110 vjet, Policia e Shtetit/13 janar 1913 – 2023
Fjala e zv.ministrit të Brendshëm Andi Mahila në 110-vjetorin e Policisë së Shtetit:
I nderuar Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,
Të nderuar dhe të respektuar veteranë të PSH,
Familjarë të Dëshmorëve të Atdheut nga forcat e PSH,
Të nderuar drejtues dhe përfaqësues të institucioneve vendase e të huaja të akredituara në Tiranë,
Në këtë përvjetor jubilar të krijimit të Policisë së Shtetit, organizmën që përfaqëson një nga institucionet më jetëgjatë të të gjithë strukturës shtetërore, bashkudhëtarja dhe dëshmitarja më kuptimplote e vetë ekzistencës së shtetit shqiptar, kam nderin dhe kënaqësinë t’ju përshëndes në emër të Ministrisë së Brendshme, personalisht të Ministrit Bledi Çuçi, i cili për shkak të vizitës zyrtare në Itali, e pati të pamundur të jetë prezent.
Në jetën e saj 110 vjeçare, Policia e Shtetit ka kaluar edhe ajo në kalvarin e vet që nganjëherë e ka çuar në zgrip të ekzistencës. Duke dhënë deri jetën, ajo ja ka dalë tu mbijetojë rreziqeve, vështirësive, të përballojë sfidat që buronin sa nga humoret e politikës, aq edhe presionet e paligjshmërisë, joshjes përballë korrupsionit e fenomeneve të tjera degraduese për një trupë policore. Pas kaq vitesh, sot kemi rastin të themi se Policia e Shtetit është konsoliduar si një institucion dinjitoz në shërbim të qytetarëve që mbron rendin, qetësinë, jetën dhe pronën e tyre.
Sot, jemi në një etapë të re, shumë më pozitive dhe më premtuese se çdo fazë tjetër të shtetit tonë. Jemi në fazën e integrimit në familjen e madhe europiane. Dhe në këtë rrugëtim, Policia e Shtetit është ndër organizmat më të rëndësishëm, që luan një rol kyç në jetësimin e kësaj ëndrre mbarëkombëtare. Sot është një përvjetor jubilar dhe kemi rastin të bëjmë një bilanc të një historie të mbushur me ngjarje, sakrifica, vështirësi, sfida, arritje apo edhe dështime qoftë etj.
Shërbimi ndaj qytetarëve, është në thelb detyrë parësore e Policisë. Vizioni ynë qeverisës synon të ndërtojë një bashkëpunim sa më të plotë mes qytetarit dhe policisë. Ky vizion modern është sfida jonë e vazhdueshme. Duam të arrijmë sa më shumë të mundemi në një bashkëveprim simbiotik mes policisë dhe shoqërisë qytetare. Jemi të vetëdijshëm për vështirësitë e realizimit të këtij synimi, por kemi besim se me angazhimin e të gjithëve, ky mund të bëhet realitet, më shpejt se sa mendohet.
Programet që kemi adaptuar, disa nga reformat që kemi ndërmarrë dhe risitë teknologjike që kemi implementuar gjatë viteve të fundit, në thelb kanë synuar pikërisht përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarit; shkrirjen e distancës mes këtij të fundit dhe policisë.
Një trupë policore, larg qytetarit, është e destinuar të dështojë. Nga ana tjetër, një shoqëri që e trajton policinë si të huaj, për të mos thënë armiqësore, nuk ka gjasa të jetë një shoqëri funksionale. Besoj se si shoqëri, si shqiptarë, ndajmë të njëjtin vizion për atë që duam të arrijmë dhe që është zhvillimi ekonomik i vendit, integrimi, krijimi i kushteve sa më të mira të jetesës së qytetarëve. Në këtë përpjekje të përbashkët, detyra dhe puna e trupës së Policisë së Shtetit është thelbësore, pasi ajo gjendet në frontin e parë të luftës për mbrojtjen e rendit dhe sigurisë, parandalimin e krimit, sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve.
Që policia të ketë sukses në këto beteja, ajo duhet të veprojë në kushte sa më optimale për t’i përballuar sfidat e dhëna. Ndër kushtet bazike mund të përmendim: burimet njerëzore të profesionalizuara, mirëtrajtimin e tyre, pajisjen me mjete e teknologji moderne. Një polici e fortë, në epokën kibernetike, nuk është gjë tjetër veçse një polici e modernizuar në çdo kuptim.
Pikërisht, për të rritur profesionalisht dhe modernizuar këtë trupë policore, që sot shërben në të gjithë territorin e vendin, në buxhetin e miratuar në parlament për Ministrinë e Brendshme, kemi parashikuar investime në teknologji e pajisje moderne për Policinë e Shtetit, më shumë se çdo herë tjetër në të kaluarën.
Synimi ynë është që luftën për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë ta ngremë në një nivel të panjohur më parë, duke adaptuar inovacionin dhe teknologjinë, për të qenë përpara atyre që shkelin ligjin. Një risi e buxhetit për këtë vit, është rritja e pagave të punonjësve të Policisë së Shtetit që ushtrojnë detyrën e tyre jashtë vendbanimit. Kjo rritje mund ta çojë deri në 150 % pagën e punonjësve me detyrë jashtë vendbanimit. Ne kemi bindjen se përmirësimi i trajtimit financiar, do të shërbejë si nxitje për arritjen e objektivave dhe rezultateve më të larta.
Në lidhje me modernizimin dhe futjen e risive teknologjike, mund t’ju them se investimet në teknologji për vitin 2023, janë mbi 7 herë më shumë sesa 2022, pra se sa një vit më parë.
Këto investime janë bërë, nisur nga bindja se vende të vogla e në zhvillim si Shqipëria, mund të bëjnë kapërcime epokale, në shërbim të qytetarëve, vetëm përmes teknologjisë dhe modernizimit. Investimet në teknologji kanë disa përparësi, ndër të cilat mund të përmendim, shkurtimin e pranisë fizike të punonjësve në terren, pasi tashmë janë pajisjet që do të kryejnë punën, gjatë 24 orëshit; shmangien e plotë të tentativave për korrupsion, pasi pajisjet funksionojnë në një sistem automatik inteligjent, uljen e kostove të përgjithshme dhe në fund të fundit, rritjen e parametrave të sigurisë dhe shërbimit ndaj qytetarëve.
Makinat inteligjente në qarkullimin rrugor, radarët, dronët, tabletat digjitale, do të jenë vlerë e shtuar për Policinë e Shtetit, syri dhe veshi dixhital i trupave policore, për të krijuar ambient më të sigurtë, rrugë më të sigurta. Këtyre risive, këtë vit u shtohen edhe të dhënat që do të mblidhen nëpërmjet satelitëve që janë hedhur në orbitë enkas për monitorimin e territorit të vendit tonë.
Gjithë kjo infrastrukturë njerëzore, e pajisur me mjete të teknologjisë së lartë bashkëkohore do ta minimizojë tërësisht mundësinë për abuzim me detyrën, dhe do ta frenojë korrupsionin. Teknologjia nuk njeh as mik e as shok, nuk pranon ndërhyrje për t’i shpëtuar ligjit. Ose, ai që ndërhyn është lehtësisht i kapshëm dhe i dukshëm.
Nga ana tjetër, krahas investimeve në teknologji, ne do të vijojmë ndërhyrjet në infrastrukturë, përmes rikonstruksionit apo ndërtimit të ndërtesave të komisariateve vendore apo pikave kufitare, për t’i sjellë ato në nivelet bashkëkohore.
Qytetarët meritojnë të marrin shërbime në hapësira dinjitoze, të cilat kanë impakt gjithashtu edhe në cilësinë e shërbimeve që ne ofrojmë. Nga ana tjetër, punonjësit e PSH meritojnë të ushtrojnë detyrën në kushte sa më dinjitoze.
Kemi bindjen se çdo qindarkë e investuar në të mirë të sigurisë publike, është një investim për të sotmen e pa diskutim edhe për të ardhmen e të gjithë ne si shoqëri. Vetëm duke garantuar jetën dhe pronën e qytetarëve, rendin dhe sigurinë publike, mund të sigurojmë progres dhe zhvillim të vendit.
Të nderuar punonjës të Policisë së Shtetit,
Më lejoni ta mbyll këtë fjalë me urimet e mia më të përzemërta për secilin pre jush e në mënyrë të veçantë për familjet tuaja, që janë pjesë e rëndësishme e sakrificës dhe arritjeve tuaja.
Gëzuar 110-vjetorin e krijimit të Policisë së Shtetit!
Urimet më të mira për sukses e rezultate sa më të larta në vitin 2023!