Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 8 Shkurt 2023:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES ME SHKËMBIM NOTASH PËR NDRYSHIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË EMIRATEVE TË BASHKUARA ARABE, PËR PËRJASHTIMIN E NDËRSJELLË TË VIZËS HYRËSE PËR MBAJTËSIT E PASAPORTAVE DIPLOMATIKE DHE SPECIALE/TË SHËRBIMIT, NËNSHKRUAR MË 13 PRILL 2015
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes me shkëmbim notash për ndryshimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, për përjashtimin e ndërsjellë të vizës hyrëse për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe speciale/të shërbimit, nënshkruar më 13 prill 2015, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË ZBATIMIT PËR PROJEKTE TË BASHKËPUNIMIT TEKNIK, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E BUJQËSISË DHE ZHVILLIMIT RURAL, DHE DEUTSCHE GESELLSCHAFT FÜR INTERNATIONALE ZUSAMMENARBEIT (GIZ) GMBH
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 22, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së zbatimit për projekte të bashkëpunimit teknik, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, dhe Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS POPULLORE TË KINËS, PËR HEQJEN E NDËRSJELLË TË VIZAVE PËR MBAJTËSIT E PASAPORTAVE TË ZYRTARËVE PUBLIKË DHE PASAPORTAVE TË ZAKONSHME
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Popullore të Kinës, për heqjen e ndërsjellë të vizave për mbajtësit e pasaportave të zyrtarëve publikë dhe pasaportave të zakonshme, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.295, DATË 2.5.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË KOMUNËS ISHËM, TË QARKUT TË DURRËSIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 3, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, dhe të pikave 1, shkronja “b”, dhe 2, të nenit 39, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pronës me numër rendor 12, sipas listës së inventarit të pronave të paluajtshme publike, bashkëlidhur vendimit nr.295, datë 2.5.2012, të Këshillit të Ministrave, me numër pasurie 119, zona kadastrale 1204, i ndryshon sipërfaqja, sipas formularit dhe planit të rilevimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Ngarkohen Bashkia Durrës dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.687, DATË 22.11.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E METODOLOGJISË PËR PËRCAKTIMIN E ÇMIMIT VJETOR TË BLERJES SË ENERGJISË ELEKTRIKE, QË DO T’U PAGUHET PRODHUESVE EKZISTUES ME PËRPARËSI”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 2 e 3, të nenit 22, të ligjit nr.7/2017, “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikën 2, të vendimit nr.687, datë 22.11.2017, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shkronja “d” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“d) Niveli maksimal i çmimit të llogaritur të blerjes së energjisë elektrike”, në çdo rast, nuk do të jetë më i lartë se çmimi 10 lekë/kWh (pa TVSH).”.
2. Ngarkohet ministria përgjegjëse për energjinë dhe Enti Rregullator i Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.389, DATË 12.6.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRITERET E LËSHIMIT TË PASAPORTAVE DIPLOMATIKE DHE TË SHËRBIMIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.8668, datë 23.11.2000, “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.389, datë 12.6.2019, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Pikat 9, 10 dhe 14 shfuqizohen.
b) Në lidhjen 1, bashkëlidhur vendimit, bëhen këto ndryshime:
i. Pas pikës 25 shtohen pikat 25/1 dhe 25/2, me këtë përmbajtje:
“25/1. Gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar;
25/2. Gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.”.
ii. Në pikën 27, pas emërtimit “… Kryeministri;” shtohet “… Gjykatë Kushtetuese;”.
c) Në lidhjen 2, bashkëlidhur vendimit, bëhen këto ndryshime:
i. Pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
“2.1. Gjyqtarët;”.
ii. Në pikën 15, pas fjalës “… politike …”, shtohet “… parlamentare …”.
2. Subjektet që nuk përfshihen në lidhjet 1 dhe 2, që i bashkëlidhen vendimit nr.389, datë 12.6.2019, të Këshillit të Ministrave, që janë pajisur me pasaporta diplomatike apo shërbimi para hyrjes në fuqi të atij vendimi, kanë të drejtë të përdorin pasaportat përkatëse, deri në afatin e vlefshmërisë së tyre, pa të drejtë rinovimi.
3. Ngarkohen ministria përgjegjëse për punët e jashtme, ministria përgjegjëse për punët e brendshme dhe institucionet e tjera publike, zyrtarët apo subjektet e të cilave pajisjen me pasaporta diplomatike apo shërbimi, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMET NR.810, DATË 29.12.2017, NR.369, DATË 20.6.2018, NR.183, DATË 4.4.2019, NR.174, DATË 26.2.2020, NR.531, DATË 8.7.2020, NR.604, DATË 29.7.2020, NR.526, DATË 22.9.2021, NR.543, DATË 29.9.2021, NR.814, DATË 24.12.2021, NR.117, DATË 2.3.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, PËR KOMPENSIMIN E PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, QË PREKEN NGA NDËRTIMET E LEGALIZUARA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, të nenit 10, të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, si dhe në vijim të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimet nr.810, datë 29.12.2017, nr.369, datë 20.6.2018, nr.183, datë 4.4.2019, nr.174, datë 26.2.2020, nr.531, datë 8.7.2020, nr.604, datë 29.7.2020, nr.526, datë 22.9.2021, nr.543, datë 29.9.2021, nr.814, datë 24.12.2021, nr.117, datë 2.3.2022, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Në vendimin nr.810, datë 29.12.2017, në zonën kadastrale 3866, ndryshohen emrat e bashkëpronarëve që kompensohen, sipas lidhjes A, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Në vendimin nr.369, datë 20.6.2018, në zonën kadastrale 8527, ndryshohen sipërfaqet e kompensimit, sipas lidhjes B, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Në vendimin nr.183, datë 4.4.2019, në zonën kadastrale 8527, ndryshohen emrat e bashkëpronarëve që kompensohen, sipas lidhjes C, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Në vendimin nr.174, datë 26.2.2020, ndryshohet numri i pasurisë, sipas lidhjes D, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
5. Në vendimin nr.531, datë 8.7.2020, në zonën kadastrale 2679, ndryshohen emrat e bashkëpronarëve dhe numri i pasurisë që kompensohet, sipas lidhjes E, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
6. Në vendimin nr.604, datë 29.7.2020, në zonën kadastrale 8320, shtohet një emër në listën e bashkëpronarëve, sipas lidhjes F, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
7. Në vendimin nr.526, datë 22.9.2021, ndryshohet numri i zonës kadastrale, si rrjedhojë edhe çmimi përkatës, sipas lidhjes G, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
8. Në vendimin nr.543, datë 29.9.2021, në zonën kadastrale 3292, anulohet kompensimi, sipas lidhjes H, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
9. Në vendimin nr.814, datë 24.12.2021, në zonën kadastrale 3266, anulohet kompensimi, sipas lidhjes I, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
10. Në vendimin nr.117, datë 2.3.2022, në zonën kadastrale 8120, ndryshohet lista e bashkëpronarëve, sipas lidhjes J, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
II. Ngarkohen Agjencia e Trajtimit të Pronave dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLORES SË AUTONOMISË SPITALORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 18, të ligjit nr.55/2022, “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullores së autonomisë spitalore, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, institucionet e saj të varësisë dhe vetë spitalet autonome për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIVITALIZIM I RRUGËS “ANDON PROFKA” DHE HAPËSIRAVE PËRRETH SAJ, FIER”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rivitalizim i rrugës “Andon Profka” dhe hapësirave përreth saj, Fier”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Fier.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall” dhe “njësi shërbimi”, me një vlerë të përgjithshme prej 6 728 917.2 (gjashtë milionë e shtatëqind e njëzet e tetë mijë e nëntëqind e shtatëmbëdhjetë pikë dy) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 6 728 917.2 (gjashtë milionë e shtatëqind e njëzet e tetë mijë e nëntëqind e shtatëmbëdhjetë pikë dy) lekësh, përballohet nga Bashkia Fier.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Bashkia Fier.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Fier.
8. Bashkia Fier kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Fier.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe të regjistrimit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Fier për pasuritë e shpronësuara.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Fier.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Bashkia Fier, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K RY E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKUALIFIKIMI I AKSEVE RRUGORE “UNAZA LINDORE LOTI II” DHE PROBLEMATIKAT E RRUGËVE DYTËSORE TË OBJEKTIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikualifikimi i akseve rrugore “Unaza Lindore loti II” dhe problematikat e rrugëve dytësore të objektit”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, “arë” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 51 783 837.3 (pesëdhjetë e një milionë e shtatëqind e tetëdhjetë e tre mijë e tetëqind e tridhjetë e shtatë pikë tre) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 51 783 837.3 (pesëdhjetë e një milionë e shtatëqind e tetëdhjetë e tre mijë e tetëqind e tridhjetë e shtatë pikë tre) lekësh, përballohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
8. Autoriteti Rrugor Shqiptar kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar për pasuritë e shpronësuara.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA