Zhvillohet takimi vjetor i Këshillit Koordinues të Diasporës - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Zhvillohet takimi vjetor i Këshillit Koordinues të Diasporës

“Ne ndërtuam një proces, ndërtuam një strategji dhe sot jemi në kushtet kur funksionojmë me një strategji kombëtare të diasporës. Jemi në kushtet kur kemi koordinatorë shtetërorë të diasporës, që ndjekin sektorë dhe fusha të ndryshme. Jemi në kushtet kur kemi një organizim që merr pamjen e vet më kuptimplotë në këtë tryezë, ku diaspora përfaqësohet përmes një këshilli  kombëtar” – u shpreh ndër të tjera, kryeministri në fjalën e tij.

* * *

Mirëmëngjesi dhe në radhë të parë dua t’i uroj mirëseardhjen të gjithë anëtareve të Këshillit Kombëtar të Diasporës, duke i falënderuar sinqerisht për përkushtimin dhe seriozitetin në kryerjen e një misioni vullnetar që faktikisht është një mision i ri, po mund të them me plot gojën ka dhënë rezultate domethënëse.

Ne jemi kthyer së bashku me ministrin mbrëmë shumë vonë nga Brukseli, ku kemi marrë një ndjesi jashtëzakonisht pozitive, jo vetëm për faktin që ndaluam në një tjetër stacion të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian, duke hapur edhe një grup kapitujsh tjetër, por mbi të gjitha për faktin se plani ynë i përbashkët strategjik me Komisionin Europian për t’i përfunduar negociatat për anëtarësim me Bashkimin Europian brenda vitit 2027 dhe për t’i hapur rrugë ratifikimeve të anëtarësimit të Shqipërisë në parlamentet e vendeve e anëtare, ka marrë një mbështetje të plotë, pa asnjë ekuivok nga të gjitha vendet anëtare, çka na bën të besojmë shumë fort se ambicia jonë  për ta ngjitur Shqipërinë e 2030 në atë majë të shumë ëndërruar dhe të shumëpritur për të gjithë kombin tone, është e mbështetur faktikisht, jo thjeshtë në një dëshirë të madhe, por në realitetin objektiv të gjithë kësaj marrëdhënie të re që kemi arritur të krijojmë me Europën dhe të gjithë transformimin që kemi arritur të bëjmë për Shqipërinë në pozicionin e vet ndërkombëtar.

 

Dhe thënë këto, më vjen shumë mirë po ashtu që paralelisht kemi hapur një kapitull të ri edhe në marrëdhënien mes Shqipërisë si vend amë dhe diasporës, diasporës së hershme, diasporës së re. Programi ynë qeverisës i këtij mandati që po shkon drejt përfundimit ka një pjesë të veçantë që i kushtohet Diasporës dhe një kalim i shpejtë i asaj çka është bërë në bazë të atij programi tregon se është hedhur një bazë, mbi të cilën, natyrisht ka shumë akoma për të ndërtuar. Por është e pashmangshme t’ju kujtoj të gjithëve këtu se kur ne morëm detyrën ishte një shkretëtirë në marrëdhëniet mes shtetit dhe diasporës në aspektin e një ngrehine institucionale që mundësonte një marrëdhënie të kanalizuar përmes institucioneve në funksion të mbështetjes së shqiptarëve jashtë atdheut, por dhe në funksion të mundësimit për ta, të shumë shërbimeve për të cilat ata kanë nevojë dhe të cilave shteti duhet t’u japë cilësinë e nevojshme. Dhe akoma më shumë se kaq pikënisja nga ku e ndërmorëm këtë rrugëtim ishte dëshpëruese edhe për faktin e thjeshtë se distanca mes shtetit dhe qytetarëve të tij jashtë vendit, qoftë edhe për gjënë më të vogël ishte shumë e madhe.

Ne faktikisht ndërtuam një proces, ndërtuam një strategji dhe sot jemi në kushtet kur funksionojmë me nje strategji kombëtare të diasporës. Jemi në kushtet kur kemi koordinatorë shtetërorë të diasporës, që ndjekin sektorë dhe fusha të ndryshme. Jemi në kushtet kur kemi një organizim që merr pamjen e vet më kuptimplotë në këtë tryezë, ku diaspora përfaqësohet përmes një këshilli  kombëtar dhe ku siç e tregon dhe përbërja e anëtarëve të këshillit përfaqësohet përmes një mozaiku që mbulon faktikisht edhe nga pikëpamja territoriale nevojën për të patur në këtë organ të lartë, zërin e komuniteteve të ndryshme, sipas shpërndarjes gjeografike të diasporës.

Unë dua ta ritheksoj edhe njëherë që diaspora mbetet një mbështetje e rëndësishme edhe në aspektin drejtëpërdrejtë financiar për vendin dhe jo vetëm kaq, por këtë vit Banka e Shqipërisë ka regjistruar një rritje të konsiderueshme të dërgesave të emigrantëve në euro, të krahasuara me një vit me parë dhe janë afro 100 milionë euro, që janë plus nga 1 vit më parë ku dërgesat më të mëdha natyrisht janë nga Italia, Greqia dhe Shtetet e Bashkuara dhe kjo i bashkohet prurjes domethënëse të të ardhurave të rritjes sonë ekonomike që është si rezultat patjetër i një sërë reformash të rëndësishme, por unë besoj se është mbi të gjithë rezultat i pozicionit të ri politik të Shqipërisë.

Jam shumë krenar për faktin që ne kemi arritur t’u mundësojmë të gjithë shqiptarëve duke filluar nga ata që jetojnë jashtë vendit, atë që e kishin të pamundur deri jo shumë kohë më parë shqiptimin me plot gojën të emrit shqiptar dhe përgjigjen me plot gojën “jam shqiptar” ndaj pyetjes se nga je. Një përgjigje më e thjeshtë dhe më e natyrshmja në këtë botë që shqiptarët e kanë pasur, jo të lehtë ta artikulojnë për shkak shumë paragjykimeve ndaj tyre, por edhe për shkak të mungesës së një sfondi të ofruar nga vendi amë që të mund tu jepte atyre qetësinë, sigurinë dhe krenarinë e të thënit që jam nga Shqipëria. Sot kjo është një fazë dramatike e tejkaluar dhe besoj që kjo është arsyeja më e madhe e krenarisë që ne mund të ndiejmë dhe mund të shprehim me plot gojën, si rezultat i përpjekjes që kemi bërë për ta ri pozicionuar krejtësisht Shqipërinë në arenën ndërkombëtare dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Natyrisht është dashur ca kohë dhe natyrisht është bërë një punë dhe një përpjekje e jashtëzakonshme dhe natyrisht na është dashur edhe ne që ta përjetojmë në një nivel të lartë të marrëdhënieve atë ndjesi të pakëndshme për ta thënë me fjalë të buta që për shumë vite iu ka shkaktuar shqiptarëve vështirmi me një sy nënvlerësues kur ata janë shfaqur si shqiptarë.

Kjo na ka dhënë mundësinë që të ngjitemi edhe në pozicione që do ishin të paimagjinueshme, jo shumë vite më parë, të drejtojmë organizata dhe të marrim përsipër misione të nivelit më të lartë ndërkombëtar, që nga OSBE-ja deri tek Këshilli i Sigurimit. Kjo na ka bërë që të jemi një vend që shihet me simpati kur vjen fjala për organizimin e eventeve ndërkombëtare të përmasave që deri jo shumë vite më parë as nuk do mund të imagjinoheshin se mund të ndodhnin në Shqipëri.

Jo më larg se përpara pak javësh, në Shqipëri, në Tiranë erdhi një mision i NATO-s për të inspektuar kushtet dhe për të dhënë një vlerësim lidhur me sa është e gatshme Shqipëria të mik presë samitin e NATO-s në vitin 2027 dhe përshtypjet e misionit të inspektimit dhe raporti i tyre është i tillë që do të ishte e paimagjinueshme jo shumë vite më parë, që ta lexoje dhe të mendoje që këtu po flitet për Shqipërinë.

Nga ana tjetër jemi sot me kokën lartë përpara gjithë shqiptareve jashtë atdheut edhe për një arsye që tanimë është një mision i përmbyllur të paktën për sa na takon ne, vota e Diasporës. Një mision jo i lehtë për hir të së vërtetës. Një mision që është i lidhur me një vullnet që shkon përtej ndasive partiake dhe që kërkon një votë më të madhe në numër sesa ajo e një shumice qeverisëse. Arsye për të cilën jemi vonuar për një kohë të gjatë, por më në fund dhe unë besoj edhe si rezultat i punës së Këshillit Kombëtar të Diasporës, edhe si rezultat i mobilizimit të zërave në diasporë, u realizua dhe sot jemi në prag të një procesi zgjedhor ku për herë të parë në historinë demokratike të Shqipërisë, qytetarët shqiptarë jashtë vendit do të mund të ushtrojnë të drejtën e votës pa pasur detyrimin që të udhëtojnë drejt Shqipërisë, por thjeshtë duke përdorur postën nga aty ku banojnë. Është një sfidë më vete. Nuk e shoh kryetarin e KQZ, por me siguri do të jetë i pranishëm më tutje për të dhënë dhe ai këndvështrimin e tij teknik mbi vështirësitë e këtij procesi dhe mbi nevojën e mobilizimit të të gjithëve për ta ushtruar atë të drejtë sepse ka një proces që herën e parë është kompleks për të realizuar regjistrimin si votues në diasporë dhe pastaj bëhet shumë më i thjeshtë që nga momenti që personat janë të regjistruar.

Ruajtja e identitetit gjuhësor dhe kulturor është pa diskutim pjesë e misionit tonë si komb, pjesë e misionit tonë si qytetar të vetëdijshëm të këtij vendi dhe patjetër edhe pjesë e misionit tonë si sistem institucional dhe më vjen mirë që edhe në këtë aspekt është bërë një progres inkurajues.

Pa diskutim ka nevojë për tu bërë më shumë. Ashtu sikundër më vjen mirë që kemi bërë hapa kuptimplotë edhe në bashkëpunim edhe me qeverinë e Republikës së Kosovës duke filluar nga unifikimi i Abetares, duke vazhduar me tekstet shkollore me Diasporën, të cilat janë takste të unifikuara, duke punuar për digjitalizimin dhe aksesin falas të të gjithë fëmijëve dhe mësuesve në Diasporë në programet me teknologji të avancuar dhe deri tek shpërndarja e teksteve shkollore.

55 mijë tekste të shpërndarë gjatë këtij viti janë një shifër jo e vogël nëqoftëse do të marrim parasysh se nga jemi nisur por nuk janë një shifër e jashtëzakonshme nëse do të marrim parasysh sesa shumë fëmije ka në Diasporë.

Programi “Mësues për Greqinë” është hapja një kapitull i ri në qasjen ndaj nevojës për mësues të komuniteteve shqiptare në Diasporë. Zyrtarisht të regjistruar, të verifikuar kemi 20 mijë fëmijë që marrin mësim në kurset e gjuhës shqipe që ne ndjekim, por ka shumë kurse të tjera që nuk janë të regjistruara apo për të cilat nuk kemi marrë dijeni dhe përfitoj nga rasti t’i ftoj të gjithë që të bëjnë me dije institucionet lidhur me ekzistencën e kursit përkatës. Kemi krijuar një regjistër të mësuesve në diasporë, i cili pasurohet hap pas hapi dhe një data bazë për studentët, që besoj ka shumë vend për tu përmirësuar.

Një komponent tjetër i harruar i punës dhe i misionit të qeverisë së Republikës së Shqipërisë ka qenë komponenti arbëreshë në Diasporën shqiptare. Një gur domethënës i themeleve të shqiptarisë dhe edhe këtu është bërë një punë e konsiderueshme dhe dua, me këtë rast, të falënderoj kryetarin e Akademisë së Shkencave, profesor Skënder Gjinushin për kontributin që Akademia e Shkencave ka dhënë me shumë përkushtim në mbështetje të kësaj përpjekjeje për të zgjuar lumin e fjetur të marrëdhënies historike me arbëreshët.

Ashtu sikundër, Akademia e Shkencave ka hapur dyert për Diasporën, duke u bërë një shembull shumë pozitiv për tu ndjekur nga të gjitha institucionet në thithjen e kontributeve të shkencëtarëve të Diasporës dhe duke ndërtuar një sistem të ri përfshirjeje të individëve të spikatur në shkencë në vendet e zhvilluara në forumet dhe strukturat e Akademisë së Shkencave. Më vjen shumë mirë që ne mund t’i themi me krenari shqiptarëve në Diasporë që jeta e tyre është lehtësuar në aspektin e shërbimeve konsullore dhe e pajisjes me dokumente e me certifikata e të gjithë ato për të cilat deri përpara disa vitesh, si të gjithë shqiptarët edhe këtu në Shqipëri, por akoma më keq për shkak se nëse këtu në Shqipëri duhet të shkonin të mbanin radhë edhe për të paguar faturën e dritave me çadra, nën shi, të paktën e kishin një vend ku shkonin t’i paguajnë dritat kurse jashtë Shqipërisë nuk kishin as ku shkonin kur nuk ju vinte asnjë përgjigje nga vendi amë.

Sot kemi shërbime të digjitalizuara, platforma e shërbimeve e-albania është në dispozicion të të gjithë shqiptarëve dhe së shpejti, vitin e ardhshëm, do të lançojmë edhe modelin e ri të Inteligjencës Artificiale në këtë platformë dhe Asistenti digjital i platformës që sot është në formën e komunikimit me shkrim do të kthehet në një asistent të gjallë i cili apo e cila, se do ketë dy asistentë kështu që secili do të mund të zgjedhë se me kë nga dy asistentët do të komunikojë, do të kryejë të gjithë procesin e dhënies së shërbimit. Pra, nuk do të jetë më një ndërveprim si ky i sotmi që është një ndërveprim i avancuar që në komunikim asistenti të orienton se çfarë hapash të ndjekësh për të marrë shërbimin, por do të jetë një komunikim direkt me videocall ku në praninë tënde asistenti do ta bëjë për ty shërbimin. Është bekimi i teknologjisë dhe ky do të jetë, në mos asistenti i parë i këtij niveli në Europë, nga të parët.

Në këtë kontekst, dua të tërheq vëmendjen për një ndryshim të rëndësishëm që ka ndodhur në Republikën Federale të Gjermanisë e cila ka hequr dorë nga detyrimi për të pasur nënshtetësi unike dhe ka hapur rrugën për të pasur dy nënshtetësi, gjë që deri dje i ka detyruare shqiptarët në Gjermani që të heqin dorë nga nënshtetësia shqiptare për të marrë nënshtetësinë gjermane. Në kushtet kur ky ndryshim ka ndodhur, ka një numër të konsiderueshëm shqiptarësh që po kërkojnë rimarrjen e nënshtetësisë shqiptare dhe për këtë Ministria e Jashtme dhe Ministria e Brendshme duhet të garantojnë një shërbim të shpejtë, që është më e lehtë ta thuash sesa ta bësh, unë jam shumë i qartë për këtë sepse ndërkohë që flasim për të arriturat, nuk dua që kushdo qoftë të mendojë që unë nuk jam i vetëdijshëm edhe për të mos të arriturat dhe një nga të mos arriturat është shpejtësia e pamjaftueshme, për ta thënë me një fjalë shumë të lehtë, e shërbimit nga qendra. Ministria e Jashtme dhe Ministria e Brendshme, që janë si të thuash në fund dhe jo në fillim të trenit të institucioneve dhe këtu kam parasysh edhe vetë shërbimet konsullore që janë më të shpejta në territor sesa në këtë godinën këtu, ku të them të drejtën edhe pse janë bërë shumë rikonstruksione, sa herë vij më duket sikur në fund të korridorit do më shfaqet përfaqësuesi i ambasadës Sovjetike, si një prani e një burokracie dhe e një kohe kur ritmi ishte tërësisht tjetër.

Ka një gjë këtu dhe mbase duhet të ftojmë edhe këto dijet popullore në Diasporë për të përdorur këto metodat kundër syrit të keq sepse mbase duhet nxjerrë një sy jashtë nga kjo godinë që mund të ketë mbetur në ndonjë cep nga kohërat e shkëmbimeve të letrave me ato kodet sekrete sepse është tamam si të merresh me një kod sekret nganjëherë që flet shqip, dëgjon shqip por diçka e pengon komunikimin. Si puna e përpjekjes për të lehtësuar procesin për marrjen e punonjësve të huaj nga kompanitë ku është bërë një betejë e madhe në qeveri dhe mes institucioneve për të hequr kontaktin sy më sy. Kontakti sy më sy ishte që çdo punonjës i huaj duhej të shkonte tek ambasada Shqiptare më e afër, që i binte ndonjëherë edhe 3000 kilometra për tu parë sy më sy me një punonjës të ambasadës që pasi ta shihte sy më sy këtë personin do thoshte, “Ky mund të shkojë në Shqipëri”. Se çfarë do t’i shihte ai në sy dhe se si ky tjetri me sy do të bindte këtë që në sytë e tij nuk kishte ndonjë ambicie për të vënë ndonjë bombë këtu në Shqipëri, kjo mbetet një mister, por ka qenë një nga betejat më të mëdha për të hequr një rregull, sa për t’i hedhur pak spec sepse Marku e ka qejf specin djegës në ushqim.

Për ta mbyllur, diçka që sot është bërë e zakonshme por faktikisht, kur ne kemi marrë detyrën, ishte edhe ajo e paimagjinueshme, mbështetja që i kemi dhënë Diasporës në aspektin e pensioneve, e njohjes së viteve të punës në vendet ku ata janë. Kur ne kemi marrë detyrën, Shqipëria kishte vetëm një marrëveshje pensionesh, nuk më kujtohet me cilin vend, por me një vend ku nuk di sesa punëtorë mund të kishte.

Sot, ne kemi një numër të madh marrëveshjesh dhe jemi duke negociuar tetë marrëveshje të tjera. Kemi mbyllur marrëveshjen e marrëveshjeve, atë me Italinë që ishte dhe më e vështira për shkak të masës së njerëzve të cilëve i duheshin njohur vitet e punës dhe për shkak të barrës financiare që i shtohej shtetit italian, por barrë financiare legjitime sepse ishin në fakt të gjitha kontribute në sigurimet shoqërore, të shqiptarëve në Itali, dhe kemi dhe marrëveshjen tjetër të marrëveshjeve, që është marrëveshja me Greqinë që është simetrikisht e vështirë, në mos edhe më e vështirë se ajo me Italinë, ndërkohë që po mbyllim dhe po negociojmë marrëveshje me të gjitha vendet ku ka punonjës shqiptarë.

 

Këto janë pak a shumë ato që unë mund të thosha në mënyrë të përmbledhur, por gjithsesi jo shumë të shkurtër, sepse ku tjetër mund të thuhen se përveçse sot dhe përveçse këtu me Këshillin Kombëtar të Diasporës, dhe duke folur për pasaportat shqiptare dhe për nënshtetësinë shqiptare të zyrtarizuar në pasaportë, besoj se ministria e Jashtme do të ‘’lante shumë mëkate” të trashëguara nga koha e asaj hijes që më përndjek mua sa herë futem këtu, nëse të gjithë anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Diasporës, se ndonjë mund dhe ta ketë, unë nuk e di se sa e kanë pasaportën shqiptare, por mendoj që me siguri ka anëtarë të Këshillit Kombëtar të Diasporës që nuk e kanë, duke iu ofruar dhe një kafe me shpenzimet e drejtorisë sovjetike të shërbimeve, ju do t’iu kërkonit butësisht nëse ka nevojë për pasaportën shqiptare, do ishte shumë mirë që të gjithë të ktheheshin në vendet respektive, me premtimin që do të merrnin pasaportën menjëherë vitin e ardhshëm dhe para se të nisen, të lënë dhe shenjat e gishtave këtu,  se pa shenjat e gishtave, nuk e bëjmë dot këtë punë.

 

Previous Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 18 Dhjetor 2024