Dua të ndaj një vendim të rëndësishëm me ju që mori sot qeveria ku miratuam një marrëveshje shumë të rëndësishme kredie me Bankën Ndërkombëtare për Zhvillim dhe Rindërtim, prej 75 milionë eurosh për të investuar gjithë sistemin e pastrimit dhe të pajisjeve dhe impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura të bashkive që lagen nga lumi i Vjosës.
Siç e dimë, lumi i Vjosës tashmë është Park Kombëtar i rëndësisë më të veçantë, park kombëtar i pari dhe i vetmi i lumit të fundit të Egër në Europë, por nuk mund të kemi një park kombëtar të tillë nëse nuk merremi me gjithë sistemin e mirëmbajtjes që nuk është thjesht fauna dhe flora që shohim, por është menaxhimi i të gjithë jetesës të gjithë komuniteteve dhe bashkive të cilat praktikisht lagen nga lumi i Vjosës duke filluar nga Përmeti, Këlcyra, Tepelena, Memaliaj gjithashtu edhe degët, sidomos dega më e rëndësishme që është lumi Drinos-Gjirokastra si bashki, duke përfshirë dhe duke shkuar deri në Selenicë ku kemi dhe një tjetër degë të rëndësishme të këtij lumi që është lumi i Shushicës.
Është një punë e gjatë që kurorëzohet sot, një negociatë shumë e gjatë dhe përgatitje teknike edhe studimore, sepse terreni është i vështirë, janë 480 km vijë lumore në një sipërfaqe zone të mbrojtur prej 12 mijë hektarësh dhe që praktikisht sot për shkak të të gjithë aktivitetit njerëzor rreth e rrotull, qoftë të banorëve apo bizneseve të ndryshme, ujërat e ndotura derdhen në lumin e Vjosës.
Ka një emër karakteristik kjo marrëveshje, është “Deti blu”, pra ekonomia blu për shkak se sigurisht, siç e kemi thënë shumë herë, nga përrenjtë, degët e lumenjve, lumi i madh, gjithçka pastaj derdhet në det.
Pra, është një investim i cili do të menaxhohet nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në një bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, e cila do të jetë edhe agjencia zbatuese e këtij projekti bashkë me të gjitha bashkitë që përmenda, rreth 8 bashki që do të jenë pjesë e projektit me të cilat është punuar në këto dy vite e gjysmë që ka zgjatur gjithë negociata.
Praktikisht, jemi gati mbas miratimit të marrëveshjes sot dhe të ratifikimit në parlament shumë shpejt, të nisë puna për ekzekutimin e një projekti që do të marrë natyrisht disa vite, por është gjë e mirë që nuk është thjesht investim në infrastrukturë, është gjithashtu program asistence për bashkitë, për menaxhimin me një program 3-vjeçar mbasi të mbarojë gjithë investimi dhe program asistence për bizneset që do të orientohen të gjitha drejt ekoturizmit siç e kërkon edhe zona edhe siç tashmë ka filluar zona ta shfrytëzojë gjithë atë pjesë natyrore, por duke pasur parasysh edhe grante në ndihmë të bizneseve të cilat dimensionin mjedisor duhet ta kenë gjithmonë e më të rëndësishëm.
Vjosa nuk mund të jetë më pellgu ku hidhen mbeturinat apo ujërat e ndotura , por duhet të jetë parku me të cilin jemi krenuar, për të cilin është punuar, për të cilin dhe është protestuar dhe që sot, po nuk shoqërohet me investime të kësaj përmase, nuk mund të jetë parku që duam të lëmë trashëgim.