Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në një vizitë pune në Kroaci, ku u mikprit në një ceremoni zyrtare nga Kryeministri i Republikës së Kroacisë Andrej Plenković. Kryeministri Rama zhvilloi një takim kokë më kokë me homologun kroat Plenković, i cili u pasua nga takimi bilateral mes dy delegacioneve.
Në kuadër të bashkëpunimit mes vendeve u nënshkruan marrëveshje në fushën e ekonomisë dhe atë të shëndetësisë.
Kroacia iu shtua sot listës së shteteve me të cilat Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje për njohjen reciproke të kontributeve të sigurimeve shoqërore, në mënyrë që qytetarët shqiptarë, kudo ku ata jetojnë e punojnë të mos humbasin asnjë ditë pune për përfitimin e pensionit. Dje nisi zbatimin marrëveshja e njohjes reciproke të kontributeve me Zvicrën, ndërsa shumë shpejt pritet finalizimi i marrëveshjes së shumëpritur me Italinë, nga e cila pritet të përfitojnë mijëra qytetarë shqiptarë.
Sa i përket marrëveshjes në fushën e shëndetësisë, u nënshkrua mes vendeve, Plani i Bashkëpunimit midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kroacisë në Fushën e Shëndetit dhe Mjekësisë për vitet 2024-2026.
Në përfundim, Kryeministri Rama dhe Kryeministri i Kroacisë Andrej Plenković dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.
* * *
Kryeministri i Republikës së Kroacisë, Plenković: Përshëndetje! Dëshiroj dhe një herë të përshëndes Kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën, i cili sot ndodhet në një vizitë zyrtare në Republikën e Kroacisë nw bazë të ftesës time dhe më vjen shumë mirë që do kem mundësi për të vazhduar këtë pjesë të kësaj bisede dhe gjatë drekës e cila do pasojë dhe saktësisht pas dy javësh do të vizitoj përsëri Shqipërinë duke marrë parasysh që atje do mbahet takimi i Procesit të Berlinit, ku mikpritës do të jetë kryeministri Rama sikurse edhe ka qenë mikpritës në dhjetor kur është mbajtur samiti i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të vendeve anëtare të BE.
Natyrisht dëshirojmë që të përgëzojmë për iniciativat e tilla dhe për organizimin e takimeve të tilla të dobishme kur bëhet fjalë për aktivitete të cilat kanë për synim avancimin e proceseve të integrimit Europian.
Më vjen shumë mirë që sot kemi patur edhe ministrat e Financave, Ekonomisë, Politikës sociale. Natyrisht kolegët dhe koleget nga Shqipëria gjithashtu kemi patur edhe përfaqësuesen në Kuvendin e Kroacisë, zonjën Ermina-Lekaj Perljaskaj e cila është përfaqësuese e pakicës kombëtare shqiptare në parlamentin kroat. Gjithashtu prezanton apo përfaqëson edhe komunitete të tjera siç është ai boshnjak dhe të tjera dhe kjo kontribuon në masë të madhe për të avancuar raportet mes Kroacisë dhe Shqipërisë.
Raportet tona janë shumë të mira, janë cilësore, janë miqësore, janë të avancuara dhe Kroacia i ofron një mbështetje të thellë Shqipërisë në procesin e përafrimit me BE. Ne jemi një prej vendeve të BE i cili avokon për një drejtë të Shqipërisë drejt BE. Kemi marrëveshjen e partneritetit strategjik i cili është nënshkruan para disa kohësh. Tani kemi nënshkruar një marrëveshje të re në fushën e bashkëpunimit të politikës sociale dhe të shëndetësisë që parqet një pjesë tjetër të mozaikut të zhvillimit të raporteve me Shqipërisë dhe Kroacisë. Gjithashtu kemi biseduar për avancimin në bashkëpunimin ekonomik. Në vitin e kaluar shkëmbimi tregtar ka qenë rreth 170 milionë euro, ndoshta pak më pak se aq. Dëshira jonë është kjo që kjo të rritet, duam të ndryshojmë edhe të bëjmë një ndërlidhje më të fortë mes vendeve tona sikurse përmes rrugëve tokësore ashtu edhe atyre detare. Natyrisht ne nuk kemi kufij që na ndan, por patjetër që jemi fqinj dhe jemi pjesë e rajonit të njëjtë. Është shumë mirë që tanimë përveçse kemi kompani të cilat investojnë në njërin dhe në vendin tjetër, dëshirojmë të shtyjmë tutje interesin e tillë dhe dëshirojmë që investime të tilla të vazhdojnë të rriten.
Gjithashtu kemi biseduar dhe për çështje të bashkëpunimit rajonal ku Kroacia me pozitën e vet si anëtare e BE edhe natyrisht Shqipëria është anëtare e NATO-s sikurse dhe ne, por do të ketë një rol ku do të jetë një prej shtytësve të integrimit të përshpejtuar të fqinjëve tanë në BE dhe ne me të vërtetë jemi të gëzuar që pas një numri të madh vitesh, pas shumë vitesh Shqipëria është në një periudhë të negociatave për anëtarësim në BE dhe natyrisht ne do tentojmë që t’i përçojmë përvojën tonë duke sjellë njerëzit tanë të cilët kanë kaluar nëpër këtë proces, të jetë ende pjesë e administratës kroate dhe i kanë përvojat e freskëta dhe natyrisht do tentojmë që të sjellim ekspertet tanë në të gjitha fushat të cilat do i hyjnë në punë Shqipërisë apo qeverisë së Shqipërisë në këtë aspekt.
Gjithashtu kemi folur dhe do flasim për situatën në rajon, për çështjet ekonomike dhe të tjera dhe presim që raporti i ri i Komisionit Europian do të përfshirë shumë projekte të tjera të ndërlidhjes si infrastrukturore, energjetike dhe të tjera. Është me shumë rendësi që vendet e Europës juglindore në aspektin ekonomik sikurse dhe institucional sa më mirë të jenë të përgatitura për anëtarësim në BE. I gëzohem avancimit të bisedave dhe vizitës së shpejtë në Tiranë.
Faleminderit kryeministri Rama, tani ju keni fjalën!
Kryeministri Edi Rama: I nderuar, Kryeministër, I dashur, Andrej. Në radhë të parë dhe jo për formalitet protokollar, por për të shprehur sinqerisht kënaqësinë. Faleminderit për mikpritjen, faleminderit për bashkëbisedimin si gjithmonë të hapur, të drejtpërdrejtë dhe për frymën jashtëzakonisht pozitive të një marrëdhënieje prej së cilës, ne mësojmë vazhdimisht. Mësojmë vazhdimisht sepse Kroacia është një shembull dhe një burim inkurajimi dhe frymëzimi, nuk do ta ekzagjeroja nëse do thosha, në procesin tonë të ecjes drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Kroacia është një shembull suksesi, së fundmi edhe me Eurozonën dhe me Schengen dhe çfarë Kroacia ka arritur në vetëm 1 dekadë pas anëtarësimit në BE, jo thjeshtë na gëzon, por pa diskutim na inkurajon dhe dua të shtoj, na bën edhe më kërkues ndaj miqve në Zagreb për të na ndihmuar me, në radhë të parë, eksperiencën e tyre. Një eksperiencë e krijuar në një proces që Kroacia e ka nisur shumë më përpara nesh dhe nw të cilin Kroacia ka ngritur një ngrehinë mbresëlënëse dijeje.
E për këtë arsye, ne kemi përfituar tanimë falë ndihmës së qeverisë së Kroacisë, një mbështetje direkte për procesin e negociatave në BE dhe po ashtu duam të përfitojmë sa më shumë mbështetje me dije për turizmin, për sigurinë kibernetike, për ndihmën aktive në funksion të punësimit, si edhe për të trajtuar në mënyrë specifike raste, siç është rasti që ne kemi aktualisht, lidhur me disa korrektime të domosdoshme që duhet të bëjmë në fushën e administrimit të fondeve të BE për bujqësinë, sepse një rast të ngjashëm ka patur edhe Kroacia jo para shumë kohësh dhe na intereson shumë të mësojmë për adresimin struktural që qeveria kroate ka bërë në këtë drejtim.
Nga ana tjetër, kemi riprekur temën e një sektori të rëndësishëm strategjik siç është energjia, e kombinuar edhe me infrastrukturën sepse së bashku me Kroacinë jemi pjesë e të njëjtit plan për korridorin Adriatiko-Jonian. Kryeministri na ka informuar që qeveria kroate ka vendosur financimin masiv të ndërtimit të Korridorit nga ana e Kroacisë. Unë e kam informuar Kryeministrin se ne njëkohësisht jemi në procesin e lidhjes së kontratave për pjesën kryesore të segmenteve të këtij Korridori dhe patjetër, kemi diskutuar për se si duhet ta përfshijmë edhe Malin e Zi në këtë proces.
Njëkohësisht kemi diskutuar konkretisht për ngritjen e një grupi të përbashkët pune mes ministrive të Energjisë për ta adresuar temën e gazsjellësit Adriatiko-Jonian, ku ka ardhur koha që t’i bashkojmë potencialet, tw bashkojmë dijen, të bashkojmë idetë dhe të paraqitemi me një ofertë të unifikuar në funksion të investimit për këtë korridor kaq të rëndësishëm energjetik, jo vetëm për rajonin por edhe për Evropën.
Dhe nga ana tjetër, nuk diskutohet që së bashku me Kroacinë ne jemi anëtarë të komunitetit Euroatlantik , anëtarë të NATO-s dhe ne jemi në pozicione 100% të njëjta, në raport me agresionin rus në Ukrainë, si edhe me domosdoshmërinë e normalizimit të marrëdhënieve në rajon dhe të një rajoni të qëndrueshëm në çdo aspekt dhe për këtë arsye kemi prekur edhe këto tema siç e tha edhe kryeministri.
E në fund fare, dua të prek edhe temën e Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë në mesin e tetorit, ku kryeministri Plenković do të jetë i pranishëm sepse Kroacia është një nga anëtarët e BE që e shoqëron këtë proces dhe që është një mbështetëse e palëkundur e këtij procesi, duke qenë njëkohësisht, një zë i rëndësishëm i gjithë rajonit tonë edhe nevojës për t’u dëgjuar më shumë dhe më mirë në Bruksel, pasi natyrshëm, jo vetëm pozicioni, por edhe interesat strategjike të Kroacisë janë të lidhura me mbarëvajtjen e këtij rajoni. Kështu që me kënaqësinë që Kryeministri ka konfirmuar praninë e tij në Tiranë dhe me bindjen që në këtë Samit ne do të kemi disa të reja të rëndësishme për ecurinë e mëtejshme të rajonit në rrugën e afrimit me BE, edhe njëherë dua ta falënderoj Andrejin për mikpritjen, për gatishmërinë për të na asistuar me dijen e këtij vendi dhe njëkohësisht edhe për miqësinë dhe partneritetin strategjik që është një partneritet me shumë potencial dhe që ne e shohim si një nga partneritetet tona më të rëndësishme për të sotmen dhe për të ardhmen.
* * *
-Përshëndetje. Dëshiroj t’iu shtroj një pyetje sesi e shihni gjendjen e sigurisë në Kosovë. Shihni përgjegjësinë e Alexander Vuçiç sa i përket sulmeve në Banjskë dhe çfarë mendoni për qëndrimet e qeverisë së Kosovës që plani ishte aneksimi i veriut të Kosovës?
-Më tutje, pyetja për zotin Plankovic. Cili është qëndrimi i Kroacisë, çfarë dëshiron të bëjë Kroacia më tutje dhe nëse është Kroacia në mesin e 7 vendeve që thuhet se kërkojnë sanksione ndaj Serbisë?
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit për pyetjen. Faktikisht, Shqipëria për herë të parë në të paktën 10 vitet e fundit ka vendosur të mos linjëzohet me një deklaratë të politikës së jashtme të Bashkimit Europian, e cila ishte një deklaratë që pasonte takimin mes dy liderëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, por për arsye procedurale do duhej të bëhej publike në të njëjtën kohë që ndodhën zhvillimet dramatike dhe krejtësisht të papranueshme në veriun e Kosovës dhe në Beograd dhe ne faktikisht, shprehëm pamundësinë tonë për t’u linjëzuar me deklaratën, jo me përmbajtjen e saj në vetvete, por me faktin që e nxjerr në atë moment kur ndërkohë ishte e domosdoshme të lexohej dhe të dëgjohej një qëndrim po ashtu i qartë dhe po ashtu i prerë ndaj Serbisë për këto zhvillime, deklarata nuk mund të mbështetej prej nesh.
Thënë këto, nga ana jonë ne konsiderojmë se të dyja, e para, vrasja e një efektivi të policisë së Republikës së Kosovës nga një grup kriminal i armatosur deri në dhëmbë, i veshur ushtarakisht në territorin e Republikës së Kosovës dhe zija kombëtare e shpallur në Beograd për anëtarët e këtij grupi që u eliminuan nga Forcat e Sigurisë së Kosovës janë të pajustifikueshme, janë të papranueshme dhe janë të dënueshme në të gjitha nivelet.
Ky është qëndrimi ynë dhe pa diskutim që duke qenë promotorë të dialogut, të normalizimit, të paqes përfundimtare që kalon nga njohja përfundimtare e Republikës së Kosovës dhe patjetër, duke u përpjekur gjithmonë të jemi, jo vetëm të drejtë dhe të drejtpërdrejtë, por dhe anëtarë të përgjegjshëm të këtij komuniteti euro-atlantik, ne e konsiderojmë këtë zhvillim ose më saktë, këto dy zhvillime sepse në këndvështrimin tim, shpallja e zisë kombëtare duke heroizuar disa persona të cilët ishin të përfshirë në vrasjen e një efektivi policie, të veshur ushtarakisht me uniforma, jo shtetërore, të armatosur deri në dhëmbë dhe pastaj të eliminuar si kriminelë, është diçka po kaq e rëndë do thoja, sa vetë ajo që i parapriu.
Në këtë pikë, ne jemi shumë të keqardhur për një zhvillim të tillë, i cili e çon pas procesin e normalizimit dhe vazhdojmë të jemi të bindur që e vetmja rrugë është dialogu, është ndërveprimi me procesin e mbështetur nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pa diskutim jo shfaqjet e ushtrisë serbe në kufirin me Kosovën, të cilat vetëm nxisin tensione dhe rrisin frymën e ndasive, të cilat ne duhet të kurojmë.
Është pozitive që ushtria serbe filloi të sprapset dhe të tërhiqet, por është shumë negative që ushtria serbe përdoret për shfaqje të tilla që nuk i shërbejnë absolutisht interesave afatgjata dhe as këtij momenti të rëndësishëm kur i gjithë rajoni duhet të jetë i bashkuar në drejtim të paqes dhe të integrimit në Bashkimit Europian dhe në komunitetin euro-atlantik.
Kryeministri i Republikës së Kroacisë, Andrej Plenković: Duke e ndërlidhur me atë çfarë tha kryeministri Edi Rama, dëshiroj të theksoj që Kroacia e dënon me forcë vrasjen e pjesëtarit të policisë së Kosovës nga grupet e armatosura, të cilat kanë qenë të armatosura në një formë të tillë duke bërë të qartë që këtu bëhet fjalë për një operacion paraprakisht të planifikuar pasi me pajisje të tilla dhe me një numër të madh të tillë njerëzish nuk është diçka që ka ndodhur rastësisht. Si e tillë, ne konsiderojmë që kjo ngjarje është një incident shumë serioz dhe është një sinjal i fortë që tregon se ka forca, të cilat duan të destabilizojnë situatën në Kosovë dhe të destabilizojë raportet mes Kosovës dhe Serbisë, dëshirojnë të destabilizojnë situatën në hapësirën e Europës Juglindore dhe natyrisht, nuk mund të mos e shohim këtë jashtë kontekstit gjeostrategjik në të cilin jetojmë sot.
Gjithashtu, reagimi i komunitetit ndërkombëtar dhe këtu mendoj dhe për Bashkimin Europian, edhe për NATO-n dhe për KFOR-in dhe për përfaqësuesit e ndryshëm ndërkombëtarë, të cilët veprojnë në Kosovë, reagimet e tyre duhet të qartë dhe të fortë dhe duhet të përkrahin institucionet e Kosovës para së gjithave, pasi bëhet fjalë për territore të Kosovës dhe nga ana tjetër, duhet të bëjnë përpjekje maksimale për të parandaluar çfarëdolloj eskalimi të gjendjes dhe të sovranitetit të saj.
Kemi dëgjuar mesazhe të qartë nga aktorë globalë, të cilët i kanë dërguar mesazhe Serbisë, mesazhe të qarta dhe kanë kërkuar që të tërhiqen menjëherë forcat që i janë drejtuar kufirit të Kosovës dhe kjo tregon që komuniteti ndërkombëtar është i interesuar për paqe, është i interesuar që të ketë normalizim të raporteve për të vendosur një situatë në të cilën negociatat nën ombrellën e Bashkimit Europian të mund të vazhdojnë më tutje.
Nga ana tjetër, ajo çfarë i jeni referuar ju një numri të caktuar vendesh dhe bëhet fjalë për disa prej diskutimeve jo formale, por sa i përket asaj, nga ajo çfarë ne dimë bëhet fjalë për masa, të cilat Komisioni Europian mund t’i ndërmarrë edhe pa vendet anëtare të Bashkimit Europian dhe bëhet fjalë për disa prej programeve të caktuara të Bashkimit Europian dhe masa të tilla janë ndërmarrë edhe ndaj Kosovës para disa muajsh. Prandaj, një diskutim i thellë dhe i detajshëm në lidhje me këtë duhet të vazhdojë. Ministrat e Punëve të Jashtme janë takuar sot dhe janë nisur drejt Kievit në Ukrainë dhe besoj se kjo do jetë njëra prej temave dhe do jetë njëra prej temave që do të diskutohet dhe në format rajonal, por edhe në diskutime të ndryshme politike jo formale, por edhe të tjera. Do jemi dhe në Granada në takimin e zonës ekonomike europiane dhe në takimin e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian.
-Cilat janë mesazhet qe duhet të japë Bashkimi Europian përmes Procesit të Berlinit, duke marrë në konsideratë situatën aktuale në Kosovë?
Kryeministri Edi Rama: Samiti i Procesit të Berlinit në Tiranë do të ketë edhe një hapësirë diskutimi për marrëdhëniet në rajon dhe do të jetë një platformë e hapur për të shkëmbyer opinionet mes të gjithë pjesëmarrësve dhe me siguri në funksion të situatës së trazuar në veriun e Kosovës. Në të gjitha rastet, Samiti i Procesit të Berlinit është një instancë diskutimi për termat e bashkëpunimit rajonal, ndërkohë që dua ta ripërsëris atë që thashë më parë, i takon Komisionit Europian, i takon Bashkimit Europian, i takon Shteteve të Bashkuara, i takon NATO-s përmes KFOR-it që të marrin të gjitha masat dhe të forcojnë me fjalë dhe me vepra qëndrimin se çka ndodhi është e dënueshme, nuk duhet të përsëritet dhe duhet patjetër të bëhet çmos që të parandalohet të ndodhë përsëri, larg qoftë edhe më keq sesa kaq. Prandaj, ne kemi mbajtur atë qëndrim që kemi mbajtur dhe gjatë gjithë kohës jemi duke diskutuar me aleatët, me partnerët, kemi folur dhe me kryeministrin për domosdoshmërinë e një qëndrimi të unifikuar në raport me atë që ndodhi, po e përsëris jo thjesht në fjalë, por edhe në fakte sepse kryeministri e preku.
Dua ta ritheksoj dhe unë dhe në aspektet e funksionimit të mekanizmit të Europës së bashkuar, kryeministri i Kroacisë është një nga njohësit më të thellë të labirinteve të gjithë kështjellës së “Harry Potter-it” europian. Kur tha se këtu nuk bëhet fjalë për masa, të cilat domosdoshmërish duhet të marrin miratimin e të gjithë vendeve anëtare, por këtu bëhet fjalë për masa simetrike minimumi, në raport me ato që janë marrë më parë për Kosovën, të cilat duhet të merren edhe për Serbinë, minimumi.
Nëse nuk ka konsensus për të bërë më shumë në nivelin e Këshillit Europian, ka programe, ka marrëdhënie, të cilat përdoren për të thënë stop. Stop dhe në asnjë mënyrë nuk mund të pranohet që në mes të Europës, në mes të një rajoni ku të gjitha vendet kanë shprehur vullnetin që të bëhen vende anëtare të Bashkimit Europian, një grup kriminal i armatosur deri në dhëmbë ushtarakisht me uniforma ilegale t’i marrë jetën një efektivi policie dhe pastaj t’i gëzohet nderit më të lartë që mund të ekzistojë, zisë kombëtare në vendin nga e ka origjinën. Ky është kulmi, e papranueshme, e pajustifikueshme dhe e dënueshme.
Kryeministri i Republikës së Kroacisë Andrej Plenković: Sa i përket takimit të Procesit të Berlinit, besoj që duhet të shohim në këtë çështje edhe në kuptimin e asaj që ky do të jetë takimi parë i një formati të tillë në një prej vendeve të Europës juglindore që nga koha kur kancelari Scholz e ka marrë pozitën në fjalë. Është një iniciativë që ka filluar më herët nga ish-kancelarja Merkel me synim që të mbushet mungesa apo hapësira, zbrazëtira institucionale që ka të bëjë me mungesën e takimeve mes kryeministrave apo niveleve më të larta të qeverive të vendeve të rajonit dhe BE.
Nuk duhet të harrohet kjo dhe është më rëndësi që një iniciativë e tillë ka përfshirë vetëm anëtarët më të mëdha të BE dhe disa prej nesh që kanë qenë vende fqinje të rajonit dhe anëtarë të BE, pra nuk ka qenë një format i plotë i BE. Në anën tjetër dhe diçka, edhe dimensionet e tjera të investimit dhe përshpejtimit të projekteve strukturore të tjera. Gjithashtu duhet të themi sidomos nga viti 2018 e më tutje dhe kur kemi ndryshuar praktikën më së shumti në iniciativën e Kroacisë, kemi pranuar kthimin e takimeve të rregullta të nivelit të lartë të vendeve të BE dhe të vendeve të Europës juglindore dhe kjo ka filluar me Sofjen, pastaj me Zagrebin në nivel virtual, pastaj në Brdo, Kranji në Slloveni pastaj kemi vazhduar takimet në Bruksel, kemi patur dhe takim në Shqipëri vitin e kaluar. Përsëri do të kemi një format të tillë pas Tiranës, në dhjetor do të kemi takimin e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian dhe besoj që kjo iniciativë është më këmbë më të fortë, më të qëndrueshme dhe ajo çfarë është me rëndësi, që në takime periodike, të rregullta dhe që procesi i shërimit sa i përket të Europës juglindore është kthyer në proces të rregullt çfarë duhet të jetë për bashkimin Evropian që të mos kalojnë 9 vjet dhe qe brenda 9 vjetësh asnjë konkluzion i BE-së të mos përmendin fqinjësinë tonë dhe kjo ka ndodhur shkurtimisht thwnw pardje, duke marrë parasysh kontaktet që i përmenda.
Nga ana tjetër kjo është një kohë kur kemi edhe agresionin e Putinit kundër Ukrainës që ka përshpejtuar procesin e integrimit të rajonit në BE. Duhet te themi që kemi të bëjmë me një faktor kyç të përshpejtimit të anëtarësimit dhe natyrisht kemi edhe vendet të cilat kanë nënshkruar partneritetin me BE dhe ndërkohë kanë përfituar një status të avancuar siç është Ukraina, Moldavia dhe të tjera, por natyrisht janë vendosur edhe në kornizë të njëjtë institucional siç ka qenë Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe natyrisht edhe Kosova dhe Bosnja- Hercegovina.
Nga kjo anë, Kroacia përvojën e saj, përvojë e cila është më e freskët dhe e cila është më dobishme për fqinjët tanë , pasi nuk do të ketë askush tjetër që mund të ndihmonte më shumë sesa mund të përkrahnin përkthimin dhe zbatimin e acquis communauitaire, sesa Kroacia. Ndoshta Shqipëria nuk është më kontabile në këtë, për shkak të dallimeve gjuhësore patjetër që sa i përket përvojës dhe freskisë së saj, kjo është me shumë rëndësi.
Gjithashtu dëshirojmë të vënë theksin tek bashkëpunimi ekonomik, tek shkëmbimet energjetike dhe projektet infrastrukturore pasi vetëm kështu do të përshpejtojmë përgatitjen e vendeve të Europës juglindore sidomos kur bëhet fjalë për programe të ndryshme ekonomike sa i përket asaj se çfarë pritet nga anëtarë të ardhshëm të Bashkimit Europian pra ky takim në Tiranë e shohim si komplementar me atë çfarë bëjmë në një format më të gjerë së bashku me Komisionin Europian dhe në bazë të raportit të ri të progresit dhe të masave që do të ndërmarrim në të ardhmen dhe viti i ardhshëm në 2024 për shkak të sfidave të shumta institucionale dhe zgjedhore do të jetë shumë më pak konkrete sesa ky vit sa i përket zgjerimit të BE.
– Përsa i përket masave të mundshme kundër Serbisë, çfarë prisni dhe a prisni të bëni hetim të pavarur amerikanët natyrisht thonë që janë duke parë me shumë sy kritik atë çfarë ka ngjarë dhe do të analizojnë shumë thellë atë çfarë ka ngjarë dhe nëse këto masa do të shkojnë në vazhdën e asaj çfarë kanë kërkuar disa prej liderëve europianë në grupe të caktuara në parlamentin europian për të ndërprerë dhe bisedat e Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Europian?
Kryeministri i Republikës së Kroacisë Andrej Plenković: Sa i përket masave, siç thashë pak më herët ju e dini që Komisioni Europian ka ndërmarrë disa masa të caktuara në dëm të Kosovës para disa muajsh. Këto masa janë ndërmarrë edhe pa obligimin e aprovimit nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian. Këto janë disa prej masave, të cilat në mënyrë autonome ndërmerren nga ana e Komisionit Europian. Çfarë pritet tani është që i dërguari special dhe bëhet fjalë për të ish-ministrin e punëve të Brendshme të Sllovakisë, Mirosllav Lajçak, i cili është më se drejtpërdrejt i përfshirë së bashku me tërë shërbimin e politikës së jashtme të drejtuar nga zoti Josep Borrell do të bëjnë një propozim. Kur të bëjnë propozimin do të shohim se cilat do të jenë këto masa, por supozojmë që një vepër e tillë nuk do të mbetet pa përgjigje dhe gjithashtu konsiderojmë që deklarimi apo shpallja e ditës së zisë për vrasjen e policit të Kosovës apo për tre të vrarët të cilët kishin vrarë më herët policin e Kosovës ka qenë diçka e papranueshme dhe është një mesazh, i cili nuk kupton identifikimin e plotë me veprën e bërë dhe kjo është diçka që nuk ka qenë asesi e mirë dhe jam i sigurt që në ditët në vijim, në bazë të analizës së detajuar, pasi duam të jemi tërësisht të informuar mbi atë se çfarë ka ngjarë, do të rrjedhin propozimet në bazë të kësaj çfarë kemi përmendur. Ju faleminderit shumë!
Kryeministri Edi Rama: Dua të shtoj vetëm një element përforcues në këtë që sapo tha Andrej. Çfarëdo të prisnim ne nga hetimi ndërkombëtar konkretisht, që është shumë mirë të bëhet patjetër, që në fund fare mund të japë me gjasë edhe ndonjë element më shumë patjetër, por ndërkohë pa pasur nevojë për një hetim ndërkombëtar, ne kemi faktin që nënvizuam së bashku me kryeministrin.
Kemi krimin, vrasjen e një efektivi të policisë dhe kemi heroizimin e atyre që morën pjesë në këtë vrasje dhe në aspektin kriminalistik policor, hetimi ndërkombëtar mbase sjell dhe ndonjë element plus, por në aspektin politik dhe në aspektin e qëndrimit të një shteti në raport me disa norma dhe me disa vlera të patjetërsueshme të kësaj Europe, të cilës i përkasim dhe në të cilën duam të jemi të gjithë një familje e bashkuar, kjo është qartësisht e mjaftueshme. Madje më shumë sesa e mjaftueshme, që minimalisht e thashë dhe më parë, ato masa të cilat Komisioni mund të marrë pa nevojën e konsensusit mes gjithë vendeve anëtare, që kryeministri e rishpjegoi, të ishin marrë menjëherë dhe duhet të merren pa humbur kohë sepse është në lojë një gjë shumë më e madhe se kaq, fati i një procesi që kërkon në radhë të parë një qëndrim të vijueshëm, të drejtë dhe pa diskutim të shpejtë të vetë Bashkimit Europian që është edhe ura e një dialogu që në asnjë mënyrë nuk duhet të dështojë, por duhet të shkojë përpara.
Kështu që, nuk ka nevojë për hetim ndërkombëtar për t’i hedhur këto hapa. Pastaj hetimi kombëtar, ndërkombëtar mirë se të vijë, sigurisht në rast se e merr përsipër dikush.