Vengu: Zgjerim i industrisë ushtarake dhe modernizim i emergjencave civile
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, deklaroi se rritja e buxhetit të mbrojtjes po përkthehet jo vetëm në forcim të kapaciteteve ushtarake dhe të mbrojtjes civile, por edhe në zhvillim ekonomik, inovacion dhe punësim cilësor.
Sipas tij, shtylla ushtarake ka shënuar zhvillime konkrete me themelimin e katër kompanive ku shteti është aksioner dhe me gjashtë kontrata prodhimi në zbatim e sipër, që përfshijnë municione, uniforma dhe mjete taktike. Ndërkohë, është finalizuar një negociatë me gjigantin italian Fincantieri për krijimin e një kompanie të përbashkët për mjete detare në Pashaliman. Gjithashtu, është lidhur kontratë bashkëprodhimi me Rheinmetall për mjete transporti dhe emergjence, duke integruar industrinë shqiptare në zinxhirin evropian të furnizimit.
Në muajt në vijim pritet të nisin disa projekte kyçe: në prill fillon linja e asamblimit të dronëve taktikë dhe rekrutimi i 12 inxhinierëve që do të trajnohen nga partnerë izraelitë; në maj nis Shkolla e Aviacionit e Forcës Ajrore me dy helikopterë trajnues; ndërsa gjatë vitit parashikohet prodhimi i parë i uniformave ushtarake dhe i mjeteve të emergjencave, si dhe zhvillimi i sistemeve antidron.
Në fushën e emergjencave civile, ministri theksoi se është ndërtuar një program i qëndrueshmërisë kombëtare që kombinon reagimin me parandalimin. Përmes fondit të kushtëzuar është rritur ndjeshëm financimi për 47 bashki, me trefishim buxheti në Lezhë dhe Gramsh, gjashtëfishim në Përrenjas dhe shtatëfishim në Delvinë. Janë miratuar 8 milionë euro për investime në infrastrukturën parandaluese dhe 10 milionë euro shtesë për diga, prita lumore dhe ura. Parashikohet gjithashtu krijimi i dy qendrave rajonale të emergjencave dhe blerja e dy avionëve zjarrfikës.
Rinovimi i flotës së emergjencave përfshin prodhimin vendas të mjeteve zjarrfikëse në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe kompaninë KAYO prej muajit maj dhe më pas me shpërndarjen e tyre në bashki.
Sa i përket kapitalit njerëzor, Vengu nënvizoi se në 14 muajt e fundit janë shtuar 100 ushtarakë aktivë dhe është shënuar rënie me 70% e largimeve vullnetare nga Forcat e Armatosura, si dhe rikthim i personelit të larguar më parë. Programi për mbrojtjen kibernetike është certifikuar si program ekselent, ndërsa do të vijojë paketa mbështetëse për ushtarakët dhe familjet e tyre.
Vetëm gjatë këtij viti, industria e mbrojtjes parashikon 326 vende të reja pune, gjysma prej tyre për inxhinierë, me objektivin që në afat më të gjerë mbi 1000 familje të përfitojnë nga zhvillimi i këtij sektori.
Ministri theksoi se forcimi i kapaciteteve ushtarake, i industrisë së mbrojtjes dhe i sistemit të emergjencave civile përbën një kontribut të drejtpërdrejtë në përgatitjen e vendit për standardet e Bashkimit Evropian, duke e pozicionuar Shqipërinë si një hallkë të besueshme në arkitekturën e sigurisë evropiane.