Zhvillohet Konferenca e VII Kombëtare për të Drejtën e Informimit

Në kuadër të aktivitetit përmbyllës të javës së integritetit, u zhvillua sot Konferenca e VII Kombëtare për të Drejtën e Informimit, një tryezë e përbashkët mes autoriteteve publike, partnerëve europianë, shoqërisë civile dhe organizatave të medias, për një bilanc vjetor e për problemet që kërkojnë adresim.

Kryeministri Edi Rama i cili ishte i pranishëm në event tha se bazuar në vlerësimet e autoriteteve ndërkombëtare që ndjekin performancën e institucioneve shqiptare, Shqipëria ka tashmë një arkitekturë funksionale dhe të qëndrueshme për transparencën.

 

* * *

Faleminderit shume dhe përshëndetje të gjithëve!

Ndoqa me vëmendje gjithë ecurinë e ndërhyrjeve që u bënë në këtë tryezë të rrumbullakët dhe dua ta nis duke thënë që i kemi ndarë rolet. Roli i një pjese këtu është ta shikojnë gotën gjysmë bosh, roli i një pjese tjetër ku jam edhe unë është ta shikojmë gotën gjysmë plot dhe në këtë dinamikë sigurisht që bëjmë si të thuash komplementaritetin e jetës demokratike.

Duke u nisur nga ndërhyja e fundit e gotës gjysmë bosh, unë do doja të sillja në vëmendje jo opinionin e qeverisë, por opinionin e një autoriteti që unë besoj është i pakontestueshëm për nga kapaciteti profesional dhe për nga integriteti që është Sigma dhe në vlerësimin e Sigmës që gjykon performancën e institucioneve shqiptare nga një distancë e mjaftueshme për të pasur një objektivitet të lartë Shqipëria ka një arkitekturë funksionale dhe të qëndrueshme për transparencën dhe rezultati sipas Sigmës, jo sipas meje është 8.6 nga 10 në kuadrin strategjik dhe institucional dhe 7 nga 9 për funksionim efektiv të Autoritetit Mbikëqyrës të së Drejtës për Informim.

Në ndërkohë që duke iu referuar index-it të transparencës të publikuar së fundmi nga Qendra Kërkimore Europiane për anti-korrupsionin dhe shtetndërtimin, Shqipëria ka bërë një kapërcim për rreth 5 % brenda këtij viti duke kaluar nga 73 % në 78 % në index-in e transparencës, ndërkohë që mesatarja e përgjithshme globale është 62 % dhe ajo rajonale është 69 %, Pra Shqipëria është 10 pikë mbi mesataren rajonale, kjo është gota gjysmë plotë.

Po unë nuk jam këtu natyrisht për të debatuar ose kundërshtuar ato që u thanë, sepse unë besoj që tek ato që u thanë ka arsye të qëndrueshme dhe ka plotë për të dëgjuar edhe për të marrë në konsideratë, sepse pavarësisht progresit të bërë as nuk diskutohet që po të shikojmë më lart, jemi poshtë dhe natyrisht që po të shikojmë sa poshtë ishim, jemi shumë më larg. Mirëpo, kjo e dyta është një burim motivimi për ne që duhet të ngremë vendin më lart, nuk është një argument për ju të gotës gjysmë bosh, që e doni vendin më lart sot, edhe jo nesër, edhe me të drejtë, sepse nuk është detyra juaj ta ngrini gurin, detyra juaj është që thoni ku duhet të shkojë guri.

Në këtë aspekt, duhet të them disa gjëra konkrete.

Së pari, unë jam absolutisht dakord me atë që tha zonja, që qasja e hapur nuk është kërcënim edhe kjo është diçka që e predikoj imtësisht edhe në tryezën e qeverisë, edhe në të gjitha rastet kur flasim për këtë aspekt dhe realisht mendoj që ngurrimi për të ndarë me këdo qoftë që i kërkon informacionet që janë fakte administrative, është absurd dhe vetëm pengon apo dëmton më shumë se sa po themi mbron pasi krijon plus mungesës së informacionit, krijon edhe një sens dyshimi edhe një atmosferë konspiracioni, sikur çfarë ka mbrapa informacioni dhe këtë gjë e kemi diskutuar edhe me komisionerin, kemi pas edhe një mbledhje të përbashkët së fundmi me qeverinë ku e kemi theksuar së bashku edhe me ministren këtu në krahë për të gjithë anëtarët e kabinetit, domosdoshmërinë që të ketë një fokus më të madh në këtë aspekt, sepse është në të mirën e të gjithëve, është edhe në të mirën e institucioneve, është edhe në të mirën e publikut, por është edhe në të mirën e vendit.

Për këtë arsye, ne kemi shtyrë përpara edhe projektin e “Transparent Albania”, që është një projekt shumë ambicioz për të pasur në një territor të vetëm virtual të gjithë informacionin dhe kështu kjo do të lehtësonte shumë ndërveprimet midis gjithë kërkuesve të informacionit edhe institucioneve, pasi do ishte një dritare e vetme, ku institucionet në mënyrë automatike do të duhet të publikojnë gjithë aktivitetin e tyre dokumentar, edhe ku kushdo që do të hyjë në këtë aktivitet dhe të marrin pjesë që interesojnë, mund të hyjë pa kaluar nga kërkesat, refuzimet, zvarritjet etj.

Ka dhe një element tjetër që nuk është justifikim, është fakt që një pjesë e konsiderueshme e gjithë këtyre problematikave që vijnë këtu në formë shifrash nga zonjat lidhet thjeshtë e vetëm me përtacinë burokratike nuk është një barrikadë për të mbajtur informacion, por është një programatikë e funksionimit të brendshëm të mekanizmit të administratës, ku vjen puna tek intensiteti me të cilin vjen kërkesa dhe të intensitetit me të cilin duhet të përgjigjesh. Natyrisht që është kjo është e përmirësueshme, përmirësohet më pak se sa ç’do të prisnin ata që shikojnë gotën gjysmë bosh, por gjithsesi, përmirësohet.

Për të qenë shumë transparent tani se jemi te tryeza e transparencës, unë i kam bërë komisionerit një vërejtje për aq sa mund t’i bëj vërejtje një institucioni të pavarur, që ka një gjë të munguar në veprimtarinë e komisionerit, që është mungesa e sanksioneve për autoritetet më të larta. Ligji është shumë i qartë – 10 ditë është koha për t’u përgjigjur, pavarësisht se 10 ditë mund të jenë shumë për intensitetin me të cilin zhvillohet sot bota e informacionit, ditën e 11 në qoftë se nuk ka përgjigje, ka sanksion apo jo? Kështu thotë ligji dhe duhet sanksionuar autoriteti më i lartë përgjegjës. Ne i kemi kërkuar të gjithë ministrave të bëjnë delegimin e kësaj përgjegjësie tek sekretarët e përgjithshëm, një pjesë e kanë bërë, një pjesë nuk e kanë bërë akoma. Duhet të sanksionohen ministrat, duhet të sanksionohen sekretarët e përgjithshëm në ditën e 11-të. Dhe në qoftë se kjo do të ndodhi në mënyrë të përsëritur disa herë, unë jam i bindur që do të krijohet një ndjesi urgjence e barabartë me urgjencën me të cilën punon sektori i gotës gjysmë bosh. Dhe kështu, gota gjysmë plotë me gotën gjysmë bosh do të kenë një ndërveprim më të shpejtë, besoj unë, por duhen vendosur sanksionet.

Mos harroni që kur e kemi nisur këtë proces qeverisje kishim problem të madh parkimin e paligjshëm të gjithë deputeteve të Kuvendit të Shqipërisë mbi gjithë trotuaret e mundshëm dhe mbi të gjitha lulishtet dhe hapësirat publike rreth e rrotull parlamentit. Ku janë sot? Pse nuk ka asnjë që parkon atje? Sepse u vendosen sanksione. U gjobitën deputetet disa herë me radhe dhe kuptuan që loja e parkimit të paligjshëm mbaroi ose nuk ka më makina ministrash që shkelin semaforin sepse u gjobitën ministrat për shkeljen e semaforit dhe kështu ndamë me shoferet shqetësimin, që shoferët duhet të lëviznin normalisht si gjithë shoferët e tjerë dhe të mos ndiheshin me krahë për faktin që kishin mbrapa një ministër. Dhe sanksionet në këtë rast mbase nuk do kenë të njëjtin efekt çudibërës që patën në dy rastet që përmenda që janë shumë konkrete por do kenë efektin e tyre.

Nuk dua të hyj në të thella se pastaj na thyhet gota nëqoftëse do flas unë në këtë rast për çfarë ka të bëjë me lirinë e shprehjes dhe me këto pretendime të tjera, por dua të them që në ndërkohë ne kemi marrë dhe një angazhim tjetër që tregon të kundërtën e asaj që thuhet nga gota gjysmë bosh, që ta dekriminalizojmë shpifjen për gazetarët. Nuk është se ka pasur ndonjë gazetar të goditur penalisht nga paditë e qeverisë në gjithë këto vite, as nuk ka pasur në fakt padi për gazetaret sepse i kemi ndaluar të gjithë paditë prej shumë vitesh, por kjo nuk shënohet në arsyet për tu ndjerë të lirë dhe për tu ndjerë me krahë të lehtë në punën e gotës gjysmë bosh, gjithsesi ne do ta bëjmë dhe këtë hap tjetër. Një hap që shkon në drejtim të relaksimit të mëtejshëm të situatës së gazetarëve në tërësi edhe pse unë personalisht nuk besoj se këtu problem është liria e shprehjes, këtu problem është në fakt liria e shpifjes, por thashë kjo është temë jo për këtë tryezë dhe nuk dua të thyej gotën tani.

Kështu që shpresoj që i adresova disa gjëra, ka dhe shumë gjëra të tjera natyrisht për të diskutuar në këtë kontekst por dua t’i siguroj të gjithë që ne nuk jemi thjesht në kushtet kur shprehim vullnet, ne jemi në kushtet kur në mënyrë sistematike dhe këmbëngulëse përpiqemi që vullnetin e shprehur ta materializojmë me progres edhe në këtë aspekt, kemi bërë progres të mjaftueshëm sipas meje për të qenë optimist për të bërë më shumë progres, jo të mjaftueshëm për të thënë “shiko se juve po kërkoni qiqra në hell se ne këtu kemi bërë mrekulli”, absolutisht jo.

E përsëris, unë i mirëkuptoj të gjithë ato dhe sinqerisht i mirëkuptoj të gjithë kërkesat dhe ankesat sepse në fund të fundit ju jetoni me këtë punë dhe nuk keni pse të jeni të kënaqur me ne. Ndërkohë që ne e kemi për detyrë të jemi të kënaqur me ju në të gjitha rastet.

Kështu që duke e mbyllur, dua t’i referohem dhe një gjëje që u tha nga zonja në mos gabohem lidhur me teknologjinë dhe me auditueshmërinë. Unë besoj se ka një keqkuptim shumë të madh lidhur me auditueshmerinë, një keqkuptim që e kam parë edhe jashtë “gotës tonë”, kur kam ndjekur komente të ndryshme që janë bërë edhe nga autoritete biles të larta të botës së teknologjisë lidhur me ministren tonë të inteligjencës sonë artificiale. Ndërkohë që fakti është shumë i thjeshtë. Teknologjia në rastin e prokurimeve publike, unë uroj që ne të jemi të suksesshëm në realizimin e projektit, jemi duke punuar me projektin. Teknologjia do të bëjë një përshpejtim eksponencial të procesit dhe do ta bëjë procesin të pandikueshëm nga subjektivizmi në disa hallka të vetat, që nga mbledhja e dokumenteve tek vlerësimi i autenticitetit të dokumenteve, tek vlerësimi në tërësi i gjithë dosjes së ofertuesve, por në çdo rast cilido që do të dojë të riverifikojë procesin manualisht dhe me dokumente, do ketë dokumente në dispozicion. Pra, nuk është diçka që do të ndodhë në një “cloud” dhe do dalë nga “cloud”-i rezultati i padiskutueshëm nga askush. Jo, është një proces digjital që në rast, e përsëris, se projekti do jetë i suksesshëm do të jetë një inovacion teknologjik i jashtëzakonshëm botërisht, jo thjeshtë këtu dhe për këtë arsye ne po punojmë ngushtësisht edhe me Microsoft dhe me ekspertë të tjerë. Atëherë gjithçka do zhvillohet komplet ndryshe ndërkohë që cilido qoftë nga ata që kanë dyshimet e tyre si pjesë e procesit të garës ose si komentatorë të garës, mund të marrin dokumentet dhe të fillojnë të shikojnë në dokumente përputhshmërinë e gjykimit teknologjik me faktet e dokumentuara. Kështu që besoj unë nuk ka asnjë shqetësim lidhur me këtë.

Në ndërkohë që teknologjia është bekimi i madh i kohës për vende si i yni, kur pikërisht pse kemi teknologjinë mund të bëjmë kapërcime epokale, të cilat do të ishin ta pamundura në kushtet e progresit linear tradicional. Ndërkohë që, teknologjia na jep mundësinë që të synojmë gjëra të paimagjinueshme deri dje dhe të kapërcejmë vende të cilat janë shumë përpara nesh në të gjitha drejtimet e tyre. Dhe nëse sot ne për shembull në shërbimet publike, se ky është një element që natyrisht nuk ka se si shihet nga gota gjysmë bosh, por është një ndryshim epokal që ka ndodhur në aspektin e integritetit të shërbimeve dhe transparencës kur 95% e shërbimeve janë online dhe përmbushen online me shpejtësi dhe pa asnjë ndërmjetës dhe pa asnjë burokraci dhe nëse sot për këtë ne jemi në vende shumë më të larta sesa jemi për shumë gjëra të tjera, kjo është sepse na jep mundësinë teknologjia kështu që unë them që me teknologjinë edhe aspektie që lidhen me debate e diskutimin e sotëm janë të adresueshme në mënyrë që ndërveprimi të bëhet shumë më automatik dhe kërkesat që vijnë për informacion të jenë kërkesa që marrin përgjigje automatike përmes informacionit të vendosur në dispozicion në një burim siç është Transparence Albania dhe aty nuk ka nevojë fare as për të futur komisionerin, as për të futur dikë tjetër në lojë për të marrë informacionin, por mund ta aksesosh menjëherë nëpërmjet teknologjisë. Për këtë, natyrisht na duhet të kemi kapacitete që ende nuk i kemi të digjitalizimit dhe të rrjetëzimit të atypëratyshëm të  gjësë që ndodh, pra nëqoftëse gjatë ditës së sotme institucioni prodhon X ndërveprime dhe nga ato X ndërveprime prodhon X rezultate, të gjitha rezultatet që janë të dokumentuara dhe të firmosura nga dikush në atë institucion, futen automatikisht në burim dhe aty pastaj në burim, futet kush të dojë dhe e merr  informacionin dhe kështu nuk hyjmë fare në diskutime a është sekret, a s’është sekret; a është i publikueshëm, a s’është i publikueshëm; a janë të dhëna personale, a s’janë të dhëna personale sepse ndarja bëhet që në burim dhe besoj që 99%  e problematikës të gotës gjysmë bosh zgjidhet dhe pastaj gota gjysmë bosh, kuptohet do vazhdojë jetën e vet dhe do  ngrejë zërin e vet për hapësira ku mungon uji, por në këtë rast, ne jemi këtu për këtë dhe ne nuk kemi asnjë, domethënë nuk ka asnjë arsye për të qenë refuzues. Unë ketë e kam përsëritur vazhdimisht, e përsëris, progresi po ndodh. Duhet më shumë, absolutisht dhe në këtë pikë jemi dakord. Absolutisht. Në këtë pikë harmonia mes gjysmës plot dhe gjysmës bosh është e plotë, të jeni të sigurta dhe të sigurtë kështu që të jeni të sigurtë se ne do bëjmë maksimumin në këtë pikë sepse jo se jemi të mirë po sepse është gjëja e duhur që duhet bërë për punën e përbashkët dhe për vendin.

Kryeministri Rama (pas ndërhyrjes së Komisionerit për të drejtën e Informimit): Nuk e di për ça arsye më “provokon” tani po unë besoj që sanksionet janë aty për t’u zbatuar, për t’u aplikuar. Unë besoj tek sanksionet për hir të së vërtetës sepse natyrisht, ti je më i butë se unë se je nga Lumi i Vlorës, unë jam nga zona më problematike, por besoj te sanksionet sepse në fund të ditës nuk janë aty kot dhe nuk janë aty për të ndenjur aty të pazbatuara dhe unë nuk besoj te auto-rregullimi i shqiptarëve, të them të drejtën; i shqiptarëve, i ballkanasve, i italianëve dhe i grekëve, i gjithë kësaj bote të larmishme plot muzikë edhe plot diell. Unë nuk besoj te auto-rregullimi dhe po i kthehem historisë së medias online. 5 vite më parë apo 6, se tani nuk e di sa, u bë një debat shumë i madh për një propozim shumë herë më modest se çfarë po ‘’gatuhet’’ sot në BE për rregullimin e medias online dhe u bë një nam i zi për lirinë, për demokracinë,. U futëm dhe në analet e disa vendeve strikte-fair në Evropë që na e lanë si gozhdë aty, ligji i medias- ligji i medias, që ne asnjëherë nuk e shtymë në ndonjë proces zbatimi po thjesht ishte një draft ku kërkoheshin disa gjëra shumë elementare; që nga deklarimi i personit apo personave qe janë mbrapa një portali, adresa dhe mundësia për çdokënd që ta dijë se kush  po i lexon librin e shtëpisë, edhe disa gjëra të tjera shumë elementare. Ra ajo gjë dhe u tha ‘’vetërregullimi, autorregullimi do të jetë instrumenti që do të sjellë një nivel tjetër në botën online’’.

Siç e keni parë, jo vetëm nuk ka pasur vetërregullim, por  ka pasur degjenerim të vazhdueshëm, gjithmonë e më të madh. Megjithatë ne hoqëm dorë atëherë dhe nuk kemi ndërmend të vëmë dorë në këtë drejtim, përveçse pasi BE t’i ketë thirrur mendjes vetë plotësisht dhe ta ketë bërë gjënë që duhet ta bënte me kohë, që po tenton tani sepse tani të gjitha vendet e shohin që gjëja po del krejtësisht jashtë kontrollit, që media online, në tërësi flas, është bërë një territor, ku ndërhyjnë edhe forca që janë forca jo miqësore me BE-në, ndërhyhet këtu, ndërhyhet atje dhe normal, nëqoftëse ti ‘’shtëpinë e lë pa dritare, pa dyer, pa çati dhe pretendon që të flesh rehat dhe që askush mos të të hyjë në shtëpi’’, atëherë beson në një botë që s’ekziston, por e përsëris, kjo është një temë që s’është për ne.  Ne nga ana jonë, do të bëjmë diçka që 24 vendet e BE nuk e kanë. Në 24 vende të BE, shpifja dënohet penalisht. Ne do ta heqim aspektin penal për gazetarët, për të gjithë ata që jetojnë me informacionin dhe punojnë me informacion. E di që nuk do të na vihet tek meritat që kemi në raport me lirinë, e kam shumë të qartë këtë, nuk do të na e numëroni asnjëherë si një gjest pozitiv në emër të lirisë, po kjo nuk ka shumë rëndësi sepse detyra juaj nuk është që të njihni meritat tona. Detyra juaj është që të na thoni ne se sa gabim jemi. Jemi ndarë tash, kështu që me gotën gjysmë plot ju uroj gëzuar Vitin e Ri të gjithëve juve dhe të gjithëve që janë në sallë. Më falni për ndërhyrjen e dytë, por më “provokoi” Komisioneri dhe gëzuar!

* * *

“Kazani” është një term që, jo sepse tani ju flisni për saktësi informimi, apo jo? Kazani është një term i vitit 2017, mos gabohem, mirëpo ngaqë ka qenë termi i duhur, ju ka mbetur në mendje dhe ky ka qenë dhe qëllimi, që t’ju mbetet në mendje dhe të mos kemi nevojë t’ua përmendim më, e kupton, kështu që unë s’e kam përmendur më, por ka mbetur në mendje. Dhe po ta pyesësh popullin shqiptar, populli shqiptar e konfirmon dhe sot. Natyrisht që nuk është e gjitha kazan.

Një gjë që do vlente, dhe do vlente kontributi juaj është për formulimin e nenit, ku ne do të bëjmë dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët, jo për politikanët dhe jo për të zgjedhurit. Kush zgjidhet nga populli, duhet të dënohet në qoftë se shpif, kjo është bindja jonë. Ndërkohë që, kush punon për të informuar popullin për ne të zgjedhurit, duhet të shpifë pa u dënuar.