Këshilli i Ministrave miratoi dokumentin udhëzues të politikave për Zonat e Përcaktuara për Akuakulturë (ZPA) në Shqipëri me qëllim zhvillimin e mëtejshëm të akuakulturës.
Ky dokument udhëzues i politikave propozon krijimin e ZPA-ve bazuar në njohuritë më të mira shkencore dhe social-ekonomike të disponueshme, të siguruara nga institucionet përgjegjëse kombëtare. ZPA-të janë zona të përcaktuara gjeografikisht, në të cilat lejohen ose kufizohen të gjitha ose disa aktivitete të akuakulturës për të nxitur zhvillimin e akuakulturës në një zonë specifike. ZPA-ja përfshin zona të veçanta, të caktuara, me qëllim aktivitetin e akuakulturës, së bashku me infrastrukturën në shërbim të saj.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca bëri të ditur se kapaciteti i prodhimit parashikohet të shkojë rreth 30 mijë tonë ose rreth 150 milionë euro vetëm për peshqit.
“Kështu rrisim mundësitë e prodhimit, veçanërisht në det me kosha notues, ku kapaciteti i prodhimit parashikohet të shkojë rreth 30 mijë tonë ose rreth 150 milionë euro vetëm për peshqit”, deklaroi ajo.
Sipas Krifcës, me këtë shtytje të re synohet fuqizimi i sektorit si dhe rritja e punësimit direkt dhe indirekt në të gjithë zinxhirin e vlerës, i cili sjell ekonomi më të mirë për komunitetet e zonave bregdetare dhe më shumë mundësi për shitjen e produkteve të peshkut “Made in Albania” në tregjet e eksportit.
Prodhimi i përgjithshëm nga uji i ëmbël, uji i njelmët dhe mjedisi detar, është rritur në mënyrë të qëndrueshme gjatë viteve të fundit nga 3,450 ton në vitin 2012 në 7985.6 ton në vitin 2022.
