Viti turistik 2023 shënoi si rrallëherë një rritje spektakolare të numrit të turistëve që zgjodhën të vizitojnë Shqipërinë. Muaji shtator u mbyll me 1,1 milionë vizitorë të huaj, ose rreth 30 % më shumë se viti i kaluar, kurse 9 mujori Janar – Shtator shënoi 8.3 milionë vizitorë të huaj, ose 1,9 milionë vizitorë të huaj më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Për të bërë një bilanc të sezonit turistik veror, më i mbari ndonjëherë për nga flukset e të ardhurave në ekonomi, por edhe me standarde të reja në pastërti, siguri e mikpritje, u zhvillua një takim ndërinstitucional, i cili hap një proces diskutimi që do të vijojë me të gjitha grupet e përfshira në përpjekjen e përbashkët për përmirësimin e standardeve të industrisë së turizmit, për zhvillimin e qëndrueshëm gjithëvjetor.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Kjo sot, më shumë sesa përmbyllja e sezonit turistik veror është hapja e një procesi diskutimi që ne do ta vazhdojmë me të gjitha grupet e përfshira në përpjekjen e përbashkët për ta kthyer Shqipërinë e vitit 2030 në një vend kampion të turizmit në rajonin tonë sepse gjithë çka kemi dëshmuar në këtë sezon është rezultat i një pune këmbëngulëse, i një përpjekjeje të madhe, i një numri të konsiderueshëm faktorësh, por nga ana tjetër është një arritje e cila në asnjë mënyrë nuk duhet të na bëjë që të ndjehemi sikur kemi arritur vërtetë; është vetëm një stacion në një rrugë e cila është ende e përpjetë dhe faktikisht, boom-i turistik i këtij viti, përtej të gjithë efekteve të jashtëzakonshme pozitive na vuri përpara edhe sfida të mprehta që ne duhet të fillojmë t’i adresojmë menjëherë.
Nga ana tjetër, duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm dhe këtu kur them duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm kam parasysh të gjithë nivelet e qeverisjes, por edhe sektorin e sipërmarrjes në turizëm se rreziku që gjithë ky nam i madh dhe i mirë kudo në botë i këtij viti të kthehet në bumerang në vitin në vijim apo në dy-tre vitet në vijim është real dhe mund të kthehet në bumerang nëse ne nuk do jemi të përgatitur për të përballuar një kërkesë që padiskutim do jetë më e madhe vitin e ardhshëm sepse impakti i gjithë këtij pasqyrimi global mediatik të kësaj surprize të quajtur Shqipëri këtë vit, do të rrisë interesin dhe do të sjellë shumë më tepër kërkesë vitin e ardhshëm.
Padiskutim që ne kemi shumë arsye që të jemi krenarë për punën që kemi bërë, kemi shumë arsye që të ndjehemi të shpërblyer për përpjekjen dhe për durimin për t’i ngjitur shkallët nga një pikënisje realisht jo fort inkurajuese dhe nga ana tjetër, kemi përpara nesh edhe shenjat kuptimplota të faktit që ne mund të ndërtojmë një Shqipëri turistike e cila të shtrihet përgjatë 365 ditëve të vitit. Për ta bërë këtë, sigurisht që duhet të jemi shumë të vetëdijshëm se çfarë kemi arritur dhe çfarë ajo që kemi arritur, do të sjellë si sfidë.
Shtatori është mbyllur me 1.1 milionë turistë, vizitorë të huaj. 1.1 milionë vizitorë të huaj që është praktikisht një shifër shumë më e lartë sesa ajo e shtatorit të kaluar ndërkohë që deri në fund të gushtit ne kemi arritur vitin e kaluar komplet me mbi 7 milionë turistë. Nëse edhe tetori dhe nëntori do të ruajnë trendin dhe nëse dhjetori do të jetë, po ashtu, një muaj surprizues pozitivisht në këtë trend, ne mund të arrijmë edhe 10 milionë turistë këtë vit, por ama me siguri, ne këtë vit, në të gjitha rastet do ta prekim tavanin e 9 milionëve, që është një gjë që do duhej një kurajo shumë e madhe për ta thënë vetëm jo shumë vite më parë.
Ashtu sikundër nuk besoj që kanë qenë shumë ata që kanë imagjinuar se mund të ndodhte në këtë kohë relativisht të shkurtër, po të keni parasysh se çfarë trashëgimie të tmerrshme jo 10 apo 20 por shumë më tepër vjeçare kemi pasur mbi kurriz dhe se çfarë imazhi, pavarësisht se në një pjesë të konsiderueshme, të krijuar nga paragjykime të kthyera pastaj në perceptim, kemi pasur përballë si një pengesë për ta kapërcyer.
Ama po t’i marrim një nga një elementët, atëherë shohim se suksesi në turizëm është i lidhur me disa faktorë të thjeshtë, fare të thjeshtë, që ama lidhen me shumë ndërveprime dhe me shumë institucione sepse bukuria magjepsëse e Shqipërisë dhe sidomos larmia e bukurisë së vendit tonë që në një territor shumë të vogël ofron një shumëllojshmëri të shfaqjeve të bukurisë së natyrës, nuk është se u krijua nga ne, ishte aty. Madje më parë ka qenë edhe më e virgjër sesa ç’është sot për shkak të zhvillimit, por që bukuria të vihet në dispozicion të vizionit të krijimit të një industrie turistike, duhen garantuar disa gjëra të tjera sepse që njerëzit të vijnë në një vend për të kaluar pushimet nuk mjafton që t’i tërheqë bukuria e imazheve që ju shfaqen nëpër rrjete sociale, nëpër ekrane e nëpër revista. Në radhë të parë u duhet garancia e sigurisë. Vendi mund të jetë i mahnitshëm. Nëse vendi nuk e jep garancinë e sigurisë, atëherë ndodh siç ndodhte dikur. Këtë vit ne kemi pasur nivelin më të lartë të sigurisë në 30 e kusur vitet e fundit. Minus 40% vrasje krahasuar me vitin e kaluar që ishte viti më i mirë.
Këtë vit Shqipëria i ka befasuar shumë njerëz sepse, jo ne por barometri europian e nxori vendin e fundit në kontinent, jo në Bashkimin Europian, por në kontinent, në kontinentin europian për vjedhje të shtëpive. Vendi i parë kampion, Anglia.
Do ta përsëris për ata që mbase nuk e kanë dëgjuar; disa miq që erdhën dhe më bënë shumë për të qeshur sepse e kishin parë këtë gjë dhe ishin habitur. Kishin pyetur, ishin gazetarë, kishin pyetur këtu, por e keni parasysh se kush ka nge të shajë anglisht edhe në gusht këtu, që “si shpjegohet kjo?”. “Po çfarë do vjedhin këtu, njerëzit nuk kanë bukë për të ngrënë. Prandaj nuk ka vjedhje, se po tu futesh në shtëpi, nuk ka as bukë për të ngrënë, jo më për të vjedhur”. Kishin pyetur dhe në Angli dhe në Angli përgjigja ishte edhe më e jashtëzakonshme, “Po, sepse kanë ardhur shqiptarët këtu prandaj kemi dalë në vend të parë për vjedhje shtëpish”.
Megjithatë, fakti është që jemi të fundit. Pra, siguria nuk është më thjesht një çështje shifrash por është një çështje ndjesie dhe të gjithë ata që mund t’i keni hasur ose mund t’i keni parë që janë intervistuar apo që edhe mund t’i keni dëgjuar personalisht, të huajt që kanë ardhur për herë të parë e shprehnin si diçka që ishte mbresëlënëse. Është vendi shumë i sigurt.
Mua sa më kanë thënë nga ata që kam takuar që, “Kam ecur pas mesnate në Tiranë me gruan. Nuk ndjeva asnjë rrezik”. Ky person që ma thoshte vinte nga Parisi. Një tjetër që thoshte diçka të ngjashme vinte nga një eksperiencë e vjedhjes së orës nga dora në një tjetër qytet europian. Që të mos shqetësojmë ambasadorët që të çojnë raporte sot se ka mbaruar dhe orari zyrtar.
E dyta është pastërtia. Ka qenë Shqipëria gjithmonë po kaq e bukur, madje edhe më e bukur, sepse nuk ka pasur kaq shumë zhvillim, nga pikëpamja e natyrës flas. Mirëpo, ka qenë një vend ku ata që e kanë ndjekur këtë rrugëtim e mbajnë mend me siguri, artikujt e pakët që prodhoheshin nga sezoni turistik, ishin artikuj për papastërtinë dhe publikimet edhe të vetë turistëve, ishin publikime zhgënjimi nga papastërtitë. Ky ka qenë padiskutim siç edhe ne e kemi dëshiruar, sezoni më i pastër turistik se Shqipëria sot dhe çdo vit e më mirë është më e pastër, falë edhe shefes së fshesaxhinjve të Shqipërisë.
Tjetra është aksesi në infrastrukturë që është sot më i mirë se asnjëherë më parë. Hoteleria është pa diskutim sot në një nivel më të mirë se asnjëherë më parë. Më të mirë edhe se vjet, siç ishte vjet më e mirë se parvjet sepse ne kemi një sektor të turizmit ku ka shumë pasion dhe njëkohësisht, një pjesë e operatorëve që udhëheqin sektorin, me shembullin e tyre jo me fjalime si unë apo me vendime që i takojnë qeverisë, janë sot çdo vit e më shumë me më shumë eksperiencë dhe është një eksperiencë që i sjell vendit një impakt që shkon përtej eksperiencës individuale apo të një sipërmarrje sepse reflektohet në mënyrën sesi ajo sipërmarrje zhvillohet dhe shërben. Ka ndodhur këtë vit një fenomen i ri. Jo se ka lindur këtë vit, por këtë vit ka shpërthyer fenomeni i marrjes me qira të apartamenteve dhe shtëpive nga turistët përmes Airbnb. Sot ne kemi miliona e miliona e miliona turistë edhe falë faktit se nuk është më si më parë duke filluar që nga Tirana, një ofertë shumë e kufizuar. Është një ofertë shumë e gjerë që është shtrirë kudo, edhe në zona dhe bashki që nuk janë bregdetare, pikërisht se ka ndodhur një lidhje e shumë proceseve të ndërtuara në drejtime të ndryshme që nga punët e brendshme, te infrastruktura, te turizmi, te mjedisi, te pushteti vendor dhe gjërat kështu të lidhura kanë filluar të krijojnë një impakt sëbashku.
Pastaj, sigurisht të gjitha këto bashkë kanë bërë që edhe bukuria e vendit, larmia e bukurisë së vendit të jetë shumë më e ekspozuar sepse është shumë më e aksesueshme sepse jo vetëm ka infrastrukturë për ta aksesuar dhe infrastrukturë të niveleve të ndryshme, por ka edhe stacione për të qendruar dhe këtu kam parasysh edhe rrjetin e bujtinave që janë krijuar dhe po zhvillohet. Kam parasysh arsyet që janë krijuar për të ndaluar edhe në qytete që nuk janë bregdetare dhe kështu, brenda përbrenda Shqipërisë jo bregdetare janë krijuar destinacione që tërheqin. Deri këtu jemi në rregull.
Tani, cilat janë arsyet pse ne duhet të jemi të shqetësuar dhe cilat janë sfidat? Janë po këto pika. Siguria. Po e filloj prap nga e para.
Kemi nevojë, kemi shumë më nënkontroll përsa i përket aksidenteve rrugore. Edhe ato janë në rënie, por nuk kanë të njëjtën rënie si krimet kundër personit apo kundër pronës. Është një rënie shumë më… pse? Sepse na duhet të investojmë më shumë. Na duhet të fusim shumë më tepër inteligjencën digjitale. Na duhet të fusim shumë më tepër monitorimin me kamera. Na duhet të fusim shumë më tepër edhe energji për të rritur vetëdijen dhe për të edukuar drejtuesit e automjeteve.
Ky është një front që duhet ta kemi shumë mirë parasysh. Pse? Sepse nëse këtë vit duke, pasur këtë numër shumë të madh, e kanë shumë mirë parasysh edhe turistët, edhe drejtuesit vendorë, edhe dikasterët që merren me këtë punë, e ka shumë mirë parasysh edhe Policia e Shtetit se çfarë stresi është menaxhimi i trafikut sot. Po nuk është çështje që zgjidhet thjesht duke thënë këtu duhet një rrugë tjetër, këtu duhet zgjeruar, nuk është kjo.
Spanja, po jap një shembull, ka bërë prej vitesh një program të ngushtimit të rrugëve. Flas për rrugët turistike, nuk flas për autostrada. Pse? Sepse nuk është çështja si ti zgjero, çështja është disiplino se duke zgjeruar dëmton më shumë dhe sjell më shumë probleme nëse nuk ka disiplinë dhe nuk ka edukatë në mënyrën sesi është sjellja me trafikun.
Vijmë te pastërtia. Pse duhet të jemi të shqetësuar? Po, duhet të jemi shumë të shqetësuar. Po e marr nga ujërat e zeza në raport me ujërat larës. Kam mësuar, se çfarë nuk di, do e mësosh, nëse do ta bësh mirë një detyrë dhe po ju prezantoj konceptin e ujërave larës që janë ujërat e detit, ujërat e liqenit, ujërat e lumit të cilat nuk mund dot të preken nga ujërat e zeza dhe kjo nuk mund të jetë një çështje e masterplanit të investimeve për kanalizimet, se është masterplani. As e viteve që duhet për të realizuar masterplanin sepse bëhet fjalë për shuma të mëdha që janë të programuara, por duhen vite dhe as një çështje se si punoi firma filan, si punoi firma “y” apo kush vajti e denoncoi atje firmën filan që pastaj bëri që t’i vijë firmës filan urdhri, që shiko ndalo punimet se ne do merremi pak se ka ardhur një denoncim anonim. Këto janë të gjitha gjëra që do të ndodhin dhe mund të vazhdojnë të ndodhin, pra edhe denoncimet edhe investimet, por ne nuk mundet dot që vitin e ardhshëm të kemi derdhje të ujërave të zeza në det, as në liqenin e Pogradecit. Në asnjë liqen. Si bëhet kjo?! Kjo bëhet duke u thënë shumë qartë jo vetëm me fjalë, por edhe me një akt të menjëhershëm ligjor që ne po bëjmë gati, por edhe me një task forcë që do të ngrihet, të gjithë atyre që kanë hotele, restorante, kafene, pra njësi shërbimi që epoka e gropës septike mbaro. Do investosh për depurimin e ujërave të tua të zeza, jo të tuat por edhe të kolegëve që vijën marrin shërbim se bashkërisht i çoni në gropë. Mbaroi. Është bërë edhe sa studimi kushton, është një kosto e përballueshme. Nuk po them që t’u vëmë kufirin banorëve, familjeve për banesat, shtëpitë që kanë gropa septike sepse kjo do të ishte e padrejtë pasi e para, kostoja për ta do të ishte e paarsyeshme.
E dyta, nuk janë ndotësit më të mëdhenj. Ujërat e kristaltë të ‘Maldiveve të Europës’’ nuk i ndotin ata që banojnë denbabaden në kodër dhe kanë një gropë septike por i ndotin ata që në ballë hotelit i vënë 5 yje dhe nga prapa i lëshojnë komunitetit mbetjet e yjeve. Nuk mund të vazhdojnë. Ky është një element i ujërave të zeza.
Elementi tjetër është që ne na ka dhënë rezultat rritja e kapaciteteve për të përballuar shpërthimin e përkohshëm demografik që i ndodh qyteteve bregdetare të cilat me taksat e tyre dhe me buxhetin e tyre, nuk mund të përballojnë dot shërbimin për një qytet që papritur shumëfishohet. Na ka dhënë rezultat, duhet ta forcojmë. Duhet të përfshijmë brenda edhe Shkodrën, që ka qenë deri dje “republikë e pavarur e papastërtisë’’ dhe që u integrua me republikën socialiste të Shqipërisë. Edhe Lezhën dhe e gjithë vija bregdetare duhet të ketë një sinjergji mes trupave të pastrimit të bashkive dhe trupave shtesë që drejtohen në çdo bashki për të garantuar evadimin e gjithë atyre mbetjeve. Elementi tjetër i zinxhirit janë vendgrumbullimet e mbetjeve dhe po ashtu mbetjet në anë të rrugëve kombëtare. Edhe këtu ne duhet të bëjmë një adresim të saktë bashkërisht me bashkitë kur vjen puna tek evadimi i mbetjeve, që siç ka 2-3 pika që të shkatërrojnë komplet kur i sheh, por s’po i përmend këtu sot për arsye se nuk janë të natyrës “varja”, por janë të një natyre më objektive dhe na duhet ne t’i ndihmojmë bashkitë, që ta zgjidhim këtë pune dhe patjetër pastaj edhe i gjithë zinxhiri që përfundon tek ai koshi i vogël, por unë s’po e përmend më fjalën kosh se u përmend shumë herë këtu nga parafolësja që mbulon këtë taksirat.
Vijmë tek aksesi në infrastrukturë. Këtu është në arsye shumë e madhe për tu shqetësuar përballë sfidave që duhen fituar me shpejtësi dhe kemi të gjitha arsyet të besojmë që mund t’i fitojmë me shpejtësi sepse e para, aksesi në aeroport është zgjeruar dhe do të shumëfishohet me aeroportin e Vlorës. E dyta; aksesi portual është përmirësuar dhe do të zgjerohet me portet turistike, gjithmonë duke pasur parasysh edhe domosdoshmërinë që të kuptohet mirë që portet turistike janë vendimmarrje dhe përgjegjësi e qeverisë dhe nuk ka caktuar as Kushtetuta, as ligji ndonjë institucion tjetër që të gjykojë a duhen, a s’duhen, pse duhen dhe pse s’duhen dhe kur duhen etj, etj dhe natyrisht edhe korridoret.
Puna për korridorin më të rëndësishëm turistik që është Korridori Blu Adriatiko- Jonian ka nisur me segmentin e Thumanë – Kasharit, janë drejt përfundimit marrëveshjet edhe për segmentet e tjera, pra praktikisht vitin e ardhshëm ne do të jemi në kantier për këtë korridor më në fund dhe kështu nga Mali i Zi dhe deri në Vlorë ne do të kemi, flas për bregdetit, një korridor të standardeve evropiane dhe natyrisht do durojmë dhe pak ose do durojnë dhe pak ata që përdorin vazhdimisht dhe sidomos gjatë sezonit të verës që kanë të gjithë të drejtat e botës që të ndjehen të persekutuar, korridorin lart nga Shkodra deri në Fushë-Krujë, por rëndësi ka që kjo është në rruge dhe kjo do të jetë një vlerë e jashtëzakonshme e shtuar.
Kroacia fillon investimin nga ana e vet. Duhet me shpresë që edhe Mali i Zi të bëjnë lidhjen dhe pastaj do të jetë komplet një energji tjetër e shtuar që do të vijë drejt nesh, por ne po flasim këtu për vitin e ardhshëm kështu që ky është thjesht për të dhënë një informacion që ne as nuk po rrimë, as nuk ndihemi mirë ku shohim ngarkesën në aksin Shkodër – Fushë-Krujë, por po punojmë dhe jemi në një fazë shumë të avancuar qoftë në atë anë, qoftë në anën e lidhjes së Kasharit me Rrogozhinën deri poshtë në Fier ku praktikisht do të kemi një infrastrukturë tërësisht të transformuar për të kapur Vlorën dhe pastaj siç e keni parë, tuneli i Llogarasë është në një fazë shumë të avancuar. Shpresojmë se me tunelet e kam mësuar në rrugën e të papriturave, që them gjithmonë ‘’shpresojmë’’, se asnjëherë nuk i dihet gjeologjisë etj etj, megjithëse aty nuk duket se ka probleme, që vera e ardhshme të jetë vera e parë me një tunel dhe funksional, plus keni parë që vazhdojmë dhe segmentin më poshtë për të shtruar dhe një rrugë turistike, jo më autostradë, se këtu është interesante, të kërkojnë autostrada dhe kur shkon për në Lurë , por nuk bëhen autostrada në zona që kanë një tjetër përmbajtje dhe ku shkohet për turizëm, nuk shkohet për të kaluar me shpejtësi si në autostradë.
Dhe hotelieria, e cila ka nevojë të zhvillohet më shumë sepse kjo kërkesë e rritur ka nevojë për hotele më shumë, por dhe këtu do t’i kthehem dhe një herë, që shqetësimi i shqetësimeve është që Shqipëria të mos karakterizohet dhe të mos profilizohet dhe të mos përmbyllet në perceptimin e ri që ka krijuar si një vend i turizmit “low cost”. Ne nuk duam dhe nuk mund të jemi vend i turizmit “low cost”. Ne duhet të jemi një vend ku ka edhe turizëm “low cost”, por ku ka edhe turizëm të nivelit të lartë që sjell konsumatorët e mëdhenj sepse ata sjellin shumë më tepër para për ekonominë tonë. Çfarë sjellin 400 jahte është e barabartë me cfarë sjellin 40 mijë turistë low cost, që të jemi të qartë. Kjo vlen dhe për ata që thonë “Pse këta mbështesin jahtet”. Ne nuk mbështesim jahtet, ne mbështesim ekonominë.
Prandaj duhet të krijohen portet turistike dhe prandaj duhet që Shqipëria të bëhet një vend që të sjellë sa më shumë jahte, të sjellë sa më shumë anije të vogla turistike dhe sa më shumë turistë, të cilët kur prekin tokën, konsumojnë personi 50 herë më shumë sesa njëri që vjen përmes tokës.
Këtu shtoj dhe nevojën që ne të kemi parasysh, ta kenë të gjithë parasysh se ne e kemi shumë mirë parasysh se historia e plazheve turistike vithe në vithe, ku duhet të kalosh mes dy vitheve për të gjetur rrugën drejt detit, është një histori e mbyllur. E rëndësishme shumë për këtë faze, por e mbyllur, sidomos në zonat strategjike ku do të synojmë maksimumin e cilësisë, patjetër uljen e densitetit, rritjen e kapaciteteve hoteliere dhe zhvillimin e një natyre tjetër fshatrash turistikë apo resortesh ku edhe pjesa rezidenciale është në një masë të konsiderueshme e lidhur me hotelin dhe AirBnb është sfida jonë e re. Pse? Sepse është një fluks i madh të ardhurash që deri tani ne kemi qenë të vetëdijshëm që nuk ka shqetësim për shtetin nëse ato para shkojnë direkt tek familjet dhe nuk taksohen, por ama nuk mund të jetë një fluks të ardhurash që rritet dhe ndërkohë mbetet i pataksuar, gjë që është sfidë në vetvete sepse AirBnb është shumë refrektare ndaj vendeve për të dhënë bazën e të dhënave, por ne kemi gjetur rrugët për të hapur një diskutim me ta edhe duke marrë parasysh shembullin e disa vendeve si Kroacia, për shembull, që para 2 vjetësh bënë një marrëveshje me AirBnb edhe tani e kanë sistemuar, por aty do të jemi pak më të ngadaltë për faktin se kemi nevojë t’i lëmë më shumë frymëmarrje familjeve, atyre që vënë në dispozicion shtëpinë apo apartamentin për turizëm edhe për një periudhë të caktuar.
Ama, thembra e Akilit nuk janë muret, nuk janë ndërtesat; është shërbimi dhe krahu i kualifikuar i punës dhe këtu është një sfidë e përbashkët.
Mua më vjen shumë mirë që pagat në industrinë e turizmit janë rritur në mënyrë shumë të ndjeshme. Është një fakt, edhe nga deklarimet që janë bërë në sigurime shoqërore por edhe nga pjesa e padeklaruar sepse kemi një problem ne, meqë i kam këtu një pjesë, kemi një problem ne, që është problem i rritjes dhe është një problem i nevojës që të rritemi edhe më shumë.
Do rritemi bashkërisht, por nuk mund të rriteni vetëm ju dhe shteti të mos rritet. Në ç’kuptim? Në këtë marrëdhënie. Pra, e kemi vënë me shumë bindje ne TVSH 6% për hotelerinë. Më kujtohet atëherë kur Luan Bregasi dhe disa prej jush që ju njoh që kur kishit halle shumë të mëdha në një situatë ku nuk kishte asnjë shans të mendoje se mund të vinte kjo ditë që “Bëje 6% se do të formalizohet, do paguajnë të gjithë”. E bëmë 6% mirëpo lajmi i mirë është që ju keni fituar shumë më tepër dhe lajmi i keq është që ne nuk kemi marrë atë që na takon si shtet në arkën e të ardhurave nga kjo TVSH 6% që na duhet për këto gjërat e tjera sepse depuratorët janë një masë e përkohshme. Por me çfarë do t’i bëjmë deri në fund gjithë infrastrukturat e nevojshme? Me çfarë do t’i shtojmë kapacitetet në të gjitha drejtimet? Me çfarë do të rrisim fondin e trajnimeve profesionale për sektorin? Si do t’i fuqizojmë shkollat profesionale? Me çfarë?
Me të ardhura. Jo se do të na i zgjidhë të gjitha kjo, por kjo është një pjesë e të ardhurave.
Sikundër një pjesë tjetër e të ardhurave është që në Shqipëri këtë vit nuk ka pasur asnjë dhomë bosh, nuk ka pasur. Unë e kam pasur edhe nga eksperienca ime personale me miq që më kanë kërkuar dhomë kudo që të ishte. Nuk ka pasur.
Si shpjegohet që tek ato deklarimet tuaja keni qenë plot me dhoma bosh? Se mirë, dakord, një fundjavë keni sjellë vjehrrën dhe vjehrrin e keni mbajtur një dhomë, një fundjavë tjetër keni sjellë krushqit, ja dhe një fundjavë keni sjellë shokët e fëmijërisë dhe u keni thënë “Hajde futuni në një dhomë se…”.
Prandaj, duhet të përgatiteni që vitin e ardhshëm do të keni një pagë, një referencë. Shteti do të marrë atë që mendon se i takon. Çfarë do marrë mbi, është çështje tjetër, por nën atë nuk ka shans. Një referencë e thjeshtë, jo arbitrare, e krijuar mbi bazën e tregut.
Ne e dimë shumë mirë sesa janë dhomat dhe mjafton të bëjmë një sondazh të thjeshtë profesional nga tatimet dhe kuptojmë shumë mirë sesa shitet një dhomë këtu e sa shitet një dhomë e një dhomë.
Në ndërkohë, deklarimi i çmimeve është jo transparent, duke përfituar edhe nga fakti që me Booking, me këto e ato, bëhen lloj-lloj lojërash.
Vitin e ardhshëm, e para, që ne nuk do pranojmë teori që “Kam pasur dhoma bosh”. Një dhomë bosh për vjehrrin dhe vjehrrën do tua lëmë, por të gjitha të tjerat do t’i paguani, sipas intensitetit të sezonit, kuptohet, jo që në prill, por kur janë plot, janë plot. Kur janë në 10% apo 80%, janë 80%. E dyta, nuk ka shans më që të deklarohen çmime jo reale. Të njëjtën gjë si me ndërtuesit.
Është shumë mirë që sipërmarrja të fitojë dhe ne jemi shumë të kënaqur sepse sa më shumë që sipërmarrja fiton, aq më shumë fiton vendi, aq më shumë fiton edhe shteti, por jo fiton sipërmarrja, vendi fiton për shkak të shërbimeve e të tjerë ndërkohë që Arka e Shtetit lëngon në raport me atë që duhet të marrë. Kjo duhet të jetë shumë e qartë.
Është pjesë e sfidës, është sfidë e përbashkët. Unë e di që ne bashkërisht do ta fitojmë. Unë jam i bindur që ju e kuptoni shumë mirë këtë gjë sepse në fund të ditës, kjo qeveri dhe bashkitë tona e kanë treguar, me të gjitha gabimet e defektet, që ju shërbejnë juve, por ama nevojat janë shumë më të mëdha çdo vit për ju dhe për ata që vijnë.
Këto kisha unë, dhe për ta mbyllur me një notë të lartë optimizmi, unë kam bindjen që ne vitin e ardhshëm do ta çojmë në një shkallë tjetër turizmin në Shqipëri. Kam bindjen që ne do të shtrimë kohën e Shqipërisë turistike në të 12 muajt brenda kësaj dekade, kam bindjen që siç po bëjmë me bregdetin ku e vërteta është që ka filluar historia më përpara sepse dhe investimet kanë filluar më përpara, ato investime që kanë qenë, por kanë filluar më përpara, patjetër do të bëjmë edhe me pjesën malore të Shqipërisë që është një potencial i jashtëzakonshëm dhe shumë ende i pazbuluar, jo për ata që shkojnë për të gjitha ato lloje turizmi që tani kanë marrë shumë hov, po për atë turizmin e konsumatorit të lartë. Për pistat e skive, për resortet shëndetësore, të cilat do t’i japin një impuls shumë më të fortë turizmit tonë në përgjithësi dhe patjetër ekonomisë vendore në ato zona sepse nëse bukuria e Shqipërisë është kaq e larmishme dhe kjo është ajo diçkaja magjike që e bën Shqipërinë atraktive jashtëzakonisht shumë, atëherë edhe turizmi ynë duhet të jetë njësoj, duhet të jetë shumë i larmishëm dhe çdo pjesë e larmie të natyrës duhet t’i përgjigjet një pjesë larmie e ofertës turistike të vendit tonë dhe unë jam i bindur që ne i kemi të gjitha mundësitë dhe mbi të gjitha pasioni dhe eksperienca e fituar na ndihmojnë që këto t’i bëjmë realitet, por së bashku.
Faleminderit!