Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 9 Korrik 2026
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.325, DATË 31.5.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS SË PAGAVE, NIVELEVE TË PAGAVE DHE SHTESAVE TË TJERA MBI PAGË TË ZËVENDËSMINISTRIT, FUNKSIONARËVE TË KABINETEVE, PREFEKTIT, NËNPREFEKTIT, NËPUNËSVE CIVILË DHE NËPUNËSVE NË DISA INSTITUCIONE TË ADMINISTRATËS PUBLIKE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar, të shkronjës “h”, të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, dhe të neneve 7 e 9, të ligjit nr.9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, strukturat dhe shpërblimet e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.325, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës së pagave, niveleve të pagave dhe shtesave të tjera mbi pagë të zëvendësministrit, funksionarëve të kabineteve, prefektit, nënprefektit, nëpunësve civilë dhe nëpunësve në disa institucione të administratës publike”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Në shkronjën “ç”, të pikës 1, të kreut I, bëhen shtesat e mëposhtme:
i. Pas emërtimit “Shkolla Shqiptare e Administratës Publike” shtohet “Qendra për Hapje dhe Dialog, “COD””;
ii. Pas emërtimit “Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar” shtohet “Inspektorati Qendror i Arsimit Parauniversitar”.
b) Në lidhjen nr.3, bashkëlidhur vendimit, pas pikës 29 shtohet pika 30, me këtë përmbajtje:
“30. Në Qendrën për Hapje dhe Dialog, “COD”, nëpunësit në pozicionet “titullar institucioni” dhe “drejtor drejtorie” të drejtorive të përmbajtjes, në masën 20 000 (njëzet mijë) lekë në muaj.”.
c) Lidhja nr.8/1, bashkëlidhur vendimit, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
ç) Në lidhjen nr.10, bashkëlidhur vendimit, bëhen shtesat e mëposhtme:
i. Pas emërtesës “Përgjegjës i sektorëve të përmbajtjes në Drejtorinë e Përgjithshme të Antikorrupsionit” shtohet “Përgjegjës i sektorëve të përmbajtjes në Qendrën për Hapje dhe Dialog, “COD”.”;
ii. Pas emërtesës “Kapiten i Portit” shtohet “Koordinator në Qendrën për Hapje dhe Dialog, “COD”.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi për vitin 2026, përballohen nga fondet e miratuara për secilin institucion dhe fillojnë:
a) nga data 1 korrik 2026, për përcaktimin e shkronjës “c”, të pikës 1, të këtij vendimi;
b) nga momenti i emërimit të nëpunësve/punonjësve në detyrë, për të gjitha përcaktimet e tjera.
3. Ngarkohen Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Qendra për Hapje dhe Dialog, “COD” dhe Inspektorati Qendror i Arsimit Parauniversitar për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KËRKESAVE PËR GJURMUESHMËRINË, RREGULLAVE PËR ELEMENTET, ETIKETËN APO PULLËN UNIKE TË MARKIMIT APO FORMA TË TJERA TË IDENTIFIKIMIT E TË INDIVIDUALIZIMIT TË ARMATIMIT USHTARAK, PROCEDURËS DHE MËNYRËS SË MARKIMIT DHE GJURMIMIT, SI DHE AUTORITETIT APO PALËS SË AUTORIZUAR PËR REALIZIMIN E MARKIMIT E TË GJURMIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 16, të ligjit nr.87/2024, “Për rregullimin e prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
Objekti i këtij vendimi është përcaktimi i kërkesave për gjurmueshmërinë dhe i rregullave për markimin, përfshirë etiketën, pullën unike dhe format e tjera të identifikimit dhe individualizimit të armatimit ushtarak, si dhe i procedurës e mënyrës së markimit dhe gjurmimit dhe i autoritetit përgjegjës për realizimin e mbikëqyrjen e këtij procesi.
Neni 2
Qëllimi
Qëllimi i këtij vendimi është krijimi dhe funksionimi i një sistemi të harmonizuar e të kontrollueshëm për markimin dhe gjurmimin e armëve, të municioneve, të pajisjeve dhe të teknologjive ushtarake për:
a) parandalimin e përdorimit të paautorizuar ose të paligjshëm të armëve, të municioneve, të pajisjeve dhe të teknologjive ushtarake;
b) standardizimin e elementeve të etiketës, të pullës unike ose të formave të tjera të individualizimit të armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake;
c) lehtësimin e gjurmueshmërisë nga autoritetet ligjzbatuese;
ç) verifikimin e ligjshmërisë së origjinës e të pronësisë;
d) gjurmimin e loteve specifike të prodhimit.
Neni 3
Përkufizime
Për qëllime të këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Deklarata e transportit”, dokumenti shoqërues i mallrave gjatë transportit, i cili përmban të dhënat identifikuese të ngarkesës, të palëve të përfshira, të mjetit të transportit e të destinacionit dhe që shërben për qëllime të gjurmimit, të kontrollit e të verifikimit nga autoritetet kompetente;
2. “Etiketa”, shenjë identifikuese fizike, e vendosur nga subjekti i licencuar mbi armët, municionet, pajisjet dhe teknologjitë ushtarake, që përmban të dhëna të dukshme e të lexueshme dhe shërben për të garantuar origjinalitetin, gjurmueshmërinë e përputhshmërinë me standardet ligjore dhe të sigurisë;
3. “Etiketimi”, procesi i vendosjes së etiketës ose së pullës unike mbi armët, municionet, pajisjet dhe teknologjitë ushtarake ose mbi paketimin e tyre, me qëllim identifikimin e gjurmimin. Etiketimi përbën një nga format e realizimit të markimit;
4. “Identifikimi me frekuencë radioje (RFID)”, një teknologji që përdoret për identifikimin e gjurmimin automatik të objekteve nëpërmjet valëve elektromagnetike;
5. “Kodi unik alfanumerik”, numri serial unik, i cili gdhendet ose stampohet në mënyrë të përhershme në trupin e armës, të pajisjes e të teknologjive ushtarake. Stampimi bëhet në formë etikete ose pulle;
6. “Markimi”, procesi i vendosjes së një shenje unike identifikuese në formë kodi, pulle, etikete ose çdo forme tjetër identifikimi dhe individualizimi në armatimin ushtarak, nënproduktet ose produktet përfundimtare të tij, me qëllim identifikimin e gjurmimin e tyre, në përputhje me përcaktimin e ligjit nr.87/2024, “Për rregullimin e prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”;
7. “Pulla unike”, shenjë identifikuese elektronike, e vendosur nga subjekti i licencuar për armët, municionet, pajisjet e teknologjisë ushtarake dhe shërben për të garantuar origjinalitetin, gjurmueshmërinë e përputhshmërinë me standardet ligjore dhe të sigurisë;
8. “Regjistri elektronik”, sistemi elektronik i administruar nga Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes, në të cilin subjektet e licencuara duhet të hedhin të dhënat, që bëjnë të mundur identifikimin dhe gjurmimin e armëve, të municioneve, të pajisjeve dhe të teknologjive ushtarake;
9. “Specifikimet teknike” përfaqësojnë një kuadër teknik detyrues, që përcakton mënyrën, elementet identifikuese të nevojshme për të siguruar identifikimin, kontrollin, gjurmueshmërinë dhe parandalimin e përdorimit të paautorizuar të këtyre produkteve;
10. “Standardet ndërkombëtare”, dokumente të hartuara nga organizata ndërkombëtare të standardizimit, si ISO, që përcaktojnë rregulla, udhëzime, ose karakteristika për produkte, procese ose shërbime, me qëllim që të sigurohet cilësia, siguria dhe efikasiteti në tregjet ndërkombëtare, dhe që publikohen në nivel kombëtar nga Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit si standarde shqiptare.
11. “Uniformat”, veshje të disenjuara posaçërisht për përdorim nga Forcat e Armatosura ose nga institucionet e sigurisë.
KREU II
PROCEDURA E GJURMIMIT DHE REGJISTRI ELEKTRONIK
Neni 4
Procedura e gjurmimit
1. Gjurmimi i çdo njësie armësh, municioni apo pajisjeje ushtarake realizohet nëpërmjet regjistrit elektronik dhe sistemit të gjurmimit të subjekteve të licencuara, të cilat mbulojnë të gjitha fazat e ciklit të jetës së produktit, përfshirë prodhimin, regjistrimin fillestar të gjendjes, magazinimin, transportin, shpërndarjen, përdorimin e asgjësimin.
2. Regjistri elektronik dhe sistemi i gjurmimit regjistrojnë në mënyrë të automatizuar e të menjëhershme çdo regjistrim fillestar të gjendjes, çdo transaksion, ndryshim pronësie, transferim apo modifikim statusi të njësive të regjistruara, duke garantuar integritetin, pandryshueshmërinë dhe gjurmueshmërinë e të dhënave.
3. Regjistri elektronik dhe sistemi i gjurmimit mundësojnë gjenerimin e raporteve të personalizuara sipas periudhave kohore, llojit të produktit, subjektit të përfshirë apo fazës së ciklit të jetës, duke përfshirë grafikë të lëvizjes dhe sinjalizime për devijime nga itineraret apo procedurat e autorizuara.
Neni 5
Regjistri elektronik i Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes
Regjistri elektronik i Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes përmban, të paktën, këto të dhëna dhe funksione:
a) Regjistrimin unik dhe të detajuar të çdo njësie armësh, municioni apo pajisjeje ushtarake, përmes një identifikuesi të veçantë, që përfshin të dhëna, si: emri ose kodi i prodhuesit, numri serial, vendi dhe data e prodhimit, si dhe klasifikimi ushtarak i produktit;
b) Ndërlidhjen me sistemet e subjektit të licencuar për hedhjen e të dhënave për identifikimin dhe gjurmimin e armëve;
c) Gjenerimin e raporteve periodike dhe analitike mbi sasinë, itineraret, devijimet, përdorimin dhe ngjarjet kritike, në funksion të kontrollit dhe transparencës së aktivitetit të prodhimit të industrisë ushtarake;
ç) Sinjalizimin automatik të manipulimit të paautorizuar apo shkeljes së procedurave të sigurisë nëpërmjet aktivizimit të alarmeve dhe njoftimit të menjëhershëm të Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes;
d) Ruajtjen e kopjeve rezervë (backup) të të dhënave në mënyrë të sigurt e të verifikueshme.
Neni 6
Sistemi elektronik i gjurmimit për subjektet e licencuara
1. Çdo subjekt i licencuar është i detyruar të krijojë dhe të përdorë një platformë të brendshme elektronike për gjurmimin e regjistrimin e produkteve që trajton, në përputhje me kërkesat teknike të përcaktuara nga Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes.
2. Sistemi elektronik i gjurmimit i ngritur nga subjekti duhet të përmbushë funksionet kryesore të mëposhtme:
a) Regjistrimin unik dhe të detajuar të çdo njësie armësh, municionesh, pajisjesh dhe teknologjish ushtarake nëpërmjet një identifikuesi të veçantë, që përfshin: emrin e prodhuesit, numrin serial, vendin dhe datën e prodhimit, si dhe klasifikimin ushtarak;
b) Verifikimin në kohë reale të gjendjes e të lëvizjes së njësive të regjistruara nëpërmjet integrimit me pajisje të gjurmimit elektronik dhe sisteme të tjera të mbikëqyrjes;
c) Gjenerimin e raporteve periodike dhe analitike mbi sasinë, itineraret, devijimet, përdorimin dhe ngjarjet kritike;
ç) Sinjalizimin automatik të çdo devijimi nga itinerari i autorizuar, manipulimi i paautorizuar apo shkelje të procedurave të sigurisë nëpërmjet aktivizimit të alarmeve dhe njoftimit të menjëhershëm të strukturave të brendshme të sigurisë dhe të Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes;
d) Ndërlidhjen me regjistrin elektronik të Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes;
dh) Sigurimin e integritetit e të mbrojtjes së të dhënave, sistemeve dhe rrjeteve digjitale, në përputhje me legjislacionin për sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e informacionit të klasifikuar;
e) Ruajtjen e kopjeve rezervë (backup) të të dhënave në mënyrë të sigurt e të verifikueshme.
3. Subjekti i licencuar është përgjegjës për mirëmbajtjen, përditësimin dhe auditimin periodik të platformës së tij të gjurmimit, si dhe për sigurimin e aksesit të autorizuar të Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes për qëllime inspektimi dhe kontrolli.
Neni 7
Regjistrimi dhe përditësimi i të dhënave
1. Subjektet e licencuara janë të detyruara të regjistrojnë dhe të përditësojnë në mënyrë të vazhdueshme të dhënat për çdo njësi armësh, municionesh, pajisjesh dhe teknologjish ushtarake, për të cilën mbajnë përgjegjësi, në përputhje me kërkesat e përcaktuara nga Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes.
2. Regjistrimi përfshin të dhëna të detajuara për identifikimin e gjurmimin e çdo njësie, përfshirë: emrin e prodhuesit, numrin serial, datën dhe vendin e prodhimit, llojin dhe kalibrin, lotin e prodhimit, si dhe çdo informacion tjetër të nevojshëm për qëllime sigurie dhe transparence.
3. Subjektet janë përgjegjëse për saktësinë, përditësimin e përputhshmërinë e të dhënave të regjistruara me aktivitetin real të tyre, si dhe për sigurimin e aksesit të autorizuar të Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes për qëllime inspektimi dhe kontrolli.
4. Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes administron dhe ruan të dhënat e dërguara nga subjektet, pa ndërhyrë në përmbajtjen e tyre, duke garantuar integritetin, sigurinë dhe gjurmueshmërinë e informacionit të regjistruar.
Neni 8
Ruajtja dhe administrimi i të dhënave
1. Të dhënat që lidhen me procesin e markimit dhe gjurmimit të armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake ruhen nga subjektet e licencuara për një periudhë jo më pak se dhjetë (10) vjet nga data e regjistrimit të tyre.
2. Subjektet e licencuara janë të detyruara të mbajnë kopje rezervë të të dhënave të regjistruara dhe të raportojnë menjëherë çdo ndryshim, përditësim apo pasaktësi në informacionin e depozituar në sistem.
3. Administrimi i të dhënave në regjistrin elektronik kryhet nga Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale dhe sigurinë e informacionit.
KREU III
MARKIMI DHE ELEMENTET E IDENTIFIKIMIT
Neni 9
Kriteret e përgjithshme të markimit
1. Markimi i armëve, i municioneve, i pajisjeve dhe i teknologjive ushtarake kryhet në përputhje me specifikimet teknike të përcaktuara në këtë vendim.
2. Markimi plotëson kushtet e parashikuara, si më poshtë vijon:
a) qëndrueshmëri fizike dhe kimike ndaj kushteve të përdorimit;
b) lexueshmëri në çdo moment gjatë ciklit të jetës së produktit;
c) siguri kundër manipulimit, fshirjes, falsifikimit apo ndërhyrjeve të paautorizuara;
ç) integrim me sistemet elektronike të gjurmimit.
3. Markimi realizohet në sipërfaqe të dukshme dhe në vende të përcaktuara teknikisht nga ky vendim, si dhe të jetë i përhershëm.
Neni 10
Detyrimet sipas llojit të subjektit të licencuar
1. Subjektet e licencuara për prodhimin janë të detyruara:
a) të kryejnë markimin e produkteve përpara daljes nga mjedisi i prodhimit;
b) të vendosin identifikuesit sipas këtij vendimi;
c) të regjistrojnë të dhënat në sistemin elektronik të gjurmimit.
2. Subjektet e licencuara për importin janë të detyruara:
a) të importojnë vetëm produkte të markuara sipas këtij vendimi ose standardeve ndërkombëtare;
b) të verifikojnë përputhjen e markimit me kërkesat e këtij vendimi;
c) të regjistrojnë produktet në sistemin elektronik përpara hedhjes në treg.
3. Në rast se produktet e importuara nuk përmbushin kërkesat e markimit, subjekti importues është i detyruar të sigurojë plotësimin e tyre përpara tregtimit ose përdorimit.
Neni 11
Mënyra dhe metodat për qëndrueshmërinë e markimit
1. Markimi realizohet nëpërmjet:
a) gdhendjes mekanike;
b) gravurës me lazer;
c) stampimit mekanik;
ç) etiketimit me barkode, QR code ose mikroçipa RFID.
2. Markimi duhet të jetë rezistent ndaj konsumimit mekanik gjatë përdorimit, mirëmbajtjes apo transportit.
3. Markimi duhet të ruajë integritetin pas ekspozimit ndaj agjentëve atmosferikë dhe korrozionin kimik.
4. Markimi duhet të realizohet nëpërmjet përdorimit të barkodeve, QR code dhe mikroçipave RFID për skanim të shpejtë, ruajtje të informacionit dhe gjurmim në kohë reale me lexim automatik.
5. Markimi duhet të jetë i lexueshëm, i qartë dhe i dallueshëm me sy të lirë. Në rastet kur markimi kryhet me teknologji elektronike, sigurohet që të jetë i lexueshëm nëpërmjet pajisjeve të standardizuara të skanimit.
6. Markimi duhet të aplikohet në sipërfaqe të aksesueshme, që mundësojnë verifikim të menjëhershëm, përfshirë trupin kryesor të produktit, pjesët mekanike funksionale ose sipërfaqe të tjera të përshtatshme.
7. Markimi duhet të jetë i qëndrueshëm, duke u realizuar me teknika, që garantojnë rezistencë afatgjatë ndaj konsumit, dëmtimeve mekanike, si dhe ndikimeve atmosferike e kimike, me qëllim ruajtjen e lexueshmërisë gjatë gjithë ciklit jetësor të produktit.
Neni 12
Koha dhe vendosja e markimit
Markimi kryhet:
a) në prodhim – përpara daljes së produktit nga mjedisi i prodhimit, në paketim dhe në dorëzim;
b) në import – përpara hedhjes në treg ose përdorimit;
c) pas riparimit ose modifikimit – kur preket identifikimi.
Neni 13
Elementet e specifikimeve teknike për markimin e armëve, të municioneve, të pajisjeve dhe teknologjive ushtarake
Specifikimet teknike për markimin e armëve, të municioneve, të pajisjeve dhe teknologjive ushtarake janë, si më poshtë vijon:
a) Prodhuesi – emri ose kodi unik i prodhuesit, që identifikon subjektin përgjegjës për prodhimin;
b) Numri serial – numër serial unik (numerik ose alfanumerik), që garanton individualizimin e papërsëritshëm të çdo njësie; numri nuk mund të kopjohet, të ndryshohet apo të ripërdoret për njësi të tjera;
c) Viti i prodhimit – viti i prodhimit i shënuar me katër shifra;
ç) Vendi i prodhimit – shteti ose vendi, ku është prodhuar njësia;
d) Modeli dhe, kur është e zbatueshme, kalibri i armës ose i municionit.
Neni 14
Procedura e markimit dhe e regjistrimit
1. Markimi i armëve, i municioneve, i pajisjeve dhe i teknologjive ushtarake kryhet në fazën e prodhimit për çdo njësi të prodhuar brenda ose jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, në përputhje me këtë vendim.
2. Çdo njësi, që i nënshtrohet markimit, regjistrohet në sistemin elektronik të gjurmimit të subjektit të licencuar dhe në regjistrin elektronik të Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes.
3. Të dhënat e markimit përditësohen në regjistrin elektronik në çdo rast transferimi, riparimi, ndryshimi statusi ose asgjësimi të njësisë së markuar.
Neni 15
Të dhënat e detyrueshme dhe forma e markimit
1. Gdhendja mekanike, gravura me lazer, stampimi mekanik, etiketimi me barkod, si formë markimi, përfshijnë:
a) numrin serial unik;
b) emrin ose kodin e prodhuesit;
c) vendin e prodhimit;
ç) modelin dhe kalibrin e armës;
d) vitin e prodhimit.
2. Gdhendja realizohet në mënyrë të qartë, të lexueshme dhe të qëndrueshme, në përputhje me kërkesat e specifikuara në këtë vendim.
3. Gravura realizohet me thellësi dhe cilësi në mënyrë që të garantojë lexueshmërinë afatgjatë dhe të mos dëmtohet nga përdorimi normal i produktit ushtarak.
4. Stampimi të jetë i qëndrueshëm, i padëmtueshëm nga faktorët e jashtëm dhe i verifikueshëm nëpërmjet inspektimit vizual ose mjeteve të thjeshta të kontrollit.
5. Etiketa me barkod vendoset në sipërfaqe të dukshme dhe të aksesueshme për skanim, është e qëndrueshme ndaj konsumit, gërryerjes dhe kushteve atmosferike.
Neni 16
Etiketa dhe pulla
1. Çdo produkt ushtarak pajiset me një etiketë ose pullë me kod identifikues.
2. Etiketa ose pulla përmban të paktën:
a) kodin unik alfanumerik (me minimum 12 karaktere);
b) datën dhe vendin e prodhimit;
c) të dhëna mbi prodhuesin;
ç) simbolin ose logon e prodhuesit të certifikuar.
3. Llojet e etiketës ose të pullës janë, si më poshtë:
a) Fizike, e aplikuar në sipërfaqe të qëndrueshme të produktit nëpërmjet gravurës, stampimit mekanik ose ngjitjes;
b) Elektronike, nëpërmjet teknologjive QR code, Data Matrix, RFID ose NFC, me përmbajtje të barasvlefshme me etiketën fizike.
4. Etiketa ose pulla duhet të jetë rezistente ndaj lagështisë, ndryshimeve të temperaturës dhe ndërhyrjeve të jashtme, duke garantuar lexueshmëri dhe integritet gjatë gjithë ciklit jetësor të produktit.
5. Etiketimi fizik ose elektronik kryhet përpara dorëzimit të produktit te porositësi dhe përpara se ai të largohet nga mjedisi i prodhimit. Vendosja ose përsëritja e etiketimit është e detyrueshme pas çdo ndërhyrjeje teknike, si: riparimi, riciklimi apo përpunimi i produktit.
Neni 17
Etiketimi i armëve, i pajisjeve dhe i teknologjive ushtarake
Çdo armë, pajisje dhe teknologji, që prodhohet, importohet, tregtohet në territorin e Republikës së Shqipërisë, duhet të jetë e pajisur me një etiketë ose pullë unike identifikuese, të vendosur në mënyrë të dukshme e të qëndrueshme në trupin e armës, sipas specifikimeve në nenin 16 të këtij vendimi.
Neni 18
Etiketimi i municioneve
1. Etiketimi i municioneve realizohet në dy nivele:
a) në nivel paketimi nëpërmjet vendosjes së shenjave identifikuese në kutitë e jashtme;
b) në nivel njësie individuale (fishek), kur kërkohet nga natyra e përdorimit ose rregulloret teknike.
2. Paketimi i municioneve duhet të përmbajë të paktën informacionet e mëposhtme:
a) Emrin e prodhuesit;
b) Llojin dhe kalibrin e municionit;
c) Lotin e prodhimit (batch/lot number);
ç) Datën e prodhimit;
d) Kodin unik për gjurmim (barkod, QR code ose numër serial për kuti);
dh) Të dhënat e prodhimit për llojin e lëndës shtytëse (barutit) dhe të lëndës plasëse, që ka predha.
3. Barkodet dhe QR code vendosen në paketim për lexim me skaner dhe lidhen me të dhëna, si: data e prodhimit, loti, kalibri dhe destinacioni, duke u përdorur për qëllime regjistrimi, transporti, magazinimi dhe shpërndarjeje.
4. Në nivel njësie individuale, kur kërkohet nga natyra e përdorimit ose rregulloret:
a) maja e plumbave markohet me kodim me ngjyra për të dalluar llojet e municionit (penetrues, gjurmëlënës, shpërthyes), në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet e partnerëve strategjikë;
b) për të mundësuar identifikimin, përdoret teknika e mikrokodimit, e cila lejon gdhendjen e kodeve mikroskopike unike në kapsolla ose në trupin e fishekut, individual të municionit.
KREU IV
MARKIMI DHE GJURMIMI NË TRANSPORT DHE PËR UNIFORMAT
Neni 19
Kërkesat për transportin e armatimeve, municioneve dhe teknologjive ushtarake
1. Çdo njësi armatimi, municioni apo teknologjie ushtarake e destinuar për transport duhet të jetë e pajisur me markim të qartë, të qëndrueshëm dhe të lexueshëm, në përputhje me kërkesat e këtij vendimi dhe standardet ndërkombëtare të aplikueshme.
2. Markimi duhet të përfshijë të paktën:
a) emrin ose kodin e prodhuesit;
b) numrin serial unik;
c) vendin dhe datën e prodhimit;
ç ) kodin e lotit të prodhimit;
d) kodin e eksportit dhe destinacionin përfundimtar.
3. Produktet e eksportuara duhet të jenë të regjistruara në regjistrin elektronik, përpara daljes nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke përfshirë të dhënat e transportit, subjektin eksportues dhe marrësin përfundimtar.
4. Subjektet e licencuara për importin ose eksportin e armëve, të municioneve, të pajisjeve dhe të teknologjive ushtarake importojnë ose eksportojnë vetëm produkte të markuara, në përputhje me këtë vendim ose me standardet ndërkombëtare të zbatueshme. Shenjat unike të identifikimit regjistrohen në sistemin e gjurmimit të subjektit dhe në regjistrin elektronik të Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes përpara hyrjes ose daljes nga territori i Republikës së Shqipërisë.
Neni 20
Etiketimi dhe dokumentacioni për transport
1. Çdo njësi e transportuar duhet të shoqërohet me dokumentacionin përkatës të identifikimit e të gjurmimit, përfshirë:
a) certifikatën e origjinës;
b) deklaratën e transportit;
c) etiketat e transportit dhe të sigurisë, sipas standardeve të NATO-s.
2. Në rastet kur produktet përmbajnë mallra të rrezikshme, etiketimi dhe paketimi duhet të jenë në përputhje me Konventën SOLAS, ratifikuar me ligjin nr.9213, datë 1.4.2004, “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në konventën ndërkombëtare detare “Për shpëtimin e jetës në det (SOLAS), 1947”, të ndryshuar, dhe në protokollin e kësaj konvente, të vitit 1978, të ndryshuar”, dhe me Kodin IMDG të zbatueshëm në kuadër të saj, për të garantuar sigurinë gjatë transportit ndërkombëtar.
3. Kërkesat e këtij vendimi për markimin e gjurmimin zbatohen për produktet e prodhuara në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe për produktet e importuara. Subjektet e licencuara për importin janë përgjegjëse për verifikimin dhe regjistrimin e markimit të produkteve të importuara përpara shpërndarjes ose përdorimit të tyre.
Neni 21
Markimi i uniformave
1. Markimi i uniformave realizohet në nivel njësie nëpërmjet vendosjes së etiketës ose të pullës identifikuese.
2. Markimi realizohet në formë fizike ose elektronike, përfshirë barkodet, QR code ose teknologji të tjera të lexueshme elektronikisht.
3. Markimi vendoset në mënyrë të qëndrueshme në produkt dhe duhet të jetë i lexueshëm gjatë gjithë ciklit të përdorimit.
Neni 22
Etiketimi i uniformave
1. Etiketa ose pulla për uniformat përmban, të paktën:
a) kodin unik të lotit;
b) emrin ose kodin e prodhuesit;
c) datën e prodhimit;
ç) vendin e prodhimit.
2. Etiketa paraqitet në formë të qartë dhe të standardizuar, duke mundësuar identifikimin e leximin e menjëhershëm të të dhënave.
3. Etiketa mund të jetë në formë fizike, e qepur, e stampuar ose e ngjitur në produkt, ose në formë elektronike, nëpërmjet barkodit, QR code ose teknologjive të tjera të lexueshme elektronikisht.
Neni 23
Gjurmimi i uniformave
1. Gjurmimi i uniformave realizohet nëpërmjet kodit unik të lotit të vendosur në etiketë.
2. Çdo lot uniformash pajiset me një kod unik identifikues, i cili regjistrohet në sistemin elektronik të gjurmimit.
3. Të gjitha uniformat, që i përkasin të njëjtit lot, identifikohen nëpërmjet këtij kodi dhe gjurmohen në mënyrë të përbashkët.
4. Regjistrimi dhe përditësimi i të dhënave kryhen në përputhje me kreun II të këtij vendimi.
KREU V
DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 24
Institucionet që ngarkohen për zbatimin e vendimit
Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Neni 25
Hyrja në fuqi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË PROCEDURAVE PËR PËRZGJEDHJEN E ANËTARËVE, FUNKSIONIMIN, SI DHE MËNYRËN E USHTRIMIT TË PËRGJEGJËSIVE TË KOMISIONEVE KËSHILLIMORE PËR TITUJT E NDERIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 14, të ligjit nr.94/2022, “Për titujt e nderit dhe titujt vendorë të nderit në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e rregullave për përcaktimin e kritereve, të procedurave për përzgjedhjen e anëtarëve, funksionimin, si dhe mënyrën e ushtrimit të përgjegjësive të komisioneve këshillimore për titujt e nderit.
I. PËRBËRJA E KOMISIONIT KËSHILLIMOR
1. Institucionet përgjegjëse për dhënien e titujve të nderit ngrenë komisionin këshillimor për titujt e nderit (në vijim, Komisioni Këshillimor), për të shqyrtuar paraprakisht nismat për dhënien e titujve të nderit, të cilat jepen në zbatim të ligjit nr. 94/2022, “Për titujt e nderit dhe titujt vendorë të nderit në Republikën e Shqipërisë”.
2. Komisioni Këshillimor përbëhet nga 5 (pesë) anëtarë, prej të cilëve 3 (tre) anëtarë të jenë punonjës nën varësinë e institucionit përgjegjës për dhënien e titullit dhe 2 (dy) anëtarë, personalitete të jashtme.
3. Komisioni Këshillimor ngrihet me urdhër të titullarit të institucionit përgjegjës për lëshimin e titullit të nderit. Anëtarët, personalitete të jashtme, përzgjidhen nga radhët e personaliteteve të njohura, që kanë dhënë kontribut në fushat përkatëse.
II. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI
1. Komisioni, në mbledhjen e tij të parë, zgjedh me shumicë votash kryetarin. Detyra e sekretarit të Komisionit Këshillimor kryhet nga një punonjës i administratës së institucionit, sipas përcaktimit në urdhrin për ngritjen e këtij komisioni.
2. Veprimtaria e Komisionit Këshillimor u nënshtrohet rregullave në fuqi për mënyrën e funksionimit të organeve kolegjiale. Vendimet merren me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve.
3. Anëtarët e Komisionit Këshillimor, të pranishëm në mbledhje, nuk mund të abstenojnë.
4. Gjatë veprimtarisë së tyre, anëtarët e Komisionit Këshillimor i nënshtrohen legjislacionit për parandalimin e konfliktit të interesave.
5. Komisioni Këshillimor ngrihet për çdo nismë, kryesisht ose me propozim, që i paraqitet institucionit përgjegjës për lëshimin e titullit të nderit jo më vonë se 60 (gjashtëdhjetë) ditë përpara datës së caktuar për nderim.
6. Mbledhja e parë e Komisionit Këshillimor zhvillohet jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga ngritja e tij.
7. Në mbledhjen e parë, Komisioni Këshillimor njihet me objektin e veprimtarisë dhe shqyrton dokumentacionin që shoqëron praktikën.
8. Në çdo mbledhje mbahet procesverbal, ku pasqyrohen data dhe vendi i mbledhjes, anëtarët që marrin pjesë, çështjet që diskutohen, vendimet e marra dhe rezultati i votimeve.
9. Procesverbali mbahet nga sekretari dhe u paraqitet për miratim dhe nënshkrim të gjithë anëtarëve në fund të mbledhjes ose në fillim të mbledhjes pasardhëse.
10. Komisioni Këshillimor shqyrton dhe jep mendim për:
a) plotësimin e kushteve dhe të kritereve ligjore formale nga kandidaturat e propozuara për titullin e caktuar të nderit;
b) të dhënat biografike të kandidatëve, që mbështesin meritën për përfitimin e titullit të nderit;
c) të dhënat biografike, nëse ka, të cilat i kundërvihen meritës;
ç) motivacionin që duhet të shoqërojë dhënien e titullit të nderit për kandidatët e propozuar.
11. Komisioni Këshillimor harton raport për çdo kandidaturë që shqyrton dhe përpilon rekomandim me shkrim për dhënien ose jo të titullit të nderit. Rekomandimi i Komisionit Këshillimor nuk është detyrues për institucionin përgjegjës për dhënien e titujve të nderit.
12. Komisioni Këshillimor, pasi merr praktikën që përmban propozimin ose nismën, i kërkon me shkresë Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (në vijim, Autoriteti i Dosjeve) informacion lidhur me ekzistencën në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit të informacioneve për kandidatin. Përgjigjja e Autoritetit të Dosjeve jepet sipas përcaktimeve të pikës 2, të nenit 29, të ligjit nr.45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, të ndryshuar.
13. Kur përgjigjja nga Autoriteti i Dosjeve vjen negative për kandidatin, Komisioni Këshillimor vijon procedurat për shqyrtimin e praktikës. Kur Autoriteti i Dosjeve konfirmon ekzistencën në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit të informacioneve për kandidatin, Komisioni Këshillimor, nëpërmjet sekretarit të përgjithshëm, informon titullarin e institucionit për konstatimin e papajtueshmërisë. Në këtë rast, praktika arkivohet pa veprime të mëtejshme.
14. Në rastet kur praktika është mbështetur në propozimin e institucioneve me të drejtë ligjore propozimi, Komisioni Këshillimor shqyrton nëse propozimi është depozituar sipas afatit minimal 90 (nëntëdhjetë) ditë kalendarike përpara datës së propozuar për dhënien e titullit dhe, në rast se ky afat nuk është respektuar, shqyrton nëse janë paraqitur shkaqe objektive ose të justifikueshme, të cilat lejojnë trajtimin e praktikës si rast përjashtimor pa cenuar kryerjen e rregullt të procedurës deri në datën e propozuar për akordimin e titullit të nderit. Gjithashtu, komisioni verifikon nëse dokumentacioni i propozimit plotëson kërkesat lidhur me përmbajtjen, sipas përcaktimeve të pikës 2, të nenit 13, të ligjit nr.94/2022, “Për titujt e nderit dhe titujt vendorë të nderit në Republikën e Shqipërisë”.
15. Në varësi të konstatimit, Komisioni Këshillimor vendos:
a) të vijojë me shqyrtimin e nismës ose të propozimit;
b) t’i kërkojë institucionit, që ka ndërmarrë nismën kryesisht, ose institucionit propozues plotësimin e të metave të propozimit për nderim brenda 10 (dhjetë) ditëve;
c) t’i dërgojë institucionit përgjegjës për dhënien e titullit rekomandimin për mospranimin e propozimit, kur ai është paraqitur në një afat më të ngushtë se afati 90-ditor i ligjit dhe nuk janë evidentuar shkaqe justifikuese për vijimin e procedurës përtej afatit.
16. Komisioni Këshillimor, kur çmon se praktika duhet të plotësohet me të dhëna dhe informacione shtesë, krahas informacionit e dokumentacionit të paraqitur në nismën ose propozimin për nderim, kërkon informacione ose dokumentacion shtesë nga shtetasi i propozuar për nderim, si dhe nga çdo person fizik ose juridik apo organ publik, vendas ose i huaj, që disponon të dhëna të vlefshme për shqyrtimin e plotë të nismës ose të propozimit. Kërkesa përcillet zyrtarisht nga sekretari i përgjithshëm i institucionit. Në shkresën përcjellëse informohet edhe për afatin, si rregull, 10-ditor, për të cilin Komisioni Këshillimor mbetet në pritje të përgjigjes.
17. Në çdo rast, Komisioni Këshillimor çmon se cilat fakte konsiderohen të provuara, bazuar në parimin e nderimit publik dhe të vlerësimit të kontributit, në vlerësimin e hollësishëm të informacioneve dhe dokumentacioneve në dispozicion, si dhe në rezultatin tërësor të shqyrtimit, duke hartuar për këtë qëllim raportin përkatës.
18. Komisioni Këshillimor shqyrton praktikën dhe dërgon mendimin për përmbushjen ose jo të kritereve për nderim, si rregull, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga marrja e vendimit për vijimin e shqyrtimit të propozimit ose nga plotësimi i të metave të tij. Procesi i shqyrtimit të nismës ose propozimit mund të shtyhet, me miratimin e titullarit të institucionit, përtej afateve të përcaktuara për shkak të rrethanave të paparashikuara, që dëmtojnë reputacionin e vlerën e aktit të nderimit në opinionin publik, deri në sqarimin e këtyre rrethanave.
19. Në përfundim të shqyrtimit, Komisioni Këshillimor i dërgon institucionit përgjegjës për dhënien e titullit mendimin e arsyetuar për:
a) miratimin e nismës ose të propozimit;
b) refuzimin e nismës ose të propozimit për shkak të mosplotësimit të të metave brenda afatit 10-ditor ose për shkak të mospërmbushjes së kritereve, sipas këtij ligji.
20. Ngarkohen institucionet përgjegjëse për dhënien e titujve të nderit, përcaktuar në ligjin nr.94/2022, “Për titujt e nderit dhe titujt vendorë të nderit në Republikën e Shqipërisë”, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË TË KANDIDATËVE PËR KRYETAR DHE TRE ANËTARË TË KOMISIONIT TË PROKURIMIT PUBLIK
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 25, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Propozimin Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të listës së kandidatëve të kualifikuar për kryetar dhe për 3 (tre) anëtarë të Komisionit të Prokurimit Publik, sipas renditjes në aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Dërgimin Kuvendit të Republikës së Shqipërisë edhe të listës së kandidatëve të skualifikuar, sipas aneksit 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË ZBATIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E EKONOMISË DHE INOVACIONIT, DHE AGJENCISË GJERMANE PËR BASHKËPUNIM NDËRKOMBËTAR (GIZ) GMBН, SI PËRFAQËSUESE E QEVERISË GJERMANE DHE AGJENCI ZBATUESE, PËR PROGRAMIN “QENDRAT PËR MIGRACION DHE ZHVILLIM” (ZME)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes së zbatimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, dhe Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) GmbН, si përfaqësuese e qeverisë gjermane dhe agjenci zbatuese, për programin “Qendrat për migracion dhe zhvillim” (ZME), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në listën e inventarit, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar, të dhënat kadastrale të pronës me numër rendor 85, me emërtimin “Reparti 1300 ish-Shtabi i Xhenios”, zëvendësohen me përmasat e përcaktuara sipas formularit të inventarizimit, gjithsej, 1 (një) fletë, dhe planit të rilevimit, gjithsej 1 (një) fletë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.203, DATË 10.4.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË MASËS SË PËRFITIMIT DHE LLOJEVE TË PUSHIMEVE TË TJERA, ME APO PA PAGESË, NË SHËRBIMIN E MBROJTJES NGA ZJARRI DHE SHPËTIMIN”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 30, të ligjit nr.152/2015, “Për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.203, datë 10.4.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të masës së përfitimit dhe llojeve të pushimeve të tjera, me apo pa pagesë, në shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Pika 4, e kreut I, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Punonjësi me gradë i shërbimit të MZSH-së, që shërben natën, në ditët e pushimit javor e të festave zyrtare, brenda kohëzgjatjes normale të punës, përfiton një shtesë mbi pagë në masën:
a) 20% për çdo orë pune e shërbimi të kryer nga ora 19:00 deri në orën 22:00;
b) 50% për çdo orë pune e shërbimi të kryer nga ora 22:00 deri në orën 6:00;
c) 25% për çdo orë pune të kryer në ditët e festave zyrtare dhe në ditët e pushimit javor.”.
b) Pas pikës 4, të kreut I, shtohen pikat 4/1, 4/2 dhe 4/3, me këtë përmbajtje:
“4/1. Për orët shtesë të punës, punonjësi me gradë i shërbimit të MZSH-së kompensohet me pushim të barabartë me orët shtesë plus 25% të tyre, kur këto orë janë kryer në ditë të zakonshme pune apo me orët shtesë plus 50% të tyre, kur orët janë kryer në ditë pushimi, ditë feste apo nga ora 22:00 – 6:00.
4/2. Punonjësi me gradë i shërbimit të MZSH-së, kur festat zyrtare bien në ditë pushimi, trajtohet me një ditë pushimi shtesë ose pagesë për 8 (tetë) orë, të përllogaritur mbi pagën orare të përcaktuar në pikën 2, të këtij kreu.
4/3. Shtesa mbi pagë, sipas pikës 4, të këtij kreu, paguhet bashkë me pagën mujore, brenda një muaji nga dita kur është kryer shërbimi. Kompensimi me pushim i orëve shtesë të punës, sipas pikave 4/1 e 4/2, të këtij kreu, bëhet brenda 2 (dy) muajve nga dita kur janë kryer ato. Në rast të pamundësisë së kompensimit të orëve shtesë të punës me pushim, punonjësi kompensohet me shtesë page, sipas masës së përcaktuar në pikat 4/1 e 4/2, të këtij kreu.”.
c) Pas pikës 6, të kreut I, shtohet pika 6/1, me këtë përmbajtje:
“6/1. Numri maksimal i orëve shtesë për punonjësin operacional të shërbimit të MZSH-së nuk mund të jetë më shumë se 200 (dyqind) orë në vit. Me autorizimin e inspektoratit përgjegjës për inspektimin e punës, numri maksimal i orëve shtesë mund të tejkalohet vetëm në rastet e forcës madhore ose të menaxhimit të emergjencave civile në dobi të popullsisë.”.
ç) Pika 8, e kreut I, shfuqizohet.
d) Në pikën 1, të kreut II, emërtimet “komisar zjarrfikës”, “kryeinspektor zjarrfikës” dhe “inspektor zjarrfikës” zëvendësohen, përkatësisht, me “kryekomisar zjarrfikës”, “komisar zjarrfikës” dhe “nënkomisar zjarrfikës”.
2. Efektet financiare shtesë, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i shtetit, nëpërmjet transfertës së pakushtëzuar sektoriale për bashkitë.
3. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.219, DATË 16.4.2004, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË, PËR ALBPETROL, SH.A.”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe të neneve 8, pika 3, e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.219, datë 16.4.2004, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për Albpetrol, sh.a.”, të ndryshuar, përmasat e komponentit “sipërfaqet e puseve”, për pronat me numrat rendorë 31, 341, 348, 349 dhe 515 zëvendësohen me përmasat e përcaktuara në formularët 5 (pesë) fletë dhe planrilevimet, 9 (nëntë), që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, shoqëria “Albpetrol” sh.a., dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA AGJENCIA SHTETËRORE E KADASTRËS TE AVOKATURA E SHTETIT, TË PASURISË SË PALUAJTSHME NR.50/17-N, ZONA KADASTRALE 8605, VLORË, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.448, DATË 16.6.2005, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI ZYRËS QENDRORE TË REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës te Avokatura e Shtetit, të pasurisë së paluajtshme nr.50/17-N, zona kadastrale 8605, Vlorë, sipas planimetrisë, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, me qëllim ushtrimin e aktivitetit, sipas fushës së veprimtarisë.
2. Prona e përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, bashkëlidhur vendimit nr.448, datë 16.6.2005, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”, të ndryshuar.
3. Avokaturës së Shtetit i ndalohet të ndryshojë destinacionin e pronës së përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi, ta tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.
4. Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Avokatura e Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLORES “MBI KUSHTET, KRITERET DHE PROCEDURAT E VERFIKIMIT TË SHKARKIMEVE TË GAZEVE ME EFEKT SERRË TË OPERATORIT TË INSTALIMIT, TË OPERATORIT TË AVIONIT E TË SUBJEKTIT TË RREGULLUAR DHE KUSHTET, KRITERET E PROCEDURAT E AKREDITIMIT TË VERIFIKUESVE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 6, shkronjat “c”, “ç” dhe “dh”, 11, pika 6, shkronjat “c”, “ç” dhe “d”, e 12/1, pika 4, të ligjit nr.155/2020, “Për ndryshimet klimatike”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit dhe të ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullores “Mbi kushtet, kriteret dhe procedurat e verfikimit të shkarkimeve të gazeve me efekt serrë të operatorit të instalimit, të operatorit të avionit e të subjektit të rregulluar dhe kushtet, kriteret e procedurat e akreditimit të verifikuesve” sipas tekstit, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “REHABILITIMI I SHESHEVE DHE ZONAVE KRYESORE NË AFËRSI TË PIKAVE DOGANORE SHQIPTARE (PIKA DOGANORE MORINË)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i shesheve dhe zonave kryesore në afërsi të pikave doganore shqiptare (Pika doganore Morinë).
2. Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë” dhe “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 184 982 (njëqind e tetëdhjetë e katër mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e dy) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 184 982 (njëqind e tetëdhjetë e katër mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e dy) lekësh, përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Autoritetit Rrugor Shqiptar.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
8. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
10. Autoriteti Rrugor Shqiptar, pas miratimit të këtij vendimi, aplikon menjëherë pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Drejtoria Vendore Kukës, e cila, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të vendimit, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për Autoritetin Rrugor Shqiptar, për pasuritë që shpronësohen sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për Autoritetin Rrugor Shqiptar, për pasuritë që shpronësohen, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Kukës, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, si dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Kukës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSION I TROTUAREVE, LAGJJA “SHEH””, BASHKIA KAVAJË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të bashkëpronarëve të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Rikonstruksion i trotuareve, lagjja “Sheh””, Bashkia Kavajë.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Kavajë.
3. Bashkëpronarët e pasurisë së paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasurinë e llojit “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 452 308 (katërqind e pesëdhjetë e dy mijë e treqind e tetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 452 308 (katërqind e pesëdhjetë e dy mijë e treqind e tetë) lekësh përballohet nga buxheti i Bashkisë Kavajë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Kavajë.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Bashkëpronarët e pasurisë së paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Bashkisë Kavajë.
8. Bashkia Kavajë kryen procedurat për likuidimin e bashkëpronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Kavajë.
10. Bashkia Kavajë, pas miratimit të këtij vendimi, aplikon menjëherë pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Drejtoria Vendore Durrës – Kavajë – Krujë, e cila, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të vendimit, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Kavajë për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Kavajë për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Kavajë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Durrës – Kavajë – Krujë dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.126, DATË 2.3.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E MODELIT TË UNIFORMAVE USHTARAKE, GRADAVE, SIMBOLEVE, STEMAVE E FLAMUJVE DEKORATIVË TË STRUKTURAVE DHE SHENJAVE TË TJERA DALLUESE TË UNIFORMËS USHTARAKE, QË MBAJNË FORCAT E ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “ë”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.126, datë 2.3.2022, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në albumin e stemave, flamujve dekorativë dhe shenjave krahëse bëhen shtesat e mëposhtme:
a) Stema, flamuri dekorativ dhe shenja krahëse të Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut, FT, shtohen pas faqeve 49, 127 dhe 209, sipas modelit e specifikimeve në shtojcën 1, faqja 1;
b) Stema, flamuri dekorativ dhe shenja krahëse të Batalionit të Parë të Këmbësorisë, aktiv e rezervist të RKV-së, FT, shtohen pas faqeve 51, 129 dhe 211, sipas modelit e specifikimeve në shtojcën 1, faqja 2;
c) Stema, flamuri dekorativ dhe shenja krahëse të Batalionit të Dytë të Këmbësorisë, aktiv e rezervist të RKV-së, FT, shtohen pas faqeve 53, 131 dhe 213, sipas modelit e specifikimeve në shtojcën 1, faqja 3;
ç) Stema, flamuri dekorativ dhe shenja krahëse të Batalionit të Tretë të Këmbësorisë, aktiv e rezervist të RKV-së, FT, shtohen pas faqeve 55, 133 dhe 215, sipas modelit e specifikimeve në shtojcën 1, faqja 4;
d) Stema, flamuri dekorativ dhe shenja krahëse të Batalionit të Këmbësorisë së lehtë/bkl të FT-së, shtohen pas faqeve 57, 135 dhe 217, sipas modelit e specifikimeve në shtojcën 1, faqja 5;
dh) Stema, flamuri dekorativ dhe shenja krahëse të Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut, FT, shtohen pas faqeve 59, 137 dhe 219, sipas modelit e specifikimeve në shtojcën 1, faqja 6;
e) Stema, flamuri dekorativ dhe shenja krahëse të Batalionit të Parë të Këmbësorisë, aktiv e rezervist në RKJ, FT, shtohen pas faqeve 61, 139 dhe 221, sipas modelit e specifikimeve në shtojcën 1, faqja 7;
ë) Stema, flamuri dekorativ dhe shenja krahëse të Batalionit të Dytë të Këmbësorisë, aktiv e rezervist në RKJ, FT, shtohen pas faqeve 63, 141 dhe 223, sipas modelit e specifikimeve në shtojcën 1, faqja 8;
f) Stema, flamuri dekorativ dhe shenja krahëse të Batalionit të Tretë të Këmbësorisë, aktiv e rezervist në RKJ, FT, shtohen pas faqeve 65, 143 dhe 225, sipas modelit e specifikimeve në shtojcën 1, faqja 9;
g) Stema, flamuri dekorativ dhe shenja krahëse të Regjimentit të Mbështetjes me Luftim, FT, shtohen pas faqeve 67, 145 dhe 227, sipas modelit e specifikimeve në shtojcën 1, faqja 10;
gj) Stema, flamuri dekorativ dhe shenja krahëse të Batalionit të Artilerisë Tokësore dhe shenja krahëse e Baterisë K/Ajrore, FT, shtohen pas faqeve 69, 147 dhe 229, sipas modelit e specifikimeve në shtojcën 1, faqja 11;
h) Stema, flamuri dekorativ dhe shenja krahëse të Qendrës së Mbrojtjes nga Armët e Dëmtimit në Masë në RML, FT, shtohen pas faqeve 71, 149 dhe 231, sipas modelit e specifikimeve në shtojcën 1, faqja 12;
i) Stema, flamuri dekorativ dhe shenja krahëse të Distriktit Detar Verior, FD, shtohen pas faqeve 69, 145 dhe 227, sipas modelit e specifikimeve në shtojcën 1, faqja 13;
j) Stema, flamuri dekorativ dhe shenja krahëse të Distriktit Detar Jugor, FD, shtohen pas faqeve 67, 143 dhe 225, sipas modelit e specifikimeve në shtojcën 1, faqja 14;
k) Stema, flamuri dekorativ dhe shenja krahëse të Batalionit të Mbrojtjes Ajrore të bazuar në Tokë, FAj, shtohen pas faqeve 69, 145 dhe 227, sipas modelit e specifikimeve në shtojcën 1, faqja 15;
l) Stema, flamuri dekorativ dhe shenja krahëse të Detashmentit të Avionëve pa Pilot, FAj, shtohen pas faqeve 81, 109 dhe 191, sipas modelit e specifikimeve në shtojcën 1, faqja 16;
ll) Stema, flamuri dekorativ dhe shenja krahëse e Bazës Ajrore Farkë, FAj, shtohen pas faqeve 77, 157 dhe 189, sipas modelit e specifikimeve në shtojcën 1, faqja 17;
m) Stema, flamuri dekorativ dhe shenja krahëse të Kolegjit të Mbrojtjes dhe Sigurisë, shtohen pas faqeve 95, 173 dhe 191, sipas modelit e specifikimeve në shtojcën 1, faqja 18;
n) Stema, flamuri dekorativ dhe shenja krahëse të Qendrës së Simulimit, KMS, shtohen pas faqeve 103, 121 dhe 189, sipas modelit e specifikimeve në shtojcën 1, faqja 19;
nj) Stema, flamuri dekorativ dhe shenja krahëse të Komandës Kibernetike dhe Ndërlidhjes, shtohen pas faqeve 41, 119 dhe 201, sipas modelit e specifikimeve në shtojcën 1, faqja 20;
o) Stema për kurset institucionale të nënoficerëve, shtohet pas faqes 343, sipas modelit e specifikimeve në shtojcën 1, faqet 21 dhe 22;
p) Stema, flamuri dekorativ për studentët e FMS-së, shtohet pas faqes 343, sipas modelit e specifikimeve në shtojcën 1, faqja 23.
2. Në albumin e stemave, flamujve dekorativë dhe shenjave krahëse hiqen:
a) stema, flamuri dekorativ dhe shenja krahëse të b1k-së, FT, në faqet 49, 50, 127, 128, 209, 210;
b) stema, flamuri dekorativ dhe shenja krahëse të b2k-së, FT, në faqet 51, 52, 129, 130, 211, 212;
c) stema, flamuri dekorativ dhe shenja krahëse të b3k-së, FT, në faqet 53, 54, 131, 132, 213, 214;
ç) stema, flamuri dekorativ dhe shenja krahëse të BML-së, në faqet 61, 62, 139, 140, 221, 222;
d) stema, flamuri dekorativ dhe shenja krahëse e Bazës Ajrore Farkë, FAj, në faqet 80, 158, 240;
dh) stema, flamuri dekorativ dhe shenja krahëse të Agjencisë së Sistemeve të Ndërlidhjes dhe Informacionit, në faqet 41, 42, 119, 120, 201, 202.
3. Në albumin e Forcës Tokësore, modeli i kostumit ceremonial dhe atij të punës te xhaketat, pantallonat dhe fundet në faqet 1060, 1062, 1066, 1068, 1072, 1089, 1093, 1097 dhe 1099 do të jetë pa fileto dekoruese perimetrale, sipas modelit në shtojcën 1, faqja 32.
Në faqet 1061, 1063, 1067, 1090 dhe 1094, te pjesa “Përshkrim model xhaketa ceremoniale/pune”, fjalët “Fileto perimetrale me ngjyrë të kuqe si kampioni vendoset në pjesën e sipërme të jakës me diametër 3 mm”, “Pjesa fundore e mëngës ka një palosje me lartësi 8 cm dhe në palosje ka fileto perimetrale me ngjyrë të kuqe si kampioni me diametër 3 mm” hiqen. Në faqet 1069, 1073, 1098 dhe 1100, te pjesa “Përshkrim model uniforma ceremoniale/pune, pantallona/fund”, nënndarjet “fileto dekoruese” hiqen.
4. Në albumin e Forcës Tokësore, modeli i xhuboksit (xhaketon), pardesy, pulovër, pantallona verore dhe fund veror në faqet 1120, 1126, 1128, 1132, 1136 dhe 1138, të jetë pa fileto dekoruese perimetrale, sipas modelit në shtojcën 1, faqet 32 dhe 33.
Në faqet 1121 dhe 1133, te pjesa “Artikuj të tjerë: xhuboks (xhaketon)/pulovër”, fjalët “Fileto perimetrale me ngjyrë të kuqe si kampioni vendoset në pjesën e sipërme të jakës me diametër 3 mm” dhe “në pjesën e kapakut është vendosur fileto dekoruese e kuqe me diametër 3mm është qepur 2cm në pjesën e sipërme të kapakut”; “Fileto perimetrale me ngjyre te kuqe si kampioni me diametër 3 mm”; “Fileto perimetrale me ngjyre te kuqe si kampioni me diametër 3 mm” dhe “te rrethuara me fileton dekoruese ngjyrë e kuqe me diametër 3mm”, hiqen.
Në faqet 1137 dhe 1139, te pjesa artikuj të tjerë: pantallona verore/fund veror, nënndarjet “fileto dekoruese” hiqen. Modeli i xhuboksit/xhaketonit të ketë jakë (stand collar/band collar pa palosje), pjesët e mëngëve dhe fundore të jenë me llastik sipas modelit në shtojcën 1, faqet 32 dhe 33.
5. Në albumin e Forcës Ajrore, modeli i kostumit ceremonial dhe i atij të punës te xhaketat, pantallonat dhe fundet në faqet 650, 652, 656, 658, 662, 679, 683, 687 dhe 689, të jetë pa fileto dekoruese perimetrale, sipas modelit në shtojcën 1, faqja 34.
Në faqet 651, 653, 657, 680 dhe 684, te pjesa “Përshkrim model xhaketa ceremoniale/pune”, fjalët “Fileto perimetrale ngjyrë blu si kampioni vendoset në pjesën e sipërme të jakës me diametër 3 mm”, “Pjesa fundore e mëngës ka një palosje me lartësi 8 cm dhe “në palosje ka fileto perimetrale ngjyrë blu si kampioni me diametër 3 mm” hiqen.
Në faqet 659, 663, 688 dhe 690, te pjesa “Përshkrim model uniforma ceremoniale/pune, pantallona/fund”, nënndarjet “fileto dekoruese” hiqen.
6. Në albumin e Forcës Ajrore, modeli i xhuboksit (xhaketon), pardesy, pulovër, pantallona verore dhe fund veror në faqet 708, 714, 720 , 724 dhe 726 të jetë pa fileto dekoruese perimetrale, sipas modelit në shtojcën 1, faqja 34.
Në faqet 709 dhe 721, te pjesa “Artikuj të tjerë: xhuboks (xhaketon)/pulovër/ …”, fjalët “Fileto perimetrale me ngjyrë blu si kampioni vendoset në pjesën e sipërme të jakës me diametër 3 mm”, “të rrethuara me fileton dekoruese ngjyrë blu me diametër 3mm”; “në pjesën e kapakut është vendosur fileto dekoruese blu me diametër 3 mm është qepur 2 cm në pjesën e sipërme të kapakut”; “Fileto perimetrale me ngjyrë blu si kampioni me diametër 3 mm” dhe “të rrethuara me fileto dekoruese me ngjyrë blu me gjerësi 3 mm” hiqen.
Në faqet 725 dhe 727 te pjesa artikuj të tjerë: pantallona verore/fund veror, nënndarjet “fileto dekoruese” shfuqizohen. Modeli i xhuboksit/xhaketonit të ketë jakë (stand collar/band collar pa palosje) pjesët e mëngëve dhe fundore të jenë me llastik si modeli në shtojcën 1, faqja 34.
7. Në albumin e Forcës Detare, modeli dhe përshkrimi i kostumit ceremonial (xhaketë) në faqet 836 dhe 837, përjashtuar kordonin e atasheut ushtarak, kostumi ceremonial për meshkuj/femra (xhaketë, pantallona, fund) në faqet 838, 839, 842, 843, 846, 847, 850 dhe 851, përjashtuar kordonin e uniformës ceremoniale, si dhe modeli e përshkrimi i uniformës së punës dimërore meshkuj/femra (xhaketë, pantallona, fund), përkatësisht në faqet 878, 879, 880, 881, 882, 883, 884, 885 ndryshohen dhe bëhen sipas modelit dhe përshkrimit të shtojcës 1, faqet 24 dhe 25.
8. Në albumin e Forcës Detare, modeli dhe përshkrimi i kostumit ceremonial të bardhë, për forcën detare verore, xhaketë meshkuj/femra, përkatësisht në faqet 867 dhe 868, tek Uniforma Ceremoniale e Bardhë: Xhaketë, ndryshohet modeli dhe përshkrimi dhe bëhen sipas shtojcës 1, faqja 26. Modeli i xhuboksit (xhaketon), pardesy, pulovër, pantallona verore dhe fund veror në faqet 907, 913, 915, 919, 923 dhe 925 të jetë pa fileto dekoruese perimetrale, sipas modelit në shtojcën 1, faqja 32. Në faqet 908 dhe 920, te pjesa artikuj të tjerë: xhuboks (xhaketon)/pulovër, fjalët “Fileto perimetrale me ngjyrë blu e errët si kampioni vendoset në pjesën e sipërme të jakës me diametër 3 mm”, “të rrethuara me fileton dekoruese ngjyrë blu e errët me diametër 3 mm”; “në pjesën e kapakut është vendosur fileto dekoruese blu me diametër 3 mm është qepur 2 cm në pjesën e sipërme të kapakut”; “Fileto perimetrale me ngjyrë blu si kampioni me diametër 3 mm” dhe “të rrethuara me fileto dekoruese me ngjyrë blu me gjerësi 3 mm” hiqen.
Në faqet 924 dhe 925, te pjesa “Artikuj të tjerë: pantallona verore/fund veror”, nënndarjet “fileto dekoruese” shfuqizohen. Modeli i xhuboksit/xhaketonit të ketë jakë (stand collar/band collar pa palosje) pjesët e mëngëve dhe fundore të jenë me llastik sipas modeli të shtojcës 1, faqja 36.
9. Në albumin e Forcës Detare, tek aksesorët, kopsa, që vendosen në uniformën ceremoniale, të punës dimërore dhe verore, kopsat e mëdha, të vogla, si dhe kopsat e kapelës, xhepave dhe spaletave, përkatësisht në faqet 1048, 1049, 1050, 1051, 1052, 1053 dhe 1055, të ndryshohen dhe të bëhen sipas modelit/përshkrimit në shtojcën 1, faqja 26.
10. Në albumin e Forcës Detare, modeli i gradave, faqe 1056, të ndryshohet dhe të bëhet sipas modelit e përshkrimeve/specifikimeve të shtojcës 1, faqet 28, 29, 30 dhe 31.
11. Në të gjitha albumet, kapelet, emblemat, kordonët dekorativë të kapeleve për të gjitha llojet e uniformave ceremoniale, pune dhe darka zyrtare, përkatësisht në faqet 352, 353, 354, 355, 496, 497, 521, 522, 622, 623, 666, 667, 693, 694, 808, 809, 854, 855, 886, 887, 1032, 1033, 1076, 7077, 1105, 1106, 1238 dhe 1239, ndryshojnë dhe bëhen sipas modeleve ilustruese në shtojcën 1, faqet 27, 38, 39 dhe 40, ngjyra e kapeleve mbetet ajo e miratuar në albumet e çdo strukture.
12. Në albumet e Forcës Tokësore, Ajrore dhe Studentit, vetëm kapelja e uniformës së stërvitjes “woodland”, përkatësisht në faqet 440, 441, 755, 756, 1167 dhe 1168, si dhe vetëm modeli e përshkrimi “model kapeleje”, ndryshohen e bëhen sipas shtojcës 1, faqja 39.
13. Në të gjitha albumet, emblemat për kapelet e uniformave të të gjitha llojeve të jenë sipas shtojcës 1, faqja 39.
14. Në albumin e Forcës Ajrore, tek “Uniforma e stërvitjes për pilotët (kominoshe fluturimi), xhuboks lëkure fluturimi (xhaketon), xhuboks tekstili fluturimi (xhaketon)”, në faqet 781, 783 dhe 784 dhe 785, dhe tek uniforma e stërvitjes për pilotët: xhuboks lëkure fluturimi, pjesa “Përshkrim model xhup lëkure”, të shtohen edhe fjalët “Në pjesën e gjoksit nga të dyja anët të ketë material velkrof për vendosjen e mbiemrit dhe gradës, si dhe në të dyja krahët të ketë material velkrof për vendosjen e flamurit kombëtar dhe shenjës krahëse të strukturës”, pjesa “Përshkrim për model kominoshe fluturimi” “Në krahun e majtë shenja velkro horizontale 9×5 cm, ku të përmbajë shqiponjën, emër mbiemër, grupin e gjakut dhe cilës njësi i përket grada Velkro horizontale me përmasa (10×3) cm, në krahun e djathtë 2 xhepa në pjesën përpara me lartësi 25 cm dhe gjerësi 16 cm në pjesën anësore të xhepit ka zinxhir 18 cm me velrof në pjesën e sipërme, 2 xhepa në kofshë, 2 xhepa në pjesën e poshtme të këmbës, mbyllja me zinxhir.
Në këmbën e djathtë, në pjesën përpara ka një xhep të jashtëm me përmasa 28 cm lartësi dhe gjerësi 21 cm në formën e këllëfit me mbyllje me buton në një linjë me xhepin përpara me lartësi 28 cm dhe gjerësi 13 cm në këtë xhep është mbivendosur një xhep në formë këllëfi me mbyllje me butona metalike. Në këmbën e majtë dhe të djathtë, në pjesën anësore fundore ka një xhep me mbyllje me velkrof me lartësi totale 27 cm dhe gjerësi totale 21 cm. Në pjesën fundore të secilës këmbë ka velkro të rregullueshme, përmasën e këmbës dhe zinxhir me hapje 25 cm, sipas shtojcës 1, faqja 35”.
15. Në të gjitha albumet, përjashtuar Forcën Detare, modeli i gradave në faqet 476, 646, 832 dhe 1262, dhe gradat e uniformës ceremoniale, pune dhe stërvitjeje për oficerë, nënoficerë, ushtarë dhe studentë, të ndryshohen dhe të jenë sipas shtojcës 1, faqet 41, 42, 43 dhe 44.
16. Në të gjitha albumet për uniformën e stërvitjes të të gjitha llojeve të shtohen shenjat e mbiemrit, shenjat e forcës “ALBANIAN – ARMY; ALBANIAN – NAVY; ALBANIAN – AIR FORCE”, sipas modeleve dhe specifikimeve në shtojcën 1, faqja 44.
17. Në albumin e Policisë Ushtarake tek “Uniforma ceremoniale: xhaketa, përshkrim model xhaketa ceremoniale”, në fjalët “fileto perimetrale ngjyrë blu”, në faqet 481, 483 dhe 487, fjala “blu” zëvendësohet me fjalën “e kuqe”.
18. Në albumin e Policisë Ushtarake tek “Uniforma e punës: kapele zarf”, te rreshti i dytë i tabelës, faqja 520, fjala “xhaketë” zëvendësohet me togfjalëshin “kapele zarf”.
19. Në të gjitha albumet tek “Artikuj të tjerë: pulovër, përshkrim model pulovër”, përkatësisht në faqet 402, 549, 721, 920 dhe 1133, fjalët “Një xhep në krahun e majtë të gjoksit me gjatësi 5 cm dhe gjerësi 11.5 cm me kapak të gjerë 11.5 cm dhe gjatësi 8.5 cm …” zëvendësohen me “Një xhep në krahun e majtë të gjoksit me gjatësi 13.5 cm dhe gjerësi 11.5 cm me kapak gjatësi 7.5 cm dhe gjerësi 11.5.cm …”.
20. Në albumin e Forcës Tokësore, tek “Uniforma kamuflazh – shkretëtirë”, faqet 1195, 1196, 1197, 1198, 1199, 1200, 1201, 1202, 1203, 1204, 1205, 1206, 1207, 1208, 1209, 1210, 1211 dhe 1212 shfuqizohen.
21. Në albumin e Studentëve Ushtarakë, tek “Uniforma ceremoniale femra/meshkuj: xhaketa, përshkrim model xhaketa ceremoniale”, në faqet 347, 348 dhe 349 të shtohen specifikimet “Xhaketa ceremoniale për meshkuj” të ketë specifikimet teknike dhe të jetë si modeli i xhaketës ceremoniale për femra, xhaketa ceremoniale për meshkuj dhe femra të jenë pa xhepa dhe të mbyllura me pesë kopsa metalike me diametër 23 mm”.
22. Në albumin e Studentëve Ushtarakë tek “Uniforma civile femra/meshkuj: xhaketa, përshkrim model xhaketa”, në faqet 315, 316, 418 dhe 419 të shtohen specifikimet “Xhaketa për meshkuj, të ketë 6 kopsa metalike (ku 3 kopsa të jenë në krahun e djathtë dhe 3 kopsa në krahun e majtë). Mbyllja e xhaketës të bëhet me dy kopsa në krahun e djathtë. Vendosja e xhepave të jetë sipas modelit në shtojcën 1, faqja 37 (të jenë xhepa falsë, me kapakë, pa kopsë në mes). Në krahun e majtë të ketë stemën e Fakultetit me logo, si në shtojcën 1, faqja 37.
23. Xhaketa për femra të ketë 6 kopsa metalike (ku 3 kopsa të jenë në krahun e djathtë dhe 3 kopsa në krahun e majtë). Mbyllja e xhaketës të bëhet me një kopsë në krahun e majtë. Vendosja e xhepave të jetë sipas modelit në shtojcën 1, faqja 37 (të jenë xhepa falsë, me kapakë, pa kopsë në mes). Në krahun e majtë të ketë stemën e Fakultetit me logo si në shtojcën 1, faqja 37.
II. Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E DISA ZONAVE ME PËRPARRËZI ZHVILLIMIN E EKONOMISË MALORE NË BASHKINË FUSHË-ARRËZ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 4, të ligjit nr.20/2025, “Për paketën e maleve”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen “Zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore” të disa zonave në territorin e Bashkisë Fushë-Arrëz, si më poshtë vijon:
a) Zona nr.1, fshatrat Blerim, Trun, Qebik dhe Dardhë, pjesë të njësive administrative Blerim dhe Fierzë, Bashkia Fushë-Arrëz, Qarku Shkodër, me sipërfaqe 5 495 (pesë mijë e katërqind e nëntëdhjetë e pesë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
b) Zona nr.2, fshatrat Fierzë, Kokdodë dhe Aprip-Guri, pjesë të njësisë administrative Fierzë, Bashkia Fushë-Arrëz, Qarku Shkodër, me sipërfaqe 919 (nëntëqind e nëntëmbëdhjetë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
c) Zona nr.3, fshatrat Porav, Arst dhe Mëzi, pjesë të njësisë administrative Fierzë, Bashkia Fushë-Arrëz, Qarku Shkodër, me sipërfaqe 706 (shtatëqind e gjashtë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
ç) Zona nr.4, fshatrat Fushë-Arrëz, Miçaj, Lumbardhë dhe Tuç, pjesë të njësive administrative Fushë-Arrëz, Qafë-Mali dhe Iballë, Bashkia Fushë-Arrëz, Qarku Shkodër, me sipërfaqe 3 539 (tre mijë e pesëqind e tridhjetë e nëntë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
d) Zona nr.5, fshatrat Iballë dhe Berishë e Sipërme, pjesë të njësive administrative Iballë dhe Fierzë, Bashkia Fushë-Arrëz, Qarku Shkodër, me sipërfaqe 3 309 (tre mijë e treqind e nëntë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
dh) Zona nr.6, fshati Mërtur, pjesë e njësive administrative Iballë dhe Fierzë, Bashkia Fushë-Arrëz, Qarku Shkodër, me sipërfaqe 1 466 (një mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e gjashtë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
e) Zona nr.7, fshatrat Kryezi, Qafë-Mali dhe Lajthizë, pjesë të njësive administrative Qafë-Mali dhe Blerim, Bashkia Fushë-Arrëz, Qarku Shkodër, me sipërfaqe 3 754 (tre mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e katër) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH.
2. Shtrirja, kufijtë dhe pikat e hyrjes e të daljes së këtyre zonave përcaktohen në hartën treguese, sipas sistemit KRGJSH, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Llojet e aktiviteteve, që do të zhvillohen në këtë zonë, janë:
a) të zhvillimit ekonomik;
b) të zhvillimit industrial;
c) të zhvillimit turistik.
4. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Fushë-Arrëz për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E DISA ZONAVE ME PËRPARËSI ZHVILLIMIN E EKONOMISË MALORE NË BASHKINË PËRRENJAS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 4, të ligjit nr.20/2025, “Për paketën e maleve”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen “Zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore” në territorin e Bashkisë Përrenjas të zonave, si më poshtë vijon:
a) Zona nr.1, fshatrat Shqiponjë dhe Stravaj, pjesë të njësisë administrative Stravaj, Bashkia Përrenjas, Qarku Elbasan, me sipërfaqe 932 (nëntëqind e tridhjetë e dy) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
b) Zona nr.2, fshatrat Qukës Skënderbej, Bërzeshtë, Fanjë, Dritaj, Farret dhe Stranik, pjesë të njësive administrative Qukës dhe Stravaj, Bashkia Përrenjas, Qarku Elbasan, me sipërfaqe 2275 (dy mijë e dyqind e shtatëdhjetë e pesë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
c) Zona nr.3, fshatrat Skroskë dhe Pishkash, pjesë të njësisë administrative Qukës, Bashkia Përrenjas, Qarku Elbasan, me sipërfaqe 722 (shtatëqind e njëzet e dy) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
ç) Zona nr.4, fshati Sutaj, pjesë e njësisë administrative Rrajcë, Bashkia Përrenjas, Qarku Elbasan, me sipërfaqe 146 (njëqind e dyzet e gjashtë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
d) Zona nr.5, fshati Sopot, pjesë e njësisë administrative Stravaj, Bashkia Përrenjas, Qarku Elbasan, me sipërfaqe 2036 (dy mijë e tridhjetë e gjashtë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
dh) Zona nr.6, fshatrat Qukës Shkumbin, Qukës Skënderbej, Gurrë, Karkavec, Bërzeshtë, Fanjë dhe Dritaj, pjesë të njësisë administrative Qukës, Bashkia Përrenjas, Qarku Elbasan, me sipërfaqe 451 (katërqind e pesëdhjetë e një) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH.
2. Shtrirja, kufijtë dhe pikat e hyrjes e të daljes së këtyre zonave përcaktohen në hartën treguese sipas sistemit KRGJSH, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Llojet e aktiviteteve, që do të zhvillohen në këtë zonë, janë:
a) të zhvillimit ekonomik;
b) të zhvillimit industrial;
c) të zhvillimit turistik.
4. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Përrenjas për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA