Në fshatin Zall-Herr të Tiranës, një tjetër lagje e rilindur pas tërmetit shkatërrimtar, çeli sot dyert e shtëpive të reja, të ngrituara rishtas nga themelet, më të forta e më të sigurta se më parë.
Lagjja e re, e cila do të strehojë 199 familje të zonës, si dhe do të ketë edhe një qendër për shërbime komunitare, duke mundësuar që brezi i ri i këtij komuniteti të rritet me kushte dinjitoze dhe më afër ekosistemit të dijes dhe inovacionit të Tiranës.
Kryeministri Edi Rama iu bashkua këtë pasdite gëzimit të banorëve të Zall Herrit, së bashku me kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj për të inauguruar së bashku hapësirën e denjë, dedikuar këtyre banorëve, vepër e Programit të Rindërtimit, që po e kthen sfidën e tërmeteve nga një fatkeqësi në një potencial transformimi dhe zhvillimi të zonave rurale dhe lagjeve që prekura.
* * *
Mirë se ju gjeta dhe realisht më besoni, është gjithnjë një moment jashtëzakonisht i bukur, në këtë rrugëtim aspak të lehtë të rindërtimit kur vjen ky moment që të dorëzohen shtëpitë sepse është një moment kur realisht e ndjen edhe e prek nga shumë afër sesa e rëndësishme dhe sesa e mirë mund të jetë politika dhe është një moment kur ia bën halllall të gjitha, – jo lodhjen, se lodhja nuk hyn në gjërat që unë të paktën i kam në llogari, se në momentin kur ndjej lodhje s’do ta bëj më këtë dhe s’do dua ta bëj më këtë punë, – por gjithë baltën, gjithë pështymat, gjithë skërmitjet sepse në fund të ditës, ajo që mbetet është vepra, ato që mbeten janë veprat dhe ajo që këtu mbetet pas gjithë kësaj kohe janë dyert e hapura për 199 familje që nga sot kanë një shtëpi që kurrë nuk do të mund ta bënin vetë, një shtëpi shumë më të mirë, shumë më të bukur, shumë më të fortë se ajo që humbën dhe një shtëpi në një komunitet ku nuk janë më të vetmuar nëpër pika të largëta, por janë së bashku, e kanë qendrën komunitare pranë, e kanë shkollën e fëmijëve shumë më pranë, i kanë shërbimet shumë më të afërta dhe mbi të gjitha janë pronarë të shtëpisë të cilën e marrin falas, pa asnjë kredi, pa asnjë detyrim financiar, por me të gjithë shprehinë e solidaritetit tonë për të mbajtur zotimin tonë që askënd nuk do ta lëmë vetëm, në atë moment aq dramatik ku disa fmailje fatkeqësisht humbën edhe të afërmit e tyre, dhe ku dhjetëra e mijëra familje mbetën rrugëve.
Natyrisht tani ju takon juve që ta mirëmbani këtë lagje kaq të bukur, ju takon juve që të mos vini gardhe dhe të mos ziheni për gardhe me njëri –tjetrin, ju takon juve që të mos bëni shtesa siç bëjnë disa të pangopur në mes të Tiranës, por atyre do tua marrim shtesat, do tua marrim katet dhe në të gjithë ato metra katrorë që janë ndërtuar jashtë lejes së miratuar për qëllime fitimi, ne do të strehojmë përsëri familje që janë në nevojë për strehim ose do t’i detyrojmë ata që t’i paguajnë ato metra katrorë, jo me çmimin real, por me indeksim dhe plus edhe gjobën sipër në mënyrë që me paratë që ato do tw paguajnë, pra t’i blejnë vetë, por t’i blejnë aq sa të mos u shkojë më në mend që të bëjnë kate dhe metra katrorë pa leje, ne të paguajmë një pjesë, të atyre që do të shpronësohen tek Unaza e Re.
Gjithmonë mua më ka mësuar kjo rrugë, kur përpiqesh të bësh diçka, duhet të përgatitesh të dëgjosh gjithçka. Nëse s’do të të shajnë, nëse s’do të të mallkojnë, nëse s’do të të akuzojnë mos dil nga shtëpia. Rri brenda! Nëse do që të gjithë të të thonë “Sa burrë i mirë”, as mos fol, as mos lëviz vendit e as mos u duk gjëkundi. Atëherë je burrë shumë i mirë. Je shumë i ndershëm! Je për t’u bërë krushk! Ndërkohë që, nëse merr përsipër të bësh një punë dhe nëse e fillon, për më tepër të përpiqesh t’i ndryshosh gjërat, ka baltë për ty sa të duash.
Kam dëgjuar këto ditë disa që thonë “po ato pallatet nuk u bënë brenda ditës”. Sigurisht nuk u bënë brenda ditës. “Po aty i kishit, apo iu prishën pazaret”. As pallatet nuk bëhen brenda ditës, as kultura e ligjit nuk ndërtohet brenda ditës. Kultura e ligjit nuk është si një pallat që ndërtohet për dy apo tre vjet, apo dhe për katër apo pesë, kërkon kohën e vetë, por kur ne e nisëm këtë rrugë dhe filluam t’i vëmë fre ndërtimeve pa leje, në Tiranë nuk kishte asnjë pallat të vetëm pa shtesa.
Ndërkohë që sot, këto raste flagrante sidoqoftë janë pak. Janë pak dhe janë shumë pak në raport me tërësinë e veprimtarisë që zhvillohet, por janë raste shumë brutale arrogance edhe karshillëku ndaj të gjithëve.
Ne nuk mundet dot që të mos lejojmë e të shembim ndërtime pa leje në fshat apo të njerzve që sidoqoftë nuk i bëjnë për të shitur apo fituar, e ndërkohë të lejojmë që këta pasanikë të jenë pakufi në përpjekjen për të bërë më shumë fitim, duke i rënë në qafë të gjithëve dhe nga ana tjetër nuk ka pazar të prishur se po të ishte për pazar, më besoni, gjysmat e pallateve do ishin gati t’i jepnin thjesht dhe vetëm për të mos përfunduar në kthetrat e këtij operacioni.
Dhe ky është një mësim në fakt për të gjithë ata që duan ta dëgjojnë. Jam i bindur që do të ketë të tjerë që s’duan ta dëgjojnë si gjithmonë.
Ky është një mësim për të gjithë ata që më akuzojnë mua për fitime imagjinare me përqindje e me pjesëmarrje e ortakërira. Sikur unë të isha ortak me këta, s’do kishte ndodhur ky operacion dhe nuk do ndodhin gjëra të tjera që do vijnë më pas për t’i vënë fre përfundimisht këtyre të babëziturve që shtrihen sa në det, sa në rërë, sa në rrugë, sa në mes të kryeqytetit dhe nga ana tjetër është shumë e rëndësishme që të mos e harrojmë që kjo nuk është një histori shqiptare. Për ne është një histori e re dhe në fakt për ne, pavarësisht se tanimë janë bërë 9 vjet që ne përpiqemi është një histori e shkurtër e frenimit. Italia, Spanja, Greqia, Turqia po e po, kanë vuajtur me dekada nga ky fenomen, ndërkohë që ne u plagosëm shumë rëndë sepse faktikisht këtu ky fenomen, jo vetëm nuk u luftua, po u mbështet, u inkurajua, u duartrokit dhe kështu u rritën tmerrësisht kostot e të gjithëve bashkë.
U rritën kostot për shpronësimet, u rritën kostot e humbjeve të pronarëve, u rritën kostot për vetë ata që ndërtuan, u rritën kostot për shoqërinë, u rritën kostot për komunitetet, humbën shumë hapësira e të tjera.
Tani është momenti për t’i vënë vulën përfundimtare të gjithë kësaj rruge, të gjitha këtyre përpjekjeve dhe për ta mbyllur përfundimisht këtë kapitull që të mos ketë ndërtues, të mos ketë investitorë, mos ketë zhvillues që kur të marri lejen, t’i shkojë mendja se mund të bëjë dhe njw, dhe dy, dhe tre, dhe katër kate mbi lejen edhe pastaj do gjejë rrugën për t’i legalizuar.
Nuk do të ketë më kurrë legalizime të këtyre shtesave dhe kateve për qëllime fitimi, kurrë, ashtu sikundër, ne do ta shtrëngojmë akoma më shumë ligjin. Do vendosim kontrolle të detyruara çdo 45 ditë në mënyrë që katet mos hidhen dhe pastaj kur shikohen është vone. Patjetër, ky do të jetë një mësim shumë i mirë për ata që do të dalin të implikuar në këtë histori sepse patjetër që ka qenë e mundur qe disa gjëra të ndalohen.
Por më e rëndësishmja nga të gjitha, ky është një operacion, i cili do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë sepse mund të duket paradox, por Tirana ka problematikën më të vogël në këtë drejtim, ka zona të tjera të vendit qe kane një problematikë më të madhe, në raport me sipërfaqen që kanë dhe nëse ne duam ta çojmë në zero në Tiranë rritjen e volumeve pa leje me qëllim fitimi, mund të duket paradox, por e kemi më të lehtë sepse sasia me të gjithë pjesën e ndërtuar ligjërisht është e vogël. Ndërkohë qe, siç thashë, kur e nisëm ishte marramendëse. Por ka zona të tjera sidomos në bregdet ku ka goxha punë për të bërë dhe ajo që keni parë është vetëm fillimi i një procesi.
Operacioni bregdeti ynë ka filluar përpara sezonit, ka vijuar tani dhe do të vazhdojë e do të shtrihet mbi të gjithë ata qe kanë ndërtuar babëzisht mbi qëllime fitimi. Të njëjtën gjë do bëjmë dhe me hotelet pa leje, të njëjtën gjë do bëjmë me qendrat e biznesit apo hapësirat e biznesit pa leje dhe në të gjithë këto metra katrorë populli do marrë pjesën e vet, patjetër. Është pjesa që i takon si taksa pagues dhe patjetër dhe ata që janë përgjegjës sidomos ata shefa komisariatësh ne zonat e të cilëve është më kollaj të shkosh të kapësh një katundar Tirane si puna ime, mua s’më kanë kapur se e kam ndërtuar 100% sipas lejes, por edhe për një avlli, edhe për një çati të ndryshuar nga halli dhe pa leje, por jo për ta shit edhe jo për të bërë lekë, dhe ndërkohë në zona ku ndërtohen kate apo metra nuk shkon askush, dhe është detyra e Policisë së Shtetit në radhë të parë dhe ajo që është fatkeqësi është dhe unë jam i bindur që hetimi do ta tregojë që janë persona të implikuar dhe me bekim të shefave të komisariatëve dhe ska asnjë mundësi tjetër në botë. Dhe për të kaluar tek një temë e fundit sepse e di që e dëgjoni dhe për këtë çfarë nuk po ju thonë. Por ju, te paktën ju që jeni këtu e keni provën qe ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi. Mund të na ndodhë qe mos e bëjmë aq shpejt sa duam, jo se nuk mundemi ne apo se s’duam ne por sepse ka plot gjëra ta papritura rrugës por ja ku janë faktet këtu. Ju thanë që ‘kurrë nuk do të bëhen shtëpitë’, ja ku janë shtëpitë. Ju thanë që kurrë nuk do jenë falas, ja ku do i merrni, do merrni çelësat do hapni dyert dhe askush s’do ju thotë : Ku e ke faturën që e ke blerë këtë shtëpi dhe do të merrni dhe hipotekën dhe këto shtëpi ju mund ti mbani, mund ti shisni, mund ti jepni me qira, mund ti trashëgoni, janë tuajat. Ju thanë që mos e hani atë kokërr ulliri që të ikni nga cepat e maleve dhe të vini në këto lagjet qe ju premton lali Eri se nuk ka për të ndodhur se këto lagjet do ti ndërtojnë për vete, do bëjnë vila për vete. Ja ku janë vilat por s’janë për askënd tjetër përveçse për ju, njësoj si resortet, si shumë resorte të bëra ne zonën e Golemit ku i kanë bërë ata që kishin shumë lek, ja ku janë këtu dhe ju as nuk keni nxjerrë as nuk keni për të nxjerr lek përveçse për të paguar dritat se aty nuk ka më ku luhet, por i dëgjoni kur t’ju thonë “do t’ju rritet çmimi”
Ata nuk e mbajnë dot fjalën se ka dhe një arsye tjetër se s’kanë gjë në dorë, se e lëshojnë fjalën dhe e lenë fjalën të ikë se as nuk kanë mundësi ta mbajnë e as ka për t’u ardhur dita ta mbajnë fjalën se vetëm fjalën kanë por abuzimi I tyre me fjalën është githmonë e më skandaloz. Del njëri sot edhe thotë “ Edi Rama iu dha 50 milionë euro, po për vete mori 400 milionë”, ka parasysh të ardhurat nga doganat dhe tatimet, por ndërkohë, e para, paketa mbështetese nuk është 50 milionë, por është shumë më tepër se është afatgjatë, nuk është vetëm për një apo dy apo tre muaj, pra riindeksimi i pensioneve do bëhet gjithmonë, nuk bëhet vetëm për disa muaj, po kështu dyfishimi i ndihmës ekonomike për gratë kryefamiljare me dy fëmijë do jetë përgjithmonë, nuk do të jetë vetëm për disa muaj, po kështu rritja e ndihmës ekonomike për familjet që janë për ndihmë ekonomike do jetë përgjithmonë, po kështu rritja përsëri e rrogës minimale do të jetë aty përgjithmonë, dhe me radhë e me radhë, dhe ndërkohë sigurisht që ne kemi mbedhur më shumë të ardhura, por ato të ardhura po përdoren për të mos lejuar që të mos rritet çmimi i energjisë për ju, se juve ju vjen një faturë me çmimin e energjisë 9.5 lekë siç ishte para se të fillonte kriza, ndërkohë që atyre që janë nën ndihmë ekonomike, në familje në nevojë, edhe tek ajo faturë shteti ju subvencionion një pjesë prej vitesh, por fatura e vërtetë, kostoja e vërtetë e energjisë që ju konsumoni nuk është 9.5 lekë për kwh, është 45 lekë, por 96% e shqiptarëve harxhojnë deri në 800 kwh, janë në 4 % dhe janë ata që i kanë vilat sa me vendos 3 nga këto të tuajat njëra mbi tjetrën, kanë edhe pishina, kanë edhe ndriçim në oborr, dhe t’i gëzojnë të gjitha, por ama nuk mundet dot që për çfarë ata konsumojnë mbi 800 KW, të vazhdojë të paguajë çdonjëri nga ju dhe çdo shqiptar tjetër. Ata kanë Tv në çdo dhomë, kanë disa frigoriferë, kanë disa lavatriçe, t’i gëzojnë, por për çdo kWh mbi atë 800-in, do paguajnë 42 lekë, jo 9.5 lekë, jo çmimin që paguajnë të gjithë ata që konsumojnë aq sa plotësojnë të gjitha nevojat, pa kufizime, pa ndërprerje energjie, siç ndodh në Kosovë për shembull që është vendi ynë fqinj, ku ka ndërpreje 6 orë e 8 orë e ku mund të thellohen për arsye sepse ata e kanë të pamundur ta furnizojnë dhe pastaj na thonë shikoni c’bëri Kosova, i dha nga 100 euro. I dha 100 euro, shumë mirë, bravo, por nga ana tjetër, nëse ne do të ndërprisnim energjinë nga 6 e 8 orë do të jepnim më shumë po sigurisht që midis të dyjave, më mirë paguajmë energjinë, për ju, për te gjithë dhe vazhdon jeta normale sesa ndërpresim energjinë. Por ata që janë tek ai 4%, – thashë s’kam asgjë me ta, të gjithë janë ok, shumë mirë, ata konsumojnë thuajse 20% të të gjithë konsumit të familjeve shqiptare, kështu që duke ju kërkuar të paguajnë çdo kilovat/orë mbi 800-in me çmimin real, ne garantojmë sigurisht edhe një kursim, sepse do fillojnë edhe ata t’i fikin dritat, pak më shumë , do të fillojnë dhe ata ta lënë pishininën pa ndriçuar natën kur flenë, e të tjera e të tjera dhe në fund te ditës është shumë e thjeshtë, – jua them juve dhe ua them të gjithë shqiptarëve që dëgjojnë, – merreni faturën e energjisë dhe lexojeni, absolutisht nëse ju banoni në një apartament normal nuk e keni kurrë më shumë se 800 kWh dhe nëse fatura ju thotë se është më pak, atëherë kur të dalin në ekran këta që ju thonë ‘’po ju rritet çmimi i nergjisë’’, merrni masat vetë ça do ju thoni, – bëni kujdes vetëm nxirrini fëmijët jashtë, – se e meritojnë.
E meritojnë 100%, se nuk i futet thika në zemër atij që është në hall, nuk i thuhet ati që iu shemb shtëpia se ty kurrë nuk do të të bëhet shtëpia, nuk i thuhet atij që mezi e nxjerr muajin se ty do të rritet çmimi i energjisë, nuk i thuhet atij që është në hall dhe ka dikë të sëmurë me COVID në atë kohë , që ty pot a vdesin mjekët njëriun e dashur. Këto gjëra nuk i thuhen. Këto gjëra i thonë vetëm ata që kanë një gjuhë që nuk njeh kufi dhe që nuk kanë as fe, nuk kanë as atdhe, nuk kanë as din, nuk kanë as iman. E prandaj janë aty ku janë dhe prandaj do të mbeten aty ku janë. Le t’i thonë lalit çfarë të duan ata, lali këtu është edhe duke ardhur vërdallë nëpër fshatrat e Tiranës e ka kuptuar që sesi ata t’i kthejnë hudhra që të mos ta marrin mësysh pastaj e prandaj është gjithmonë shumë më i buzëqeshur se unë se unë s’e kam gjetur akoma këtë si bëhet.
Ju falenderoj shumë të gjithëve dhe me siguri këtu në gjithë këtë masë njerëzish, ka socialistë, ka demokratë, po siç e shikoni shtëpitë janë njësoj. Nuk ka ca shtëpi më të mëdha, ca më të vogla. Nuk ka ca shtëpi të bëra më mirë dhe ca shtëpi të bëra me hile. Janë të gjitha njësoj si për ata që na kanë dhënë votën, si për ata që nuk na e kanë dhënë votën. Si për ata që do na e japin, si për ata që s’kanë për të na i dhënë prap se janë ca “arra gungse” kur thonë tironsit, që nuk bëhen More bëji çfarë të duash, nuk bëhen. Nuk bëhen mbarë me ta dhënë votën. Ska gjë. Nuk ka gjë. Le mos ta japin, detyra jonë është që të gjithëve t’u japim atë që u takon dhe të gjithë kanë qenë të goditur nga tërmeti, ata që do hyjnë sonte në këto shtëpi, dhe tërmeti nuk i zgjodhi. Hajde po i ndaj veç socialistët me demokratët dhe shohim e bëjmë. I goditi të gjithë njësoj. Dhe të gjithëve njësoj ne po u kthejmë atë që ju takon. Na bëni hallall çdo stres e çdo shqetësim. Do kishim dashur t’i bënim më shpejt, por kush mendon që jemi vonë le të bëjë telefon andej nga Italia se keni dhe plot njerëz në Itali dhe pyetini sa vjet kanë jashtë në Itali ata që kanë humbur shtëpitë nga tërmeti edhe do tju thonë 10, 12, 15 ka ca që i kanë harruar fare. Ata kanë harruar dhe ata vetë që ka rënë tërmeti. 40 vjet. Kështu që, ne s’jemi më të mirët, po më të mirë se ne nuk keni për të gjetur.
Do vazhdojmë të përpiqemi të bëjmë më të mira se e mira s’ka fund, këmi të meta, bëjmë gabime. Ndodhin gjëra rrugës që nuk duhet të ndodhin, por të jeni të sigurt që nuk jemi aspak të kënaqur me veten dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Sigurisht na ndihmon dhe fakti që kur na krahason me ata të tjerët, s’ka krahasim fare kështu që ne vazhdojmë!
Shumë faleminderit!
Dua ta përshëndes edhe Benin që është këtu, i cili nuk është më në krye të njësisë, por i cili realisht ka një virtyt që duhet të jetë virtyti kryesor i çdo njeriu që merret me politikë. Virtyti i çdo njeriu që merret me politikë s’duhet të jetë të flasi bukur, po duhet të jetë të dijë të ndjejë dhimbjen e tjetrit dhe t’i gjendet tjetrit për ta begenisur, për tja qarë hallin edhe kur nuk ja zgjidh dot. E thotë populli: Hallin që s’ma zgjidh, të paktën ma qaj! Këta as të qajnë as hallin. Këta ta bëjnë më keq. Këta të thonë: “S’ke parë gjë hala, do zhytesh fare”, por janë ata që s’kanë parë gjë akoma.
Faleminderit!