Fjala e Zëvendëskryeministres, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, në forumin “Klima e biznesit, produktiviteti dhe kapitali njerëzor”:
Përshëndetje të gjithëve
Është një kënaqësi sot të jem në një sallë të mbushur me vajza dhe djem të rinj. Kryesisht ne kur ulemi dhe flasim për produktivitetin, kur flasim për biznesin zakonisht kemi përballë nesh biznesmenë, njerëz që drejtojnë sektorin, zhvillimin ekonomik, etj.
Para së gjithash dua të përshëndes dhe të falënderoj koleget e mia, sidomos Milva Ikonomin e cila ka organizuar këtë takim sot, por gjithashtu edhe Delinën, Ministren e Financave, edhe Majlindën Ministren e Integrimit.
Është kënaqësi me të vërtetë që të flasim për një çështje kaq të rëndësishme, në një vend i cili zhvillohet çdo ditë. Në një vend që ka të gjitha mundësitë për të bërë akoma më shumë kështu që ky forum, Kima e Biznesit, Produktiviteti dhe Kapitali Njerëzor vjen në momentin më të duhur, në një moment kur Qeveria Shqiptare ka një fokus shumë të madh tek diskutimi me të gjitha palët e angazhuara dhe të interesuara përsa i përket zhvillimit ekonomik, kapitalit njerëzor në vendin tonë. Prej kohësh, Qeveria Shqiptare, të gjithë Ministritë e përfshira kanë organizuar tryeza të gjera, tryeza për të kuptuar dhe për të adresuar problematikat dhe shqetësimet e sektorit, por nga ana tjetër edhe për ti dhënë zgjidhje një çështje, e cila sinqerisht shqetëson Qeverinë Shqiptare, por jo vetëm Qeverinë Shqiptare, edhe Qeveri të tjera të rajonit, që është çështja e kapitalit njerëzor.
Rritja e produktivitetit në funksion të një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik është një sfidë komplekse që duhet përballuar përmes politikash shtetërore, por edhe bashkëpunimit të ngushtë me biznesin, ashtu siç e thashë. Kjo sepse produktiviteti i një vendi është i lidhur ngushtësisht me klimën e biznesit, nivelin e pagave, krijimin e kushteve sociale, zhvillimin arsimor, atë kulturor e shumë e shumë kritere të tjera.
Nga ana tjetër mbrojtja, rritja dhe kualifikimi i kapitalit njerëzor është bërë e domosdoshme, në kufijtë e emergjencës madje, pasi vetëm përmes trajtimit me seriozitet do të mund të frenojmë zhvendosjen e kapitalit human, e cila siç thashë nuk është vetëm një problematikë e Shqipërisë, pavarësisht se retorika politike e ka theksuar këtë shpeshherë duke dizinformuar njerëzit, shtresat e ndryshme dhe sidomos moshat e ndryshme, duke e përdorur këtë si një instrument politik për të goditur njërën palë apo tjetrën palë dhe duke harruar që ky dizinforimim padyshim i krijon një problematikë shumë të madhe vendit, perceptimit që kanë investitorët e huaj për vendin tonë apo edhe më gjerë.
Ndaj ky forum sot është një mundësi e mirë për të diskutuar, por edhe për të reflektuar se në çfarë pike jemi në Shqipëri përsa u përket politikave dhe masave të Qeverisë. Çfarë kemi bërë dhe ku duhet të ndërhyjmë për të përmirësuar më tej performancën tonë në funksion të rritjes së produktivitetit.
Do ta nis përgjigjen e këtyre pyetjeve nga ajo që mund të konsiderohet si pika më delikate dhe më e shumëpërfolur dhe më e përdorur fatkeqësisht nga politika kohët e fundit që është padyshim kapitali njerëzor.
Një nga vendimet më të rëndësishme të kohëve të fundit të Qeverisë Shqiptare lidhet pikërisht me reformën e thellë që ne parashikojmë të bëjmë përsa i përket sistemit të pagave.
Përveç kësaj reforme synojmë që brenda 2 vitesh paga mesatare në vendin tonë të rritet nga 530 euro në 900 euro. Me këtë rritje paga mesatare bruto, e krahasuar me vendet e tjera të rajonit, do të tejkalojë nivelin e Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe do t’i përafrohet asaj të nivelit të Serbisë dhe të Malit të Zi. Qeveria ka marrë tashmë edhe vendimin për rritjen e pagës bazë minimale mujore për punonjësit në shkallë vendi, në nivelin 40 mijë lekë, e detyrueshme kjo të zbatohet nga çdo punëdhënës vendas apo i huaj.
Për të thënë të drejtën duke qenë se për shkak të detyrës mua më duhet që të jem gjithmonë në terren përveç portofolit të Ministrisë time shpesh herë takoj biznesmenë, takoj të rinj të cilët kanë iniciativa për të zhvilluar sektorin ekonomik kudo në vend dhe kam dëgjuar vetëm fjalë mbështetëse përsa i përket politikës së Qeverisë Shqiptare për të rritur pagën minimale. Unë çdo herë nuk harroj që ti them atyre se ata duhet të jenë të rregullt dhe duhet ta zbatojnë vendimin e Qeverisë për pagën minimale dhe patjetër nuk duhet t’ju shkojë as në mendje që mos të paguajnë sigurimet shoqërore, pasi një nga çështjet që ngrihet gjithmonë është çdo të ndodhë me pensionet. Por ndryshe nga pagat, nga sistemi i pagave për shembull siç është në rastin e administratës e cila mbulohet nga buxheti i shtetit, kur ne përballemi me çështjen e pensioneve, pensionet kanë një problematikë tjetër, pasi fondi i tyre duhet të mbulohet nga fondi i sigurimeve shoqërore i mbledhur ndër vite dhe askush nuk e mohon dot faktin që Shqipëria gjatë një tranzicioni shumë të gjatë, 30 e ca vjeçar ka humbur shumë përsa i përket këtij fondi pasi ka pasur edhe një bashkëpunim të heshtur midis punëdhënësit dhe punëmarrësit shpeshherë për të punuar në të zezë, gjë të cilën ne e ndjejmë sot. E ndjejnë ata që kanë dalë në pension apo ata që po përgatiten për të dalë në pension.
Ndaj shpesh herë Qeverisë Shqiptare i duhet që të adresojë, përmes mitigimit të inflacionit apo dhe bonuseve të ndryshme, ashtu siç ndodhi me taksën e jashtëzakonshme të energjisë që u mblodh përsa i përket vitit 2022, që Qeveria Shqiptare ja akordoi 650 mijë pensionistëve në formën e një bonusi dhe një këst i dytë i këtij bonusi do të jepet në shtator, por të gjitha këto padyshim janë adresime emergjente dhe momentale. Ndaj është shumë e rëndësishme sot që përveç faktit të rritjes së pagës minimale të gjithë punëdhënësit duhet të kenë parasysh që duhet të paguajnë në mënyrë të rregullt edhe sigurimet shoqërore për ti krijuar këtij kapitali human të së ardhmes sigurinë e jetesës së tyre.
Qeveria gjithashtu mori një vendimin për t’u subvencionuar bizneseve koston shtesë të sigurimeve nga rritja e pagës me 40 mijë lekë, për çdo punonjës me pagë minimale. Kjo është një tjetër politikë mbështetëse për biznesin. Kjo lloj mbështetjeje ka një rëndësi të veçantë sidomos për bizneset që kanë një numër të lartë të punësuarish. Ne besojmë se përmes kësaj reforme do të mundësojmë një shpërblim të drejtë, në raport me punën dhe kontributin e gjithsecilit, më shumë të ardhura për familjet, më shumë mirëqenie dhe rritje të konsumit dhe nesër një pension më të sigurt dhe më të lartë.
Por ky është vetëm një nga drejtimet në të cilët është angazhuar Qeveria Shqiptare për të ruajtur kapitalin njerëzor dhe sigurisht që politikat e tona janë shtrirë ndër vite edhe në programet e aftësimit dhe të trajnimit profesional, si mekanizma për të mbajtur dhe zhvilluar kapitalin njerëzor në vendin tonë. Ndërkohë që në vijimësi Qeveria ka pasur një strategji të mirëfilltë për përmirësimin e klimës së biznesit në vend, përmes rritjes së cilësisë së shërbimeve nga njëra anë dhe investimeve në infrastrukturë nga ana tjetër.
Duhet pasur parasysh që i gjithë investimi që ne kemi bërë në dixhitalizmin e shërbimeve tona ka të bëjë me përmirësimin e rritjes së klimës së biznesit pasi transparenca është ajo çka biznesi ka kërkuar gjithmonë nga ne. Transparenca është ajo çka ka kërkuar biznesi i huaj për të investuar në Shqipëri, kështu që i gjithë investimi i Qeverisë Shqiptare që ka ndodhur në dixhitalizmin e shërbimeve padyshim ka ndryshuar ndjeshëm në klimën e biznesit.
Gjithashtu duhet thënë se investimet publike në infrastrukturë, interkonjeksioni dhe interneti i shpejtë janë vlerësuar si mjet për të rritur produktivitetin në Shqipëri, duke kontribuar në përmirësimin e ndërlidhjes dhe lëvizshmërisë brenda vendit dhe asaj rajonale padyshim. Rritjen e aksesit të ndërmarrjeve shqiptare ndaj tregjeve të reja duke rritur efikasitetin e operacioneve të tyre dhe forcuar shkëmbimet tregtare dhe rajonale dhe padyshim duke rritur konkurrencën e drejtë.
Udhëhequr nga Vizioni “Shqipëria 2030” ne po implementojmë strategjinë sektoriale, të cilat kanë në thelb ndërlidhjen e rrjeteve dhe krijimin e nyjeve të integruara infrastrukturore, përmes ndërtimit të portave hyrëse nga toka, deti dhe ajri, konkretizuar me një rrjet infrastrukturor i cili përshkohet nga korridore moderne, me standarde të larta të sigurisë rrugore, ashtu siç duhet të përmend dy nga korridoret më të rëndësishme të cilat tashmë përfshihen edhe në korridorin PAN europian dhe është një nga të rejat që ne presim që të konfirmohet zyrtarisht nga Bashkimi Europian dhe flitet për Korridorin e VIII një korridor ndërlidhje infrastrukturore, por nga ana tjetër edhe një korridor i cili ofron sigurinë pasi lidh detin Adriatik me detin e Zi.
Nga ana tjetër një nga korridoret që duhet përmendur që do të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm në rritjen ekonomike të vendit, në ndërlidhjen e tij dhe atë rajonale është Korridori Blu, i cili lidh Malin e Zi me Shqipërinë dhe më pas me Greqinë, duke nisur nga Kroacia.
Gjithashtu duhet patur parasysh që rrjetet hekurudhore janë infrastruktura e së ardhmes. Qeveria shqiptare e ka prioritet ndërtimin e një rrjeti modern hekurudhor dhe ne i kemi dhënë faktet dhe provat e para, duke nisur ndërtimin e hekurudhës nga Tirana në Portin e ri të Durrësit dhe në qytetin e Durrësit për të vazhduar më pas me lidhjen e Durrësit me Rrogozhinën, Rrogozhinën me Pogradecin dhe daljen në kufirin me Maqedoninë e Veriut.
Gjithashtu duhet të kemi parasysh se ridimensionimi i infrastrukturës portuale, me ndërtimin e një porti modern në zonën e Porto Romanos, i cili do të jetë i lidhur me dy porte të tjera me një port të thatë në Strugë, i cili do ti shërbejë të gjithë Maqedonisë së Veriut dhe me një port të thatë në Prishtinë që i shërben Kosovës është një tjetër risi dhe kolonë mbështetëse për zhvillimin ekonomik shqiptar. Gjithashtu marina të cilat do të shtrihen nga Shëngjini deri në Sarandë do të kontribuojnë ndjeshëm në rritjen e ekonomisë blu, por edhe në rritjen e turizmit në Shqipëri.
Nga ana tjetër duhet thënë se dhe ndërtimi i 3 aeroporteve, pasi kemi tashmë funksional aeroportin ndërkombëtar të Kukësit, aeroportin e Tiranës me parametra totalisht të ri, ku ka një terminal shtesë i cili funksionon prej disa muajsh dhe nga ana tjetër po përgatitet për të ridimensionuar pistën e aeroportit ndërkombëtar të Tiranës kompania e cila menaxhon këtë aeroport dhe për ta kthyer atë në një aeroport të aksessueshëm edhe nga avionët transoqeanik. Por, ndërkohë në Vlorë kantieri po ecën me hapa të shpejtë për të dorëzuar në vitin 2025 aeroportin më të madh në rajon në një pistë 3.2 kilometra, i cili do të jetë ‘hub’ dhe një qendër e shpërndarjes për aviacionin civil në rajonin tonë.
Unë mund të përmend dhe shumë investime të tjera, por nuk kam humbur kurrë rastin pa i thënë dhe pa dashur të përsëritem do të mundohem që ti përmbledh, duke thënë se të gjitha investimet publike të cilat po implementohen sipas një vizioni dhe roadmap-i të qartë për zhvillimin e vendit të lidhura gjithashtu ngushtësisht dhe me mekanizma të bashkëpunimit rajonal, siç është procesi i Berlinit apo Ballkani i Hapur do përmirësojnë ndjeshëm ndërlidhjen rajonale, duke kontribuar në lehtësimin e lidhjes së lëvizshmërisë dhe tregtisë, nxitjes së zhvillimit të modeleve të reja të biznesit, si dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në tërësi.
Paralelisht ne kemi punuar për krijimin e një klime të përshtatshme për biznesin dhe incentivimin e investimeve vendase dhe të huaja. Shqipëria po zbaton një reformë unike dhe mjaft të suksesshme në sistemin e drejtësisë. Një reformë e cila sigurisht nisi vrullshëm nuk mund të themi që nuk ishte e dhimbshme për të gjithë sistemin dhe për ndryshimin e mentalitetit sesi ky sistem funksiononte, por padyshim sot ka dhënë rezultate të prekshme dhe të rëndësishme, të cilat janë të ndjeshme, mjafton që ju të flisni me një investitor të huaj dhe menjëherë do të kuptoni se ata sot ndihen më të sigurtë për të investuar në Shqipëri, duke e ditur që kjo reformë në drejtësi i ka krijuar atyre transparencë dhe barazi në gjykim.
Rritja e besimit dhe përmirësimi i klimës së biznesit me anë të politikave incetivuese dhe dialogut me sektorin privat, rritja e transparencës përmes procedurave konkurruese të hapura dhe transparente kanë tërhequr interesin e kompanive të mëdha dhe me eksperiencë, që tashmë po investojnë në vendin tonë. Por vlerë nuk ka vetëm investimi që ata sjellin, vlerë ka edhe brendi i tyre, emri i tyre. Është diçka që unë e ndjej shpesh. Nëse një kompani e re vjen për të investuar në Shqipëri dhe nëse ti i përmend dhe i thua që juve mund ti referoheni disa kompanive të tjera që operojnë prej kohësh në Shqipëri atëherë është shumë më e lehtë biseda, është shumë më i lehtë negocimi dhe për të thënë të drejtën kompani të cilat prej kohësh operojnë në Shqipëri, ku do të doja të përmendja SHELL-in, Voltalia, Vodafonin dhe shumë e shumë emra të rëndësishëm në tregun ndërkombëtar kanë qenë për ne një partner edhe për të bindur bizneset e huaja të reja për të ardhur në vendin tonë.
Ndërkohë që në vitin 2029 Shqipëria do jetë eksportuesi neto i energjisë për të gjithë rajonin, duke na vendosur kështu në një pozicion tjetër. Deri më sot ne kemi qenë një vend i cili pavarësisht krenarisë që ka për prodhimin e energjisë së gjelbër, nga ana tjetër jemi totalisht në varësi të motit. Përshembull është një kënaqësi për Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë, për Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë, për KESH-in, për OSHEE-në që kemi këto ditë me shi, pavarësisht se ju po prisni që të vijë pranvera. Ne çdo mëngjes zgjohemi me njoftimin sesa ka shkuar niveli në basenin e Fierzës, por kjo nuk mund të vazhdojë përgjithmonë.
Një vend i cili kërkon të zhvillohet nga ana industriale, nga ana ekonomike nuk mund të qëndrojë në varësi të shiut. Kështu që detyrimisht rritja e kapaciteteve, divesifikimi i prodhimeve energjetike në Republikën e Shqipërisë ka qenë do të jetë një prioritet i yni, duke e kthyer këtë vend jo vetëm të pavarur energjetikisht, por nga ana tjetër duke e kthyer edhe në një nga eksportuesit neto të energjisë për të gjithë rajonin.
Për ta mbyllur do të thoja që bashkëbisedimet e hapura që ne i kemi nisur prej kohësh dhe këto takime siç po zhvillojmë sot janë padyshim orientimi më i mirë për qeverinë shqiptare, se ku jemi dhe ku duhet të shkojmë në të ardhmen. Vetëm përmes një dialogu të hapur midis gjithë partnerëve, pasi ne e shikojmë biznesin partner, ne i shikojmë të rinjtë e këtij vendi partner, ne jemi të gjithë bashkë në këtë rrugë pasi siç thotë një miku im i mirë nga Dibra, që mos ta lë dhe sot jashtë këtë gjë, ‘vetmia vetëm Zotit i ka hije’. Të gjithë të tjerët për të arritur çka kanë në plan për të bërë duhet ti bëjnë bashkë.
Kështu që e dashur Milva dhe të gjitha të tjerët që janë në këtë sallë mos e ndalni dialogun. Qeveria shqiptare është e bindur se vetëm përmes dialogut dhe bashkëpunimit ne do t’ia dalim që ta bëjmë këtë vend aq të mirë ashtu siç e meriton.
Faleminderit shumë për vëmendjen!