Investimet për fuqizimin e flotës së aparaturave mjekësore në spitalet universitare në vend vazhdojnë me fokus imazherinë, për të përmirësuar cilësinë e shërbimit, por edhe për të shkurtuar kohën e marrjes së tij.
Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” është pajisur më një skaner të fjalës së fundit të teknologjisë, i cili do të shkurtojë kohën e ofrimit të shërbimit të imazherisë. Kapacitetet imazherike do të dyfishohen dhe në QSUT dhe në Spitalin Pediatrik, ndërkohë që në të gjithë vendin do të shpërndahen 18 aparatura për grafi dhe eko, si pjesë e investimit në flotën e aparaturave moderne të teknologjisë së lartë.
Kryeministri Rama bashkë me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ishin në ambientet e spitalit “Shefqet Ndorqi’ për tu njohur nga afër me investimet në imazheri. “Në njësinë e radiologjisë në spitalin Shefqet Ndroqi kemi përforcuar kapacitetet imazherike. Po investojmë në 16 spitale në vend për të forcuar imazherinë. Kemi projektuar dhe një strategji për të menaxhuar dhe pasojat e COVID, pra rastet me COVID-in e gjatë. Spitalit Shefqet Ndroqi i shtohet një skaner i ri, pra bëhet me dy skaner, do shtojmë një skaner në Sspitalin e Traumës duke investuar në një teknologji të re dhe gjithashtu në spitalin e Korçës duke rinovuar dhe në spitalin Pediatrik në Tiranë”, – u shpreh ministrja Manastirliu.
Dy skanerët që punojnë paralelisht në spitalin Shefqet Ndroqi, ulin në maksimum kohën e pritjes së pacientëve. Ndërkohë që pajisja e re e imazherisë, falë “software” të fundit ofron mundësinë e evidentimit diagnozave të ndryshme të cilat më parë ishin të pamundura për tu evidentuar. “Kemi mundësinë që të kemi një llojshmëri të madhe të evidentimit të diagnozave të ndryshme. Që nga fakti që ky si skaner, në 60 minuta mund të realizojmë ekzaminime të 20 pacientëve. Pra, me rotacionin që ai ka, kemi mundësi që në 3 minuta të bëjmë një skaner. Nga ana tjetër, me këtë teknologji të re, mundemi që listat e pritjes për skanerët t’i bëjmë 24 orë. Për QSUT për arsye të teknologjisë, me këtë paisje të re, tashmë lista e pritjes bëhet 24-48 orë ndërkohë që më përpara ka qenë 4 muaj”, – theksoi ministrja Manastirliu.
Mjekët e këtij spitali shprehen të kënaqur me investimet në aparatura të cilat tashmë u japin mundësi të kryejnë diagnostikime më të detajuara e në kohë më të shpejtë. Ndërkohë vijon modernizimi i infrastrukturës së shërbimit shëndetësor në të gjitha nivelet, duke nisur nga qendrat Ne kujdesit parësor, deri tek spitalet universitare, me synim rritjen e cilësisë së ofrimit të shërbimit shëndetësor për qytetarët.
Gjithashtu nga data 1 Korrik, paga e mjekëve dhe infermierëve është rritur në masën 6%, rritje nga e cila përfitojnë rreth 19 mijë mjekë.