Vlorë, me turoperatorët vlonjatë dhe miqtë italianë për Vlorën turistike, të transformuar në destinacionin më të preferuar për turistë vendas e të huaj - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vlorë, me turoperatorët vlonjatë dhe miqtë italianë për Vlorën turistike, të transformuar në destinacionin më të preferuar për turistë vendas e të huaj

Turoperatorët vlonjatë, mes tyre investitorë italianë në fushën e turizmit, një pjesë e të cilëve kanë zgjedhur të jetojnë e punojnë në qytetin e Vlorës, si dhe miq e dashamirës të Shqipërisë të ardhur nga Italia, ishin sot me Kryeministrin Rama në bashkëbisedimin mbi turizmin në tërësi dhe potencialet e pafundme të Vlorës, e cila është pasqyrë kuptimplotë e një transformimi që ka filluar të prodhojë ekonomi dhe të rrisë kërkesën turistike për qytetin në mënyrë të vazhdueshme.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Para së gjithash më vjen shumë keq për vonesën dhe kërkoj ndjesë për arsye objektive, nuk munda të vij para kohe, por nuk është se dua të justifikohem. Ju kërkoj ndjesë dhe ju falënderoj për durimin, normalisht Vlora nuk është një vend ku durojnë personat, por çuditërisht ju keni qenë shumë të duruar dhe dukeni norvegjezë dhe jo italianë. Ose saktësisht sepse këtu ka shumë padurim dhe juve u bëtë të duruar ndoshta, sidoqoftë ju faleminderit shumë për këtë mundësi për të folur bashkë dhe tani po kaloj mikrofonin për të vijuar siç është parashikuar nga organizatorët që janë këtu me mua.

-Përshëndetje të gjithëve. Është shumë kënaqësi që jemi mbledhur të gjithë këtu sot sepse nëse të gjithë që jemi këtu themi që është Vlora e Flamurit, sot jemi mbledhur për një që të gjithë e kemi, atë që është Vlora turistike, një distancon që nuk është aspak  Vlora e viteve më parë sepse ka ndryshuar shumë falë edhe vëmendjes së jashtëzakonshme të Kryeministrit Rama dhe qeverisë shqiptare. Të gjithë investitorëve, të gjithë operatorëve turistikë e të tjerëve duhet t’u themi një faleminderit për çka bëjnë për të promovuar qytetin tonë.

-Përshëndetje të gjithëve. Në këtë organizim unë kam marrë pjesën e atyre që kanë vendosur të jetojnë, të punojnë dhe të studiojnë në Vlorë dhe nuk janë të paktë, janë të shumtë. Titulli për këtë event për pjesën time është: ”Vlora krahëhapur’’, Vlora që ka ditur të presë, pret dhe do të presë gjithmonë sepse nuk është më Vlora e viteve më parë, por ka ndryshuar shumë. Ka të rinj, studentë që kanë zgjedhur të jetojnë e të studiojnë në vendin tonë por ka edhe pensionistë qe kanë vendosur të jetojnë këtu, ndaj ata janë një pasuri e madhe dhe duhet t’i dëgjojmë, të diskutojmë me ta në mënyrë që të ndihen më mirë dhe më të integruar.

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit edhe një herë të gjithëve dhe besoj që do ishte e udhës se përpara se dhe unë të them dy fjalë, t’ia kaloj fjalën zonjës kuqezi këtu.

Është kuqezia e Shqipërisë jo e Milanit sepse është vërtetë një nder që gjithë këta zotërinj, me në krye një zonjë na bëjnë që të jenë këtu me ne sot, për të kremtuar pikërisht këtë afërsi gjithmonë e më të madhe mes Vlorës dhe anës tjetër të detit, ku jo shumë kohë më parë, njerëzit nga ky vend synonin të kapërcenin me peripeci të llahtarshme përmes rrjetesh trafiku klandestin dhe pakkush kishte kurajën ta imagjinonte që në jo shumë kohë më pas Vlora do bëhej një destinacion për shumëkënd që çdo ditë e më shumë për hir të së vërtetës vjen në Vlorë, jo thjeshtë për ta vizituar, por edhe për të qëndruar dhe për të jetuar. Jam shumë i nderuar dhe me shumë kënaqësi po ja kaloj fjalën zonjës kuqezi për të thënë edhe ajo fjalët në emër të gjithë këtyre burrave këtu me flamurin trengjyrësh të Italisë mike që në fakt mike është një fjalë që nuk i thotë të gjitha për Italinë se Italia është më shumë sesa një vend mik dhe prandaj dhe ne ndihemi në shtëpinë tonë kur shkojmë në Itali dhe italianët nuk kanë sesi të mos ndihen në shtëpinë e tyre kur vijnë këtu në Shqipëri.

– Zoti kryeministër mirëmbrëma juve dhe të gjithë juve. Ne jemi të dashuruar me Vlorën, Vlora që në këto vite ka patur një ndryshim të jashtëzakonshëm falë jush, një ndryshim urbanistik, ekonomik, turistik, social dhe shoqëror dhe kjo është shumë e qartë. Kjo sot tërheq shumë edhe Italinë. Unë sot jam këtu me shumë kryetarë bashkie të Kalabrisë sonë, kalabrezë që studiojnë këtu në universitetin tuaj, jetojnë dhe punojnë këtu në Shqipëri. Kështu që na bën shumë krenar që Kalabria është mirëpritur ndaj jush, ndaj shqiptareve dhe ju jeni shumë të kujdesshëm për Kalabrinë tonë”. 

– Ju përshëndes nga parlamenti italian dhe nga komisioni i punëve të jashtme. Unë jam sekretar, ju sjell përshëndetje dhe nga komuniteti im, i cili ka një raport me komunitetin tuaj, duke patur prej shumë kohësh komunitet në harmoni dhe në marrëdhënie reciproke. Një dëshmi sesi mund të rrimë bashkë me buzëqeshje dhe me punë. Është hera e parë që vij në Vlorë dhe duke shëtitur në këto rrugë perceptohet një qytet që evoluon dhe me dëshirë për të ndryshuar.

Kryeministri Edi Rama: Më vjen keq që për vizitën tuaj të parë nuk mund t’iu prisnim me diell, por sidoqoftë ne jemi shumë të lumtur sepse ne kemi nevojë për shi sepse këto dritat e ndezura varen nga shiu. Jemi 100% energji e rinovueshme.

Sidoqoftë, basti ynë është që të mos rritet asnjë qindarkë çmimi i energjisë elektrike për familjet sidomos, por edhe për sipërmarrësit e vegjël, bizneset e vogla që në ditët e sotme paguajnë të njëjtën shumë, atë që paguanin para se të fillonte kriza. Çmimi i faturës që ata paguajnë është 20% e çmimit të vërtetë në fakt. 70-80% e paguan qeveria nëpërmjet buxhetit të shtetit. Kështu shpresojmë të ndihmojmë sa më mirë familjet në këtë situatë mjaft të vështirë për të gjithë botën, për të gjithë Europën, për ju italianët; edhe ju italianët dini diçka, patjetër, pastaj duke mbajtur këto çmime të pashkëputur, do të bëjmë të mundur që edhe inflacioni i luftës të jetë më i ulët sesa i vetë rajonit.

Faleminderit shumë për këtë moment dhe gjithë përfaqësuesve të operatorëve turistikë të Vlorës.

Më vjen shumë keq për vonesën dhe pamundësinë për të pasur një takim më të gjatë, por për shkaqe objektive, siç e thashë dhe më parë, ishim deri lart në Llogara dhe aty ishte një situatë rrebeshi dhe u vonuam pak sepse dolëm nga ana tjetër e rrugës së re.

Gjithsesi, mua më vjen mirë që Vlora sot është një pasqyrë kuptimplotë e një transformimi që ka filluar tani të prodhojë ekonomi dhe të rrisë kërkesën turistike për Vlorën në mënyrë të vazhdueshme. Kjo, sigurisht, është edhe një sfidë për të pasur më shumë kapacitete dhe për të pasur edhe shërbim më të mirë sepse në fund të ditës, shërbimi dhe cilësia e shërbimit janë ato që bëjnë diferencën dhe e shtyjnë një vizitor të rikthehet.

Ndërkohë që, më vjen mirë po ashtu, që tanimë ne kemi nisur me dy kantiere të mëdha që do t’i japin një tjetër shtysë shumë të madhe turizmit dhe ekonomisë së turizmit, portin e ri turistik të Vlorës, i cili do të sjellë në Vlorë një tjetër kategori turistësh dhe patjetër që do të stimulojë edhe një pjesë tjetër të zinxhirit ekonomik, sidomos në periudhën e dimrit dhe portit të ri tregtar, i cili do të lehtësojë shumë edhe gjithë industrinë e peshkimit, duke krijuar kushte optimale për atë industri, për të pasur vendin e vet në këtë territor dhe për të mos qenë më e mbetur në mes të detit.

Po ashtu, me kantieret e reja që janë hapur dhe që do të hapen, besoj që do t’i japim një impuls shumë të rëndësishëm vetë Vlorës sepse, qoftë rruga e re që po hapet nga Orikumi në Dukat, qoftë lidhja e saj me tunelin dhe kalimi në anën tjetër të Llogarasë me shumë  më tepër shpejtësi, siguri dhe njëkohësisht edhe by-pass që tanimë është funksional, janë pjesë të një infrastrukture të munguar për dekada që do të rrisë shumë kapacitetin e qarkullueshmërisë. Pa harruar aeroportin, ku punimet po ecin shumë mirë dhe ku jemi shumë optimistë që do të kemi fluturimin e parë në fund të vitit 2024. Shpresoj që të mos na dalin, të mos kemi surpriza sepse jemi mësuar që jo gjithçka varet nga plani, nga vullneti, nga dëshira, nga puna dhe nga këmbëngulja sepse pa prit e pa kujtuar ndodhin gjëra nga më të paparashikueshmet që i shtyjnë planet për më tutje.

Aeroporti i Vlorës pati shtyrjet e veta për arsye që ishin jashtë vullnetit tonë, por që tani është tërësisht në vijë dhe nëse nuk ndodh ndonjë gjë e paparashikuar, në fund të vitit 2024, unë jam besimplotë që ne do të kemi aty fluturimin e parë.

Nuk dua ta lë pa përmendur rrugën e Lumit të Vlorës, e cila ka hapur një perspektivë tjetër për një zonë deri dje komplet të fjetur, që është një territor përrallor, sa i përket bukurive të natyrës dhe potencialit që ka për të zhvilluar agroturizmin dhe patjetër, pa lënë pas dore edhe vetë qytetin brenda që ka akoma nevojë për t’u përmirësuar në zona të tjera.

Jo më larg se sot, kur po vija më çoi dikush një video të Pazarit të Vjetër të Vlorës, që unë, megjithëse mendoja që e njihja Vlorën në çdo cep dhe në çdo detaj, nuk e dija se ekzistonte; një zonë në brendësi të një territori me ndërtime që ishte një katastrofë absolute, por sipas përshkrimit të autorit të mesazhit, është qysh në 1900, pazari ku denbabaden është bërë tregti nga njerëzit e ardhur nga zona të tjera dhe e solla këtu si shembull për të thënë që çka kemi bërë, është absolutisht diçka që do të thotë se ai e imagjinonte se do të ndodhte, sepse vërtetë kemi punuar shumë,  por çka mbetet për t’u bërë, është prapë shumë dhe për ketë them që në çdo aspekt, kështu është puna që ne kemi sot në gjithë Shqipërinë. Po të kthejmë kokën pas, është dita sot, nata dje nga momenti kur e kemi nisur këtë punë, por po të shikojmë përpara jemi akoma në të gdhirë kështu që dielli është akoma i zbehtë në raport me si do të jetë në vitet në vijim dhe besoj që tani pjesa tjetër e rëndësishme është çfarë do të vazhdojë të bëjë sipërmarrja sepse ky është sistemi i sipërmarrjes dhe shteti ka detyrën të garantojë kushtet, por përtej kësaj janë sipërmarrësit dhe sipërmarrja që e çon vendin përpara. Besoj që kemi bërë maksimumin në aspektin e taksave. Këtu ka një këngë që këndohet pa pushim dhe që për çudi shumë e besojnë dhe e këndojnë dhe vetë. Nuk jam i sigurt a e kanë mendjen kur e këndojnë apo jo, por e këndojnë që kemi taksa të larta. Ja ku i keni këtu të gjithë miqtë italianë. Pyetini, sa e lartë është një TVSH 6%  për hotelet? Sa e lartë është një taksë 0 për bizneset e vogla që kanë një xhiro deri në 140 mijë dollarë? 0. Dhe 0 taksë dhe 0 TVSh për ata që kanë një xhiro deri në 100 mijë.  Dhe pyetini sa i lartë është tatimi mbi fitimin i kompanive të mëdha që është 15 %. Sa është?

Sa e lartë është taksa mbi pagën në Shqipëri, kur faktikisht në Itali, thuajse gjysmën e pagës ia lë shtetit.

Pastaj është edhe 23%, që është për ato që janë super të larta dhe shumëkush kur ia thua këto, thotë, “po mos na krahaso me ato se i kanë rrogat e larta, po jo se ata”, kur sheh një rrogë në një vend si Italia, duhet ta fillosh nga gjysma, se gjysma ikën një herë si fillim.

Gjysmë merr çon në shtëpi, pastaj do të vazhdosh me të tjerat dhe unë nuk po them që jemi më mirë se Italia , as nuk po them që në fund të muajit, për shumë njerëz mbetet diçka që mund të krahasohet me çfarë mbetet në Itali, por po të pyesni  shumëkënd sot në Itali, do t’ju thotë që në fund të muajit nuk do t’i mbetet gjë sepse jeta është e shtrenjtë dhe tani me këto çmimet e energjisë dhe të gazit është një histori tjetër prapë që unë nuk e di se si do vazhdojë, por që e kam fjalën, kushtet për të ecur më përpara se të gjitha këto kanë natyrisht një logjikë për të ecur më përpara dhe për të t’i dhënë më shumë mundësi edhe sipërmarrjes që të japë më shumë.

Sigurisht sot, sipërmarrja ka filluar ta kuptojë që t’i rrisë pagat. Do t’i rrisë pagat nëqoftëse nuk do të mbesin pa punëtorë fare, por në kushtet e një vendi si yni dhe tani flasim për këtë zonë, me këtë pasuri përrallore që na ka falur Zoti dhe me ndryshimet që po bëhen, janë të gjitha mundësitë për të synuar shumë më lart dhe unë jam shumë besimplotë që shumë shpejt do të shikojmë rezultate të tjera.

Është një mik këtu që kishte apartamentet tek Lungomarja, dhe i thoja mos i shit. “Çfarë thua”, më thoshte. “Mos i shit”!  Dhe sa shiteshin atëherë? Gati- gati pak mbi kosto.

“Jo ore, t’i shesh se nuk i blen njeri”. Tani thotë, ”Ah”.

Më ato pak që i mbetën pa shitur, se për t’i shitur do t’i kishte shitur, bëri më shumë sesa me gjithë ato që shiti.

Dhe po iu them prapë që kush e mendonte deri disa vite më parë, që do të shiteshin apartamentet me ato çmime?

Dhe po them prapë që më shumë do të vlerësohen. Tani njerëzit thonë, “po mirë, kush i blen këto sepse një njeri me një pagë minimale nuk blen dot një shtëpi”. Por pyetini pak italianët, blejnë dot një shtëpi me një pagë normale? Pyetini. Ja ku i keni. Pyetini italianët, a del dot një student nga studimet, ta ketë vendin e punës të garantuar në profesion? Ku ndodh kjo?

Në cilin vend ndodh? Askund nuk ndodh kjo. Askund. Po, kjo ndodhte në kohën e komandantit të atij, po kishte një problem atëherë, që o merre, o lëre, por po e le, lër dhe kokën.

Kjo s’është ajo që duam ne, kështu që na duhet ta shikojmë me më tepër pozitivitet dhe me shumë më tepër arsye për të qenë më të motivuar atë që kemi përpara sesa të ankohemi gjithë kohës, se duke u ankuar nuk bëjmë progres.

Shumë faleminderit dhe një herë tjetër dhe për barazi do doja që t’ia kaloja fjalën dikujt nga operatorët turistikë të qytetit, shqipot flas, vlonjatët në këtë rast, nëse dikush do të marrë fjalën.

– Ne mendoj se kemi arritur një hap të rëndësishëm pikërisht këtë vit dhe këtë muaj, me shkakun e festave të pavarësisë të ofrojmë një paketë ekonomike të unifikuar, 15 hotelet më të mëdha të qytetit po sponsorizojmë, po investojmë tek koncerti që do bëhet në qendër.

–  Ne jemi të bindur që e bashkojmë Shqipërinë në dy dete dhe shqiptarët në një flamur dhe në këtë kontekst kemi vendosur që të sjellim një paketë të unifikuar të biznesit, i cili ka nisur bashkëpunimin tanimë dhe jemi duke e promovuar dhe në këtë kontekst do kërkonim bashkëpunimin, jo vetëm të institucioneve, por edhe tuajin si njeri që e do qytetin dhe e ka pasur atë përherë në vëmendje. Nga ana tjetër kemi shtruar dhe një problematikë të cilën e kemi hasur pothuajse përgjatë sezonit turistik dhe jo vetëm, është ajo e shqetësimit për fashën e muzikës në Lungomare. Ju do të thoni: Lungomare nuk është vetëm e atyre që bëjnë biznes por dhe atyre që jetojnë. Ne e dimë këtë dhe në këtë kontekst do kërkonim parametra teknik më të qarta të sanksionuara saktësisht në ligj për biznesin, t’i përmbushim këto dhe më andej t’i lejojmë që Lungomare të ketë gjallëri sepse të bërit biznes në atë zonë për qytetin është e rëndësishme.

 

Kryeministri Edi Rama: Keni ndonjë provë që muzika shurdhuese sjell më shumë njerëz në Lungomare? Se nëqoftëse ka, ma sillni këtë provë, unë jam i gatshëm të heq dora nga ideja që muzika shurdhuese është dhunë, nuk sjell njerëz, nuk është çështja që është një muzikë dhe është shurdhuese. Aty ti ulesh në një lokal dhe ke muzikën e lokalit, ke muzikën e lokalit tjetër, ke tre këngëtarë që çirren kush të dali mbi tjetrin, pra tre pronarë që çirren përmes këngëtarëve. Dhe aty fillon urren këngëtarët që mund të jenë dhe më të dashurit këngëtarë të tutë sepse të çmendin. Kështu që keni provë për këtë? Unë nuk mendoj që kjo krijon problem, që muzika në një moment të caktuar t’ia lënë radhën njerëzve që ulen për kënaqësi me njëri-tjetrin.

-Unë kërkova saktësim ligjor për sa duhet të jenë norma dhe zgjatjen e fashës.

Kryeministri Edi Rama: E kuptoj. Ti kërkove te zgjatet muzika, të zgjatet terrori atje. Tani duhet të sillni një provë që terrori audio sjell më shumë të ardhura për ju dhe unë do dorëzohem dhe s’vij më në Lungomare përveçse në mëngjes. Se unë jam tifoz besnik i Lungomares se realisht është një nga vendet më të bukura në Mesdhe për mua. Dhe ja ku keni këta, këta i kanë shpikur Lungomaret dhe këta kanë Lungomaret e tyre, i dinë shumë mirë dhe jam i bindur që do thonë që është një nga Lungomaret e bukura që ka Mesdheu. Kur shkoj atje dhe fillon ai terrori, është e pabesueshme sesa e rënde është, por megjithatë unë jam i gatshëm të tërhiqem nëse më jepni një provë që nga ulja e muzikës ikin njerëzit, unë se besoj këtë gjë. Sigurisht pastaj nëse gjendet një mënyrë e kombinuar së paku për të rënë dakord që të përdoret një muzikë në një hark të caktuar dhe për ta bërë, për ta vendosur muzikën në një pozicion që nuk është terrorizues dhe që mund t’i japë të gjithëve kënaqësi në sfond, atëherë jam shumë dakord.

Përsa i përket bashkimit të hoteleve në një pakete është shenjë shumë e mirë. Unë jam shumë i bindur edhe e dëgjoj me kënaqësi që e keni bërë për patriotizëm dhe nuk e ha këtë punën e patriotizmit, e keni bërë për interes dhe kështu duhet të ndodhë sepse e keni kuptuar që interesi juaj ju bashkon dhe konkurrenca kanibaleske ju prish punë të gjithëve. Kështu që, në këtë sens unë them që ju me këtë shembull mund të shkoni më tutje. Ju këtë 15 që keni bashkuar mund ta përdorni si një grep për të bashkuar edhe nja 100 fermerë në zonën e lumit të Vlorës dhe për të bërë atje, ju qytetarët, bashkë me ata të zonës së fshatit për të bërë një kooperativë për prodhimet e vendit, për të cilën ne jemi të gatshëm t’ju japim dhe mbështetje financiare që prodhimet e vendit të përpunohen aty dhe të përpunuara të vijnë pastaj në tavolinë, në hotelet tuaja, por edhe të shiten në treg dhe kështu jepni dhe një mësim të tjerëve sesi mund të behet sukses dhe mund të bëhen shumë më tepër para duke u bashkuar dhe jo duke qëndruar tek pull me kokët e dhive secili, por duke u bashkuar dhe duke përfituar nga vlera e shtuar e prodhimit. Ne jemi shumë të gatshëm që t’ju ndihmojmë për këtë dhe kjo do ta rriste cilësinë e ofertës tuaj sepse njerëzit kur vijnë këtu. nuk kërkojnë të njëjtën gjë që kërkojnë kur shkojnë në një qytet të Italisë se po të ishte ashtu, ata janë më të mirë se ne në atë gjë që dinë të bëjnë ata. Ne duhet të shohim se çfarë mund të bëjmë ne diçka që të ketë sado pak nga mjeshtëria e këtyre, por të ketë dhe një gjë që është autoktone. Kjo do ta çojë në një nivel tjetër edhe cilësinë e ofertës suaj edhe të ardhurat do rriten.

E fundit, për çështjen e dimrit. Kjo është një sfidë e madhe më vete. Ata e dinë shumë mirë. Vendet që janë shumë turistike në verë, e kanë të gjithë problemin e dimrit, që dimri është shumë i mbyllur. Po Vlora është sidoqoftë një zonë që mund të ketë edhe në dimër, natyrisht jo sa në verë, po mund të ketë edhe në dimër aktivitet e për këtë duhet menduar në një mënyrë më të strukturuar se çfarë mund të bëhet, por ju jeni kryesorët sepse është sipërmarrja që mund ta tërheqë më shumë litarin për ta çuar më shpejt përpara karrocën, mendoj.

 

–  Jam italian, por prej 10 vjetësh jam këtu. Është hera e dytë që takohemi. Ju faleminderit! Kam prezantuar edhe 7 projekte, ishte dhe zëvendësministri i Turizmit. Këto projekte shërbenin për të zgjatur sezonin turistik. Zgjatja e periudhës turistike është shumë themelore për strukturat. Ky qytet për 10 vite ka ndryshuar në një mënyrë shumë fantastike. Nuk po flas për aeroportin që do të vijë, po flas për pjesën bregdetare të Orikumit, të Vlorës.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit të gjithëve!

Previous Në kantierin e rrugës Orikum-Dukat