Vengu: Rritje pagash deri në 70% për ushtarakët dhe investime të reja në mbrojtjen kombëtare

Shqipëria do të rrisë ndjeshëm investimet në mbrojtje në vitin 2026, me fokus forcimin e Forcave të Armatosura, sigurinë kibernetike, rritjen e kapaciteteve të emergjencave civile dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, gjatë një konference për shtyp, deklaroi se buxheti i mbrojtjes për vitin e ardhshëm do të arrijë në 2.12% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, me një rritje prej 12% krahasuar me vitin 2025, duke reflektuar angazhimin e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s në një kontekst të ndërlikuar gjeopolitik.

Vengu theksoi se buxheti i vitit 2026 synon ndërtimin e kapaciteteve reale mbrojtëse dhe forcimin e sovranitetit digjital, ndërsa prioritet kryesor mbetet kapitali njerëzor. Sipas tij, politika afatgjatë e rritjes së pagave do të vijojë, me synimin që deri në vitin 2029 pagat e ushtarakëve të arrijnë mesataren e vendeve të NATO-s. Rritja parashikon deri në 60-70% për pagat bazë dhe rreth 30% për nivelet e larta të komandimit, si dhe zgjerimin me 30% të komponentit aktiv të Forcave të Armatosura.

Ministri bëri të ditur se gjatë vitit të kaluar janë rekrutuar 721 ushtarakë të rinj, ndërsa interesi për karrierën ushtarake vijon të rritet. Kjo reflektohet edhe në Akademinë e Forcave të Armatosura, ku për vitin akademik 2025-2026 janë regjistruar 1634 aplikime për vetëm 80 vende. Investimet do të vijojnë me zgjerimin e kampusit të Akademisë në Tufinë dhe përmirësimin e infrastrukturës arsimore.

Ai njoftoi gjithashtu forcimin e bashkëpunimit me universitetet përmes programeve të përbashkëta masteri në inxhinieri armatimi, aviacion dhe inxhinieri detare, si dhe zhvillimin e programeve doktorale në fushën e mbrojtjes. Paralelisht, do të ndërmerren reforma ligjore për përmirësimin e statusit të ushtarakut, rritjen e meritokracisë dhe stabilitetit në karrierë, si dhe forcimin e komponentit rezervist.

Në fund, Vengu theksoi se siguria kombëtare sot përfshin edhe përballjen me kërcënime hibride, sulme kibernetike dhe dezinformim, duke nënvizuar se “Shqipëria po përgatit rishikimin strategjik të mbrojtjes, për t’iu përgjigjur një rendi ndërkombëtar gjithnjë e më të fragmentuar dhe konkurrues, ku Ballkani mbetet një fushëbetejë influencash dhe perceptimesh”.