Vendimet/Balla: Shpejt nisin aplikimet për 100 punonjësit e policisë që përfitojnë kredi pa interes për shtëpi - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendimet/Balla: Shpejt nisin aplikimet për 100 punonjësit e policisë që përfitojnë kredi pa interes për shtëpi

100 punonjësit e parë të Policisë së Shtetit që nuk kanë një banesë në pronësi, prej datës 15 shtator do të mund të nisin aplikimet për kredi me interes zero. Vendimi u mor në mbledhjen e sotme të qeverisë dhe u bë publik nga ministri i Brendshëm Taulant Balla.

“Dua të informoj e garantoj çdo punonjës të Policisë së Shtetit, i cili ka krijuar një familje të re, është brenda moshës deri në 40 vjeç, që pas pak ditësh pasi duhet të ngrihet dhe formati i aplikimit brenda e-Albania, deri në 15 shtator, menjëherë të aplikojnë të gjithë punonjësit e PSH që plotësojnë këto kritere që lidhen me moshën, me mospasjen e një banese tjetër në pronësi, etj.”, sqaroi ministri.

Ai tha se gjithë fasha prej 900 efektivësh policie, të evidentuar pa banesë, është parashikuar të ndihmohen me kredi pa interes brenda 3 vitesh.

“Kemi evidentuar dhe janë rreth 900 punonjës policie sot, që kanë problematika me strehimin, synimi është që brenda 4 muajve të mbetur të vitit 2023 të trajtojmë 100 familjet e para të punonjësve të policisë me banesa, gjatë vitit 2024 të trajtojmë 300 familje të tjera dhe gjatë vitit 2025 shpresojmë të përmbyllet e gjithë kjo fashë prej 900 familjesh punonjësish policie, që kanë nevojë t’u zgjidhet një prej halleve të tyre më madhore, sikurse është strehimi. Do të vazhdojmë ta kemi këtë si një prej objektivave tona themelore dhe besoj që përpara festave të fundvitit do të kem mundësinë që vizitoj disa prej punonjësve të PSH në banesat e tyre të reja”, tha Balla.

Një tjetër vendim i miratuar sot, u vjen në ndihmë punonjësve të Gardës së Republikës, që punojnë jashtë vendbanimit.

“Janë disa ndërhyrje që lidhen me përkujdesjen ndaj punonjësve të Gardës së Republikës, sikurse e kishim bërë më parë për punonjësit e Policisë së Shtetit dhe anëtarët e Forcave të Armatosura. Me vendimin e sotëm të qeverisë për gjithë punonjësit e Gardës së Republikës, që për shkak të detyrës detyrohen të jetojnë në një qytet tjetër, është domosdoshme që ne të sigurojmë mbulimin e qerasë, për këta punonjës që kryejnë këtë zhvendosje bashkë me familjen e tyre për shkak të detyrës”, deklaroi Ministri.

VIDEO – Komunikimi me media i ministrit të Brendshëm Taulant Balla, pas mbledhjes së Këshilli të Ministrave, ku janë miratuar ndër të tjera edhe 2 vendime që lidhen me fushën e përgjegjësie së kësaj Ministrie:

Mirëdita,

Dua të ndaj me ju dhe publikun disa çështje që kemi diskutuar në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave që lidhen me fushën e përgjegjësisë së Ministrisë së Brendshme.  

Kanë të bëjnë me një qasje dhe një përgjegjësi që Ministria e Brendshme ka për trajtimin e duhur financiar të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës. Bëhet fjalë për disa ndërhyrje që lidhen me përkujdesjen ndaj punonjësve të Gardës së Republikës, sikurse  e kishim bërë më parë për punonjësit e Policisë së Shtetit dhe anëtarët e Forcave të Armatosura.

Me vendimin e sotëm të qeverisë për gjithë punonjësit e Gardës së Republikës, që për shkak të detyrës detyrohen të jetojnë në një qytet tjetër, është domosdoshme që ne të sigurojmë mbulimin e qerasë, për këta punonjës që kryejnë këtë zhvendosje bashkë me familjen e tyre për shkak të detyrës.

Po ashtu ndaj me ju, vijimin e një vendimmarrje tjetër që kemi bërë për trajtimin me kredi me interes zero, të punonjësve të Policisë së Shtetit. Dua të informoj e garantoj çdo punonjës të PSH, i cili ka krijuar një familje të re, është brenda moshës deri në 40 vjeç, që pas pak ditësh pasi duhet të ngrihet dhe formati i aplikimit brenda e-Albania, deri në 15 shtator do të jetë gati, menjëherë të aplikojnë të gjithë punonjësit e PSH që plotësojnë këto kritere që lidhen me moshën, me mospasjen e një banese tjetër në pronësi etj.

Kemi evidentuar dhe janë rreth 900 punonjës policie sot, që kanë problematika me strehimin, synimi është që brenda 4 muajve të mbetur të vitit 2023 të trajtojmë 100 punonjës policie me banesa, gjatë vitit 2024 të trajtojmë 300 familje të tjera, dhe gjatë vitit 2025 shpresojmë të përmbyllet e gjithë kjo fashë prej 900 familjesh punonjësish policie, që kanë nevojë t’u zgjidhet një prej halleve të tyre më madhore, sikurse është strehimi.

E kam thënë prej ditës së parë në krye të Ministrisë së Brendshme, që një prej objektivave kryesore është trajtimi i duhur dhe dinjitoz financiar i punonjësve të PSH, Gardës dhe si anëtar i kësaj qeverie edhe i çdo ushtaraku të FA.

Do të vazhdojmë ta kemi këtë si një prej objektivave tona themelore dhe besoj që përpara festive të fundvitit do të kem mundësinë që vizitoj disa prej punonjësve të PSH në banesat e tyre të reja.

Pyetje: Pas ngjarjeve të bujshme dhe problematikave të verës, a mund të garantoni ju sot qytetarët shqiptarë se çdo fije krimi në Policinë e Shtetit është e prerë tashmë?

Ministri Balla: Procesi i vetëpastrimit në Policinë e Shtetit sapo ka filluar. Unë nuk jam këtu që brenda 40 ditëve, se fjala 40 ditë në traditën shqiptare ka shumë kuptime, të them se unë ia kam arritur qëllimit ta pastroj Policinë e Shtetit, por kam thënë që punoj çdo ditë në bashkëveprim me të gjitha strukturat e tjera ligjzbatuese.

Kam vendosur dhe kam marrë garancitë e të gjitha institucioneve që këtë proces vetëpastrimi ta kryejmë në një kohë sa më të shkurtër, por mos harroni që ky është një proces i vazhdueshëm. Punonjës policie që tradhtojnë nga brenda strukturës së Policisë, aksionet e Policisë, do të jenë në zhdukje të vazhdueshme. Fijet që lidhin nga brenda Policisë së Shtetit, punonjës të caktuar të Policisë së Shtetit me organizatat kriminale apo me tradhëtimin e aksioneve të Policisë, do të vazhdojnë të priten ditë pas dite. Është e vërtetë që në Shqipëri është trashëguar dhe brenda Policisë së Shtetit është trashëguar një sëmundje, një kancer i cili ka çuar edhe në humbjen e jetëve të punonjësve të Policisë. Meqë përmendët gushtin, besoj që të gjithë e mbajmë mend 7 gushtin e vitit 2009, kur punonjësit e Policisë së Shtetit u çuan në një aksion dhe sot kemi 4 dëshmorë në Policinë e Shtetit, për shkaqe të rrjedhjes së informacionit.

Prandaj, kjo është një përpjekje e cila duhet të intensifikohet dhe e vërteta është që vetëpastrimi në Policinë e Shtetit po jep rezultat. Gjatë muajit gusht, kemi patur 3 punonjës policie të arrestuar për shkak të hetimeve të kryera nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe ndërkohë që dua t’ju informoj dhe t’ju garantoj që kemi plot hetime të tjera në proces dhe natyrshëm edhe për disa shqetësime që janë ngritur në publik.

Çdolloj forme dhe çdolloj aksesi i një punonjësi policie në rrjete të caktuara ose në komunikime të caktuara me elemente kriminale, është pjesë e thyerjes së rëndë të Kodit Etik, pa hyrë këtu në çështjet e tjera që parashikon Kodi Penal. Kodi Etik ishte aty prej shumë vitesh, por nuk zbatohej siç duhej. Sot, Kodin Etik e keni në të gjitha komisariatet, në hyrjet dhe në dyert e çdo drejtorie apo komisariati. E kam bërë shumë të qartë që nuk do të tolerohet asnjë punonjës i Policisë së Shtetit, për çdo pikë të atij Kodi. Në fakt, gjatë muajit korrik, kemi patur një rast kur një prej pikave të Kodit Etik është thyer dhe ai punonjës i Policisë së Shtetit nuk është më pjesë e organizatës së Policisë së Shtetit.

Pyetje: Pyetja tjetër lidhet me sistemin TIMS. A është ai funksional në çdo pikë tonën kufitare. Amerikanët kanë ardhur zyrtarisht te ju, për t’ju thënë se ishin shqetësuar se ishin vjedhur të dhënat e sistemit TIMS. Kryeministri na u zotua se asnjë e dhënë nuk është keqpërdorur dhe nuk ka patur asnjë problem aty, por AMP ka bërë kallëzim në Prokurori. Nëse fakti nuk ka ndodhur, siç kryeministri doli në konkluzion, pse ka shkuar në Prokurori çështja?

Ministri BallaTani, ju bëni dhe pyetjet, jepni dhe përgjigjet. Dhe unë mendoj që unë jam këtu për t’ju përgjigjur pyetjeve. E para është shumë e qartë që në media gjithmonë edhe dyshimet bëhen fakte të kryera. E vërteta është krejtësisht ndryshe. Pra, Shqipëria është sulmuar nga një sulm kibernetik në verën e vitit 2022 dhe nga ai moment, natyrshëm që të gjitha institucionet po marrin masat për të rritur digat mbrojtëse nga çdo lloj forme e sulmeve kibernetike. Nuk jemi i vetmi vend, unë s’di të ketë një vend sot në botën që jetojmë, i cili mos të ketë qenë ose mos të jetë pothuajse çdo ditë në sulme të caktuara kibernetike. Fjala bie, SHBA sapo kanë asgjësuar një prej bandave, hakerave më të mëdhenj sot që njihte SHBA. Pra, e vërteta është që kjo është një betejë.

Nuk ekziston asnjë prej atyre shqetësimeve që gjoja ka pasur rrjedhje të dhënave nga sistemi TIMS, edhe pretendimeve që janë ngritur në fillim të muajit korrik apo në fund të muajit gusht, e vërteta është që ndërsa një ekip i ri brenda Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, nga qershori ka marrë përsipër një ndryshim tërësor të mënyrës së administrimit në aspektin teknik dhe në aspektin e sigurisë, natyrshëm ndodh që ata që janë larguar mund të kenë kritika, mund të kenë edhe ankesa, mund të ngrenë edhe dyshime për punën që bëjnë ata që kanë marrë përsipër këtë detyrë. Por duhet të garantoj çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë se asnjë e dhënë nga TIMSI-i nuk ka rrjedhur dhe nuk ka pasur asnjë problematikë.

Lidhur me atë që ju thoni për kallëzim, nuk është e vërtetë që ka një kallëzim, por unë kam kërkuar që të dhënat që ka disponuar AMP-ja, të vlerësohen edhe nga ana e Prokurorisë nëse ka ndonjë element dhe ky është një standard i ri, që do të jetë dhe do të vendoset në të gjitha strukturat e varësisë ku unë kam nderin të drejtoj, që në të gjitha rastet, edhe kur nuk ka një bindje që ka element të veprës penale, përsëri kjo t’i vihet Prokurorisë për t’u vlerësuar sepse kujtoj që edhe unë jam i informuar sikurse është i informuar edhe Prokuroria Speciale Antikorrupsion nga punonjës të caktuar, të cilët nuk ishin identifikuar, të cilët kishin ngritur këtë shqetësim. Mendoj që ky standard i ri që po vendoset do të respektohet çdo ditë dhe do të konsolidohet si një standard i ri në Ministrinë e Brendshme dhe në strukturat e varësisë së vet.

Ne duam të garantojmë gjithmonë që në të gjitha pikat kufitare, të mos ketë asnjë problematik, që të garantoi që çdo qytetarë të mos ketë vonesa, dhe ju e keni parë që gjatë muajit gusht jam munduar që të shkoj vetë në të gjitha pikat e kalimit kufitar dhe në të gjitha pikat ku kam qenë, jam informuar që nuk kemi probleme.

Pyetje: Zoti Ministër, a ka ndryshuar plani i mbrojtjes fizike të kreut të SPAK, dhe nëse po, ka patur kërcënime ndaj zotit Dumani? Faleminderit.

Ministri Balla: Unë nuk dua që të hidhet diçka në media dhe pastaj kjo gjë të bëhet pjesë e lajmit të ditës dhe pastaj duhet të vrapojmë të gjithë për të  sqaruar. E vërteta është krejtësisht ndryshe dhe dua të garantoj jo vetëm prokurorët e SPAK, gjyqtarët, por çdo qytetarë të këtij vendi që Policia e Shtetit është në detyrë për të garantuar që çdo kush të jetë i sigurtë. Kështu që në këtë këndvështrim, kam komunikuar me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, të cilit i kam kërkuar që të marrë kontakt edhe me zotin Dumani, për të garantuar që Policia e Shtetit të bëjë detyrën, sikurse ne synojmë të garantojmë sigurinë publike të çdo qytetari, kemi përgjegjësinë maksimale për të garantuar sigurinë publike të çdo zyrtari të këtij shteti, i cili me punën e vetë zbaton Kushtetutën dhe ligjin dhe natyrshëm të jeni të sigurtë që nuk do të mungojë në asnjë moment vëmendja e Policisë së Shtetit dhe kujdesi i Policisë së Shtetit edhe nëse do të ketë, deri në momentin që flasim, unë nuk jam i informuar që të ketë një kërkesë ose të kemi një problematikë me atë që ju po thoni.

Pyetje: Ka patur një kërkesë nga zoti Dumani për mbrojtje më tepër, masa  të shtuara nga ana e Policisë apo keni kërkuar ju nga Drejtori i Përgjithshëm  i Policisë së Shtetit masa shtesë për zotin Dumani?

Ministri Balla: Mirë kur nuk jemi, por kur jemi këtu të paktën mos na e deformoni atë që thashë. Pra, nuk kam informacion që të kemi një kërkesë për këtë, por në çdo rast edhe pse  e dimë që pjesa më e madhe  e lajmeve që qarkullojnë nuk janë të vërteta edhe kur lajmet nuk janë të vërteta, përsëri mundohemi që t’i verifikojmë dhe në rast se ka nevojë që lajmet e pavërteta të verifikohen do vazhdojnë të verifikohen gjithmonë. Ju thashë që në vlerësimin tim, pas komunikimit që kam pasur me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, rezulton se lajmi juaj është i pavërtetë.

Pyetje: Zoti Ministër, Kryeministri Edi Rama nuk e ka përjashtuar mundësinë e ndryshimeve në kabinetin qeveritar, duke qenë se kjo i bie të jetë mbledhja e fundit. A ka patur ndonjë komunikim për ministrat që do të ndryshohen apo do të ruhet i njëjti standard, kush ikën e kush vjen e merr vesh në minutë të fundit.

Ministri Balla: Unë jam këtu për të komunikuar me ju mbi vendimmarrjet e fundit të mbledhjes së qeverisë dhe do të ishte jo etike nga ana ime, që në oborrin e Këshillit të Ministrave të flas për vendimmarrje, të cilat sikurse Kryeministri ka qenë shumë i qartë, i takojnë Asamblesë Kombëtare të forcës time politike.

Pyetje: Në çfarë niveli është bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë duke iu referuar këtu zbardhjes së ngjarjeve por dhe të atyre që kanë kaluar dhe nuk janë zbardhur ende.

Ministri Balla: Faleminderit për pyetjen. Dua të them që, ju e dini që kemi  disa institucione dhe e para është që bashkëpunimi me Prokurorinë e Përgjithshme dhe ju e keni parë është shumë i mirë, kemi evidentuar në takimin tonë të parë i cili do jetë një takim pothuajse i përmuajshëm me Prokurorin e Përgjithshëm, për çështje që lidhen me Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm  dhe këtu dua të nënvizoj dhe të falënderoj, Prokurorët e Rretheve Gjyqësore, të cilët në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë, kanë dokumentuar, po punojnë për të dokumentuar dhe provuar para gjykatës të gjitha rastet që kemi patur gjatë  gushtit dhe  korrikut për zjarrvëniet. E vërteta është që rasti më i fundit ishte vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, e cila vendosi arrest me burg për personin e dyshuar, për të  cilin nuk kam asnjë dyshim që është ai personi që ka vënë zjarrin në mënyrë të qëllimshme në Lezhë, por prezumimi i pafajësisë është një e drejtë e gjithsecilit por e vërteta është që qoftë Prokuroria, qoftë Gjykata kanë disponuar, Prokuroria me kërkesë dhe Gjykata me vendim për këtë rast. Po ashtu dua të falënderoj Prokurorinë Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me të cilët Policia e Shtetit punon në mënyrë të vazhdueshme ditë dhe natë, në aksione dhe operacione të përbashkëta në mënyrë që të garantojmë një goditje pa asnjë kompromis kundër çdo lloj forme të krimit që mbulon kjo Prokurori e Posaçme.

Kryesisht kundër Krimit të Organizuar kemi pasur gjatë ditëve të kaluara dhe në këto momente që flasim së bashku dhe pak momente më pas, do të njiheni me një operacion tjetër që është në vijim nga Policia e Shtetit për të goditur një grup të strukturuar kriminal, mbi të cilin kemi dyshime se rëndojnë një sërë veprash të rënda penale të cilat lidhen me vrasje, rrëmbim personi, me vendosje të lëndëve shpërthyese. Mund t’iu them që kemi arritur të arrestojmë disa persona dhe të sekuestrojmë lëndë të rrezikshme shpërthyese, duke parandaluar disa ngjarje kriminale sepse siç do të njoftoheni publikisht, e vërteta është që aksioni në fjalë për të cilin referohem, ka një vlerë të rëndësishme për të sqaruar dhe vepra të tjera të rënda penale sepse mendoj ose le të themi detyra e Policisë së Shtetit dhe roli udhëheqës i Ministrit të Brendshëm, si Ministria brenda së cilës është Policia e Shtetit është dhe zbardhja e një sërë ngjarjesh të rënda kriminale që kanë ndodhur ndër vite.

Natyrshëm që jemi fokusuar në parandalimin e ngjarjeve kriminale gjatë sezonit turistik dhe besoj që të gjithë jeni dëshmitarë të faktit që kemi arritur të parandalojmë gjatë gushtit, një seri ngjarjesh kriminale dhe mos harroni kurrë që gushti ka qenë muaji kur ndërsa të gjithë kthehen në Shqipëri për pushime, edhe elementët kriminalë e përdorin muajin gusht, për hesapet e tyre kriminale.

Kështu që puna vijon dhe ndërkohë që dua në fund të këtij komunikimi me ju, nëse nuk ka pyetje të tjera, t’iu njoftoj që brenda ditës së premte ne do të kemi, Ministri i Brendshëm dhe Ministrja për Arsimin dhe Shkencën do të kemi një komunikim publik në 1 shtator, lidhur me masat e reja të sigurisë në shkolla në kuadër të vitit të ri shkollor dua ta them që kemi punuar me intensitet gjatë gjithë muajit gusht, me ekspertët më të mirë shqiptarë dhe të huaj, për të paraqitur dhe për të zbatuar prej datës 11 shtator, një plan të ri dhe një paketë të re sigurie në shkolla.

Për herë të parë do të kemi disa elementë që do të lidhen me perimetrat e sigurisë, nuk është siguria në shkolla vetëm oborri i shkollës. Siguria në shkolla është përtej oborrit të shkollës. Lidhet me dyqanet, lidhet me çdo lloj forme të krimit, ku natyrshëm për mua objektiv kryesor mbetet lufta kundër shpërndarësve të lëndëve narkotike, të cilët nuk duhet dhe unë do të bëjë gjithçka që të mos guxojnë më t’i afrohen oborreve të shkollave dhe perimetrit të sigurisë së shkollave në Shqipëri.

Por, nuk po zgjatem, këtu, sepse dua që të jetë, por ju ftoj që ta ndiqni me vëmendje pas 2 ditësh gjithë këtë komunikim të rëndësishëm publik për sigurinë në shkolla. Ajo që dua t’i them çdo prindi, sikurse jam dhe vet, sikurse jeni dhe ju, që ne në Shqipëri kemi një fjalë që është ‘besa’, dhe çdo familje shqiptare, ja beson fëmijët e vetë shtetit kur i çon në shkollë.

Unë do të bëjë ç’është e mundur që këtë besim të qytetarëve shqiptarë, të prindërve shqiptar, tek Policia dhe te institucionet e tjera shtetërore, sepse është një rrjet institucionesh shtetërore, të cilat janë të përfshira në këtë paketë të re të sigurisë në shkolla. Ne do të bëjmë gjithçka që prindërit ndërsa janë në punë apo kudo tjetër, të jenë të sigurtë për fëmijët e tyre, që shteti përkujdeset në mënyrë më të mirë të mundshme, sikur ata të ishin vetë aty duke u kujdesur për ta.

Faleminderit dhe punë të mbarë!

Previous Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 30 Gusht 2023