Në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor u vu në skenë “ACTUS për Vjosën”. Një shfaqje e kërcimit kontemporan me koreografi nga Gentian Doda dhe muzikë nga Çezar Aliaj, “ACTUS për Vjosën” është një homazh artistik për lumin e egër të fundit në Evropë që së shpejti do të marrë statusin Park Kombëtar.
Balerinë shqiptarë dhe dhjetë artistë nga e gjithë bota jetëzuan mrekullinë e paprekur të Evropës që gjendet në vendin tonë dhe statusi “Park Kombëtar” do të mund ta ruajë të tillë.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro ndoqi shfaqjen, duke vlerësuar maksimalisht performancën e artistëve. “Një përputhje e jashtëzakonshme e artit me natyrën, homazh artistik për lumin e fundit të egër në Europë që së shpejti do të jetë edhe i pari si Park Kombëtar, me balerinë shqiptarë e të huaj të cilët vunë shpirtin në skenë për ta jetëzuar Vjosën. Madhështia e saj i kalon kufijtë e Shqipërisë, ndërsa ne jemi krenarë jo vetëm që e kemi, por edhe sepse tani do ta ruajmë të tillë: të egër në bukurinë unike”, është shprehur Kumbaro.
Shfaqja u mbështet nga Fondacioni Heinrich Böll, Zyra Tiranë, Riverwatch, Euronatur, Delegacion i Bashkimit Evropian në Shqipëri, EcoAlbania, dhe Ambasada Gjermane në Shqipëri me partner mediatik Vodafone Albania.