Procesi kombëtar për lirimin dhe rikthimin në shërbim të qytetarëve të hapësirave publike, të përdorura ndër vite si pika grumbullimi për mjete të sekuestruara ose të konfiskuara, ka vijuar sot në Vlorë. Pas Shkodrës dhe Laçit, puna ka nisur në zonën e Nartës, ku hapësirat do të transformohen në funksion të komunitetit.
Ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu, e shoqëruar nga përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore, inspektoi procesin e pastrimit dhe evidentimit të mjeteve të grumbulluara prej vitesh.
“Në vijim të këtij aksioni të pastrimit të sipërfaqeve, ajo që jemi duke bërë është t’i shndërrojmë këto zona, në zona jo vetëm të pastra, por edhe në zona që fare mirë mund t’i përdorë pushteti vendor për të hartuar plane zhvillimi e për t’i kthyer komuniteteve në zona, kënde lojërash apo argëtimi për fëmijët por edhe për t’u përdorur nga institucionet publike, për qëllime apo interes publik”, u shpreh Ministrja Koçiu.
Në qarkun e Vlorës ndodhen tetë pika grumbullimi: pesë në Sarandë, një në Delvinë, një në Himarë dhe një në Vlorë, që është më e madhja në rang vendi. Nga evidentimi i bërë, janë identifikuar 2,124 mjete dhe motomjete të sekuestruara apo të konfiskuara, prej të cilave 1,400 do të shkojnë për skrap, duke liruar rreth 80% të sipërfaqes. Pjesa tjetër do të përdoret nga institucionet publike ose do të mbetet si provë materiale në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme. Procesi i largimit dhe përpunimit të mjeteve pritet të zgjasë rreth pesë muaj.
Ministri i Mbrojtjes, njëherësh deputet i qarkut Vlorë, Pirro Vengu, theksoi rëndësinë e këtij procesi, veçanërisht në një zonë si Narta, pranë komuniteteve të banuara, zonave turistike dhe projektit të ri hekurudhor që lidh Vlorën me aeroportin.
Që nga fillimi i shtatorit, në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, Policinë e Shtetit, Drejtorinë e Rezervave Materiale të Shtetit dhe pushtetin vendor, është nisur një fushatë kombëtare pastrimi për të liruar sipërfaqet e bllokuara dhe për t’i kthyer hapësirat në përdorim publik, në kuadër të një programi që përfshin gjithsej 24 pika bllokimi të përdorura nga Policia e Shtetit për ruajtjen e këtyre mjeteve.