Një vendim po aq i rëndësishëm i mbledhjes së sotme të këshillit të ministrave, lidhet me thellimin e reformës së mëtejshme të ndërmarrë nga qeveria, përsa i përket, sistemit të gjendjes civile në Republikën e Shqipërisë. Dy javë më pare kam qenë përpara jush për të komunikuar, ndryshimet që bëmë dhe shumë shpejt do të mbrojmë në kuvend dhe më pas t’i miratojmë në kuvend, ndryshimet për ligjin në sistemin e adresave.
Përsa i përket shërbimit të gjendjes civile, mund t’ju them se me këto ndryshime të reja, çohet në një nivel tjetër, procesi i digjitalizimit të shërbimeve që ofron gjendja civile, duke shtuar numrin e atyre shërbimeve që ofrohen online. Ajo që ndodh me këto ndryshime është një ndarje, do të thoja shumë e mirë, mes atyre pak shërbimeve që do të mbeten në formën e tyre tradicionale dhe pjesa tjetër, të gjitha ato shërbime që kalojnë online, duke rregulluar disa problematika ligjore, që lidhen me njohjen, qoftë të vulës digjitale apo të vlefshmërisë së paraqitjes së këtyre dokumenteve.
Dua të ndaj me ju, një shifër që është shumë kuptimplotë. Gjatë 2 viteve të fundit nga zyrat e gjendjes civile në Republikën e Shqipërisë, janë lëshuar plot 11.3 milion certifikata digjitale. E përkthyer kjo në vlerë financiare të kursyer nga xhepat e qytetarëve shqiptarë nga këto certifikata, vetëm vlera e tyre që paguhej si shërbim, është 13.2 milion euro. Dhe këtu nuk llogaritet, as koha e humbur nga këta qytetarë që kanë marrë këtë lloj shërbimi dhe kohën e humbur rruga për të shkuar tek zyrat e gjendjes civile, autobusi, makina dhe çdo lloj forme shpenzimi tjetër. Pra biem gjithë dakord që ky revolucion digjital, i ndodhur në shërbimet publike shqiptare, jo vetëm ka kursyer kohë, jo vetëm ka përshpejtuar shërbimet, por ka sjellë kursim të parave nga xhepat e qytetarëve shqiptarë.
Kjo është një arritje e parë dhe ne do ta çojmë më tej këtë shërbim. Tjetra lidhet me një ndërthurje mes asaj që njoftova 2 javë më parë, çështja e adresave.
I drejtohem me përulje por edhe me kërkesë çdo qytetari shqiptar, është detyrim ligjor deklarimi i vendbanimit dhe i vendqëndrimit. Pra çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë, ashtu si çdo qytetar evropian, është i detyruar të njoftojë vendin ku banon ose vendin ku qëndron. Vendi ku qëndron lidhet kryesisht me ata që për një arsye pune, psh një ushtarak, një punonjës policie, banon diku, por për shkak të punës së tij ka një vendqëndrim tjetër. Këtu përsëri i drejtohem qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit. Në ligj ne tashmë, sikurse është e rekomanduar edhe nga direktivat, dokumentet e tjerë të BE, ne e bejmë të detyrueshëm deklarimin e vendbanimit dhe vendqëndrimit.
Shqiptarët që jetojnë jashtë territorit, e kam thënë shpesh herë, por përfitoj edhe nga ky komunikim sot, që ne gjithë këtë proces deklarimi, sikurse edhe ata që jetojnë brenda Shqipërisë, mund ta bëjnë online. Përmes portalit e-albania, në një prej shërbimeve që ofron aty është edhe deklarimi i vendbanimit nga qytetarët që jetojnë jashtë territorit. Ky është një deklarim shumë i thjeshtë, nevojitet vetëm një kopje e një dokumenti që të vërtetojë ose le të themi të tregojë një kontratë shtëpie, mund të jetë një kontratë shërbimi për furnizim me ujë të pijshëm, apo energjie elektrike, kudo që jeton nëpër botë, ku deklarohet që familja X, jeton në këtë adresë Y. Në këtë mënyrë ne do të arrijmë të krijojmë një regjistër të plotë të qytetarëve shqiptarë kudo ku ato jetojnë.
Dua të ndaj me ju, që shifra e deritanishme është një shifër shumë e vogël, krahasuar me atë që do të kisha dëshirë të komunikoja me ju. Janë rreth 14 mijë qytetarë shqiptarë, që jetojnë jashtë territorit, që tashmë e kanë kryer këtë detyrim dhe kujtesa ime është që, ju lutem edhe në funksion të gjithë diskutimeve që bëhen qoftë me votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit, e gjitha të tjerat, nuk mund të ecet përpara nëse nuk kryhet ky detyrim ligjor i deklarimit të vendqëndrimit dhe i vendbanimit. Ka një sërë risish ose zgjidhje problematikash ndryshimet që sjellin në ligjin “Për gjendjen civile”. Dua të informoj në lidhje me një shqetësim që ka ekzistuar edhe nga mediat investigative, psh., lidhur me një fenomen të martesave fiktive, që është ngritur nga pjesa e mediave ose e publikut. Edhe kjo është rregulluar në ndryshimet që kemi sjell në ligj, në mënyrë që të qartësohen. Këtu dua të sqaroj, ka një sërë ankesash që vijnë tek ne nga qytetarët që thonë: psh, përse shërbimi i regjistrimit të lindjes duhet bërë në formën tradicionale përmes prezencës? Përse shërbimi, iu referova lidhjes së martesës, duhet kryer pranë përfaqësuesve të shërbimit të gjendjes civile dhe të njësisë të qeverisjes vendore.
Janë disa shërbime që këtë formë tradicionaliteti e kanë për shkak të verifikimeve që duhen bërë nga punonjësit e gjendjes civile në mënyrë që të parandalohen raste të keqpërdorimit të akteve për qëllime të tjera.
Kështu që në këtë aspekt disa prej këtyre shërbimeve do të vazhdojnë të jenë në formën e tyre tradicionale.
Dhe t’ju them të drejtën nuk gjen një vend që të ketë një lidhje në martesë psh, e cila të zhvillohet në mënyrë online pra përmes aplikimit digjital. Por e vërteta është që Shqipëria është sot jo në Ballkan por një ndër vendet kampione në Europë për sa i përket numrit të shërbimeve online që u ofrohen qytetarëve.
Shifra që ju dhashë vetëm për certifikatat është një shifër shumë e madhe shtuar aty dhe përfitimet që kanë pasur qytetarët sa i përket këtij shërbimi.
Pyetje: Sot një vit më parë, Top Channel u përball me një sulm terrorist ku humbi jetë roja Pal Kola. Në çfarë faze janë hetimet për të zbuluar autorët?
Ministri Balla: Sulmi kundër televizionit kombëtar Top Channel ka qenë dhe mbetet një akt i rëndë, për të cilin Policia e Shtetit që në momentin e parë ka zhvilluar hetime.Ajo që mund të ndaj me ju brenda ruajtjes së sekretit hetimor, është se gjatë javëve të fundit hetimet për këtë ngjarje tepër të rëndë, kanë hyrë në një fazë intensive, dhe ajo që po bën Policia e Shtetit së bashkëveprim me institucionin e prokurorisë, është dokumentimi me prova i personave të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë kriminale, pra i përgjegjësisë penale të personave të përfshirë, dhe zbulimi i mekanizmit i cili ka porositur dhe ekzekutuar këtë ngjarje të rëndë.
Pyetje: Pas arrestimit të kryebashkiakut të Himarës, si do të vazhdojë drejtimi i kësaj bashkie?
Ministri Balla: Ligji për organizimin e qeverisë vendore në Shqipëri përcakton qartë rastet e vakancës, qoftë krijimin e vakancës me dorëheqje apo forma të tjera. Akti i dorëheqjes sapo ka ndodhur. Nga ky moment, brenda 48 orësh, institucioni i prefektit, njofton organet e tjera të qeverisjes qendrore. Të jeni të sigurt, si në çdo rast, qeveria e Shqipërisë do të zbatojë ligjin pikë për pikë.
Pyetje: A ekziston ndonjë vullnet nga shumica socialiste që bashkinë e Himarës ta drejtojë përkohësisht një këshilltar i koalicionit “Bashkë fitojmë” dhe jo një socialist?
Ministri Balla: Unë jam ministër i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë dhe nuk më takon kurrsesi të bëj deklarata të natyrës politike lidhur me vendimmarrjen ekskluzive të këshillit bashkiak të bashkisë Himarë. Ju e dini fare mirë si veprohet kur krijohet vakanca. Këshilli bashkiak komandon në atë detyrë një kryetar i cili të kryejë në mënyrë të përkohshme këtë detyrë. Në këtë aspekt, t’ua lëmë vendimmarrjen institucioneve që u takon me ligj ushtrimi i kësaj vendimmarrjeje. Pra do të ishte e pavend që unë të jepja, qoftë edhe komente mbi këtë vendimmarrje që i takon këshillit bashkiak të bashkisë Himarë.
Pyetje: A do të ketë ndërprerje të shërbimit për emigrantët që nuk kanë deklaruar vendbanimin e tyre dhe a parashikohen gjoba për ta? Dhe pyetja e dytë, mandati i znj. Xhaçka, pse po zvarritet kaq shumë çuarja e mandatit të saj në Gjykatë Kushtetuese dhe a po bëhet PS mburojë e Olta Xhaçkës?
Ministri Balla: Shumë faleminderit për pyetjen e parë. Dua t’ju informoj se bazuar në një ligj të vitit 2016 për deklarimin e adresës së vendbanimit për qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë territorit, – kjo është një detyrim. Edhe pse ka ekzistuar si detyrim prej 2016, fatkeqësisht, vetëm një pjesë shumë e vogël rreth 14 mijë qytetarë shqiptarë që jetojnë jashtë territorit, e kanë respektuar këtë parashikim ligjor të vetëdeklarimit.
Thirrja ime ndaj gjithë bashkatdhetarëve tanë është që vendi amë ka përgjegjësinë të kujdeset për secilin nga vëllezërit e motrat tona, që jetojnë jashtë territorit. Por kjo përkujdesje mund të bëhet vetëm nëse ne e dimë ku janë; kemi një adresë dhe pa dyshim që kemi një regjistër të plotë të secilit prej tyre, ky ata jetojnë.Ligji ka parashikuar që kondicionimin e një pjese të shërbimeve me këtë hap, si një masë për të kërkuar vetëndërgjegjësim të të gjithë atyre që jetojnë në një adresë të cilën nuk e kanë deklaruar. Mos harroni asnjëherë që nuk ekziston sot në Europë asnjë vend që të mos e ketë detyrim deklarimin e vendbanimit dhe vendqëndrimit.Vetëdeklarimi dhe vendqëndrimi, shtuar këtu, me gjithë këtë punë që po bëhet nga shërbimi i gjendjes civile, nga njësitë e qeverisjes qendrore, për sistemin e ri të adresave është një, mënyrë e mirë për t’u larguar përgjithmonë nga kjo histori e tejzgjatur tranzicioni ku në Shqipëri ku adresat jepen me indikacione, “kthehu majtas, te pallati me shigjeta”. Kjo histori duhet të marrë fund dhe për këtë qëllim kemi ndërmarrë këtë reformë të thellë, qoftë të sistemit të adresave, qoftë të sistemit të gjendjes civile, për të ndihmuar jo vetëm qytetarët shqiptarë, e postën shqiptare, por mbi të gjitha, sa kohë që Shqipëria po bëhet një destinacion i rëndësishëm turistik, këtë mos e harroni asnjëherë, e një numër i konsiderueshëm qytetarësh shqiptarë ofrojnë përmes platformave online, si psh Airbnb, apo platforma të tjera, – shtëpitë e tyre për turistët, atëherë kjo është një mënyrë e mirë për të garantuar që çdo qytetar i huaj apo vendas të gjejë një adresë në mënyrë të menjëhershme. Kjo është sa i përket pyetjes së parë.
Sa i përket pyetjes së dytë, unë jua kam thënë që mos më ngatërroni me detyrën e mëparshme. Sa i përket kuvendit të Shqipërisë, kam ndjekur me vëmendje përgjigjen tepër të saktë që ka dhënë Kryetarja e Kuvendit lidhur me këtë rast.
Pyetje: Cili është qëndrimi politik i qeverisë kur një kryebashkiak socialist, tashmë i dorëhequr, është arrestuar dhe akuzohet për shpërdorim detyre?
Ministri Balla: Qëndrimi ynë është i qartë, ne nuk komentojmë asnjëherë vendimet e drejtësisë. Drejtësia ka gjithë mbështetjen tonë për të vijuar dhe çuar përpara në një nivel tjetër madje luftën kundër korrupsionit dhe çdo lloj forme tjetër të shkeljes së ligjit.
Pyetje: Në Fletoren Zyrtare është botuar një vendim i qeverisë, i propozuar nga ju, për marrjen e nënshtetësisë shqiptare, ku përveç fushave të caktuara ka edhe një pikë ku thuhet “për interes kombëtar”. A mund të na shpjegoni çfarë janë këto fusha të interesit kombëtar dhe a është ky një mekanizëm tjetër, ku ju si qeveri u detyruat të tërhiqeni për “pasaportat e arta”?
Ministri Balla: Ajo që kemi bërë përmes vendimit të qeverisë, është transpozimi fjalë për fjalë i parashikimeve të ligjit.Pra, ligji në Republikën e Shqipërisë sa i përket dhënies së shtetësisë, parashikon edhe të drejtën e qeverisë apo Presidentit të Republikës, që në vlerësim të personaliteteve të rëndësishëm të huaja të cilët qoftë për sa i përket veprimtarisë së tyre artistike dhe kulturore, qoftë sa i përket veprimtarisë së tyre sportive, dhe këtu besoj biem të gjithë dakord që e kemi zbatuar këtë vendim të qeverisë dhe këtë ligj që unë përmenda, pikë për pikë, kur bie fjala psh për futbollistë të ekipit tonë kombëtar, të cilët kanë luajtur, luajnë apo do të luajnë me ekipin kombëtar, mendoj që edhe kjo ka qenë një formë e interesit kombëtar.Kështu që në këtë aspekt çdo lloj hamendësimi për përdorim për interesa të tjera, nuk vlen.