Si sot, tre vjet më parë nisi jetësimin në terren Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, një vepër madhore për të gjithë shqiptarët.
“Këtu, ku ne ndodhemi, është ndërtuar dhe aerodromi qysh në vitin 1920, i cili përdorej për arsye ushtarake. Mbi këtë gjurmë të aerodromit të vjetër, ne sot fillojmë një histori të re.” – u shpreh Kryeministri Rama në ditën e nisjes së punimeve, të cilat sot po ecin me ritëm drejt fazave finale të ndërtimit, për pistën 3.2 km, kullën e kontrollit, terminalin 25 mijë metër katror, si edhe të gjithë pjesët e infrastrukturës aeroportuale, ku do të operojnë zjarrfikësit, policia, doganat e me radhë.
Edhe këtë 28 nëntor, Kryeministri Rama vizitoi kantierin e Aeroportit së bashku me zv/Kryeministren dhe Ministren për Infrastrukturën dhe Energjinë Belinda Balluku.
“Ndodhemi në kanterin e Aeroportit të Vlorës. Tashmë jemi në fazat finale të ndërtimit, këtu, i kemi vendosur punët në vijë. Në krahun tonë të majtë është pista prej 3.2 kilometër ashtu siç kemi thënë. Siç e shikoni janë të gjitha makineritë në operacion në këto momente. Jemi në fazën e shtrimit të stabilizantit për të kaluar pastaj tek të gjitha shtresat e tjera, çmimentato e deri sa të shkojmë tek asfalti special që përdoret për pistën.Këtu jemi pjesën e ndërtesave të zjarrfikësve. Përpara kemi kullën. Kulla është tashmë pothuajse e përfunduar, janë bërë të gjitha ndarjet, në ndërkohë që pjesa e kupolës së sipërme është e prodhuar dhe vjen e gatshme për t’u montuar. Kemi disa afate që i kemi vendosur në kalendar.” – detajoi Zv/kryeministrja Balluku, teksa shpjegoi edhe zona problematike të ndërtimit për shkak të gjeologjisë së vështirë.
“Jemi në një zonë që jemi dy metra e pak nën nivelin e detit, kështu që i gjithë terreni, jo vetëm pista është ngritur me 2.7 metra nga niveli fillestar i të gjithë fushës. Kjo ka qenë një fushë aerodromi militare e ndërtuar në fillim të viteve ’20 ashtu siç ne e dimë, ndërkohë që është mbyllur e gjithë pjesa e drenazhimit, duke qenë se zona është nën ujë, pavarësisht lartësisë që ne i kemi dhënë dhe çfarë është më e rëndësishmja është mbyllur e gjithë pjesa e rrethimit, i cili duhet të përmbushë parametrat.”
Kryeministri Rama vlerësoi punën e bërë deri tani, teksa theksoi se ajo duhet intensifikuar në vijim. “Tani duhet punë natë e ditë që të arrijmë që sezoni të përfshishet në aktivitetin e aeroportit dhe në akvitetin e përgjithshëm ekonomik të vendit dhe pastaj me siguri shumë gjëra të tjera pozitive do vijnë nga prania e aeroportit, por është shumë e rëndësisshme; ditë-natë, natë-ditë, ditë-natë, natë-ditë.” – u shpreh ai.
Në prill mbyllet faza e publikimit të aeroportit sipas standardeve ndërkombëtare, nën mbikqyrjen e operatorit të aeroportit, i cili është Aeroporti Ndërkombëtar i Mynihut, ndërkohë që qysh tani shumë nga agjencitë turistike lokale e ndërkombëtare kanë filluar të prenotojnë fluturimet e tyre në Vlorë, ku do të ndizet së shpejti një tjetër motor i ri i ekonomisë.
Nis së shpejti edhe rekrutimi i punonjësve, ndërkohë që Aviacioni Civil po punon për hapjen e një akademie për profesionistë në këtë fushë, në bashkëpunim me ICAO.