Vjosa, krijohet Parku i Parë Kombëtar i një lumi të egër në Evropë - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vjosa, krijohet Parku i Parë Kombëtar i një lumi të egër në Evropë

Deklaratë e Përbashkët për Shtyp

Ministria Shqiptare e Turizmit dhe Mjedisit, IUCN dhe Patagonia

VJOSA, KRIJOHET PARKU I PARË KOMBËTAR I NJË LUMI TË EGËR NË EVROPË

SHQIPËRI, 15 Mars 2023 – Sot, lumi Vjosa në Shqipëri, një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës, është shpallur nga Qeveria Shqiptare Park Kombëtar, duke u bërë Parku i parë Kombëtar i një Lumi të Egër në Evropë. Në të ardhmen, Vjosa do të ruhet si një lumë natyror, me rrjedhje të lirë. Ky është rezultat i një bashkëpunimi unik midis Qeverisë Shqiptare, ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, OJQ-ve mjedisore nga fushata “Save the Blue Heart of Europe”, IUCN (Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës) dhe kompanisë së veshjeve Patagonia.

Vjosa dhe degët e saj kryesore rrjedhin lirshëm për mbi 400 km, nga vargmali i Pindit në Greqi, ku quhet Aoös, deri në bregdetin e Adriatikut në Shqipëri. Lumi dhe zonat përreth tij janë ekosisteme të një biodiversiteti të konsiderueshëm dhe janë shtëpia e mbi 1100 llojeve të kafshëve, duke përfshirë 13 lloje kafshësh dhe dy lloje bimore të vlerësuara si të kërcënuara globalisht nga IUCN.

Shpallja e lumit Vjosa Park Kombëtar do të lehtësojë zgjidhjet e sfidave me të cilat përballet lumi si ndotja e ujit dhe tokës, menaxhimi i mbetjeve dhe shpyllëzimi. Gjithashtu, shpallja e Parkut Kombëtar do të krijojë mundësi ekonomike për komunitetet lokale, nëpërmjet turizmit të përgjegjshëm dhe do të ndihmojë në adresimin e problemeve që lidhen me migrimin e brendshëm.

Marrja e statusit të Kategorisë II të IUCN-së, Park Kombëtar nënkupton që Vjosës do t’i ofrohet mbrojtje, sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, duke siguruar integritetin e saj ekologjik, duke lejuar që të ndodhin procese natyrore dhe duke mbështetur popullatat e të gjitha specieve vendase. Përcaktimi do të bëhet në dy faza, ku Faza I shpallet sot (15 mars 2023):

  • -Në Fazën I, kanalit aktiv të lumit do t’i jepet statusi i Parkut Kombëtar, përfshirë disa toka dhe bimësi lumore brenda kanalit aktiv, ose toka në rrezik përmbytjeje apo të rrezikuara nga erozioni – mbi 400 km në gjatësi totale. Zona do të menaxhohet si Park Kombëtar dhe pritet të jetë plotësisht funksionale në fillim të vitit 2024.

  • -Faza II, në vitet e ardhshme, do të shtojë degë të tjera me rrjedhje të lirë dhe zona që janë integrale në ekosistemin e lumit, përfshirë disa tokë private, pas konsultimit me palët e interesuara.

Patagonia, IUCN dhe OJQ-të e fushatës “Save the Blue Heart of Europe” janë angazhuar në punën për mbrojtjen e lumenjve të egër të Gadishullit Ballkanik për tetë vitet e fundit. Në vitin 2021, IUCN-ja finalizoi një studim që tregon se si zbatimi I standardeve të zonave të mbrojtura të IUCN-së do të përfitonte komunitetet dhe biodiversitetin e Luginës së Vjosës.

Në qershor 2022, kryeministri shqiptar Edi Rama, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro dhe CEO i kompanisë amerikane, Patagonia Ryan Gellert u mblodhën në një ceremoni në Tiranë për të nënshkruar një angazhim që të krijonin së bashku Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa. Gjatë nëntë muajve të fundit, një punë gjithëpërfshirëse në terren dhe analiza të thella janë kryer nga një ekip prej mbi 30 ekspertësh vendas dhe ndërkombëtarë në fusha të tilla si eko-turizmi, gjeomorfologjia, ekologjia, planifikimi dhe menaxhimi i zonave të mbrojtura, financimi i qëndrueshëm i parqeve kombëtare, legjislacioni dhe vlerësimi i ndikimit social dhe mjedisor. Konsultimet me grupet e interesit, si dhe komunikimi me publikun, janë përfshirë gjithashtu në proces. Në të njëjtën kohë, qeveria shqiptare po fillon një proces të përbashkët me qeverinë greke për krijimin e parkut ndërkufitar Aoös-Vjosa, duke synuar nivelin më të lartë të mbrojtjes për të gjithë lumin, nga burimi në det, në të dy vendet.

Mirela Kumbaro Furxhi, Ministre e Turizmit dhe Mjedisit, Shqipëri: 

“Vjosa është një simbol i historisë njerëzore dhe një pjesë shumë e rëndësishme e historisë së vendit tonë. Ndoshta Shqipëria nuk ka fuqinë për të ndryshuar botën, por mund të krijojë modele të suksesshme të mbrojtjes së biodiversitetit dhe pasurive natyrore dhe ne jemi krenarë të shpallim krijimin e këtij Parku të parë Kombëtar në një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë. Qeveria shqiptare ka marrë vendimin e guximshëm për të krijuar një Park Kombëtar prej 12727 hektarësh, duke përfshirë edhe Vjosën 190 kilometra të gjatë, ku mbi 60 mijë banorë kanë jetuar prej shekujsh. Tani fillon një fazë e re – ajo e hartimit të planit të menaxhimit për t’u dhënë njerëzve mundësinë për të ndërtuar jetën e tyre në një mënyrë të qëndrueshme. Ky është vizioni ynë: zhvillim i qëndrueshëm dhe i përgjegjshëm ndaj mjedisit, i cili mbron biodiversitetin dhe u jep njerëzve mundësinë të përparojnë në vendlindjet e tyre”.

Ryan Gellert, CEO, Patagonia: 

“Ky bashkëpunim unik midis qeverisë, shoqërisë civile dhe biznesit është dëshmi e fuqisë së veprimit kolektiv dhe shpresojmë se do të frymëzojë të tjerët që të bashkohen për të mbrojtur zonat e egra që kemi lënë, në një mënyrë kuptimplotë. Duke qëndruar në brigjet e Vjosës sot, ne jemi të përulur kur shohim se ky lum i jashtëzakonshëm dhe jeta e tij e egër do të ruhen përgjithmonë.”

Boris Erg, Drejtor, Zyra Rajonale Evropiane, IUCN: 

“Dita e sotme shënon një moment historik për njerëzit dhe biodiversitetin e Shqipërisë. IUCN përshëndet Qeverinë e Shqipërisë për lidershipin dhe ambicien e saj dhe është e gatshme të mbështesë zbatimin e vendimit për përcaktimin e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa. Ftojmë qeveritë e tjera në rajon dhe më gjerë të tregojnë ambicie të ngjashme dhe të ndihmojnë në arritjen e qëllimit jetik për mbrojtjen e 30 për qind të planetit deri në vitin 2030.”

FUND 

Previous Manastirliu në OKB: Shqipëria progres në shërbimet digjitale, hap përpara drejt përmirësimit të statusit të grave dhe vajzave në shoqëri