Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministrin e Republikës të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Dimitar Kovaçevski, në kuadër të pjesëmarrjes së tre vendeve, themeluese të nismës së Ballkanit të Hapur, në panairin botëror të Verës “Vinitaly 2023”, në një prezantim të përbashkët në stendën “Wine vision by Open Balkan”.
Kryeministri Rama, Presidenti i Republikës së Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe Kryeministri i Republikës të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski zhvilluan një takim mes tyre, në përfundim të të cilit dhanë një Konferencë të përbashkët për shtyp:
* * *
Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiç: Kryeministri Rama, Kryeministri Kovačevski, faleminderit shumë edhe njëherë që jeni së bashku me delegacionin tonë këtu në Itali, në Bardolino dhe shumë falënderime dhe Kryetarit të Bashkisë së Bardolinos, mikpritësit tonë italian që e bëri të mundur këtë gjë këtu, 20 e ca kilometra larg Veronës.
Jam thellësisht mirënjohës ndaj jush të dashur kolegë për shkak të faktit që edhe njëherë patëm diskutime mjaft të frytshme për çështjet reale, çështje që nënkuptojnë jetën reale të qytetarëve të vendeve të Ballkanit të Hapur.
Ajo çka diskutuan ishte sesi të ndihmojnë qytetarët e zakonshëm që të heqin të gjitha pengesat e barrierat e mbetura në tregtinë e lirë dhe në qarkullimin e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve në vendet e Ballkanit të Hapur.
Diskutuam shumë çështje konkrete dhe besojmë se do të përgatisim gjithçka përpara nisjes së sezonit veror që do ta bëjë më të lehtë për njerëzit që të qarkullojnë përmes kufijve të secilit prej vendeve tona dhe besoj që njerëzit do ta vlerësojnë këtë shumë.
Diskutuam edhe të gjitha çështjet e tjera që kishin të bënin me qasjet fito-sanitare, veterinare, të gjitha qasjet e tjera që lidhen me sigurinë ushqimore, si dhe pasjen e qasjes më të lehtë tek vendet e tjera.
Ajo që diskutuam së bashku ishte që bashkë me Maqedoninë e Veriut do t’u japim të gjithë qytetarëve tanë ato karta elektronike për pagesën e tarifave rrugore, janë gjëra të vogla, por këto gjëra të vogla nënkuptojnë përparime reale për standardet e jetesës së qytetarëve.
Diskutuam, po kështu, pranimin dhe njohjen e kartave të reja të identitetit që do të sigurojnë edhe ulje të mëtejshme për njerëzit, qytetarët, në shitjet me pakicë, në hoteleri për të tre ne vendet dhe besojmë që do ta realizojmë këtë në muajt që vijnë.
Bëmë thuajse gjithçka lidhur me përfundimin e procesit për lëshimin e lejeve të punës dhe kjo besoj do jetë gur themeli real apo themeli për bashkëpunimin ekonomik të të gjithëve ne.
Miqtë e mi do të flasin për shifrat reale, por diçka shumë e rëndësishme është që kemi rritur nivelin e tregtisë, të paktën Maqedonia e Veriut e ka bërë me ne dhe ne me ta, ndërkohë që vlerësimi është rreth 50%, pak a shumë gjatë 3 viteve të fundit.
Megjithatë, pengesa jonë më e madhe, në tërë Ballkanin, jo vetëm në Ballkanin e Hapur, është kur ke një kamion që transporton diçka, produkte ushqimore të themi, shpenzojnë 70% të kohës së tyre në kufi; pra, koha e transportit është 30% ndërsa koha e pritjes në kufi është 70%. Pra, ka shumë gjëra për t’u tejkaluar.
Ka shumë gjëra të tjera.
Edi do të organizojë panairin e bukës në Shqipëri, do të kemi panairin e verës, do kemi sërish panairin e festivalit, festivalin e filmit së bashku. Fëmijët tanë do të organizojnë kupa verore dhe shumë gjëra të tjera tek të cilat duam të angazhohemi me njëri-tjetrin.
Ndjesë që mora kaq shumë nga koha juaj. Faleminderit edhe njëherë miqve të mi!
Do doja që të ftoja Shqipërinë, qytetarët shqiptarë dhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut që të ftojnë Serbinë më shpesh, siç ftoj qytetarët serbë të shkojnë në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut dhe të përfitojnë nga qasja mjaft mikpritëse e këtyre dy vendeve.
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit dhe pikë së pari, shumë faleminderit kryetarit të bashkisë këtu për mikpritjen e tij dhe që na lejoi të ndihemi për një orë tërësisht si në shtëpi për të zhvilluar gjithashtu këtë komunikim.
Jemi të tre këtu sepse ia kemi dalë të jemi pjesë e një prej manifestimeve më të mëdha në Europë të prodhimit të verës në Itali, në Verona. Për herë të parë, prodhuesit tanë po përfshihen në këto panaire që janë në nivelin e ligës së kampionëve dhe jemi këtu falë nisjes, më së pari, të Panairit të Verës në Beograd vitin e kaluar që do të përsëritet; natyrisht do jetë shumë më i madh dhe me më shumë vëmendje gjatë këtij viti.
Do jetë një mundësi e shkëlqyer për të folur për bujqësinë tonë, për prodhimin e verërave, për sfidat dhe ambiciet tona dhe po ashtu do jetë mundësi e jashtëzakonshme për prodhuesit tanë që të krijojnë kontakte, të vihen në kontakt me ata që janë më të mirët e prodhimit dhe tregtimit të verës në Europë dhe më gjerë në botë.
Nga ana tjetër, kjo ishte një mundësi për të ndarë pikëpamje dhe për të paraprirë takimet e tjera. Do të takohemi në fund të majit dhe më pas do kemi panairin e bukës në Shqipëri, në fillim të vjeshtës dhe më pas panairin e verërave.
Ndërkohë, kemi nisur të organizojmë atë çka është shpallur kohë më parë, kupën e parë verore të fëmijëve të shkollave fillore dhe të mesme me ekipet më të mira. Qysh tani e dimë se Serbia do të fitojë, por megjithatë siç thuhet, nuk ka rëndësi të fitosh, por ka rëndësi të marrësh pjesë.
Ndërkohë, jam i sigurt që duke përjetuar këtë përvojë, fëmijët do të mësojnë nga njëri-tjetri dhe fëmijët tanë në Shqipëri do të mësojnë nga më të mirët në këtë lloj sporti dhe nuk e kam kuptuar kurrë se pse serbët janë më të mirë kur bëhet fjalë për të pasur një top, për ta ndjekur topin, për të qarkulluar me të, për ta hedhur topin në kosh, në rrjetë, por do na duhet të përshtatemi.
Ndoshta me kohën do t’i ruajmë këto përvoja si thesar por kushedi.
Por le të mos flasim për mposhtjen e serbëve në të ardhmen se kjo mund të probleme në të tashmen.
Një tjetër pikë që është shumë e rëndësishme është se po punojmë për një pikëpamje strategjike për të forcuar marrëdhënien me Bashkimin Europian, për të forcuar bashkëpunimin, por në të njëjtën kohë për t’u siguruar që të ketë një dialog shumë të qartë për “kë” bën “çfarë” dhe siç e kemi thënë më parë, kur vjen fjala për procesin e integrimit europian, për grup-kapitullin, për kapitujt, për paragrafët, për fjalitë, për presjet, pikëpresjet, ne jemi shumë të prirur t’i përmbushim ato.
Ne nuk do të kërkojmë të na bëhen dhurata, nuk do të kërkojmë që të kemi përshpejtime artificiale. Do të kërkojmë të jemi shumë të mirë në këto detyra shtëpie sepse janë për ne, por në të njëjtën kohë ka disa gjëra që duhet të ndryshojnë kur vjen fjala për hendekun, konvergjencën e këtij hendeku dhe për aspektin ekonomik.
Ne jemi të shqetësuar dhe nuk mund ta fsheh, për këtë vrull të ri, njw vrull i ri nw Europw, duke nisur nga Gjermania dhe vende tw të tjera tw zhvilluara në kërkim të krahut të punës dhe natyrisht është e kuptueshme, por ne nuk jemi diku gjetkë, jemi në mes të Europës dhe për këtë do të diskutojmë në mënyrë shumë të thelluar në takimin tonë të muajit maj.
Për ta përmbyllur doja të përmendja shifra mjaft domethënëse për vëllimin tregtar. Vëllimi tregtar i vitit 2022 midis vendeve të Ballkanit të Hapur është rritur me 24.8% për të qenë preciz, pra 1/4. Është një rritje e jashtëzakonshme, që sigurisht është rezultat i gjithçkaje që ne kemi bërë dhe sigurisht jemi shumë të lumtur të shohim që edhe në Procesin e Berlinit ka përparim.
Nuk i shohim këto nisma si kundërshtuese, por përplotësuese dhe gjithmonë do t’u bëjmë thirrje dhe anëtarëve të tjerë të kësaj kategorie a këtij rajoni, çfarëdo ta quani rajonin tonë, që të bëhen pjesë kurdo që të duan. Të bashkohen me gjysmë zemre, pa zemër, me zemër të plotë, është zgjedhja e tyre, nuk e kontrollojmë ne angazhimin me zemër ose jo. Ne kontrollojmë rezultatet dhe të mirat që nismat tona sjellin për qytetarët tanë.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski: Së pari, dua të falënderoj median që është sot këtu me ne, kaq e shumtë.
Së dyti, do doja të falënderoja mikpritësin, rajonin e Venetos dhe këtë qytet të mrekullueshëm të Bardolinos dhe Kryetarit tw bashkisë që na dha të gjithë logjistikën dhe mundësinë për ta zhvilluar takimin këtu.
Faleminderit po kështu miqve të mi, presidentit Vuçiç, Kryeministrit Rama, që së bashku sot kemi ardhur në një prej panaireve më të mëdha dhe më të njohura në Itali, ku kemi një stendë të përbashkët të verërave të Ballkanit të Hapur.
Kur flasim për të njëjtat tema, ekziston mundësia e madhe që të përsëriten shumë gjëra, por siç thonë përsëritja është mëma e dijes ndaj do të përsëris disa prej gjërave më të rëndësishme.
Së pari, kjo vërtetoi që Ballkani i Hapur po jep rezultate për njerëzit dhe bizneset, ka vërtetuar atë çka kemi përsëritur gjatë tërë kohës që Ballkani i Hapur nuk është nismë politikë, por në të kundërt është një nismë ekonomike e cila mbështetet në katër liritë mbi të cilat bazohet Bashkimi Europian, lëvizja e lirë e mallrave, e njerëzve, shërbimeve dhe kapitalit. Dhe provohet përmes shifrave siç e tha Aleksandri dhe Edi dhe unë do të përmend disa shifra të tjera, se tregtia e Maqedonisë së Veriut drejt Serbisë në 2022 krahasuar me 2019 është rritur me 53%.
Po kështu dhe tregtia serbe ndaj Maqedonisë së Veriut është rritur. 40% është rritur vëllimi tregtar drejt Shqipërisë dhe po kështu edhe nga Shqipëria është rritur vëllimi tregtar drejt Maqedonisë së Veriut. Kjo provon që barrierat jo tarifore që ne kishim në kufi ishin pikërisht ato që ndalonin qytetarët dhe bizneset tona të punonin sëbashku. Me zbatimin e korsive të gjelbra, me vetëm një kontroll fitosanitar ne përmirësuam, rritëm dhe përshpejtuam tregtinë midis vendeve.
Deklarata që dhashë në Beograd që praktikisht përbëri titullin më të madh pas kësaj konference shtypi sëbashku me kryeministren Ana Brnabic, do ta përsëris nuk ka budallallëk më të madh sesa kufijtë në Ballkan. Ne jemi vende pa kufij dhe jemi të vetmet vende me kufi në Europë. Kur shkon në veri në Serbi deri në Skandinavi nuk ka kufi. Kur shkon nga perëndimi i Serbisë deri në Portugali nuk ka kufi dhe të vetmit kufi janë në Ballkan dhe të dhënat që presidenti Vuçiç ndau me ne, që 70% e transportit kalohet në kufi, janë të dhëna të cilat ndahen edhe nga Banka Botërore. Kështu që nuk kemi nevojë për këta kufij sepse po i ndalin njerëzit të komunikojnë me njëri-tjetrin.
Ky panair verërash është i rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut gjithashtu sepse jemi eksportuesi i dytë më i madh i verës në rajon, ndaj pas Greqisë ne jemi eksportuesi më i madh me 60 milionë euro eksporte gjatë vitit. Pra, sot do të shihni verëra me shumë cilësi nga vreshtat më të mira të Maqedonisë së Veriut, së bashku në stendë me ato nga Shqipëria dhe Serbia.
Duam t’i tregojmë të gjithëve se ky bashkëpunim rajonal që kemi, jo vetëm ndihmon qytetarët në vendet tona, por ndihmon të gjithë qytetarët në të treja vendet tona për ta pozicionuar veten ndërkombëtarisht në një prej panaireve më të mëdha të botës.
Kjo po kështu do të jetë një mundësi për të tërhequr ekspozuesit që të vijnë tek panairi ynë i verërave, i Ballkanit të Hapur që do të zhvillohet sërish në Beograd.
Diskutuam edhe një gjë tjetër të rëndësishme siç është fakti që prodhuesit tanë filmik, kineastët tanë apo artistët shkojnë gjithmonë në festivale të rëndësishme dhe do vazhdojnë të shkojnë në festivale të rëndësishme në mbarë botën, por kemi rënë dakord që do të kemi festivalin tonë të filmit që do të zhvillohet në Shkup dhe do të nisim përgatitjet për të.
Do të organizojmë lojra sportive për kampionatët e shkollave të mesme e fillore në vendet tona për të konkuruar me njëri-tjetrin sepse aty janë fëmijët, aty janë prindërit kështu që, mund të bëjmë që qytetarët tanë të afrohen më shumë me njëri-tjetrin.
Në fund do ta përmbyll duke thënë se kjo nismë është tanimë diçka organike, origjinale dhe e mbështetur në vullnetin e mirë, në mirëbesimin dhe në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë midis tri vendeve tona.
Të dhënat që kemi ndarë përfitimet që kemi ndarë dhe përfitimet që do të vijnë në të ardhmen e afërt, me sistemin e përbashkët të pagesës së tarifave rrugore elektronike midis Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë dhe me kartën e identitetit të hapur, përmes të cilës çdo punonjës mund të punojë nga njëri vend në tjetrin, nuk ka motiv më të madh dhe provë më të madhe për vendet e tjera të rajonit që të vijnë e të bashkohen me Ballkanin e Hapur sepse nëse ka një gjë që ka rezultuar e drejtë, është se nëse jemi së bashku, jemi gjithmonë më të fortë.
Faleminderit!
Faleminderit kryeministër. mund të vijojmë tashmë me pyetje-përgjigje.
– Pyetje për Presidentin Aleksandër Vuçiç dhe pastaj për kryeministrin Edi Rama. Gjatë vizitës së fundit të kryeministrit Kovaçevski në Beograd, Kryeministrja jonë Ana Brnabic u shpreh se nuk ka arsye ekonomike për ta kundërshtuar këtë nismë dhe arsyet mund të jenë vetëm të një natyre politike. Në këtë kuptim, sa përbëjnë barrë arsyet politike për anëtarët e kësaj nisme dhe kryesisht i referohem çështjes së Kosovës dhe Metohisë dhe marrëdhënies midis Serbisë dhe Shqipërisë sepse gjatë muajve të fundit kemi pasur shumë veprime të njëanëshme të Prishtinës dhe të dyja palët i shohin ndryshe këto veprime.
Presidenti i Republikës së Serbisë Aleksandar Vuçiç: Do bëj maksimumin që të flas sa më shkurtimisht që të jetë e mundur. Po, ne nuk biem dakord për një sërë çështjesh e sidomos për këtë çështje që ju përmendët, por unë nuk qortoj Edin, ai nuk e bën këtë me mua. Ne mund të përgënjeshtrojmë pretendimet e njëri-tjetrit, por nuk e bëjmë këtë kur flasim për bashkëpunim e bashkëveprim dhe besoj që ajo çfarë tha Ana është pak a shumë e gjitha.
Fakti që ekonomia është themeli real për marrëdhënie më të mirë dhe jam krenar që qytetarët shqiptarë kur vijnë pavarësisht se në ç’pjesë të Serbisë, në Beograd apo në pjesë të tjera, ndihen të sigurtë, të siguruar dhe mjaft të mirëpritur dhe më duhet të them që është thuajse e njëjta gjë, kur serbët apo qytetarët e tjerë të Serbisë, shkojnë në Shqipëri. Ndodh e njëjta gjë. Por kundërpyetja ime retorike do të ishte gjithmonë, po mirë, çfarë duhet të bëjmë?! Të luftojmë më shumë?! Të zihemi më shumë?! Të kemi më shumë përplasje?! Të bëjmë një Ukrainë tjetër apo çfarë?
Sepse shoh që ka shumë njerëz në Serbi, që do të donin të shihnin një përplasje të madhe a nuk di çfarë. Çfarë prisni nga ne?! Në qoftë se prisni nga ne që ta bëjmë këtë ngarkesë politike edhe më të madhe, edhe më të rëndë për të gjithë qytetarët serbë apo qytetarët shqiptarë?!
Unë do të bëj maksimumin tim për ta shmangur dhe besoj se dhe Edi po bën të njëjtën gjë. Kjo është ajo çfarë bëjnë njerëzit e përgjegjshëm dhe seriozë. Është e lehtë që të marrësh pikë, të fitosh pikë politike duke fyer, duke iu kthyer kryeministrit Rama sot dhe të thuhet: “Ja, ai u soll si hero! Ja tha të gjitha!”
Ne i dimë dallimet tona dhe mund të jetojmë me to. Jetojmë me to sepse qytetarët tanë duhet të jetojnë e duhet të lidhen me njëri-tjetrin. Unë besoj në miqësinë e ardhshme të qytetarëve shqiptare dhe serbë dhe mendoj dhe sot se marrëdhëniet midis dy popujve tanë janë më të mira seç kanë qenë,falë miqve tanë shqiptare dhe pjesërisht falë nesh, gjithashtu.
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit për pyetjen! Më lini t’iu çoj pas në kohët kur nuk i flisnim njëri-tjetrit për dekada dhe t’iu pyes: Ishte më mirë ashtu? Dhe nëse do të kishim vazhduar të mos i flisnim njëri-tjetrit, nëse do të vazhdonim të qendronim në barrikadat e së shkuarës, sot mund të kishim qenë në një pozicion shumë, shumë të keq të gjithë ne, me të gjitha krizat që janë shpalosur vetëm në kufijtë e Europës, por nuk jemi kështu.
Natyrisht kemi një mosmarrëveshje të madhe apo le të themi nuk është një mosmarrëveshje sinqerisht, por një distancë mjaft e madhe, më shumë sesa një mosmarrëveshje, kur bëhet fjalë për atë që ju e quani Kosova e Metohija e atë që unë e quaj Kosova. Por, a është kjo një arsye për të mos folur, apo është një arsye për të folur më shumë?! Mendoj që është një arsye për të folur më shumë dhe meqë ra fjala, edhe procesi i normalizimit është në një tjetër pozitë sot.
Dialogu është në një pozitë tjetër sot dhe unë besoj fort se edhe pse të gjithë mund të marrin merita, mendoj që meritat u shkojnë qytetarëve të këtij rajoni dhe nevojës për të mos i çuar njerëzit në buzën e një humnere tjetër dhe më duhet t’iu them që jam takuar me kryeministrin Kurti para pak ditësh dhe pashë që ishte shumë më i hapur dhe konstruktiv sesa më parë. I thashë atij, ia thashë publikisht dhe e përsëris se është shumë e rëndësishme që të nxisim e të sigurohemi që si pjesa e asociasionit dhe aspekti fetar i dialogut të garantohen 100% për qytetarët serbë në Kosovë që janë pakicë e duhen parë si urë e së ardhmes, jo si problem midis të gjithëve ne në të ardhmen.
Sinqerisht, këto nuk janë më tabu dhe i thashë atij që ka mbështetjen tonë të plotë për të ecur përpara dhe njëfarësoj për ta lënë pas krahëve të shkuarën dhe ato çfarë kanë qenë retorikat e fjalët e thëna në të shkuarën që nuk kanë ndihmuar.
Pra çfarë po bëjmë këtu praktikisht? Ne jemi këtu, jo për ne, nuk është një vizitë turistike, nuk është diçka tjetër, por jemi këtu për prodhuesit tanë të verërave që është shumë më tepër se sa një prodhues, është emri i një vendi, është kartëvizita e një vendi dhe ne e dimë shumë mirë. Ne jemi këtu me ta për t’ju hapur atyre dyert e një prej panaireve më të mëdha, në mos më i madhi i verërave në botë. Kështu që çfarë ka të gabuar këtu? Asgjë! Në të kundërt, do të doja të bëja më shumë e siç e tha Dimitri, duam të bëjmë më shumë me panairin e bukës, duam të bëjmë më shumë me panairin e verërave që do të ketë edicionin e dytë, duam të bëjmë më shumë me fëmijët, me artin, me kulturën dhe duam që të gjithë të përfshihen.
Ashtu siç e thamë më parë, Ballkani i Hapur, panairi i verërave të Ballkanit të Hapur është për të gjithë prodhuesit, nuk është vetëm për prodhuesit nga Serbia, Shqipëria apo Maqedonia e Veriut dhe nëse prodhues nga Franca, nga Italia apo nga Australia vijnë, atëherë çfarë po ndodh me prodhuesit nga Bosnja, apo pse prodhuesit nga Kosova apo nga Mali i Zi jo?
Kështu që, na duhet të ecim në këtë drejtim dhe më besoni, me të gjitha shpërqendrimet, të gjitha problemet, me të gjithë patriotët me të cilët na është dashur të merremi dhe e them që janë patriotë, por nuk mendoj që janë patriotë, kudo që janë në hartën tonë, sepse patriot nuk është dikush që për të dashur vendin e vetë, duhet të urrejë vendin tjetër dhe për të lëvduar vendin e vetë i duhet të djegë një vend tjetër, ndaj na duhet të vazhdojmë përpara.
Jemi në pozitën më të mirë që kemi qenë ndonjëherë në historinë e këtij rajoni dhe edhe një herë, meritat nuk janë të rëndësishme. Gjithkush mund t’i marrë këto merita. Jam shumë i lumtur të shoh BE-në SHBA-në, të gjithë të marrin meritat për përpjekjet që po bëjnë, për Procesin e Berlinit. Në të voglën tonë, ne po bëjmë më të mirën e kjo mendoj është shumë gjë e mirë.
Kryeministri Edi Rama: (gazetarit) Të pëlqen peshku shqiptar që ha në shëtitoren para Beogradit?
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç: E keni në shumë restorante në Beograd meqë ra fjala.
Kryeministri Edi Rama: Provoje! Mos thuaj që ai (Vuçiç) e ndërtoi shëtitoren që pastaj të pushtohej nga peshku shqiptar. Thjesht shijojeni këtë lloj pushtimi.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç: I keni edhe në restorantet më të famshme të Beogradit, peshqit që vijnë nga Greqia dhe Shqipëria.
Kryeministri Edi Rama: Ne për herë të parë ia kemi dalë të hapim dyert prodhuesve tanë të mishit sepse në të kundërt ata nuk mund të dilnin jashtë Shqipërisë askund. Po ashtu, si ata tuaj apo dhe të tjerëve, për shkak të kufijve, për shkak të standardeve që na duhet të përmbushim me Europën.
Por e shihni, ne nuk kemi frikë se do të helmohemi nga produktet e njëri – tjetrit. E kuptoj që europianët ende kanë frikë sepse ne jemi njerëz të çuditshëm që flasin dy gjuhë. Në fakt gjuha më e çuditshme është serbe sa për ta ditur.
– E njëjta pyetje për të dy. Duket sikur Ballkani i Hapur është ngadalësuar apo edhe ka ndalur për shkak të dialogut midis Serbisë dhe Kosovës. Dua të di, cilat janë planet për muajt në vijim për Ballkanin e Hapur?
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç: A mund ta themi vetëm me një fjali? Muajin e ardhshëm do të takohemi diku në Serbi dhe kjo do të jetë shumë e rëndësishme sepse Dimitari ka bërë shumë gjëra këto kohë për çështjet tona e do të shohim se ku do të organizohemi në qershor, diku tjetër në rajon pastaj kemi panairin e bukës, pastaj panairin e verës, por ndërkohë nëse mund ta zbuloj këtë sekret?
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaccevski: Patjetër!
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç: Faleminderit Dimitër, sepse ishte ideja e tij ndaj e pyeta. Do të bëjmë maksimumin që një ditë të hapim të gjitha dyert, të gjitha hyrjet e daljet midis nesh për t’i treguar njerëzve se si mund të funksionojë pa kufij. E nuk do t’i dëgjojmë ata njerëz që thonë që do të hyjnë terroristët sepse në fakt nuk po vijnë terroristët, nuk po i ndalin kufijtë tanë. Është budallëk. Thjesht po i tregojmë njerëzve tanë se si funksionon kjo hapje dhe jam i sigurt që do të hasemi me gëzimin e njerëzve kur ta shohin këtë. Do të gjejmë zgjidhjen më të mirë për këtë. Njerëzve do t’u pëlqejë dhe ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë.
Do të kemi edhe marrëveshje mjaft të rëndësishme, ndërkohë e duam që të jemi më të pranishëm në të gjitha pikat e kalimit kufitar, për të parë, jo vetëm se si të ruajmë, por se si t’i bëjmë gjërat pa pengesa, në mënyrë efikase, që ka rëndësi maksimale për ekonominë tonë.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovačevski: Dua të shtoj diçka. Së pari, sot patëm një takim shumë të frytshëm me të dy kolegët. Aktualisht ndamë kalendarët e të gjitha evenimenteve që kemi në plan.
Këto evenimente duam të jenë evenimente të Ballkanit të hapur kështu që kemi një eveniment mjaft të mirë të prodhuesve të vegjël ushqimor në Shkup që tashmë do jetë i hapur për prodhuesit e vegjël ushqimor të Shqipërisë dhe ata të Serbisë. Ajo çka tha presidenti Vuccicc është se kur kemi një eveniment të tillë apo evenimente të ngjashme sepse jemi në organizim e sipër edhe të një panairi ajror të madh në Shkup ku do ketë avionë që vijnë nga shumë vende, por po kështu edhe nga Serbia. Ka dhe një gjë që dua tua zbuloj, ka dy avionë të muzeut teknik ushtarak që mbajnë emrin e ushtrisë tonë dhe njeri prej tyre do të kthehet më në fund në Shkup dhe për këtë dua të falënderoj presidentin Vuccicc, ministrat përkatës, si dhe drejtuesit e muzeut.
Më pas, do të bëjmë atë çfarë është zbuluar në shtyp tashmë, atë që u tha, të organizojmë një ditë pa kufi në mënyrë që qytetarët tanë të kalojnë kufirin, ndërkohë që të gjithë trarët janë të hapur. Pra, kjo është ajo çka mendoj unë të shohim, që një ditë ata mund të kalojnë kufirin pa pasur faktikisht një kufi.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić: Do të jetë mënyra jonë e shembjes së murit të Berlinit.
Kryeministri Edi Rama: Nëqoftëse me ngadalësim të Ballkanit të Hapur nënkuptoni më pak takime, ndërkohë po, mbase kemi pasur më pak takime, por kjo nuk nënkupton që nuk kemi qenë, duke komunikuar edhe duke parë zbatimin e nismës. Dhe ndërkohë kemi hedhur hapa mjaft të rëndësishme që janë hedhur nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut që ratifikon të gjitha marrëveshjet dhe kjo ishte shumë shumë e rëndësishme.
Po kështu, jemi nën drejtimin e duhur.
Siç e thashë, i shohim të gjitha nismat përfshi dialogun për normalizim si pjesë e së tërës. Nuk është se duan të krijojmë një Ballkan të hapur që u shërben qëllimeve që janë ndryshe nga qëllime të cilat u shërben kjo nismë, në të kundërt jam i sigurt që kjo do të japë shumë e më shumë e më shumë arsye për t’u ndjerë mirë për këtë.
-Do doja të pyesja lidhur me një nga projektet më të rëndësishme të Ballkanit të Hapur, liberalizimin e tregut të forcës së punës në të treja vendet. Kur mund të hiqen përfundimisht lejet e punës? A ka një kalendar kur mund të presim që kjo të nisë zyrtarisht.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić: Besoj që mund të arrijmë ta bëjmë deri ne qershor e në korrik më në fund sepse është vërtetë shumë e rëndësishme. Është një gur themeli për krijimin, për formimin e tregut të Ballkanit të Hapur dhe do jetë me shume dobi për të gjithë qytetarët tanë. Kohët e fundit gjatë 10 viteve të fundit kemi pasur mjaft shkëmbim të madh të kompanive serbe dhe të Maqedonisë së Veriut që donin të sillnin njerëz që donin të punonin në të dyja vendet dhe deri tani ka patur shumë problem, por nuk do të ketë më. Njerëzit mund të gjejnë punë në Beograd, në Shkup, në Tiranë, në Sarandë, në Vlorë nuk ka rëndësi se ku dhe mendoj se kjo është e një rëndësie maksimale për bashkëpunimin tonë në të ardhmen.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaccevski: E rëndësishme është që kjo vërteton edhe një herë që po flasim për katër liritë e Europës. Kur folëm për rritjen e vëllimeve tregtare midis tre vendeve po flisnim për lëvizjen e lirë të mallrave dhe shërbimeve. Dhe vërtetuam se ka pasur një rritje mesatarisht siç tha Edi, 25 %, ndërsa në rastin tonë më shumë se 40-50 % në vendet përkatëse. Kur e nisëm ID apo kartën e identitetit të Ballkanit të Hapur është lëvizja e lirë e njerëzve. Më përpara duheshin 6 muaj për të marrë leje për të punuar nga Vlanja në Kumanovë apo nga Kumanova diku tjetër ose nga Struga në Elbasan, ose nga Elbasani në Ohër tashmë çdo qytetar në portalet kombëtare të shërbimeve elektronike në secilin prej vendeve mund të marrë numrin e identitetit të Ballkanit të hapur dhe me këtë numër identiteti mund të aplikojë shumë lehtësisht për lejet, për sigurimet shoqërore nëpër institucionet në secilin prej vendeve. Dhe gjithë procedura mund të përfundojë për pak ditë, ndërkohë që tashmë zgjat për muaj të tërë dhe mund të bëhet nëpërmjet telefonave celularë, çdo gjë do të jetë elektronike. Po pse është e rëndësishme? Dje isha në përurimin e një prej kompanive me rritjen më të madhe, jo vetëm në pikëpamjen rajonale, por edhe në botë. Është një kompani serbe, me një objekt të prodhimit të softëear-ave në Shkup. Pra ata sjellin inxhinierë nga Serbia apo nga vendet e tjera, por edhe nga Shqipëria dhe na duhet zbatim i shpejtë i lëshimit të lejeve të tyre të punës në mënyrë që të nisin të punojnë menjëherë për të prodhuar softwear-e. Pse? Sepse sa më shpejt e bën një gjë të tillë aq më shpejtë e shet, aq më shpjet rritet PPB. Dhe kjo është ajo për të cilën kanë nevojë qytetarët tanë, kanë nevojë për standarde jetese, të cilat do të jenë do të jenë në nivelin e një vendi të Bashkimit Europian ku ata duan të jetojnë në vendet e tyre me nivelin e vendeve të BE, jo të shkojnë jashtë në Gjermani apo në Francë apo në vende të tjera dhe të jetojnë në Bashkimin Europian. Ne në bashkëpunimin tonë dua t’i bëjmë qytetarët tanë të jetojnë në Bashkimin Europian, por në vendet tona, në rajonin tonë.
Kryeministri Edi Rama: Më lini ta përmbyll me një sekret. Do takohemi një vend gjatë kësaj periudhe që është ende sekret. Që mos të duket habi që po na shihni këtu në Verona, përgatituni të na shihni dhe diku tjetër në Europë, jo për turizëm, por për Ballkanin e Hapur dhe për të gjitha nismat që duam të çojmë përpara. E di që ky sekret do të jetë lajmi kryesor dhe më vjen keq për Aleksandrin, por edhe media serbe do të flasë për sekretin shqiptar dhe për presidentin e tyre që është peng, që në njëfarë mënyre është pak a shumë e vërtetë.