Vendimet e Qeverisë/Reduktohet numri i zyrave të Gjendjes Civile, Çuçi: Shërbimet do të merren online - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendimet e Qeverisë/Reduktohet numri i zyrave të Gjendjes Civile, Çuçi: Shërbimet do të merren online

Reduktohet numri i zyrave të Gjendjes Civile, Çuçi: Shërbimet do të merren online

Në përfundim të mbledhjes së qeverisë, Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka folur për miratimin e vendimit që redukton numrin e zyrave të Gjendjs Civile. Në të gjithë vendin do të jenë vetëm 150 zyra për të ofruar ato shërbime ku është e domosdoshme prania fizike e qytetarëve.

Pjesa më e madhe e shërbimeve, do të ofrohen online prej datës 1 maj. Çuçi shpjegoi gjithashtu se dokumentet që do iu duhen qytetarëve për shërbime të ndryshme do të sigurohen vetë nga institucionet publike nga e-Albania.

“Sot miratuam reduktimin e zyrave të gjendjes civile, nga 390 do ketë vetëm 150 zyra si pasojë e revolucionit digital për dhënine e shërbimeve publike, shërbimet do ofrohen vetëm online. Do ketë 150 sportele për të marrë vetëm ato shërbime që duhet të jetë i pranishëm qytetari, të tjerat online. Do shkëputet shërbimi në sporteli fizik, do të jetë vetëm online me përjashim të atyre shërbimeve ku duhet të jetë i pranishëm qytetari. Institucionet e administratës publike janë të detyruar të sigurojnë vetë dokumentet që u duhen qytetarëve. Nëse një qytetari do i duhet një dokument, dokumentacionin ia siguron insititucioni publik përkatës.

Prej datës 1 maj do jetë një sasi e madhe shërbimesh që do të ofrohen online, janë rreth 90 shërbime që ofrohen nga Ministria e Brendshme”, tha ministri Çuçi.

Prononcimi i plotë për media:

Ministri Çuçi: Mirëdita, sot miratuam në qeveri reduktimin e zyrave të gjendjes civile nga 390 zyra të shërbimit të gjendjes civile, do të ketë vetëm 150 zyra të tilla. Kjo si pasojë e thellimit të revolucionit digjital që po bëjmë për dhënien e shërbimeve publike. Të gjitha shërbimet që ofroheshin edhe online deri më sot, që prej 1 majit do të jenë vetëm online. Dhe si pasojë e kësaj, do të  ketë vetëm 150 sportele në gjithë Shqipërinë për të marrë vetëm ato shërbime nga gjendja civile, për të cilat duhet detyrimisht që të paraqitet qytetari apo shtetasi shqiptar.

Ndërsa për të tjerat, e janë plotë 8 shërbime që ofron gjendja civile, do të merren vetëm online. Pra do të jetë totalisht i shkëputur kontakti i qytetarit me sportelet fizike. Për këto tetë shërbime nuk do të ketë më sportel apo shërbim fizik, do të jetë vetëm online.

Nga ana tjetër të gjitha institucionet e administratës publike janë të detyruara që t’i sigurojnë vetë çdo dokument që duhet nga shërbimi i gjendjes civile, për një shërbim që i jep një qytetari.

Pra, e thënë ndryshe, për ta kuptuar më mirë nëse një qytetarë do të marrë një shërbim po themi nga Ministria e Arsimit, dhe për të marrë këtë shërbim do i duhet një certifikatë si dokument plotësues, nuk do të jetë më qytetari që do ta sigurojë këtë. Do të jetë vetë institucioni i administratës publike që do ta sigurojë këtë dokument.

Përfitoj nga rasti për ta thënë edhe një herë që prej datës 1 maj, është një sasi shumë e madhe shërbimesh që ofron administrata publike që do të jenë vetëm online.

Vetëm nga Ministria e Brendshme, pra nga institucionet e Ministrisë së Brendshme, janë rreth 90 shërbime që prej datës 1 maj do të ofrohen vetëm online.

Pyetje: Disa ditë më parë ju keni zhvilluar një takim me drejtorët e qarqeve, të policisë, për të folur lidhur me luftën kundër kanabisit. Ndërkohë qeveria pas Këshillimit Kombëtar, tashmë e ka vendosur që do të bëjë legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Pyetja ime është, çfarë studimesh keni bërë ju konkretisht për të bazuar efektet pozitive që do të ketë në ekonomi legalizimi i kanabisit për qëllime mjekësore? A keni pasur konsulta me partnerët ndërkombëtarë dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese dhe si do të kontrollojë qeveria në mënyrë që të mos të kemi kultivim kanabisi në tregun informal? Gjë që mund ta kthente Shqipërinë pastaj në delen e zezë të Europës për kultivimin e lëndëve narkotike?

Ministri Çuçi: Në radhë të parë dua të them që nuk ka lidhje fare kultivimi i kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale me kultivimin e jashtëligjshëm të kanabisit për qëllime të tjera. Ne do i përgjigjemi edhe miratimit që morëm nga Këshillimi Kombëtar për ta legalizuar, mbjelljen, kultivimin dhe përpunimin e kanabisit për qëllim mjekësor dhe industrial.

Dhe këtë gjë do ta bëjmë me një ligj të posaçëm dhe ky ligj do të përcaktojë rregulla shumë strikte: për mënyrën sesi do të mbillet, për mënyrën se si merret licenca për t’u mbjellë, për vendet ku duhet të mbillet, si dhe për bashkëpunimin me vendet e tjera, apo me kompani të tjera të njohura të OECD-së, që janë dhe operojnë në këtë fushë. Kështu që disiplinimi me ligj do të jetë shumë strikt dhe nuk do të ketë fare të bëjë me një hapësirë do të thoja unë për çdokënd që do të mbjellë në mënyrë të jashtëligjshme kanabisin.

Takimet me drejtuesit e qarqeve janë takime rutinore dhe janë takime që sigurisht bëhen për çështje të caktuara. Këtë radhë ishte për të frenuar dhe për të monitoruar sa më mirë të gjithë territorit e Shqipërisë në mënyrë që ky fenomen të jetë drejt zhdukjes, pra fenomeni i kultivimit të kanabisit.

E bëjmë në këtë kohë sepse është momenti që duhet të shtojmë më shumë përpjekjet, sepse është momenti kur fillojnë edhe mbjelljet e kanabisit. Kështu që besoj se duke u nisur dhe nga rezultatet shumë pozitive të vjetshme në lidhje me këtë fenomen, ky vit do të shënojë prapë një progres edhe më të madh në lidhje me frenimin e këtij fenomeni që sigurisht është një fenomen, që ka qenë shqetësues por që tashmë besoj se po hiqet nga lista e shqetësimeve që lidhet me sigurinë në Shqipëri.

Pyetje: Nuk u përgjigjet në lidhje me studimet për legalizimin?

Ministri Çuçi: Ju jeni gazetarë dhe ju e dini shumë mirë që pothuajse 90% të vendeve të OECD e kanë të legalizuar këtë. Dhe vendet e OECD ju e dini, janë të gjitha vende me standard perëndimor sot në botë. Dhe këto vende e kanë të legalizuar tashmë, shumica e tyre jo vetëm për qëllime mjekësore dhe industriale, por edhe për qëllime rekreative. Kështu që nuk ka nevojë për studim shumë të thelluar në këtë pikë, kur pothuajse të gjitha vendet e standardit europian, perëndimor po themi, tashmë e kanë të legalizuar këtë. Dhe dihet ndikimi në ekonomi, sigurisht i kultivimit dhe përpunimit, sepse është edhe përpunimi një aspekt i rëndësishëm i kësaj, të kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale.

Pyetje: Por kemi rastin e Maqedonisë së Veriut, e cila bëri ligjin dhe u pa që nuk ndikoi në ekonomi dhe prandaj e rishikoi ligjin?

Ministri Çuçi: Nuk mund të flas për statistikat e Maqedonisë së Veriut, por me sa di unë në Maqedoninë e Veriut ka pasur edhe rasti suksesi, sikundër edhe raste dështimi. Ajo është çështje tregu, çështje e mënyrës se si operohet në treg dhe nuk ka të bëjë fare me fenomenin ‘per se’. Kështu që ne do të mundohemi dhe do të jemi të vëmendshëm që kur të përgatisim legjislacionin për këtë qëllim t’i paraprijmë dhe të mësojmë nga të gjithë gabimet që kanë bërë edhe fqinjët tanë. Faleminderit.

Previous Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 29 Prill 2022

Leave Your Comment