Vengu: Korridori VIII pjesë e infrastrukturës kritike të NATO-s, Shqipëria forcon rolin në sigurinë rajonale dhe industrinë e mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, bëri të ditur se Shqipëria po forcon rolin e saj në sigurinë rajonale dhe aleate, ndërsa Korridori VIII është miratuar si pjesë e infrastrukturës kritike të NATO-s, duke e vendosur vendin në qendër të investimeve për mobilitetin ushtarak dhe ndërlidhjen strategjike në rajon.

Gjatë konferencës mujore për mediat, Vengu njoftoi gjithashtu rritjen e angazhimit të Forcave të Armatosura shqiptare në misionin e KFOR-it në Kosovë, ku brenda këtij gjashtëmujori Shqipëria do të përfshijë për herë të parë edhe komponentin ajror.

Në planin ndërkombëtar, ministri theksoi se Shqipëria po zgjeron rrjetin e atasheve ushtarakë në SHBA, vendet e Bashkimit Evropian dhe rajon, me synim forcimin e bashkëpunimit me aleatët dhe integrimin e industrisë ushtarake shqiptare në zinxhirët evropianë të furnizimit dhe projekteve të përbashkëta të mbrojtjes. Ai u ndal gjithashtu te takimi inaugurues i Bordit të Paqes, ku u diskutuan çështje që lidhen me interesat e shqiptarëve në rajon, ndërsa Shqipëria shprehu gatishmërinë për të kontribuar në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza. Në një fazë të parë, parashikohet pjesëmarrja me oficerë në strukturat e shtabit, ndërsa detajet operative do të përcaktohen në koordinim me vendet aleate që do të drejtojnë misionin.

Sa i përket emergjencave civile, Forcat e Armatosura kanë qenë të angazhuara në gjithë territorin për përballimin e pasojave të reshjeve intensive, operacionet e kërkim-shpëtimit dhe rehabilitimin e infrastrukturës së dëmtuar. Ministria e Mbrojtjes, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, po përgatit edhe paketë kompensimi për dëmet në bujqësi dhe blegtori, ndërsa kompensimet për banesat dhe pasojat e zjarreve janë përmbyllur dhe fondet janë shpërndarë. Ndërkohë, fondi i kushtëzuar për mbrojtjen civile është shpërndarë këtë vit mbi bazë risku, duke rritur ndjeshëm financimin për bashkitë me kapacitete më të kufizuara, ndërsa 18 milionë euro do të investohen në infrastrukturë parandaluese.

Ministri bëri të ditur se po ndërmerren masa të reja për forcimin e kapaciteteve kombëtare në përballimin e emergjencave civile, me fokus modernizimin e flotës tokësore dhe ajrore. Sipas tij, është në proces prodhimi i mjeteve të reja për emergjencat civile, të cilat do t’u transferohen bashkive me nevojat më të mëdha, duke nisur rinovimin e flotës kombëtare. Paralelisht, janë drejt finalizimit negociatat për blerjen e dy avionëve zjarrfikës, ndërsa synohet që të paktën një prej tyre të jetë operacional gjatë këtij viti. Ministri theksoi gjithashtu se Forcat Ajrore dhe Shtabi i Përgjithshëm po punojnë për rritjen e gatishmërisë së mjeteve ekzistuese, me objektivin që të jenë në dispozicion minimalisht katër helikopterë për reagim në çdo situatë emergjente.

Vengu njoftoi edhe për ecurinë në forcimin e kapitalit njerëzor të Forcave të Armatosura. Vetëm gjatë fazës së parë të rekrutimeve janë pranuar 252 ushtarakë të rinj, duke e çuar në rreth 1 mijë numrin e personelit të shtuar gjatë 14 muajve të fundit, ndërsa largimet nga shërbimi janë ulur ndjeshëm. Paralelisht ka nisur rekrutimi i rezervistëve dhe procedurat për përzgjedhjen e kadetëve të parë të shkollës së aviacionit, me trajnim për pilotë helikopterësh që pritet të fillojë pas mbërritjes së mjeteve stërvitore në muajin maj.

Një tjetër prioritet mbetet zhvillimi i industrisë së mbrojtjes, ku gjatë këtij viti parashikohet hapja e 326 vendeve të reja pune në prodhimin e municioneve, uniformave dhe sistemeve të dronëve. Linja e parë e montimit të dronëve pritet të nisë në prill dhe prodhimi i municioneve gjatë muajit korrik.

Gjithashtu, Shqipëria po avancon bashkëpunimin me kompani ndërkombëtare të industrisë së mbrojtjes për transferim teknologjie dhe certifikim produktesh për tregun aleat, ndërsa në ditët në vijim pritet miratimi i krijimit të kompanisë së përbashkët me partnerin italian Fincantieri për prodhimin e anijeve në bazën detare të Pashalimanit.

Sipas ministrit Vengu, këto zhvillime synojnë ndërtimin e kapaciteteve reale mbrojtëse, forcimin e sigurisë kombëtare dhe rritjen e kontributit të Shqipërisë në sigurinë rajonale dhe euroatlantike.