Vengu: Gatishmëria për përballimin e motit të keq nisi më 3 janar, Forcat e Armatosura të angazhuara në disa qarqe
Gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, deklaroi se rritja e gatishmërisë për përballimin e situatës së krijuar nga moti i keq ka nisur që më 3 janar, bazuar në parashikimet meteorologjike, ndërsa u aktivizua i gjithë zinxhiri i mbrojtjes civile në territor.
Forcat e Armatosura janë angazhuar me 502 efektivë dhe 80 mjete në rotacion 24-orësh, duke ndërhyrë në disa zona të Shkodrës, Lezhës, Kurbinës, Durrësit, Fierit, Vlorës, Delvinës dhe Gjirokastrës, kryesisht për largimin e ujërave, mbrojtjen e infrastrukturës kulluese dhe rehabilitimin e akseve rrugore.
Sipas ministrit, akset kombëtare janë të kalueshme, ndërsa vështirësi vijojnë në rrugët rurale. Aktualisht, 460 persona janë të akomoduar në struktura shtetërore dhe hoteliere, ndërsa rezervat materiale të shtetit kanë shpërndarë ndihma ushqimore dhe materiale bazë në bashkitë e prekura.
Vengu theksoi se po vijon asistenca për sektorin e blegtorisë, përfshirë shpërndarjen e 400 tonëve koncentratë për bagëtitë, si dhe procesi i evidentimit të dëmeve, ku vetëm në Durrës janë hartuar mbi 1300 akt-konstatime. Në vijim, pritet hartimi i një pakete kompensimi në bashkëpunim me Ministrinë e Financave.
Në përfundim, ministri bëri thirrje për kujdes të shtuar në zonat bregdetare për shkak të erërave të forta dhe u kërkoi qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme gjatë orëve të vështira të pasdites së sotme.