Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi pa nga afër punën e forcave për shuarjen e zjarrit në masivin pyjor Pishë Poro-Darëzezë. Z.Peleshi e cilësoi këtë një nga vatrat më kritike, që kërkon një punë specifike për izolimin tërësor të saj.
“Kjo është një vatër shumë e vështirë dhe për çudi në fund të sezonit. Nuk është e zakonshme që në këtë periudhë të kemi zjarre. E veçanta është që në këto zona favorizon era, e cila fryn në drejtime të ndryshme, është bimësia që e disavantazhon betejën me këtë vatër. Për momentin vatrat janë të fjetura, por shumë të rrezikshme, pasi mjafton era dhe ato riaktivizohen. Ka forca të shumta nga shumë bashki duke filluar nga Tirana, Dimali, Durrësi, Berati, Vlora. Në total janë 500 trupa, 200 vetëm nga Forcat e Armatosura të angazhuara në total. Janë rreth 30 mjete, trupa zjarrfikëse nga Batalioni i Poshnjes’, u shpreh Ministri Peleshi, i pyetur nga gazetarët.
Ai sqaroi se padyshim puna e efektivë të Forcave të Armatosura është e rëndësishme, por në frontin e parë janë bashkitë. Ai falënderoi Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile dhe Greqinë që iu përgjigjën kërkesës së Agjencisë së Mbrojtjes Civile të Shqipërisë, duke sjellë dy avionë Canadair për ndërhyrje nga ajri në këtë vatër.
“Më e rëndësishme se cdo gjë tjetër është vigjilenca, pranë vatrave të zjarrit, duke ruajtur edhe jetën e trupave tanë. Për fat të mirë nuk kemi zonë të banuar këtu afër. Është një restorant dhe një tjetër në Pishporo, por aty janë stacionuar zjarrfikëse. Kështu që e kemi të garantuar sigurinë e jetës dhe pasurinë e njerëzve. Padyshim edhe natyra është një pasuri e çmuar. Janë bërë dëme. Të shpresojmë që e kemi vendosur përfundimisht nën kontroll”, shtoi Ministri i Mbrojtjes. Z. Peleshi theksoi se i është kërkuar Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile të vazhdojë të mbështesë deri në shuarjen përfundimtare të kësaj vatre.
“Ne kemi kërkuar që Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile, ku vendi ynë është anëtarë me të drejta të plota të vazhdojë të na mbështesë.
Nuk është e vonuar si ndërhyrje. Ne kemi reaguar sapo kemi vlerësuar që duhet ndërhyrje nga ajri. Është krijuar një mentalitet. Sapo shohim një zjarr kërkojmë ku është helikopteri. Por ka zjarre të kësaj natyre, ku më e rëndësishme është puna në tokë e mjeteve zjarrfikëse. Nuk mjafton vetëm hedhja e ujit. Nuk është e vonuar, në kuptimin që na ka munguar. Ne në krye të punës kemi qenë, e kemi kërkuar kur e gjykuam që është e nevojshme”, sqaroi Ministri i Mbrojtjes.