Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 8 Tetor 2025
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 8 Tetor 2025:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PROGRAMIT KOMBËTAR TË LEHTËSIRAVE
NË AVIACIONIN CIVIL DHE ORGANIZIMIN E FUNKSIONIMIN E KOMITETIT KOMBËTAR TË LEHTËSIRAVE NË AVIACIONIN CIVIL
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 3 e 4, të nenit 129, të ligjit nr.96/2020, “Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Programit Kombëtar të Lehtësirave në Aviacionin Civil, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Për zbatimin e këtij programi ngrihet Komiteti Kombëtar i Lehtësirave në Aviacionin Civil (në vijim, Komiteti), i cili përbëhet nga:
a) drejtori ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil – kryetar;
b) një përfaqësues i nivelit i mesëm ose të lartë drejtues nga ministria përgjegjëse për transportin – anëtar;
c) drejtori i drejtorisë përgjegjëse për migracionin nga ministria përgjegjëse për punët e brendshme – anëtar;
ç) drejtori i drejtorisë përgjegjëse për lëshimin e pasaportave nga ministria përgjegjëse për punët e brendshme – anëtar;
d) një përfaqësues i nivelit të mesëm ose të lartë drejtues nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit – anëtar;
dh) drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave – anëtar;
e) një përfaqësues i nivelit të mesëm ose të lartë drejtues nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale – anëtar;
ë) një përfaqësues i nivelit të mesëm ose të lartë drejtues nga ministria përgjegjëse për turizmin – anëtar;
f) një përfaqësues i nivelit të mesëm ose të lartë drejtues nga ministria përgjegjëse për bujqësinë dhe zhvillimin rural – anëtar;
g) përfaqësuesi i përzgjedhur nga operatorët ajrorë, që operojnë në Shqipëri – anëtar;
gj) përfaqësuesi i përzgjedhur nga operatorët e shërbimeve të përpunimit në tokë në aeroportet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë – anëtar;
h) drejtorët ekzekutivë të enteve menaxhuese të aeroporteve në Shqipëri.
3. Komiteti mblidhet dy herë në vit me njoftim të kryetarit. Komiteti mund të mbajë mbledhje ad-hoc kurdo që konsiderohet e nevojshme, me qëllim rishikimin e situatës së lehtësirave dhe gjetjen e zgjidhjeve për problemet që mund të hasen.
4. Në mbledhjet e Komitetit mund të ftohen të marrin pjesë ekspertë me njohuri specifike dhe që mund të përbëjnë një interes të veçantë për të.
5. Komiteti ka një sekretar, i cili është punonjës i Autoritetit të Aviacionit Civil dhe është përgjegjës për kryerjen e të gjitha përgatitjeve administrative për mbledhjet e Komitetit në bashkëpunim me kryetarin.
6. Data, ora dhe rendi i ditës së mbledhjes u njoftohen me shkrim anëtarëve të Komitetit të paktën 10 (dhjetë) ditë përpara mbledhjes.
7. Për çdo mbledhje, sekretari i Komitetit mban procesverbal dhe e shpërndan tek anëtarët e Komitetit brenda 15 ditëve nga përfundimi i mbledhjes.
8. Ngarkohen Autoriteti i Aviacionit Civil dhe Komiteti Kombëtar i Lehtësirave në Aviacionin Civil për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E LISTËS ME PËRBËRËSIT KRITIKË DHE PJESËT E NDJESHME TË RRJETEVE 5G
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 55, të ligjit nr.54/2024, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e listës me përbërësit kritikë dhe pjesët e ndjeshme të rrjeteve 5G, sipas aneksit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.598, DATË 1.7.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE DHE TË PROCEDURAVE PËR VLERËSIMIN E NDIKIMIT NË MJEDISIN NDËRKUFITAR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 23, të ligjit nr.10440, datë 7.7.2011, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.598, datë 1.7.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin e ndikimit në mjedisin ndërkufitar”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Kreu I ndryshohet, si më poshtë vijon:
“I. PROCEDURA PARAPRAKE DHE NJOFTIMI I ZHVILLUESIT”
1. Zhvilluesi, që synon të zbatojë një projekt, i cili është subjekt i procedurës së vlerësimit të ndikimit në mjedis, që në fazat fillestare të planifikimit të projektit/projektidesë, paraqet nëpërmjet sistemit elektronik pranë ministrisë përgjegjëse për mjedisin kërkesën dhe dokumentacionin e parashikuar në krerët I dhe II, të vendimit nr.686, datë 29.7.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave, të përgjegjësive e të afateve për zhvillimin e procedurës së vlerësimit të ndikimit në mjedis (VNM) dhe procedurës së transferimit të vendimit e deklaratës mjedisore”, të ndryshuar.
2. Agjencia Kombëtare e Mjedisit, pas marrjes së aplikimit nga ministria, ndjek procedurën e përcaktuar në vendimin nr.686, datë 29.7.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave, të përgjegjësive e të afateve për zhvillimin e procedurës së vlerësimit të ndikimit në mjedis (VNM) dhe procedurës së transferimit të vendimit e deklaratës mjedisore”, të ndryshuar, dhe vlerëson nëse projekti i propozuar është i listuar në shtojcën 1, bashkëlidhur këtij vendimi, si dhe nëse mund të ketë efekte të rëndësishme në mjedisin e një apo më shumë shteteve fqinje, bazuar në identifikimin e ndikimeve ndërkufitare, sipas shtojcës 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Kur plotësohen kushtet e pikës 2, të këtij kreu, Agjencia Kombëtare e Mjedisit njofton zhvilluesin se projekti i nënshtrohet vlerësimit të ndikimit në mjedis (VNM) në kontekst ndërkufitar dhe i kërkon të plotësojë formatin e njoftimit të shtetit fqinj dhe dokumentacionin e kërkuar në të, bazuar në shtojcën 4, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Formati dhe dokumentacioni, të përcaktuar në pikën 3, të këtij kreu, dorëzohen në ministrinë përgjegjëse për mjedisin dhe në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, brenda 10 (dhjetë) ditëve punë, dhe procedura e vlerësimit bëhet sipas parashikimeve të këtij vendimi.”.
2. Në kreun II bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
a) Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Agjencia Kombëtare e Mjedisit, brenda 20 (njëzet) ditëve punë nga data e marrjes së formatit të njoftimit dhe dokumentacionit shoqërues, përcjell praktikën për mendim/konsultim në lidhje me çështjet që kërkojnë të merren parasysh në raportin e VNM-së, duke theksuar edhe afatin prej 20 (njëzet) ditësh punë për dërgimin e mendimit të tyre tek institucionet e mëposhtme:
a) Ministritë e linjës, në varësi të projektit;
b) Drejtoritë teknike të ministrisë, sipas specifikave të projektit;
c) Institucionet e tjera që, në varësi të llojit të projektit, janë përgjegjëse për lejimin/autorizimin/licencimin e tij apo përgjegjëse për planifikimin dhe zhvillimin, shëndetin publik dhe emergjencat natyrore e civile;
ç) Agjencia Rajonale e Mjedisit (ARM) në qarkun ku propozohet të zbatohet projekti, së cilës i jepen edhe udhëzimet përkatëse për marrjen e mendimit nga njësitë e vetëqeverisjes vendore;
d) Njësia e vetëqeverisjes vendore ku propozohet projekti.”.
b) Në fund të pikës 7 shtohen fjalët “…, dhe ministria këto të dhëna ia përcjell Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.”;
c) Në pikën 8, pas fjalëve “… gjykohet e nevojshme …” shtohen “… nga AKM-ja …”;
ç) Në pikën 10, fjala “Ministria” zëvendësohet me emërtimin “Agjencia Kombëtare e Mjedisit”.
3. Në kreun III bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:
a) Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. AKM-ja, brenda 10 (dhjetë) ditëve punë nga data e dorëzimit të raportit të VNM-së nga ana e zhvilluesit, dërgon një kopje të tij për mendim/konsultim, së bashku me përmbledhjen joteknike të këtij raporti, duke theksuar afatin prej 20 (njëzet) ditësh punë për dërgimin e mendimit të tyre, tek institucionet e mëposhtme:
a) Ministritë e linjës, në varësi të projektit;
b) Drejtoritë teknike të ministrisë, sipas specifikave të projektit;
c) Institucionet e tjera që, në varësi të llojit të projektit, janë përgjegjëse për lejimin/autorizimin/licencimin e tij apo përgjegjëse për planifikimin dhe zhvillimin, shëndetin publik dhe emergjencat natyrore dhe civile;
ç) Agjencia Rajonale e Mjedisit (ARM) në qarkun ku propozohet të zbatohet projekti, së cilës i jepen edhe udhëzimet përkatëse për marrjen e mendimit nga njësitë e vetëqeverisjes vendore;
d) Njësia e vetëqeverisjes vendore ku propozohet projekti.”.
b) Në pikat 4, 5, 7 dhe 8, fjala “Ministria” zëvendësohet me emërtimin “Agjencia Kombëtare e Mjedisit”;
c) Në fund të fjalisë së dytë, të pikës 6, shtohen fjalët “… dhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.”.
II. Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
AUTORIZIMIN E MINISTRISË SË TURIZMIT, KULTURËS DHE SPORTIT SI THEMELUESE E FONDACIONIT “CULTURALB”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “b”, të pikës 3, të nenit 9, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.8788, datë 7.5.2001, “Për organizatat jofitimprurëse”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Autorizimin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit si themeluese e fondacionit “CulturAlb”, me objekt ruajtjen, prodhimin, ekspozimin, promovimin, marketimin, shitjen e suvenireve e të produkteve të tjera artistike, promovimin e trashëgimisë kulturore materiale, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, dhe çdo veprimtari tjetër të parashikuar në statut dhe në aktin e themelimit.
2. Akti i krijimit dhe statuti i fondacionit miratohen në gjykatë sipas legjislacionit në fuqi për themelimin, regjistrimin, funksionimin, organizimin dhe veprimtarinë e organizatave jofitimprurëse, të cilat ndjekin qëllime në të mirë dhe në interes të publikut.
3. Ngarkohet Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.478, DATË 10.7.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PROCEDURËN E SIGURISË SË GJYQTARËVE TË GJYKATAVE KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR, TË PROKURORËVE TË PROKURORISË SË POSAÇME DHE DREJTORIT TË BYROSË KOMBËTARE TË HETIMIT, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 47, të ligjit nr.95/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pika 3 e vendimit nr.478, datë 10.7.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurën e sigurisë së gjyqtarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Garantimi i mbrojtjes personale të kryetarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit bëhet nëpërmjet shoqërimit me truprojë të nivelit bazë dhe truprojë të nivelit të mesëm gjatë kohëzgjatjes së mandatit dhe për një afat jo më shumë se 2 (dy) vjet pas përfundimit të tij. Garantimi i mbrojtjes personale të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme bëhet nëpërmjet shoqërimit me truprojë të nivelit bazë dhe truprojë të nivelit të mesëm gjatë kohëzgjatjes së mandatit dhe për një afat jo më shumë se 3 (tre) vjet pas përfundimit të tij.”.
2. Ngarkohen drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Garda e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË PREFEKTIT TË QARKUT TË FIERIT
Në mbështetje të neneve 100 e 114 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Z. Arben Çuko, prefekt i Qarkut të Fierit, lirohet nga kjo detyrë.
2. Z. Anduel Xhindi emërohet prefekt i Qarkut të Fierit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË PREFEKTIT TË QARKUT TË VLORËS
Në mbështetje të neneve 100 e 114 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Z. Plator Nesturi, prefekt i Qarkut të Vlorës, lirohet nga kjo detyrë.
2. Znj. Evis Allushi emërohet prefekt i Qarkut të Vlorës.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PROTOKOLLIT TË NDRYSHIMIT NUMËR 1 TË PROTOKOLLIT ZBATUES NË LIDHJE ME ASISTENCËN FINANCIARE, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË TURQISË, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.45/2020
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19 të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e protokollit të ndryshimit numër 1 të protokollit zbatues në lidhje me asistencën financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë, ratifikuar me ligjin nr.45/2020, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, MINISTRIA E INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË, MINISTRIA E MJEDISIT, DHE KFW, FRANKFURT AM MAIN (“KFW”) DHE AGJENCISË FRANCEZE PËR ZHVILLIM (“AFD”), PËR HUAN E BAZUAR NË POLITIKA NË SEKTORIN E ENERGJISË DHE KLIMËS PËR SHQIPËRINË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, të ministrit të Financave dhe të ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Mjedisit dhe KfW, Frankfurt Am Main (“KfW”) dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim (“AFD”), për huan e bazuar në politika në sektorin e energjisë dhe klimës për Shqipërinë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.878, DATË 24.12.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRBËRJEN, ORGANIZIMIN, VEPRIMTARINË DHE RREGULLAT E FUNKSIONIMIT TË KOMISIONIT SHTETËROR TË RINDËRTIMIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 14, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në pikën 1, të kreut II, të vendimit nr.878, datë 24.12.2019, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Shkronjat “d” , “dh” dhe “f” ndryshohen, si më poshtë vijon:
“d) Ministrin e Arsimit;”.
“dh) Ministrin e Ekonomisë dhe Inovacionit;”.
“f) Ministrin e Mjedisit.”.
2. Pas shkronjës “g” shtohet shkronja “gj”, me këtë përmbajtje:
“gj) Ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit;”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI PROJEKTIT “SISTEMIM, ASFALTIM I RRUGËS “HASAN BAKIU”, BASHKIA TIRANË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Sistemim, asfaltim i rrugës “Hasan Bakiu”, Bashkia Tiranë”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 20 359 036.80 (njëzet milionë e treqind e pesëdhjetë e nëntë mijë e tridhjetë e gjashtë pikë tetëdhjetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 20 359 036.80 (njëzet milionë e treqind e pesëdhjetë e nëntë mijë e tridhjetë e gjashtë pikë tetëdhjetë) lekësh përballohet nga Bashkia Tiranë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Bashkia Tiranë.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Bashkisë Tiranë.
8. Bashkia Tiranë kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Tiranë.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Veri, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron kalimin e pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë, për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të kalimit të pronësisë, në favor të Bashkisë Tiranë, për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Veri dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË KONVENTËS PËR BYRONË E KONFERENCËS EVROPIANE TË AVIACIONIT CIVIL
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të Konventës për Byronë e Konferencës Evropiane të Aviacionit Civil, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:
a) Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes, shtohen pronat me numrat rendorë nga 1447 (një mijë e katërqind e dyzet e shtatë) deri në 1452 (një mijë e katërqind e pesëdhjetë e dy), sipas formularëve, 6 (gjashtë) fletë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij;
b) Në listën e inventarit bashkëlidhur vendimit, përmasat e pronës me numër rendor 915, “Ishulli i Sazanit”, zëvendësohen me përmasat e përcaktuara në formularët, 7 (shtatë) fletë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Pronat e përcaktuara në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 1, të këtij vendimi, janë sipas planrilevimeve, gjithsej, 7 (shtatë) fletë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
3. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE NR.65, DATË 13.2.2019, NR.699, DATË 30.10.2019, NR.15, DATË 15.1.2020, NR.355, DATË 29.4.2020, NR.814, DATË 24.12.2021, NR.50, DATË 26.1.2022, NR.117, DATË 2.3.2022, NR.488, DATË 21.7.2022, NR.522, DATË 29.7.2022, NR.410, DATË 7.7.2023, NR.635, DATË 15.11.2023, NR.744, DATË 20.12.2023, Nr.109, DATË 6.3.2024, NR.3, DATË 14.1.2025, “PËR KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, QË PREKEN NGA NDËRTIMET E LEGALIZUARA”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, të nenit 10, të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, të ndryshuar, si dhe në vijim të vendimit nr.446, datë 26.7.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave të hollësishme për kalimin e së drejtës së pronësisë dhe regjistrimin e pasurisë së legalizuar, pagesën, çmimin favorizues, kategoritë e subjekteve që përfitojnë falje, si dhe zbritjet e përqindjet e përdorimit të bonove të privatizimit”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimet e Këshillit të Ministrave nr.65, datë 13.2.2019, nr.699, datë 30.10.2019, nr.15, datë 15.1.2020, nr.355, datë 29.4.2020, nr.814, datë 24.12.2021, nr.50, datë 26.1.2022, nr.117, datë 2.3.2022, nr.488, datë 21.7.2022, nr.522, datë 29.7.2022, nr.410, datë 7.7.2023, nr.635, datë 15.11.2023, nr.744, datë 20.12.2023, nr.109, datë 6.3.2024, dhe nr.3, datë 14.1.2025, Për kompensimin financiar të pronarëve, të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet e legalizuara, për drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Elbasan, Tiranë Veri, Tiranë Rurale 1, Tiranë Jug dhe Kamzë-Vorë bëhen ndryshimet sipas tabelës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, nga lidhja A deri në lidhjen N, si më poshtë vijon:
1. Në vendimin nr.65, datë 13.2.2019, të Këshillit të Ministrave, në zonën kadastrale 8526, Qarku Elbasan, saktësohen emrat e bashkëpronarëve, bazuar në gjendjen juridike aktuale për pasurinë nr.1222/6, sipas lidhjes A, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Në vendimin nr.699, datë 30.10.2019, të Këshillit të Ministrave, në zonën kadastrale 8527, Qarku Elbasan, saktësohen emrat e bashkëpronarëve, bazuar në gjendjen juridike aktuale për pasurinë nr.153/9, sipas lidhjes B, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Në vendimin nr.15, datë 15.1.2020, të Këshillit të Ministrave, në zonën kadastrale 8526, Qarku Elbasan, ndryshohet sipërfaqja e kompensimit, si pasojë e përditësimit hartografik dhe si pasojë edhe vlera e kompensimit, për pasurinë nr.312/7 sipas lidhjes C, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Në vendimin nr.355, datë 29.4.2020, të Këshillit të Ministrave, në zonën kadastrale 8527, Qarku Elbasan, saktësohen emrat e bashkëpronarëve, bazuar në gjendjen juridike aktuale për pasurinë nr.1415/107, sipas lidhjes D, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
5. Në vendimin nr.814, datë 24.12.2021, të Këshillit të Ministrave, në zonën kadastrale 8340, Qarku Tiranë, për pasurinë nr.1/1732 anulohet kompensimi financiar, pasi objekti informal mbivendoset mbi një zonë rindërtimi sipas lidhjes E, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
6. Në vendimin nr.50, datë 26.1.2022, të Këshillit të Ministrave, në zonën kadastrale 8120, Qarku Tiranë, për pasurinë nr.1/162 anulohet kompensimi, pasi objekti informal mbivendoset mbi një zonë rindërtimi sipas lidhjes F, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
7. Në vendimin nr.117, datë 2.3.2022, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet e mëposhtme sipas lidhjes G, që i bashkëlidhet këtij vendimi:
a) Në zonën kadastrale 8340, Qarku Tiranë, për pasurinë nr.1/1732, anulohet kompensimi, pasi objekti informal mbivendoset mbi një zonë rindërtimi;
b) Në zonën kadastrale 3976, Qarku Tiranë, për pasuritë nr.308/5 dhe nr.308/6 ndryshohen sipërfaqet e kompensimit, si pasojë e përditësimit hartografik, e si rrjedhojë, edhe vlera e kompensimit;
c) Në zonën kadastrale 2529, Qarku Tiranë, pasuria nr.573/7 zëvendësohet me pasurinë nr.571/35, si dhe saktësohen emrat e bashkëpronarëve, bazuar në gjendjen juridike aktuale.
8. Në vendimin nr.488, datë 21.7.2022, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet e mëposhtme sipas lidhjes H, që i bashkëlidhet këtij vendimi:
a) Në zonën kadastrale 2380, Qarku Tiranë, pasuritë nr.80/116 dhe nr.80/154 zëvendësohen me pasurinë nr.80/852, duke ndryshuar kështu edhe emrat e bashkëpronarëve, si dhe sipërfaqja totale e kompensimit përfshihet te kjo pasuri, si pasojë përditësimit hartografik;
b) Në zonën kadastrale 2066, Qarku Tiranë, për pasurinë nr.201/6 zvogëlohet sipërfaqja e kompensimit, si pasojë e përditësimit hartografik, e, si rrjedhim, zvogëlohet edhe vlera e kompensimit.
9. Në vendimin nr.522, datë 29.7.2022, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet e mëposhtme sipas lidhjes I, që i bashkëlidhet këtij vendimi:
a) Në zonën kadastrale 8150, Qarku Tiranë, për pasurinë nr.7/90, saktësohen emrat e bashkëpronarëve, bazuar në gjendjen juridike aktuale;
b) Në zonën kadastrale 8180, Qarku Tiranë, për pasurinë nr.6/251, bazuar në lejen e legalizimit, saktësohet emri i poseduesit të objektit pa leje të legalizuar.
10. Në vendimin nr.410, datë 7.7.2023, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet e mëposhtme sipas lidhjes J, që i bashkëlidhet këtij vendimi:
a) Në zonën kadastrale 8527, Qarku Elbasan, ndryshon numri i pasurisë, nga nr.1362/563 bëhet nr.1362/53, bazuar në gjendjen juridike aktuale;
b) Në zonën kadastrale 8527, Qarku Elbasan, për pasurinë nr.206/3, saktësohen emrat e bashkëpronarëve, bazuar në gjendjen juridike aktuale.
11. Në vendimin nr.635, datë 15.11.2023, të Këshillit të Ministrave, në zonën kadastrale 3976, Qarku Tiranë, për pasuritë nr.134/5, nr.134/14 dhe nr.134/17 anulohet kompensimi, si pasojë e përditësimit hartografik sipas lidhjes K, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
12. Në vendimin nr.744, datë 20.12.2023, të Këshillit të Ministrave, në zonën kadastrale 1605, Qarku Tiranë, për pasurinë nr.470/159 anulohet kompensimi, si pasojë e përditësimit hartografik, sipas lidhjes L, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
13. Në vendimin nr.109, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, në zonën kadastrale 8340, Qarku Tiranë, pasuria nr.5/1173 zëvendësohet me pasurinë nr.5/1271, si dhe emrat e bashkëpronarëve ndryshojnë bazuar në gjendjen juridike aktuale të pronës sipas lidhjes M, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
14. Në vendimin nr.3, datë 14.1.2025, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet e mëposhtme sipas lidhjes N, që i bashkëlidhet këtij vendimi:
a) Për pasurinë nr.2/1057, Qarku Tiranë, ndryshon zona kadastrale, nga 8230 në zonën kadastrale 8220, dhe sipërfaqja për kompensim zvogëlohet. Këto ndryshime janë bërë bazuar në gjendjen juridike aktuale dhe si pasojë e përditësimit hartografik;
b) Në zonën kadastrale 3321, Qarku Tiranë, pasuria nr.433/14, zëvendësohet me pasurinë nr.433/15, si pasojë e përditësimit hartografik. Ky zëvendësim shoqërohet dhe me ndryshimin e emrave të bashkëpronarëve.
II. Ngarkohen Agjencia e Trajtimit të Pronave dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.413, DATË 11.7.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES (DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË REZERVAVE TË SHTETIT)”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 5, të nenit 37, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, dhe të neneve 8, pika 3, e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, bashkëlidhur vendimit nr.413, datë 11.7.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes (Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave të Shtetit)”, të ndryshuar, përmasat e pronës, me emërtimin “Agjencia Mbolan”, me vendndodhje në Sinjë, Berat, zëvendësohen me përmasat e përcaktuara në formularin 1 (një) fletë dhe planin e rilevimit 1 (një) fletë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.34, DATË 7.1.1999, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DREJTORINË E SHËRBIMEVE QEVERITARE DHE TRAJTIMIN E PERSONALITETEVE TË LARTA”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 53, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, si dhe të ligjit nr.7582, datë 13.7.1992, “Për ndërmarrjet shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.34, datë 7.1.1999, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Shkronja “ë”, e pikës 2, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“ë) ushtron funksionin e organit qendror blerës për blerjen e biletave në fushën e transportit ajror si dhe rezervimin, blerjen e shërbimeve të akomodimit në hoteleri jashtë vendit dhe siguron shërbimet logjistike shtesë për delegacionet shtetërore jashtë vendit, për Kryeministrinë dhe ministritë. Për Kabinetin e Kryeministrit, institucionin e Presidencës dhe Kuvendit të Shqipërisë, këto shërbime i ofrohen në rast se kërkohen prej tyre. Shpenzimet për kryerjen e këtyre shërbimeve mbulohen nga buxhetet e institucioneve përfituese. DSHQ-ja negocion kontrata kuadër me kompani ajrore, rrjete hoteliere dhe agjenci udhëtimi dhe nënshkruan kontrata konfidencialiteti, me qëllim ruajtjen e informacionit të detyrueshëm mes palëve në kuadër të mbrojtjes së të dhënave personale, sipas legjislacionit përkatës. Me çdo institucion, i cili do të marrë shërbimin sipas kësaj shkronje, DSHQ-ja nënshkruan aktmarrëveshje bashkëpunimi dhe konfidencialiteti, me qëllim ruajtjen e informacionit të detyrueshëm mes palëve, në kuadër të mbrojtjes së të dhënave personale, sipas legjislacionit përkatës. Detyrat dhe përgjegjësitë e DSHQ-së për përmbushjen e detyrimeve për ofrimin e shërbimeve, si organ qendror blerës të përcaktuar në këtë shkronjë, si dhe tarifat e shërbimit miratohen me vendim të Këshillit Drejtues.
Institucionet e lartpërmendura dërgojnë në Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare kërkesat për blerje të biletave dhe akomodim në hoteleri, jo më vonë se 15 ditë nga data e udhëtimit. Në raste emergjence dhe të justifikuara me shkrim nga institucioni kërkues, mund të procedohet me kërkesën, e cila duhet të dorëzohet jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga data e udhëtimit. Në raste përjashtimore, DSHQ-ja mund të realizojë shërbimin në afate më të shkurtra se më sipër, me miratimin nga titullari i institucionit.”.
2. Pas shkronjës “j”, të pikës 2, shtohen shkronjat “k” ,“l” “ll”, “m”, “n”, “nj” dhe “o”, me këtë përmbajtje:
“k) Mbulon funksionet e “Shërbimeve ndaj Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë dhe përfaqësive diplomatike shqiptare të akredituara jashtë vendit”, nëpërmjet drejtorisë përkatëse në varësi të saj;
l) Menaxhon, administron dhe mirëmban godinat qeveritare, që gjenden në listën e inventarit të pronave të paluajtshme të Këshillit të Ministrave, duke përfshirë planifikimin, organizimin funksional të hapësirave, rikonstruksionin dhe mobilimin, sipas nevojave të institucioneve publike;
ll) Inventarizon dhe regjistron pasuritë, që gjenden në listën e inventarit të Këshillit të Ministrave, duke krijuar një regjistër qendror për të gjitha godinat qeveritare, duke përfshirë të dhëna mbi sipërfaqen, destinacionin, gjendjen teknike, vitin e ndërtimit dhe statusin ligjor;
m) Realizon procesin e mirëmbajtjes e të restaurimit në godinat qeveritare që gjenden në listën e inventarit të pronave të paluajtshme të Këshillit të Ministrave, ndërhyrjet kapitale për rikonstruksione e restaurime, si dhe merr masa për sigurinë teknike e mbrojtjen nga zjarri;
n) Harton plane për menaxhimin me efikasitet të energjisë së godinave qeveritare që gjenden në listën e inventarit të pronave të paluajtshme të Këshillit të Ministrave, në bashkëpunim edhe me institucionet përgjegjëse shtetërore dhe kujdeset për integrimin e standardeve ‘green building’;
nj) Ushtron funksionin e organit qendror blerës për blerjen e mobiljeve, arredimin/ambientimin e mjediseve të punës dhe përfaqësimit për llogari të Kryeministrisë, ministrive si dhe të përfaqësive diplomatike të akredituara jashtë vendit. Për institucionin e Presidencës dhe Kuvendit të Shqipërisë, këto shërbime i ofrohen në rast se kërkohen prej tyre. Administron, mirëmban dhe restauron mobilje dhe objekte dekorative me vlerë historike dhe artistike që përdoren nga institucionet shtetërore, duke krijuar një fond kombëtar mobiljesh dhe objektesh dekorative (koleksion shtetëror);
o) Kryen procedurat e ankandit publik për shitjen e mobiljeve dhe objekteve dekorative të amortizuara e të panevojshme dhe merr pjesë në ankande për blerjen e mobiljeve dhe objekteve dekorative me interes historik, artistik dhe estetik, duke respektuar rregullat, procedurat dhe përjashtimet e legjislacionit në fuqi;”.
II. Funksioni i DSHQ-së për blerjen e biletave në fushën e transportit ajror si dhe rezervimin, blerjen e shërbimeve të akomodimit në hoteleri jashtë vendit, i shtuar sipas pikës 1, të këtij vendimi, do të zbatohet duke filluar nga data 1 janar 2026. Deri në atë datë, institucionet e përmendura në atë pikë duhet të kryejnë vetë procedurat përkatëse dhe brenda datës 10 dhjetor 2025 të dërgojnë pranë DSHQ-së të gjitha nevojat e tyre për periudhen 1 janar 2026 dhe në vijim.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.840, DATË 17.12.2004, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR VEPRIMTARINË E DREJTORISË SË SHËRBIMIT TË TRUPIT DIPLOMATIK”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 33, të ligjit nr.7582, datë 13.7.1992, “Për ndërmarrjet shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.840, datë 17.12.2004, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
1. Në pikën 1, fjalët “… në varësi të Ministrisë së Punëve të Jashtme” zëvendësohen me “… në varësi të Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare …”.
2. Në shkronjën “ç”, të pikës 5, fjalët “… me miratimin paraprak të ministrit të Punëve të Jashtme” hiqen.
3. Në pikën 6, fjalët “… të miratuar nga ministri i Punëve të Jashtme” hiqen.
4. Në fjalinë e dytë, të pikës 7, emërtimi “Ministri i Punëve të Jashtme” zëvendësohet me “Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare”.
5. Në pikën 10, fjalët “… që miratohet nga ministri i Punëve të Jashtme” zëvendësohen me “… që miratohet nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare”.
6. Në pikën 12, emërtesa “Ministria e Punëve të Jashtme” zëvendësohet me “Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLAVE TË HOLLËSISHME PËR VEPRIMTARINË, EMËRIMIN, SHKARKIMIN DHE SHPËRBLIMIN E ANËTARËVE TË KËSHILLIT MBIKËQYRËS TË AGJENCISË SË AUDITIMIT TË PROGRAMEVE TË ASISTENCËS, AKREDITUAR NGA BASHKIMI EVROPIAN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 10, të ligjit nr.90/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Auditimit të Programeve të Asistencës, Akredituar nga Bashkimi Evropian, në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Objekti i këtij vendimi është përcaktimi i rregullave të hollësishme për veprimtarinë e Këshillit Mbikëqyrës të Agjencisë së Auditimit të Programeve të Asistencës, Akredituar nga Bashkimi Evropian në Republikën e Shqipërisë (në vijim Këshilli Mbikëqyrës), si dhe të procedurës për emërimin dhe shkarkimin e anëtarëve të tij.
2. Këshilli Mbikëqyrës e ushtron veprimtarinë në bazë të rregullave të përcaktuara në këtë vendim. Për çështje që nuk janë të rregulluara posaçërisht në këtë vendim, lidhur me funksionimin dhe veprimtarinë e Këshillit Mbikëqyrës, gjejnë zbatim parashikimet e legjislacionit për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore.
3. Në këtë vendim, termi dhe akronimi i mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Ligj”, ligji nr.90/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Auditimit të Programeve të Asistencës, Akredituar nga Bashkimi Evropian, në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
b) “AAPAA”, Agjencia e Auditimit të Programeve të Asistencës, Akredituar nga Bashkimi Evropian.
II. EMËRIMI DHE SHKARKIMI I ANËTARËVË TË KËSHILLIT MBIKËQYRËS
1. Këshilli Mbikëqyrës përbëhet nga 3 (tre) anëtarë, një nga të cilët është kryetar, dhe emërohen nga Kryeministri, sipas rregullave të përcaktuara në këtë vendim.
2. Emërimi i kryetarit dhe të anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës bazohet në një procedurë të hapur e publike të konkurrimit të kryer nga Kryeministria, bazuar në kriteret e përcaktuara në nenin 12, të ligjit.
3. Shpallja e vendit të lirë për pozicionin e kryetarit apo të anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës bëhet jo më vonë se 3 (tre) muaj nga data e përfundimit të mandatit, sipas përcaktimit të pikës 3, të nenit 10, të ligjit, dhe publikohet në Buletinin e Njoftimeve Publike, në faqen zyrtare elektronike të Kryeministrisë dhe të AAPAA-së, për një periudhë 30-ditore.
4. Njoftimi për shpalljen e pozicionit të lirë përmban kriteret që duhet të plotësojë kandidati për kryetar apo anëtar i Këshillit Mbikëqyrës, dokumentacionin dhe afatin e dorëzimit të tij.
5. Në rastin e krijimit të vakancës së kryetarit ose anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të AAPAA-së, para përfundimit të mandatit, AAPAA-ja njofton menjëherë Kryeministrinë për fillimin e procedurave për përzgjedhjen e kandidatëve për këto pozicione.
6. Për kryerjen e procedurave të përzgjedhjes për kryetar dhe anëtar të Këshillit Mbikëqyrës, Sekretari i Përgjithshëm në Kryeministri ngre një komision ad-hoc të përbërë nga 3 (tre) anëtarë të caktuar prej tij.
7. Vlerësimi i kandidatëve bazohet në jetëshkrimin (cv-në), që përfshin vlerësimin e arsimimit, kualifikime të larta profesionale, eksperiencën dhe trajnimet në profesion ose të lidhura me fushën, sipas kritereve të përcaktuara në nenin 12, të ligjit.
8. Komisioni ad-hoc shqyrton dokumentacionin e paraqitur nga kandidatët dhe bën vlerësimin e kandidaturave të paraqitura brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e përfundimit të afatit të dorëzimit të dokumentacionit, sipas pikës 3, të këtij kreu, harton listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret ligjore e kualifikohen dhe ia paraqet atë Kryeministrit.
9. Në rastet kur pas përfundimit të procesit të vlerësimit rezulton se nuk ka kandidatë që plotësojnë kriteret ligjore të përcaktuara bëhet rishpallja e thirrjes për aplikime për pozicionin e kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës. Rishpallja e vendit të lirë për këto pozicione publikohet në të njëjtën mënyrë dhe për të njëjtën periudhë të përcaktuar në pikën 3, të këtij kreu. Për vlerësimin e kandidatëve zbatohen të njëjtat rregulla, sipas përcaktimeve në pikat 6-8, të këtij kreu.
10. Kryetari dhe anëtari i Këshillit Mbikëqyrës të AAPAA-së shkarkohet nga Kryeministri në këto raste:
a) Kur dënohet me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale me dashje;
b) Kur mungon pa arsye në më shumë se tri mbledhje të njëpasnjëshme të Këshillit Mbikëqyrës;
c) Për shkak të paaftësisë profesionale;
ç) Kryen veprimtari që krijon konflikt interesi, në përputhje me legjislacionin e konfliktit të interesave;
d) Kur me veprimet e tij dëmton veprimtarinë e Këshillit Mbikëqyrës dhe imazhin e AAPAA-së.
11. Kryetari dhe anëtari i Këshillit Mbikëqyrës lirohet në këto raste:
a) Kur jep dorëheqjen;
b) Kur përfundon mandati 4-vjeçar i qëndrimit në detyrë;
c) Kur plotësohet mosha për pensionin e plotë të pleqërisë;
ç) Në rast vdekjeje të tij.
III. ZHVILLIMI I MBLEDHJEVE DHE VENDIMMARRJA E KËSHILLIT MBIKËQYRËS
1. Këshilli Mbikëqyrës mblidhet jo më pak se një herë në 3 (tre) muaj.
2. Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës thirret me nismën e kryetarit dhe/ose me kërkesën e një anëtari, si dhe kur kërkohet nga drejtori i Përgjithshëm i AAPAA-së, sipas nevojave të institucionit. Në dy rastet e fundit, kërkesa i drejtohet kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës.
3. Mbledhjet e Këshillit Mbikëqyrës janë të vlefshme nëse marrin pjesë jo më pak se 2 (dy) anëtarë. Në rastet kur nuk plotësohet ky numër, kryetari e shtyn mbledhjen për një kohë tjetër, duke njoftuar për këtë qëllim anëtarin/ët që nuk ishte/ishin i/të pranishëm.
4. Mbledhja drejtohet nga kryetari i Këshillit Mbikëqyrës dhe, në mungesë të tij, nga anëtari më i vjetër në moshë.
5. Vendimet merren me shumicë të thjeshtë të votave të anëtarëve të pranishëm. Në rastet kur nga votimi nuk arrihet shumica, vendimmarrja përcaktohet nga vota e kryetarit.
6. Kryetari dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre, udhëhiqen nga parimet e përcaktuara në Kodin e Procedurave Administrative, si dhe në nenin 20, të ligjit.
7. Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës duhet të tërhiqen nga pjesëmarrja në mbledhjen e këshillit në rastet kur ekziston një nga pengesat ligjore të parashikuara në nenin 30, të Kodit të Procedurave Administrative. Në këtë rast, anëtari detyrohet të deklarojë me shkrim interesat e tij që në fillim të diskutimit për çështjen konkrete.
8. Këshilli Mbikëqyrës, gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij, asistohet nga sekretariati teknik, i përbërë nga punonjës të AAPAA-së, të caktuar nga drejtori i Përgjithshëm.
9. Zbardhja e vendimeve të Këshillit Mbikëqyrës bëhet nga sekretariati teknik, brenda 5 (pesë) ditëve punë, pas ditës së përfundimit të mbledhjes.
10. Vendimet e Këshillit Mbikëqyrës publikohen në faqen zyrtare të AAPAA-së.
11. Në çdo mbledhje të Këshillit Mbikëqyrës hartohet një procesverbal i detajuar, i cili mbahet nga sekretariati teknik dhe depozitohet në zyrën e arkiv-protokollit të AAPAA-së.
12. Procesverbali i paraqitet për miratim të gjithë anëtarëve në fund të mbledhjes ose në fillim të mbledhjes pasardhëse. Pas miratimit, procesverbali nënshkruhet së bashku nga kryetari dhe sekretari.
IV. SHPËRBLIMI I ANËTARËVE TË KËSHILLIT MBIKËQYRËS
Shpërblimi për pjesëmarrje në mbledhje për kryetarin dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës bëhet sipas përcaktimeve të vendimit nr.656, datë 31.10.2018, Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e masës së shpërblimit të anëtarëve të këshillave, bordeve ose komisioneve të njësive të qeverisjes qendrore”, të ndryshuar.
V. DISPOZITË E FUNDIT
Ngarkohen Kryeministria dhe Agjencia e Auditimit të Programeve të Asistencës, Akredituar nga Bashkimi Evropian për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
LEJIMIN E PARAQITJES SË DOKUMENTEVE TË FONDIT ARKIVOR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË EKSPOZITËN “DEMOKRACIA NËPËRMJET LIGJIT”, NË MJEDISET E DOGE’S APARTMENTS AT PALAZZO DUCALE, NË VENECIA, ITALI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 83 e 84, të ligjit nr.9154, datë 6.11.2003, “Për arkivat”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Lejimin e paraqitjes jashtë shtetit, në ekspozitën “Demokracia nëpërmjet ligjit”, pranë muzeut “Doge’s Apartments at Palazzo Ducale”, në Venecia, Itali, për periudhën 11 tetor 2025 deri më 6 janar 2026, si pjesë e veprimtarive zyrtare në kuadër të përvjetorit të 35-të të Komisionit Evropian për demokracinë nëpërmjet ligjit, organizuar në bashkëpunim ndërmjet Zyrës Italiane të Këshillit të Evropës, Komisionit të Venecias, Superintendencës Arkivore dhe Bibliografike të Venetos dhe Trentino-Alto Adige-s, Arkivit Shtetëror të Venecias, fondacionit “Musei Civici di Venezia” dhe Këshillit Rajonal të Venetos, të dokumenteve të mëposhtme, pjesë e Fondit Arkivor të Republikës së Shqipërisë:
a) Ligji nr.8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë” (40 faqe);
b) Dekreti nr.2241, datë 21.10.1998, i Presidentit të Republikës, “Për shpalljen me referendum të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë” (1 faqe);
c) Dekreti nr.2260, datë 28.11.1998, i Presidentit të Republikës për shpalljen e ligjit (1 faqe).
2. Dokumentet e përmendura në pikën 1 të këtij vendimi dërgohen jashtë dhe rikthehen brenda vendit në periudhën ndërmjet datave 1 tetor 2025 – 15 janar 2026, pas mbylljes së ekspozitës, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, me postë diplomatike, korrier diplomatik.
3. Ngarkohet Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të bashkërendojë me Kuvendin e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.584, DATË 28.8.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES SË KËSHILLIT TË MINISTRAVE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 21, pika 4, 22, pika 2, 23, pika 2, 24, pika 4, e 25, pika 4, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në tekstin e rregullores, bashkëlidhur vendimit nr.584, datë 28.8.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores së Këshillit të Ministrave”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa:
1. Pas pikës 10, të kreut II, shtohet pika 10/1, me këtë përmbajtje:
“10/1. Ministri propozues për projektaktet, të cilat vlerësohen të një rëndësie të veçantë dhe periudha e përgatitjes së tyre është e kufizuar ose që gjatë hartimit dhe bashkërendimit të tyre pritet të ndeshen me çështje tekniko-ligjore të vështira për zgjidhje, planifikon që të organizohen takime bashkërenduese – konsultative për përshpejtimin e procesit, takime të grupit akselerator, sipas pikës 38.1, të kreut V, të kësaj rregulloreje.”.
2. Në kreun III bëhen këto shtesa:
a) Pas pikës 15 shtohet pika 15/1, me këtë përmbajtje:
“15.1. Strukturat përgjegjëse gjatë hartimit të një projektakti të paravlerësuar si i rëndësisë së veçantë, kur ndeshen me çështje tekniko-ligjore të vështira për zgjidhje, njoftojnë ministrin duke argumentuar nevojën që të kërkohet organizimi i një takimi të grupit akselerator, sipas pikës 38.1, të kreut V, të kësaj rregulloreje.”.
b) Në pikën 17, pas fjalëve “… raportit të vlerësimit ekonomik ,…” shtohen “… raportit të rezultatit të takimit të grupit akselerator, kur ka të tillë, …”.
3. Pas pikës 27, të kreut IV, shtohet pika 27/1, me këtë përmbajtje:
“27.1. Për projektaktet e vlerësuara të një rëndësie të veçantë dhe me prioritet shqyrtimi, ministri propozues bën shënimin përkatës në dokumentin shoqërues të dërgimit të projektaktit për mendim.”.
4. Në kreun V bëhen këto shtesa:
a) Pas pikës 29 shtohet pika 29/1, me këtë përmbajtje:
“29.1. Ministri ose titullari i institucionit të interesuar për projektaktet e rëndësisë së veçantë, të dërguara sipas pikës 27.1, të kreut IV, të kësaj rregulloreje, kur në përmbajtje të tyre ndeshet me çështje tekniko-ligjore të vështira për dhënie mendimi për zgjidhjen e tyre, brenda fushës së tij të përgjegjësisë, i propozon ministrit iniciues të projektaktit që të kërkojë organizimin e një takimi të grupit akselerator për gjetjen sa më parë të zgjidhjeve përfundimtare të çështjeve, objekt diskutimi.”.
b) Pas shkronjës “c”, të pikës 33, shtohet shkronja “ç”, me këtë përmbajtje:
“ç) për projektaktet e rëndësisë së veçantë dhe prioritare, me propozim të ministrit apo titullarit që ka dhënë mendim ose me nismën e tij kërkon organizimin e takimit të grupit akselerator, sipas pikës 38.1, të këtij kreu të rregullores.”.
c) Pas shkronjës “b”, të pikës 36, shtohet shkronja “b.1”, me këtë përmbajtje:
“b.1) delegimin e zgjidhjes së çështjeve tekniko-ligjore të vështira në grupin akselerator;”.
ç) Pas pikës 38 shtohet pika 38/1, me këtë përmbajtje:
“38/1. Në rastet e shkronjës “ç”, të pikës 33, dhe të shkronjës “b.1”, të pikës 36, të kësaj rregulloreje, Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, me marrjen e kërkesës ose të delegimit organizon takimin e grupit akselerator për zgjidhjen e çështjes/jeve të kërkuara ose të deleguara.
Grupi akselerator kryesohet nga Zëvendëskryeministri dhe në përbërje ka Zëvendëssekretarin e Përgjithshëm, përgjegjës për mbarëvajtjen e takimit, ministrin/at propozues të projektaktit, ministrin ose titullarin e institucionit që në mendimin me shkrim ka evidentuar çështjet, objekt shqyrtimi, dhe drejtorin e Departamentit të Akteve Rregullatore të Këshillit të Ministrave në Kryeministri.
Në varësi të çështjeve që diskutohen, në takimin e grupit akselerator mund të thirren ose ftohen të marrin pjesë titullarë të institucioneve të fushave me interes ose punonjës të administratës apo ekspertë të jashtëm që vlerësohen se mund të ndihmojnë në zgjidhjen e çështjeve tekniko-ligjore.
Takimi i grupit akselerator asistohet nga departamenti përgjegjës në Kryeministri, i cili përgatit materialin për diskutim dhe nën kujdesin e Zëvendëssekretarit të Përgjithshëm harton dhe i dërgon anëtarëve të grupit akselerator raportin përkatës të rezultatit të takimit.
Rezultatet e takimit akselerator për zgjidhjen e çështjeve, objekt diskutimi, reflektohen në përmbajtje të projektaktit dhe të mendimeve me shkrim të ministrave dhe titullarëve të institucioneve të interesuara, pjesëmarrës në takim.”.
5. Në kreun VI bëhen këto shtesa:
a) Në shkronjën “b”, të pikës 45, pas fjalëve “… edhe shpjegime …” shtohen “… për mënyrën e zbatimit dhe reflektimit të raportit të rezultatit të takimit të grupit akselertor si dhe …”.
b) Pas shkronjës “b”, të pikës 47, shtohet shkronja “b.1”, me këtë përmbajtje:
“b.1) nuk janë reflektuar me korrektësi rezultatet e takimit të grupit akselerator, kur ka të tillë.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA