Nënkomiteti mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë për tregtinë, industrinë, doganat dhe tatimet zhvilloi punimet e takimit të 14-të në Tiranë.
Takimi u drejtua nga Zv. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Vasilika Vjero, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të tjerë nga MFE dhe institucioneve të varësisë, ministritë e linjës, Zyra e Kryenegociatorit, misionet diplomatike në Shqipëri dhe Komisioni Europian në Tiranë.
Nënkomiteti mbulon raportimin një vjeçar të palës shqiptare kryesisht për Kapitullin 16 “Tatimet”, Kapitullin 29 “Doganat”, Kapitullin 1 “Lëvizja e lirë e mallrave”; Kapitullin 20 “Ndërmarrjet dhe politikat industriale” dhe Kapitullin 30 “Marrëdhëniet me jashtë”.
Gjatë takimit u raportua dhe diskutua mbi progresin e bërë në fusha të ndryshme, si: lëvizja e lirë e mallrave; legjislacioni mbi pronën; turizmi dhe zhvillimet infrastrukturore; tregtia dhe marrëveshjet për lehtësimin e tregtisë; taksat dhe doganat.
Lidhur me politikat industriale dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, u raportua se për herë të parë qeveria shqiptare ka ofruar një skemë mbështetëse për ekosistemin start-up, ku në programin e qeverisë (2021-2025) parashikohet një fond prej 10 milionë eurosh mbështetje. Po ashtu, sa i përket SME-ve, Ministria e Financave dhe Ekonomisë po finalizon një Marrëveshje ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë për pjesëmarrjen e vendit në Programin e Tregut Unik të Unionit.