për qëllim mbështetjen ndaj kompanive start up dhe lehtësuesve të ekosistemit;
b) Të ketë të paktën 5 (pesë) vjet përvojë në menaxhimin e projekteve;
c) Të ketë përvojë në bashkëpunim ndërkombëtar në zhvillim të kompanive start up dhe të ekosistemit;
ç) Të ketë përvojë si anëtar/kryetar i panelit të ekspertëve ose drejtor i propozimeve të programeve ose projekteve dhe anëtar/kryetar i komisionit të vlerësimit të fondeve kombëtare dhe ndërkombëtare.
6. Anëtarët përzgjidhen mbi bazën e një procesi transparent, bazuar në thirrjen e hapur, të publikuar në faqen zyrtare të Start up Albania dhe ministrit të Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit.
7. Start up Albania ngarkohet të hartojë termat e referencës, të përcaktojë afatin e aplikimit, të menaxhojë procesin e përzgjedhjes së anëtarëve dhe t’i propozojë për miratim ministrit përgjegjës për sipërmarrjen.
8. Në përfundim të procesit të konkurrimit për anëtarët, ministri përgjegjës për sipërmarrjen shpall fitues, në cilësinë e anëtarit të komisioneve, kandidatët e vlerësuar me pikët më të larta, dhe kandidatët e renditur të dytët, në cilësinë e zëvendësuesit, në rastin e krijimit të vakancës.
9. Anëtari i Komisionit të Vlerësimit dhe Komisionit të Ankimit lirohet nga detyra me urdhër të ministrit përgjegjës për sipërmarrjen në rastet e mëposhtme:
a) Ka ndërprerë marrëdhënien e punës me institucionin ose organizatën kërkimore që përfaqëson;
b) Është dënuar me vendim penal të formës së prerë;
c) Bëhet i paaftë mendërisht ose fizikisht për të ushtruar detyrën;
ç) Me veprimet e tij dëmton veprimtarinë e komisionit dhe imazhin e institucionit përgjegjës për funksionimin e këtij komisioni;
d) Nuk merr pjesë në 2 (dy) mbledhje radhazi të komisionit pa shkak të arsyeshëm dhe nuk ka njoftuar paraprakisht kryetarin.
V. VLERËSIMI I KËRKESAVE PËR MASA MBËSHTETËSE
1.  Komisioni i Vlerësimit mblidhet në mbledhjen e parë, jo më vonë se 5 (pesë) ditë kalendarike pas mbylljes së thirrjes për aplikime nga start up-et dhe lehtësuesit e start up-eve.
2.  Sekretariati teknik pranë Start up Albania administron kërkesat së bashku me dokumentacionin shoqërues dhe i vendos në dispozicion anëtarëve praktikat dokumentare e raportin përmbledhës të aplikimeve.
3.  Mbledhjet e Komisionit të Vlerësimit thirren dhe drejtohen nga kryetari i këtij Komisioni.
4.  Komisioni i Vlerësimit merr në shqyrtim kërkesat për mbështetje me grant dhe në fund të procesit të vlerësimit, brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike miraton me vendim listën paraprake të aplikimeve fituese.
5.  Komisioni i Vlerësimit ushtron këto detyra dhe kompetenca:
a) Shqyrton e vlerëson çdo kërkesë;
b) Plotëson formularët e vlerësimit për çdo kërkesë të dorëzuar dhe anëtarët e tij japin pikët individuale;
c) Përgatit renditjen paraprake të kërkesave bazuar në pikëzimin dhe vendimmarrjen e të gjithë anëtarëve dhe, sipas rastit, përgatit rekomandimet për rishikim të kërkesave me qëllim përmirësimin e tyre;
ç) Harton dhe nënshkruan procesverbalin e vlerësimit dhe listën e kërkesave të përzgjedhura për financim.
6. Kërkuesit mund të depozitojnë ankesat për shkelje të procedurës të shqyrtimit të kërkesës për masë mbështetëse brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike nga njoftimi elektronik.
7. Komisioni i Ankimit ka për qëllim shqyrtimin e ankesave për shkelje të procedurës së shqyrtimit sipas këtij vendimi nga Komisioni i Vlerësimit.
8. Komisioni i Ankimit mblidhet në mbledhjen e parë, jo më vonë se 5 (pesë) ditë kalendarike pas përfundimit të afatit të përcaktuar në pikën 6, të këtij kreu.
9. Sekretariati teknik i ngritur nga Start up Albania i vendos në dispozicion anëtarëve të Komisionit të Ankimit praktikat dokumentare të ankimeve të mbërritura dhe raportin pasqyrues të praktikave dokumentare të depozituara.
10. Mbledhjet e Komisionit të Ankimit thirren dhe drejtohen nga kryetari i këtij Komisioni.
11. Për organizimin e mbledhjeve të Komisionit të Ankimit njoftohen anëtarët jo më pak se 2 (dy) ditë kalendarike nga organizimi dhe mbledhjet janë të vlefshme nëse marrin pjesë të paktën 2 (dy) anëtarë.
12. Në fund të vlerësimit të ankesave, Komisioni i Ankimit miraton me vendim kërkesat për t’ia kaluar për rishqyrtim Komisionit të Vlerësimit, ku parashtron edhe shkeljet procedurale në shqyrtimin e kërkesës për mbështetje nga Komisioni i Vlerësimit.
13. Brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike nga marrja e vendimit nga Komisioni i Ankimit, Komisioni i Vlerësimit merr në shqyrtim të dytë aplikimet e atyre kërkuesve, ankesa e të cilëve është pranuar nga Komisioni i Ankimit.
14. Pas shqyrtimit të dytë të aplikimeve, Komisioni i Vlerësimit merr vendimin për listën përfundimtare të fituesve, i cili i përcillet për miratim ministrit përgjegjës për sipërmarrjen. Urdhri i miratimit publikohet në faqen zyrtare të Start up Albania, të ministrit përgjegjës për sipërmarrjen dhe në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare.
15. Start up Albania dhe subjekti përfitues nënshkruajnë kontratën e grantit, brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike nga miratimi i listës së përfituesve nga ministri përgjegjës për sipërmarrjen.
16. Në kontratën e grantit përcaktohen rregullat, afatet e përgjegjësitë e palëve për realizimin e projektit, dokumentacioni dhe afatet për raportimin përshkrues e financiar, mënyra e transferimit të fondeve, shpenzimet e njohura e të pranueshme, mekanizmat e raportimit e të kontrollit, përfshirë detyrimin e subjektit përfitues për të vënë në dispozicion të Kontrollit të Lartë të Shtetit dokumentacionin për veprimtarinë financiare të kryer, mënyra e dokumentimit të shpenzimeve të kryera dhe të produkteve e aktiviteteve të realizuara.
17. Start up Albania kryen lëvrimin e fondit sipas parashikimeve të kontratës së nënshkruar me fituesit e granteve.
VI. KRITERET VLERËSUESE
1. Kërkesat shqyrtohen nga Komisioni i Vlerësimit, ku secili nga anëtarët i vlerëson ato mbi bazën e pikëzimeve të caktuara në formularët e pikëzimit, të miratuar në rregulloren “Për zbatimin dhe monitorimin e projekteve fituese të thirrjes për masa mbështetëse”, të miratuar me urdhër të ministrit përgjegjës për sipërmarrjen.
2. Fituesit shpallen sipas renditjes së pikëve të mbledhura në raport me fondin total në dispozicion.
VII. MASA E SHPËRBLIMIT TË ANËTARËVE TË KOMISIONEVE
1. Shpërblimi i kryetarëve dhe anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit dhe të Komisionit të Ankimit është në masën 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë për mbledhje, por jo më shumë se 12 (dymbëdhjetë) pagesa në vit.
2. Shpenzimet për shpërblimin e kryetarëve e të anëtarëve vërtetohen kundrejt dokumentit të pjesëmarrjes në mbledhje dhe mbulohen nga buxheti i miratuar i Start up Albania.
VIII. RAPORTIMI, MONITORIMI DHE VLERËSIMI I GRANTEVE
1. Subjekti përfitues raporton pranë Start up Albania për ecurinë e zbatimit të grantit, bazuar në kushtet dhe afatet e përcaktuara në kontratën e grantit, udhëzuesin për raportimin periodik të progresit dhe dokumentet mbështetëse të raportimit, të cilat miratohen nga ministri përgjegjës për sipërmarrjen.
2. Start up Albania kryen monitorimin e zbatimit të projekteve dhe raporton për mbarëvajtjen e tyre pranë ministrit përgjegjës për sipërmarrjen.
3. Start up Albania kryen çdo vit vlerësimin e performancës së fondit grant, që përfshin vlerësimin e menaxhimit të thirrjes nga Start up Albania, si dhe rezultatet e ndikimit të arritur nga kërkesat e financuara. Vlerësimi kryhet brenda 3 (tre) muajve nga përfundimi i zbatimit të kërkesave të mbështetura në një program vjetor financimi dhe përmban, të paktën, elementet e mëposhtme:
a) Informacionin për thirrjet publike të zbatuara, sasinë e fondeve të shpërndara dhe shpenzimet e realizuara;
b) Informacionin për numrin e aplikimeve të thirrjes dhe përshkrimin e cilësive dhe të të metave të kërkesave të kandidatëve;
c) Informacion për arritjet e ndikimin e projekteve të mbështetura dhe kontributin e tyre për realizimin e objektivave të shpallur të thirrjes publike;
ç) Të dhëna për numrin e ankimeve administrative të paraqitura dhe për  vendimet përfundimtare të shqyrtimit të tyre.
IX. DISPOZITA TË FUNDIT
1. Funksionimi i Komisionit të Vlerësimit dhe i Komisionit të Ankimit i nënshtrohet rregullave të parashikuara në legjislacionin për organet kolegjiale të administratës shtetërore për çështjet që nuk janë të rregulluara posaçërisht në këtë vendim dhe në urdhrin për ngritjen e tyre nga ministri përgjegjës për sipërmarrjen.
2. Vendimet e Këshillit të Ministrave nr.313, datë 11.5.2022, “Për miratimin e rregullave të hollësishme për përbërjen e Komisionit të Vlerësimit, si dhe të kritereve, procedurës së përzgjedhjes dhe shpërblimit të anëtarëve të tij”, dhe nr.315, datë 11.5.2022, “Për përcaktimin e kërkesave dhe kritereve që duhet të plotësojnë start up-et dhe lehtësuesit e start up-eve, si dhe miratimin e procedurave dhe afateve të thirrjes për përfitimin e granteve dhe masave mbështetëse”, shfuqizohen.
3. Ngarkohen ministri përgjegjës për sipërmarrjen dhe Agjencia Shtetërore për Mbështetjen dhe Zhvillimin e Start up-eve dhe Lehtësuesve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
*** 
V E N D I M
PËR
DHËNIE MENDIMI KUVENDIT TË REPUBLIKËS   SË SHQIPËRISË PËR PROJEKTLIGJIN JOQEVERITAR “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.81/2017,    “PËR ZONAT E MBROJTURA””
Në mbështetje të neneve 82, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin  joqeveritar “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.81/2017, “Për zonat e mbrojtura””, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
*** 
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.199, DATË 10.4.2019,  TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN  E KRYETARIT DHE EMËRIMIN E ANËTARËVE, PËRFAQËSUES TË PUSHTETIT QENDROR, NË KËSHILLIN DREJTUES TË FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.10130, datë 11.5.2009, “Për Fondin Shqiptar të Zhvillimit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në pikën 2, të vendimit nr.199, datë 10.4.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kryetarit dhe emërimin e anëtarëve, përfaqësues të pushtetit qendror, në këshillin drejtues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
1. Znj. Elva Margariti, ministër i Kulturës, zëvendësohet me z. Blendi Gonxhja, ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
2. Znj. Delina Ibrahimaj, ministër i Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, zëvendësohet me z. Arbjan Mazniku, ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
*** 
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.314,    DATË 11.5.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE TË HOLLËSISHME PËR ORGANIZIMIN, FUNKSIONIMIN, PËRBËRJEN, KRITERET DHE PROCEDURËN E PËRZGJEDHJES, SI DHE SHPËRBLIMIN E ANËTARËVE TË KËSHILLIT TË START UP-EVE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 8, të ligjit nr.25/2022, “Për  mbështetjen dhe zhvillimin e start up-eve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.314, datë 11.5.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave të hollësishme për organizimin, funksionimin, përbërjen, kriteret dhe procedurën e përzgjedhjes, si dhe shpërblimin e anëtarëve të Këshillit të Start up-eve”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Në titullin e vendimit, pas fjalës “… përbërjen …” shtohet fjala “… kompetencat …”.
b) Në pikën 1, të kreut I, pas fjalëve “… përcaktimi i kritereve …” shtohet fjala “… kompetencave …”.
c) Pika 3, e kreut II, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Këshilli i Start up-eve kryesohet nga ministri përgjegjës për sipërmarrjen dhe përbëhet nga 7 (shtatë) anëtarë të tjerë nga institucione të lidhura me shërbimet e ofruara për biznesin, start up-et dhe ekosistemin, me mandat për një periudhë 1-vjeçare, me të drejtë rizgjedhjeje, si më poshtë vijon:
a) Zëvendësministri i ministrisë përgjegjëse për ekonominë, i cili mbulon fushën e sipërmarrjes;
b) Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI);
c) Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC);
ç) Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Inovacionit dhe Ekselencës;
d) Një anëtar ekspert nga ekosistemi i start up-eve;
dh)Një anëtar nga komuniteti i donatorëve, që mbulojnë fushën e financimit të start up-eve, i caktuar nga ministri përgjegjës për sipërmarrjen;
e) Një anëtar ekspert ndërkombëtar nga fusha e start up-eve.
ç) Pas pikës 3, të kreut II, shtohen pikat 3/1 dhe 3/2, me këtë përmbajtje:
“3/1. Anëtari ekspert i ekosistemit dhe anëtari ekspert ndërkombëtar nga fusha e start up-eve, të parashikuar në shkronjat “d” dhe “e”, të                 pikës 3, të këtij vendimi, do të përzgjidhen mbi bazën e një procesi transparent konkurrimi, pas shpalljes së thirrjes për ekspertë të publikuar në faqen zyrtare të ministrit përgjegjës për sipërmarrjen dhe Agjencisë Shtetërore për Mbështetjen dhe Zhvillimin e Start up-eve dhe Lehtësuesve.
Agjencia Shtetërore për Mbështetjen dhe Zhvillimin e Start up-eve dhe Lehtësuesve ngarkohet të hartojë termat e referencës, të përcaktojë afatin e aplikimit, si dhe të menaxhojë procesin e konkurrimit e të përzgjedhjes së ekspertëve të parashikuar në shkronjat “d” dhe “e”, të pikës 3, të këtij vendimi.
Ministri përgjegjës për sipërmarrjen shpall fitues aplikantët e vlerësuar me pikët më të larta nga konkurrimi, sipas propozimit të drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Shtetërore për Mbështetjen dhe Zhvillimin e Start up-eve dhe Lehtësuesve.
3/2. Anëtari ekspert i ekosistemit, anëtari ekspert ndërkombëtar nga fusha e start up-eve dhe anëtari nga komuniteti i donatorëve, të parashikuar në shkronjat “d”, “dh” dhe “e”, të pikës 3, të këtij vendimi, duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:
a) Të ketë të paktën 10 (dhjetë) vjet përvojë pune përkatëse në organizma kombëtarë dhe ndërkombëtarë, që kanë për qëllim mbështetjen ndaj start up-eve dhe lehtësuesve të ekosistemit;
b) Të ketë përvojë në ndërtimin dhe implementimin e strategjive për rritje të kompanive start up dhe kërkim-zhvillim shkencor;
c) Të ketë përvojë në bashkëpunim ndërkombëtar me ente shtetërore, organizma ndërkombëtarë dhe institucione publike për zhvillimin e politikave ekonomike me fokus sipërmarrjen;
ç) Të ketë përvojë si anëtar/kryetar i bordeve të këshillimit në Shqipëri dhe jashtë saj, në institucione financiare dhe organizata zhvillimore ndërkombëtare.”.
d) Pas paragrafit të dytë, të pikës 6, të kreut II, shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“Në rastin e vakancës së krijuar nga anëtari ekspert i ekosistemit dhe anëtari ekspert ndërkombëtar nga fusha e start up-eve, të parashikuar në shkronjat “d” dhe “e”, të pikës 3, të këtij vendimi, ministri përgjegjës për sipërmarrjen, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Shtetërore për Mbështetjen dhe Zhvillimin e Start up-eve dhe Lehtësuesve, cakton anëtarë të Këshillit aplikantët e renditur të dytët, të parashikuar në pikën 3/1, të këtij vendimi. Në rastin e vakancës së krijuar edhe nga aplikantët e renditur të dytë caktohen si anëtarë aplikantët pasues të renditur.”.
dh) Pika 10, e kreut III, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“10. Këshilli i Start up-eve, për përmbushjen e detyrave dhe gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij, mbështetet nga Agjencia Shtetërore për Mbështetjen dhe Zhvillimin e Start up-eve dhe Lehtësuesve, e cila vepron si sekretariat teknik i Këshillit, nëpërmjet punonjësve të ngarkuar nga drejtori i Përgjithshëm.”.
e) Në shkronjën “e”, të pikës 11, të kreut IV, fjalët “… parashikuar në shkronjën “e”, të nenit 14 …” zëvendësohen me “… parashikuar në shkronjën “a”, të pikës 3, të nenit 14 …”.
ë) Pika 14, e kreut V, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“14. Anëtari nga komuniteti i donatorëve, që mbulon fushën e financimit të start up-eve përjashtohet nga masa e shpërblimit të parashikuar në pikën 13, të këtij vendimi.”.
2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Agjencia Shtetërore për Mbështetjen dhe Zhvillimin e Start up-eve dhe Lehtësuesve, si dhe institucionet e listuara në pikën 3 për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.
Previous Ministri i Financave Ervin Mete takohet me Drejtorin Ekzekutiv të Bankës Shtetërore Italiane “Cassa Depositi e Prestiti” dhe Kryetarin e SIMEST SpA