Në një takim për bilancet e sezonit turistik veror 2023, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, pohoi se turizmi ishte kryefjala e vitit dhe kartvizita që po shoqëron kudo Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, diplomatike dhe mediatike. Në takim ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe njëkohësisht zv/kryreministrja Belinda Balluku, ministri i Brendshëm Taulant Balla si dhe kryetarët e bashkive, operatorë të turizmit e përfaqësues të tjerë të sektorit.
Fjala e ministers së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro në analizën e sezonit turistik veror 2023:
Pa dilemë turizmi ishte dhe vazhdon të jetë kryefjala e vitit në Shqipëri, mirëpo ishte dhe është gjithashtu kartëvizita që po shoqëron kudo Shqipërinë tonë në arenën ndërkombëtare, diplomatike dhe mediatike, qoftë kur flitet për turizëm, qoftë kur flitet për politikë, qoftë kur flitet për ekonomi, turizmi është praktikisht fjala që i shoqëron.
Dhe besoj kjo që po ndodh, përtej shifrave, përtej të ardhurave, përtej shpenzimeve, përtej punësimeve është përfitimi më i madh për shqiptarët dhe për vendin tonë, që në dekada, në mos në shekuj, ka vuajtur paragjykimet, perceptimet negative, mosnjohjen, apo pasojat e dëmshme të ngjarjeve me të cilat na pat dënuar Historia me H të madhe si dhe tranzicioni i zgjatur dhe i vështirë.
Në këtë vit, që meriton të quhet pa frikë viti turistik, u krenuam, si me Tiranën që është kthyer në destinacion të mirëfilltë turistik, gjë që nuk ka qenë më përpara, si një lloj laboratori arkitekturor modern, por edhe plot energji rinore, sportive dhe kulturore, po ashtu edhe agroturizmet në Tropojë, në Elbasan, Theth, Tepelenë, Gjirokastër, Ersekë dhe sigurisht me lumin Vjosa në krye, pa përmendur këtu epitetet lavdëronjëse për bregdetin tonë nga mediat e huaja apo për malet.
Thënë kjo, sfida dhe përgjegjësia bëhet edhe më e madhe, sepse pritshmëritë do të jenë shumë më të larta për vitin që vjen, prandaj, kjo do të jetë kryefjala e ardhshme: përgjegjësia për të mos zhgënjyer asnjë turist në vitin 2024.
Dhe tani të kthehemi te shifrat dhe te dukuritë e sezonit veror që po mbyllet. Ndonëse sot jemi në mes të vjeshtës, vazhdojmë të flasim për sezon veror, jo vetëm se temperaturat janë të favorshme, por sipas raportimeve të sektorit privat, dhe flas këtu nën kontrollin e operatorëve turistikë dhe hotelierëve, shtatori ishte i tëri i rezervuar dhe tetori vijon me mbi 70-80% të hotelerisë me prenotime të garantuara.
Po ndaj me ju të dhënat e fundit:
Muaji shtator u mbyll me 1,1 milionë vizitorë të huaj, rreth 30% më shumë se viti i kaluar, ndërsa 9-mujori janar−shtator shënoi plot 8,3 milionë vizitorë të huaj, ose 1,9 milionë vizitorë të huaj më shumë se 9-mujori i vitit të kaluar. Ndërsa kujtoj këtu që në planet tona strategjike të vitit 2019−2020 kishim parashikuar të arrinim 10 milionë në vitin 2030.
Nuk i përmend për t’u krenuar, por për t’u ndërgjegjësuar se kur vendi ynë I vogël 28 mijë kilometra katrorë me 2.8 milionë banorë përshkohet, jetohet, eksperimentohet, udhëtohet, nga gati 5-fishi i popullsisë së qëndrueshme, përgatitja, mobilizimi dhe vëmendja, madje dhe alerti, janë dhe duhet të jenë shumë më lart.
Është njësoj sikur në shtëpinë që kemi dhe ku banojmë 4-5 vetë, të duhet ta hapim e t’u shërbejmë 40 apo 50 vetave dhe jo thjesht për një darkë apo për një dasmë, por, për muaj të tërë.
Ky viti ishte më sfiduesi për sektorin publik dhe privat, sepse në turizëm këta janë të pandarë, jemi të pandarë për të arritur suksesin e dëshiruar nga të gjithë, besoj këtu biem dakord, të Shqipërisë Turistike.
Ajo me të cilën përballen direkt vizitorët është pastërtia në vend.
Pa dyshim Shqipëria është më e pastër se sa 1 vit më parë, dhe shumë më e pastër se sa vite më parë… por jo atje ku duhet të jemi nëse fillojmë të shikojmë ccdo gjë sicc shikojmë shtëpinë tonë brenda derës.
Plani i Pastrimit Kombëtar nuk është ndalur asnjë ditë, Agjencia Kombëtare e Bregdetit iu bashkëngjit këtë vit 6 bashkive bregdetare: Durrës, Kavajë, Rrogozhinë, Vlorë, Himarë, Sarandë
për të pastruar e mirëmbajtur higjienën në plazhet më të frekuentuara duke evaduar tonelata të tëra mbetjesh të gjeneruara nga bizneset, pushuesit, udhëtarët, mbi 93 km linearë.
Po kështu me stafet e ARRSH kemi qenë dhe vazhdojmë, nëpër udhë të jemi në luftë me të paudhë, sepse janë individë që fluturojnë nga makinat mbetjet individuale ose ca më keq shkarkojnë mbetjet e bizneseve poshtë mbikalimeve apo në xhepat e rrugëve ose ku bashkitë nuk kujdesen rregullisht per koshat e vendosura përgjate rrugëve të cilat përshkojnë terriorin e tyre .
Se, për shembull, ndonëse Lezha vijon të jetë një model pastërtie, si në qytet, fshat dhe në pjesën e plazhit për të mbërritur atje, në Shëngjin, te Rana e Hedhun, në Tale, duhet kaluar përmes Fushë-Krujës e Milotit ku bashkia ka ende shumë punë për të bërë që të përmirësojë nivelin e pastërtisë.
E theksoj sepse nuk mund të krenohemi me detin e me natyrën nëse rrugët për në destinacion ato i kthejmë në hotspote plehrash.
Prandaj u jam mirënjohëse personalisht në emër të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, shumë kryetarëve bashkish me të cilët kemi qenë non-stop në komunikim, ditë e natë, për të përballuar një behar të pazakontë dhe do të përmend këtu dy bashki që drejtohen nga dy kryetarë të sapozgjedhur, por që koha e shkurtër në detyrë nuk i pengoi aspak të merrnin menjëherë situatën në dorë:
Saranda që përballoi menjëherë dhjetëfishimin e popullsisë dhe ku pritshmëritë ishin shumë të mëdha, ia doli me sukses të ruante standardin duke u organizuar e duke i ndenjur vetë kryetari punës mbi kokë.
Dhe bashkia e dytë është bashkia e Shkodrës, ku kryetari e gjeti qytetin, plazhin, rrethinat në një situatë shumë të rëndë për sa i përket menaxhimit të mbetjeve dhe ku na u desh të futeshim fillimisht me ushtri, por ku ka ndryshuar tabloja si nata me ditën, falë lidershipit të kryetarit të bashkisë.
Ndërkohë në sezonin e ardhshëm, AKB do ta shtrijë operacionin për “Plazhet e pastra” edhe në bregdetin e Lezhës dhe te Shkodrës, gjatë sezonit të verës ku parashikojmë rritje të flukseve turistike.
Kjo është lufta më e madhe që kemi jo thjesht për mbrojtjen e territorit, por për të përmbysur e ndryshuar mendësitë tona, që nga qytetari më i thjeshtë, deri te polici që duhet të jetë po aq vigjilient ndaj ndotjes sa ndaj çdo krimi tjetër, e më shumë akoma te bizneset që sot janë ndotësit më të mëdhenj, dhe me të cilët digjet i njomi me të thatin. Prandaj mos mbani pastër vetëm hotelin tuaj se nuk ju vlen nëse me mbetjet e biznesit tuaj keni ndotur orë e pa orë rrugën për të ardhur te ju!
Dhe pa dyshim, bashkitë, shërbimet, që e kanë detyrë funksionale jo vetëm të zbrazin koshat por edhe të monitorojnë territorin, të vigjëlojnë! Dhe sidomos të organizohen me kohë me bizneset në territorin e tyre!
Menaxhimi i mbetjeve nuk është thjesht pastrues, makineri, kosha e pika fundore ku zbrazen, ështe më së shumti organizim, komunikim, edukim, ndëshkim! Menaxhimi i mbetjeve ka kosto!!
Kosto financiare per infrastrukturën e lehtë dhe të rëndë, por sidomos kosto organizative, profesionale dhe njerëzore për të ndryshuar sjelljen e secilit prej nesh!
Kur flasim për pastërtinë kemi fituar disa beteja por ende jo luftën.
Dhe për këtë duhet të bëhemi të gjithë bashkë!
Dihet që sezoni veror ka në qendër të aktiviteteve plazhet.
Gjatë gjithë sezonit janë zhvilluar me qindra kontrolle nga institucionet e task forcës, që nga AKB sa i takon respektimit të standardeve në menaxhimin e stacioneve të plazhit,
te njësia speciale e Policisë Kufitare ku hymë në një fazë të re të ligjshmërisë në det, me sportet ujore që duhet të respektojnë rregullat dhe gjithë kriteret e licensimit dhe operimit të mjeteve motorike detare.
Shpesh herë na është dashur të gjobisim, herë të tjera të bllokojmë mjetet e palicensuara, por edhe kjo është pjesë e edukimit dhe arritjes së sigurisë që të gjithë e duam në fund të ditës, në fund të javës, në fund të sezonit.
Prandaj dua t’i them faleminderit Policisë së Shtetit për lartësinë e kryerjes së detyrës gjatë sezonit veror dhe përfitoj nga ky komunikim publik për të njoftuar të gjitha subjektet e turizmit detar që të vijnë pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe të licensohen për aktivitetin e tyre. Vetëm gjashtë të tilla kishim në vitin 2021, por kemi licensuar e kontrolluar mbi 100 operatorë të tillë këtë sezon, dhe askush nuk do të mund të ushtrojë aktivitetin pa plotësuar detyrimet ligjore.
Po ashtu një bashkëpunim shumë të mirë e patëm me Ministrinë e Shëndetësisë përmes hapjes së 30 qendrave shëndetësore verore dhe dhjetëra turistë të huaj, nga Ksamili te Alpet e Thepisura, të ndihmuar dhe të shpëtuar me shumë profesionalizëm nga njësia e URGJENCËS Kombëtare që ishte po aq e shpejtë me makinë, me njerëz, po ashtu edhe me helikopter.
Këtë sezon i dhamë të gjithë vizitorëve një udhërrëfyese të re, një mikeshë në zbulimin e eventeve siç ishte TEA – Kalendari i Unifikuar i Eventeve Turistike – që në vetëm 2 muaj është shkarkuar më shumë se 23 mijë herë.
Ishte një vit i mbarë për këtë inovacion të ri që futëm në fushën e komunikimi turistik, por jemi të angazhuar ta pasurojmë edhe më tej duke nisur që tani, për ta kthyer në një one-stop-shop të informimit turistik si platforma që bashkon shërbimet publike, turoperatorët, bizneset, pushuesit në një hapësirë të vetme virtuale.
Dhe s’mund të lë pa përmendur as vizitorët në zonat e mbrojtura, të cilët janë më shumë se asnjëherë tjetër. Deri në muajn gusht kishim plot 3,2 milionë vizitorë shqiptarë dhe të huaj dhe me qindra mijëra shqiptarë e të huaj që zgjodhën të futen në brendësi të territorit, në parqet natyrore e kombëtare, nga Alpet e Shqipërisë, e deri në Syrin e Kaltër.
Është konkretizimi më i mirë se ekoturizmi nuk është një term që i përket strategjive, por realiteti i pashmangshëm e aq shumë i dëshirueshëm njëkohësisht që na ndihmon ta shtrijmë turizmin jo vetëm në bregdet, por edhe në thellësi të territorit, jo vetëm në verë, por edhe gjatë gjithë vitit.
Dhe përgatitjet për vitin tjetër kanë nisur që tani.
Kryetarët dhe prefektët e bashkive bregdetare e dinë mirë këtë gjë, sepse kemi nisur përgatitjen që në 1 shtator të këtij viti dhe kemi nisur punën për ndarjen e stacioneve të plazheve për vitin 2024, me rregulla edhe më të forta, dhe me kontroll të pandalur në territor, proces që i gjithi do të përfundojë brenda këtij viti!
Kemi gjithashtu tre kantiere shumë të rëndësishme, ku njëri është projektligji i ri për turizmin. Sot në mëngjes është hedhur për konsultim publik dhe qëllimi është t’i përgjigjet sfidave të këtij momenti, duhet të nxisë e të mbështesë sektorin privat, por edhe do të duhet të garantojë konkurrencë të ndershme dhe standartet në turizëm dhe do t’ju jemi mirënjohës përderrisa teksti është tashmë publik të na jepni sugjerime, të jeni pjesë e bashkëhartimit të draftit final, sepse ashtu sikurse kemi hedhur sot për konsultim draftligjin, kemi në përgatitje edhe strategjinë e re e turizmit 2024−20230, puna për të cilën fillon brenda këtij viti dhe në fillim të vitit tjetër do të jemi në tryeza të përbashkëta të konsultimit.
Duke qënë se në sallë janë shumë përfaqësues të sektorit privat, dua t’u them edhe publikisht siç kemi diskutuar gjatë në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit se propozimet e tyre deri tani, dua tj’u siguroj që propozimet e tuaja të dhëna deri tani them se kanë gjetrur reflektim deri tani në tksteet që po prodhojnë por ju lutem të jeni aktivë dhe të na ndihmoni sepse ju jeni përdoruesit më të rëndësishëm bashkë me qeverinë në atë që duam, Shqipëria kampione e turizmit në Balkanin Perëndimor deri në vitin 2030.
Dhe i treti është instrumenti i ri i statistikave që do të ndërtojmë për turizmin sipas meteodologjisë ndërkombëtare të miratuar nga Organizata Botërore e Turizmit, që njihet si Satellite Account of Tourism _SAT, ku ndër të tjera do të garantojë jo vetëm të dhëna të sakta aq të rëndësishme për politikëbërjen por edhe do të ndihmojë në formalizimin e mëtejshëm të tregut përmes deklarimit të të dhënave nga sektori privat në të njëjtën platformë.
Dhe mes bilancit të një vere që na bëri krenarë dhe shumë punëve që po përgatisim për vitin e ardhshëm, dua të ndalem vetëm në disa prej eventeve më të rëndësishme që kemi plainifikuar e që ndikojnë drejtpërdrejtë në promovimin e Shqipërisë:
Muajin janar të vitit 2024 e nisim me pjesëmarrjen në një prej panaireve më të rëndësishme turistike, siç është ai i “FITUR Madrid”, për të shkuar më tej në ITB Berlin në muajin mars, panairi më i madh në botë i turizmit, e për të mikpritur më pas këtu në TIRANË, mbi 40 ministra të turizmit nga i gjithë kontinenti europian në organizimin e Komisionit Europian të Organizatës Botërore të Turizmit, të institucionit më të rëndësishëm të turizmit në botë, që Shqipërinë për të dytin vit radhazi e rendit në krye të listës për flukset turistike.
Një promovim ndërkombëtar fantastik, po aq sa edhe artikujt e kronikat e përgatitura me shumë çiltërs, e theksoj në mënyrë të pavarur dhe me shumë cciltërsi i nga gazetarët e udhëtarët që zgjodhën ta provojnë në vetë të parë se ç’do të thotë të jesh mik në Shqipëri,
me publikime që i tejkalojnë miliona lexues e ndjekës nga “Financial Times” te “La Repubblica”, nga “National Geographic” te “The Guardian”, “New York Times”, “Le Monde”, “BBC” “Financial Time” “Deutche Welle” e plot të tjera që promovuan Shqipërinë bregdetare, Shqipërinë e festivaleve verore, Shqipërinë e ushqimit të shijshëm dhe recetave autentike në agroturizme, Shqipërinë e Parkut të parë kombëtar të lumit të fundit të Egër në Europë, Vjosës, Shqipërinë e alpeve dhe biodiversitetit, Shqipërinë e trashëgimisë kulturore dhe qyteteve UNESCO, Shqipërinë që vjen si një buqetë plot ngjyra sepse çdo gjë që turisti kërkon e gjen në Shqipëri, siç është edhe slogani me të cilin përfaqësohemi ndërkombëtarisht “Albania, All You Need is here”