Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 7 Shtator 2023:
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E METODOLOGJISË SË KOSTOS SË STUDIMEVE PËR PROGRAMIN E INTEGRUAR TË STUDIMIT TË CIKLIT TË DYTË “MJEKËSI E PËRGJITHSHME” NË INSTITUCIONET PUBLIKE TË ARSIMIT TË LARTË DHE ÇDO MBËSHTETJE TJETËR PËR STUDENTËT E KËTIJ PROGRAMI STUDIMI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.60/2023, “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Kostoja e studimeve në programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë (IAL), të cilat ofrojnë këtë program studimi, si dhe çdo mbështetje tjetër për studentët e këtij programi, të llogaritet sipas metodologjisë së përcaktuar në këtë vendim.
- Institucioni i arsimit të lartë publik, në përllogaritjen e kostos së studimit të programit “Mjekësi e përgjithshme”, merr në konsideratë kostot direkte dhe ato indirekte, sipas klasifikimit të mëposhtëm:
- Kostot direkte përfaqësohen nga të gjitha shpenzimet, që parashikohen të kryhen në një vit buxhetor për ofrimin e shërbimit të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor e që lidhen drejtpërsëdrejti me treguesit, si më poshtë vijon:
- Numrin e kuotave të certifikuara nga ministria përgjegjëse për arsimin, në vitin përkatës akademik të studimeve;
- Numrin e studentëve për një grup mësimor, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi;
- Numrin e personelit akademik, të personelit ndihmësakademik, të personelit administrativ e të punonjësve të shërbimeve mbështetëse të miratuar me vendim të organeve kolegjiale të IAL-së;
- Shpenzimet (bruto) për personelin: paga, kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, që paguan punëdhënësi për personelin akademik, ndihmësakademik, administrativ e atë të shërbimeve mbështetëse, si dhe shpërblime apo ndihma financiare, që përballohen nga fondi i veçantë, sipas kuadrit ligjor në fuqi;
- Shpenzimet për bursa dhe trajtime të tjera për studentët.
- Kostot indirekte përfshijnë shpenzimet kapitale dhe shpenzime të tjera operative, që parashikohen të kryhen nga institucioni i arsimit të lartë, si më poshtë vijon:
- Shpenzime kapitale për ndërtime dhe rehabilitime të godinave, krijimin e infrastrukturës kapitale për realizimin e procesit të mësimdhënies e të mësimnxënies, përfshirë edhe infrastrukturën mësimore-didaktike dhe atë të kërkimit shkencor;
- Shpenzime operative për sigurimin e jetës së studentëve në shoqëritë e sigurimit, sigurimin e infrastrukturës fizike (godinave) dhe të bazës laboratorike e mësimore-didaktike, shpenzime për energjinë elektrike, ujin, ruajtjen, mirëmbajtjen dhe pastrimin e objekteve;
- Shpenzime për kancelari, karburant për ngrohje dhe mjete transporti, shpenzime për shërbime bankare, shpenzime për qira, pritje-përcjellje, si dhe shpenzime të tjera të institucionit të arsimit të lartë, të papërfshira më lart e që janë në funksion të shërbimit të mësimdhënies e të mësimnxënies dhe të kërkimit shkencor.
- Ndarja e kostove direkte dhe indirekte, por pa u kufizuar në to, parashikohet në raportet e mëposhtme:
- Pjesa e shpenzimeve të personelit parashikohet në masën 75% – 80% të shpenzimeve/kostos totale të studimeve;
- Pjesa e shpenzimeve kapitale parashikohet në masën 10% – 15% të shpenzimeve të personelit;
- Pjesa e shpenzimeve operative parashikohet në masën 15% – 20% të shpenzimeve të personelit.
- Institucioni i arsimit të lartë publik, i cili ofron program studimi të integruar të ciklit të dytë në “Mjekësi e përgjithshme”, bazuar në metodologjinë e parashikuar më sipër, përllogarit, çdo vit, në mënyrë të detajuar, koston e plotë për këtë program studimi.
- Shuma totale e shpenzimeve të përllogaritura për një vit buxhetor përpjesëtohet me numrin e studentëve, që ndjekin programin e studimit, për të vlerësuar koston për student.
- Kostoja e përllogaritur dhe e miratuar nga organet kolegjiale të IAL-së bëhet publike për studentët përpara fillimit të vitit akademik.
- Studenti, që ndjek programin e studimit të integruar të ciklit të dytë në “Mjekësi e përgjithshme” dhe plotëson kushtet sipas ligjit nr.60/2023, “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”, ka të drejtën për çdo mbështetje tjetër, që nuk përfshihet në kostot e studimeve.
- Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe institucionet publike të arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.
K R Y E M I N I S T R
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA KËSHILLI I MINISTRAVE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, REPUBLIKËS SË FRANCËS, PËRFAQËSUAR NGA RAJONI PROVENCE-ALPES-CÔTE D’AZUR, DHE KOMISIONIT EVROPIAN, PËR PROGRAMIN (INTERREG VI-B) EURO MESDHE (EURO MED) 2021 -2027
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Republikës së Francës, përfaqësuar nga rajoni Provence-Alpes-Côte D’Azur, dhe Komisionit Evropian, për programin (INTERREG VI-B) Euro Mesdhe (Euro MED) 2021 – 2027, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA KËSHILLI I MINISTRAVE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, REPUBLIKËS SË MALIT TË ZI DHE KOMISIONIT EVROPIAN, PËR PROGRAMIN IPA TË BASHKËPUNIMIT NDËRKUFITAR MAL I ZI – SHQIPËRI 2021-2027
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Republikës së Malit të Zi dhe Komisionit Evropian, për programin IPA të bashkëpunimit ndërkufitar Mal i Zi – Shqipëri 2021 – 2027, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA KËSHILLI I MINISTRAVE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, REPUBLIKËS SË MAQEDONISË SË VERIUT, PËRFAQËSUAR NGA SEKRETARIATI PËR ÇËSHTJET EVROPIANE, DHE KOMISIONIT EVROPIAN, PËR PROGRAMIN IPA TË BASHKËPUNIMIT NDËRKUFITAR MAQEDONIA E VERIUT – SHQIPËRI 2021-2027
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Republikës së Maqedonisë së Veriut, përfaqësuar nga Sekretariati për Çështjet Evropiane, dhe Komisionit Evropian, për programin IPA të bashkëpunimit ndërkufitar Maqedonia e Veriut – Shqipëri 2021-2027, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË KONFEDERATËS ZVICERANE, PËRFAQËSUAR NGA AGJENCIA ZVICERANE PËR ZHVILLIM DHE BASHKËPUNIM (SDC) E DEPARTAMENTIT FEDERAL ZVICERAN TË PUNËVE TË JASHTME, DUKE VEPRUAR NËPËRMJET AMBASADËS ZVICERANE NË SHQIPËRI, PËR PROGRAMIN “SHËNDETI PËR TË GJITHË – HAP”, FAZA E KONSOLIDIMIT 1 PRILL 2023 – 31 MARS 2027, NJË PROGRAM DYPALËSH BASHKËPUNIMI DHE ZHVILLIMI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Konfederatës Zvicerane, përfaqësuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) e Departamentit Federal Zviceran të Punëve të Jashtme, duke vepruar nëpërmjet Ambasadës Zvicerane në Shqipëri, për programin “Shëndeti për të gjithë – HAP”, faza e konsolidimit 1 prill 2023 – 31 mars 2027, një program dypalësh bashkëpunimi dhe zhvillimi, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.893, DATË 17.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE TË ORGANIZIMIT DHE TË FUNKSIONIMIT TË KABINETEVE NDIHMËSE, TË ORGANIZIMIT TË BRENDSHËM TË INSTITUCIONEVE TË ADMINISTRATËS SHTETËRORE, SI DHE PËR PROCEDURAT E HOLLËSISHME PËR PËRGATITJEN, PROPOZIMIN, KONSULTIMIN DHE MIRATIMIN E ORGANIZIMIT TË BRENDSHËM”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17, pika 2, 21, pika 5, e 29, pika 1, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Në vendimin nr.893, datë 17.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave të organizimit dhe të funksionimit të kabineteve ndihmëse, të organizimit të brendshëm të institucioneve të administratës shtetërore, si dhe për procedurat e hollësishme për përgatitjen, propozimin, konsultimin dhe miratimin e organizimit të brendshëm”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
- Pikat 29/1, 29/2, 29/3 dhe 29/4 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“29/1. Në ministritë e linjës, sipas përcaktimit të strukturës dhe organikës së tyre, krijohen “Qendrat e inovacionit dhe ekselencës”, të dedikuara:
- a) për të identifikuar koncepte, procese novatore dhe teknika të reja, në përputhje me politikat e ministrisë, për të kryer studime dhe analiza krahasuese mbi politikat në nivel rajonal e botëror, për të analizuar të dhënat në kuadër të hartimit apo zbatimit të politikave të ndërmarra nga ministria, me qëllim zhvillimin e analizave strategjike për të zbuluar mundësi të reja inovacioni;
- b) për të propozuar dhe për të menaxhuar projekte apo iniciativa zhvillimore në fushat përkatëse;
- c) për të kontribuar me njohuri dhe ekspertizë të posaçme të nevojshme për një periudhë të caktuar kohore në fushën që mbulon institucioni dhe për të cilën mungojnë kapacitetet e nevojshme në institucion.
29/2. Numri i pozicioneve të punës në “Qendrat e inovacionit dhe ekselencës”, të krijuara sipas pikës 29/1, të këtij vendimi, të jetë jo më shumë se 6 (gjashtë). Në përbërje të qendrave të ketë një drejtues të qendrës dhe ekspertët sipas fushave përkatëse.
29/3. Marrëdhëniet e punës së nëpunësve në “Qendrat e inovacionit dhe ekselencës” të rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës.
29/4. Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për punësim në “Qendrat e inovacionit dhe ekselencës” të realizohet nëpërmjet procedurave konkurruese me shpallje publike, në përputhje me kriteret e përcaktuara në përshkrimet e punës.”.
- Pika 29/5 shfuqizohet.
- Ngarkohen Departamenti i Administratës Publike dhe ministritë e linjës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, NGA DEPARTAMENTI I ADMINISTRATËS PUBLIKE DHE KOMISIONI I PROKURIMIT PUBLIK TE MINISTRIA E DREJTËSISË, TË PASURIVE NR.6/373- B2, NR.6/373+2-1, NR.6/373+2-2, NR.6/373 +2-3 E NR.6/373+2-4, ZONA KADASTRALE 8350, TIRANË, (PJESË E ISH – HOTEL “ARBËRIA”)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Departamenti i Administratës Publike dhe Komisioni i Prokurimit Publik te Ministria e Drejtësisë, të pasurive nr.6/373- b2, nr.6/373+2-1, nr.6/373+2-2, nr.6/373 +2-3 e nr.6/373+2-4, zona kadastrale 8350, Tiranë (pjesë e ish – hotel “Arbëria”), sipas formularëve të inventarizimit dhe kartelave, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, me qëllim sigurimin e ambienteve për ushtrimin e veprimtarisë.
- Transferimi i Departamentit të Administratës Publike nga ambientet e pasurive, sipas pikës 1, të këtij vendimi, kryhet pas vendosjes në dispozicion të një ambienti tjetër për këtë institucion.
- Ministrisë së Drejtësisë i ndalohet ndryshimi i destinacionit të përdorimit të pasurive të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, tjetërsimi ose dhënia në përdorim të tretëve.
- Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Departamenti i Administratës Publike, Komisioni i Prokurimit Publik dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I LINJËS KRYESORE DHE SHPËRNDARËSE TË FURNIZIMIT ME UJË TË FSHATRAVE “VELABISHT-STATROVË-REMANICË-VETERIK””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i linjës kryesore dhe shpërndarëse të furnizimit me ujë të fshatrave “Velabisht-Statrovë-Remanicë-Veterik””.
- Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Berat.
- Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë” dhe “ullishte”, me një vlerë të përgjithshme prej 188 993 (njëqind e tetëdhjetë e tetë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e tre) lekësh.
- Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 188 993 (njëqind e tetëdhjetë e tetë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e tre) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Berat.
- Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Berat.
- Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
- Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Berat.
- Bashkia Berat kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
- Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Berat.
- Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Berat, sipas këtij vendimi.
- Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Berat për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
- Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Berat, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Berat për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1163, DATË 24.12.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR NGRITJEN E SEKRETARIATIT NË KUADËR TË VEPRIMTARISË SË MBAJTJES SË SEKRETARIATIT TË “BOLOGNA FOLLOW UP GROUP” NGA REPUBLIKA E SHQIPËRISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Në vendimin nr.1163, datë 24.12.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
- Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Qëllimi parësor i punës së nënkryetarit të “Bologna Follow Up Group” dhe sekretariatit të “Bologna Follow Up Group” (në vijim BFUG) është kryerja të gjitha funksioneve dhe detyrimeve që u lindin në zbatim të rregullave dhe procedurave të funksionimit të BFUG-së. Detyrat e tyre ushtrohen sipas kohëzgjatjes, si më poshtë vijon:
- Nënkryetari i BFUG-së, kryetari dhe nënkryetari i sekretariatit të BFUG-së deri në realizimin e detyrimeve sa i takon kalimit të detyrës nënkryetarit dhe sekretariatit të ardhshëm të BFUG-së dhe përfaqësimit në takimet vijuese si nënkryetar i BFUG-së dhe kryetar/nënkryetar i sekretariatit të BFUG-së dalës, deri më 31 dhjetor 2024;
- Punonjësit e sekretariatit të BFUG-së deri më 31 korrik 2024, me përmbushjen e detyrimeve për kalimin e detyrës sekretariatit të ardhshëm të BFUG-së.
Nënkryetari i BFUG-së asistohet nga grupi i punës, i ngritur me urdhër të Kryeministrit, për të mbështetur aktivitetet e tij dhe për koordinimin e veprimtarive që do të organizohen deri në përfundim të periudhës së mbajtjes së këtij pozicioni nga Republika e Shqipërisë, si dhe koordinimin e punës për organizimin e Konferencës Ministrore dhe Dialogut të Politikave Globale në maj 2024. Përbërja dhe detyrat e grupit të punës përcaktohen në urdhrin e Kryeministrit, sipas kërkesës së nënkryetarit të BFUG-së dhe mbi bazën e propozimit të përcjellë nga ministri përgjegjës për arsimin.”.
- Pika 5
- Pika 7 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“7. Sekretariati drejtohet nga kryetari dhe përbëhet nga personel i punësuar me kohë të plotë, ekspertë dhe personel i punësuar me kohë të pjesshme, si më poshtë vijon:
- Një ekspert i nivelit të lartë në pozicionin e kryetarit të sekretariatit të BFUG-së, i angazhuar me kohë të plotë ose të pjesshme, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e sekretariatit;
- Një ekspert i nivelit të lartë në pozicionin e nënkryetarit të sekretariatit të BFUG-së, i angazhuar me kohë të plotë ose të pjesshme, i cili asiston kryetarin e sekretariatit në kryerjen e detyrave të tij;
- Ekspertë të nivelit të lartë, të angazhuar me kohë të plotë ose me kohë të pjesshme në pozicionin e anëtarëve të sekretariatit të BFUG-së, për një angazhim mujor në total të të gjithë ekspertëve që punësohen, deri në 968 (nëntëqind e gjashtëdhjetë e tetë) orë pune/muaj;
ç) Ekspertë të angazhuar me kohë të plotë ose të pjesshme në pozicionin e anëtarit të sekretariatit të BFUG-së për një angazhim mujor në total të të gjithë ekspertëve që punësohen, deri në 1 144 (një mijë e njëqind e dyzet e katër) orë pune/muaj.
Personeli i sekretariatit duhet të ketë njohuri shumë të mira në fushën e arsimit të lartë dhe të procesit të Bolonjës.
Struktura e sekretariatit, pozicionet me kohë të plotë apo të pjesshme, si dhe detyrimet kontraktuale të personelit të sekretariatit miratohen nga ministri përgjegjës për arsimin mbi bazën e propozimit të kryetarit të sekretariatit të BFUG-së. Personeli i sekretariatit emërohet dhe lirohet nga detyra nga ministri përgjegjës për arsimin ose nga personi i deleguar prej tij për këtë qëllim, në përputhje me dispozitat e Kodit të Punës, nëpërmjet thirrjeve për shprehje interesi.”.
ç) Pika 12 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“12. Niveli i shpërblimit për punën e kryer nga nënkryetari i BFUG-së, personeli i sekretariatit të BFUG-së, personeli i ministrisë përgjegjëse për arsimin apo institucioneve të tjera shtetërore, që ofrojnë mbështetje jashtë kohës normale të punës dhe anëtarët e grupit të punës, të përcaktuar sipas këtij vendimi, është, si më poshtë vijon:
- a) Për nënkryetarin e BFUG-së dhe punonjësit e sekretariatit të BFUG-së, shpërblimi t’u referohet nivelit të pagave të personelit në institucionet publike të arsimit të lartë, të përcaktuara me vendimin nr.748, datë 11.6.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve të personelit akademik të institucioneve publike të arsimit të lartë”, të ndryshuar, si më poshtë vijon:
- Nënkryetari i BFUG-së, kryetari dhe nënkryetari i sekretariatit sa paga e personelit akademik “Rektor”;
- Ekspertët e nivelit të lartë dhe/ose të huaj/nga diaspora shqiptare, të punësuar me kohë të plotë ose të pjesshme, referuar pagës së personelit akademik të kategorisë “Profesor”;
- Ekspertët e punësuar me kohë të plotë ose me kohë të pjesshme, referuar pagës së personelit akademik që zotëron gradën shkencore “Doktor”.
- b) Stafi i ministrisë përgjegjëse për arsimin apo institucioneve të tjera shtetërore, i cili ofron mbështetje, jashtë kohës normale të punës, në realizimin e detyrimeve të sekretariatit shqiptar të BFUG-së sa i takon çështjeve financiare, ligjore apo menaxhimit të grandit të BE-së për sekretariatin e BFUG-së, praktikave që lidhen me realizimin e udhëtimeve të personelit të sekretariatit, në kuadër të realizimit të detyrimeve të tyre respektive, mirëmenaxhimin e faqes web www.ehea.info apo shërbime të tjera që do të kryhen në funksion të veprimtarisë së sekretariatit, sipas kërkesave që do të përcillen nga kryetari/nënkryetari, do të konsiderohet si ekspert me kohë të pjesshme, brenda totalit të orëve të përcaktuara në shkronjat “c” dhe “ç”, të pikës 7, të këtij vendimi;
- c) anëtarët e grupit të punës, të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi, shpërblehen në masën 25 000 (njëzet e pesë mijë) lekë në muaj.”.
- Pas pikës 12 shtohet pika 12/1, me këtë përmbajtje:
“12/1. Ngarkohen nënkryetari i BFUG-së, sekretariati, grupi i punës që asiston atë dhe ministria përgjegjëse për arsimin të marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar organizimin e Konferencës Ministrore dhe dialogut të politikave globale në maj 2024 dhe të gjitha aktiviteteve që do të parashikohen deri në zhvillimin e tyre, si dhe të bashkëpunojnë për organizimin e programeve kulturore dhe promovuese në kuadër të këtyre aktiviteteve me ministritë përgjegjëse për turizmin dhe kulturën.”.
- Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministria e Kulturës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT, NGA KATEGORIA E RESURSIT “TOKË BUJQËSORE” NË “TOKË URBANE/ TRUALL”, PËR SIPËRFAQEN 312 M2, PJESË E PASURISË ME NR.1, ZONA KADASTRALE 2264, BASHKIA FINIQ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5/2, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Miratimin e ndryshimit të statusit, nga kategoria e resursit “tokë bujqësore” në “tokë urbane/truall”, për sipërfaqen 312 (treqind e dymbëdhjetë) m2, pjesë e pasurisë me nr.1, zona kadastrale 2264, Bashkia Finiq, për ndërtimin e strukturës “Kapanon për magazinimin e prodhimit në funksion të pemëtores”, sipas kartelës së pasurisë, lidhjes nr.1 dhe planimetrisë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
- Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës (DAMT) në Këshillin e Qarkut Vlorë pasqyron në dokumentacionin kadastral (LN) ndryshimin e resursit, nga “tokë bujqësore” në “tokë urbane/truall”, për sipërfaqen ndërtimore të pasurisë me nr.1, zona kadastrale 2264, Bashkia Finiq, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
- Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës (DAMT) në Këshillin e Qarkut Vlorë, Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Sarandë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA