Vlorë, ministrja Sala: Një hap më pranë pacientit në kujdesin onkologjik
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, e shoqëruar nga drejtori i Institutit Kombëtar të Tumoreve, Helidon Nina, vizitoi qendrën ditore të kimioterapisë, të rikualifikuar në Spitalin Rajonal të Vlorës.
Ky investim është pjesë e transformimit të shërbimit onkologjik në vend, me synimin që gjatë viteve 2026–2027 shërbimet onkologjike të shtrihen në 12 spitale rajonale. QSUT, Vlora dhe Korça janë tre investimet e para të përfunduara, ndërsa puna vijon në Shkodër, Lezhë dhe Fier.
Gjatë vizitës, ministrja Sala theksoi se afrimi i shërbimit me pacientin është një nga prioritetet e reformës në fushën e onkologjisë. Ajo vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale me Fondacionin “Mane” për rikualifikimin e disa prej qendrave ditore të kimioterapisë në vend.
“Më pak se një vit më parë mora angazhimin që onkologjia të ishte në qendër të vëmendjes, si një nga reformat kryesore të mia si ministre e Shëndetësisë, por edhe si mjeke me një karrierë të gjatë në fushën e onkologjisë. Bëmë realitet ato që premtuam. Ngritëm Institutin Kombëtar të Tumoreve dhe përforcuam rrjetin onkologjik. Qendra në Vlorë është qendra e tretë e rikualifikuar dhe puna do të vijojë me qendrat e tjera, me synimin për ta përfunduar këtë proces brenda vitit 2027”, tha ministrja Sala.
Ministrja u ndal veçanërisht te rëndësia e komunikimit mes mjekut dhe pacientit, duke e cilësuar atë si pjesë të pandarë të cilësisë së shërbimit shëndetësor.
“Ne, si mjekë dhe profesionistë të shëndetësisë, nuk duhet të lëmë asnjë pyetje pa përgjigje. Duhet të kemi durimin t’u shpjegojmë pacientëve të gjithë informacionin që u nevojitet”, theksoi ajo.
Për forcimin e shërbimit onkologjik në vend po punohet për standardet e organizimit të Rrjetit Kombëtar Onkologjik, përmirësimin e infrastrukturës, pajisjeve dhe aksesit në barna. Deri më tani janë miratuar 38 protokolle të unifikuara të trajtimit onkologjik dhe janë vlerësuar tetë pika kimioterapie, tri prej të cilave janë rikualifikuar. Ndërkohë, është në proces hapja e pikës së nëntë në Spitalin Memorial Fier.
Për herë të parë është ngritur edhe Qendra e Gjirit (Breast Unit), duke krijuar një model multidisiplinar për diagnostikimin dhe trajtimin e patologjive të gjirit sipas praktikave bashkëkohore.
Në drejtim të diagnostikimit dhe trajtimit, akseleratori i tretë është vënë në funksion në maj 2026, ndërsa akseleratori i katërt do t’i bashkohet rrjetit në vijim. Paralelisht, është zgjeruar me 23% gama e barnave onkologjike të disponueshme në qendrat rajonale dhe janë përfshirë nëntë principe aktive të reja, duke rritur alternativat terapeutike për pacientët me tumore hematologjike, kancer të mushkërisë dhe gjirit, melanomë dhe tumore me biomarkerë specifikë.