Mirëdita, Ministria e Brendshme kishte propozuar për mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave dy akte. I pari, ka të bëjë me lajmin e mirë se Shqipëria është përzgjedhur për të mirëpritur Konferencën Rajonale Evropiane të Policisë Kriminale INTERPOL, e cila do të zhvillohet në Tiranë në datat 11-13 qershor. Është një vlerësim së pari për Shqipërinë në tërësi, por po ashtu dhe për rezultatet e mira të arritura nga Policia e Shtetit, e cila në bashkëveprim edhe me agjencitë e tjera ligjzbatuese ka forcuar goditjen kundër krimit të organizuar, kundër pandëshkueshmërisë, sepse kjo lidhet drejtpërdrejt me një etapë të re mes Policisë së Shtetit dhe INTERPOL-it. Ju e keni parë pothuajse çdo ditë, Policia e Shtetit në bashkëveprim me këtë agjenci të rëndësishme ndërkombëtare po gjen dhe po ndalon me qëllim ekstradimin në Shqipëri apo nga Shqipëria në vendet e tjera të personave të përfshirë në akte apo vepra të tjera penale. Kështu që në këtë këndvështrim ratifikimi më pas i kësaj marrëveshje, pra që ka të bëj me organizimin në Tiranë të Konferencës Rajonale Evropiane është një moment, i cili natyrshëm do të shërbej edhe për të mirëpritur në Shqipëri drejtuesit e Ministrive të Brendshme, por edhe drejtuesit e Policive të Shtetit të të gjitha vendeve të Evropës dhe po ashtu për të rritur dhe për të forcuar bashkëpunimin edhe në nivel bilateral me të gjitha policitë e vendeve Evropiane, dhe po ashtu është një moment i mirë sikurse e kemi thënë që Shqipëria tashmë është kthyer jo vetëm në kryeqytetin e Ballkanit, por vizioni ynë për Shqipërinë 2030 dhe është për t’u kujtuar këtu fakti që Shqipëria tashmë mirëpret samitet e Bashkimit Evropian sikurse ndodhi në dhjetor të vitit 2022, mirëpret samitet e procesit të Berlinit dhe po ashtu edhe këtë samit të rëndësishëm të organizatës më të rëndësishme të bashkëpunimit policor në botë sikurse është INTERPOLI.
E dyta, ka të bëjë me do ta quaja unë, me një shqetësim të përditshëm të qytetarëve, Policia e Shtetit vazhdon të marrë në mënyrë të vazhdueshme ankesa nga qytetarët jo vetëm të Tiranës, por edhe të qyteteve të tjera të mëdha jo vetëm lidhur me përdorim në mënyrë të parregullt të lëndëve piro-teknike, fishekzjarrë kryesisht, jo vetëm sa i përket orarit të përdorimit të tyre në mesnatë dhe besoj që ata që më kuptojnë më mirë janë nënat me fëmijë të vegjël, të cilët janë le të themi dhe ata që ankohen më së shumti.
Sot në mbledhjen e qeverisë kemi miratuar rregulla të reja për mënyrën e pajisjes me licencë, për procesin e licencimit, por dhe për një proces tjetër të rëndësishëm që ka të bëjë me sigurinë që lidhet me magazinimin, pra do të jemi shumë strikt për sa i përket këtij procesi, por nuk e fsheh dhe faktin që e kemi lehtësuar në aspektin burokratik procesin e lehtësimit duke përqasur edhe në këtë proces aplikimi online, nuk ka më historia për të shkuar nëpër zyra, dyer komisariatesh për të aplikuar për këtë proces licencimi, por edhe në këtë aspekt do të lehtësohet procedura, por ajo që ka rëndësi të komunikoj si Ministër i Brendshëm me publikun është apeli im ndaj çdo qytetari, unë e mirëkuptoj tërësisht dëshirën për të festuar, për të festuar një ditëlindje apo për te festuar një festë tjetër familjare, por kjo nuk duhet të dëmtojë apo të prish qetësinë e anëtarëve të tjerë të komunitetit ku ti jeton.
Sot në Shqipëri, qoftë sa i përket Kodit Penal, qoftë akteve të tjera normative, është e palejuar dhe ndëshkohet edhe penalisht përdorimi i lëndëve piroteknike nga persona të paautorizuar dhe natyrshëm duke shkaktuar prishje të qetësisë publike.
Apeli im është, Policia e Shtetit do të vazhdojë të monitorojë situatën dhe është e detyruar të aplikojë penalitetet. Gjatë kësaj jave kemi pasur disa raste konkrete këtu në Tiranë ku Policia e Shtetit, DVP Tiranë është dashur të ndërhyjë. Edhe pas kësaj vihet re, jo të gjithë qytetarët e kanë kuptuar, që nuk mund të vazhdojë më historia në një qytet të madh si Tirana, me një milion banorë, ku i bie që të paktën 3000 prej tyre ta kenë ditëlindjen në një ditë. Imagjinoni sikur këta 3000 ta shprehnin gëzimin e tyre për ditëlindje duke shkrepur të gjithë fishekzjarrët që mund të kenë. Kjo rrezikon jetën e përdoruesve dhe prandaj kemi bërë ndryshime VKM e po ashtu dëmton qetësinë publike.
Nuk është në vizionin e Ministrisë së Brendshme, as Policisë së Shtetit qasja që gjithçka të adresohet me gjoba. Gjoba është gjëja e fundit. Unë besoj që qytetarët kanë gjithë mirëkuptimin, sepse në fund të fundit secili prej nesh, o ka një fëmijë të vogël në shtëpi, ose një anëtar tjetër të moshës së tretë i cili në orën 12:00 të natës është në gjumë dhe nuk ka të drejtë askush t’ia prishë gjumin qytetarëve.
Pyetje: Një qëndrim tuajin në lidhje me bashkëpunimin që ka Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit me Prokurorinë Speciale por edhe me prokuroritë e rretheve, duke iu referuar eksperiencave të viteve të kaluara që akuzonin njëri tjetrin kryesisht për dëmtim të provave në vendngjarje?
Ministri Balla: Sot në mbledhjen e qeverisë janë miratuar edhe rekomandimet sa i përket luftës kundër kriminalitetit. Sa i përket bashkëpunimit me Prokurorinë e Posaçme gjej rastin të them që në vlerësimin tim dhe të drejtuesve të Policisë së Shtetit, bashkëpunimi është i shkëlqyer. Më rezulton që nuk kemi asnjë operacion të përbashkët të Prokurorisë së Posaçme dhe të Policisë së Shtetit që të ketë pasur rrjedhje të informacionit. Të gjitha operacionet kanë qenë të suksesshme, të gjithë personat për të cilët janë lëshuar urdhër-arreste, janë mundur të identifikohen, të bëhet gati procesi, dhe më pas të arrestohen nga Policia e Shtetit. Ky bashkëpunim po vijon dhe në luftën për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë që ka të bëjë me personat të cilët i shmangen drejtësisë, kështu që edhe në këtë aspekt, ne vijojmë të punojmë së bashku. Mund t’ju them p.sh., që t’i referohem operacionit të fundit, të iniciuar nga Policia e Shtetit që ka të bëjë me luftën kundër emigracionit të paligjshëm, dhe më pas me bashkëpunimin e shkëlqyer me Prokurorinë e Posaçme, i cili vazhdon. Deri tani janë arrestuar një numër i konsiderueshëm personash të përfshirë në rrjetet e trafikimit, por janë arrestuar dhe punonjës të policisë, kryesisht të Departamentit të Policisë Kufitare, të cilët janë të përfshirë në mbështetje të veprimtarive kriminale.
Dua ta theksoj që procesi i vetëpastrimit të Policisë së Shtetit është një proces i rëndësishëm, është prioriteti im kryesor në detyrën e Ministrit të Brendshëm, dhe të mos harrojmë që ky lidhet drejtpërdrejt me bashkëveprimin me të gjitha agjencitë e tjera ligjzbatuese, qofshin këto vendase apo të huaja. Kur them agjenci ligjzbatuese Prokuroria e Posaçme dhe prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, janë aleatët tanë të rëndësishëm për ta çuar përpara këtë proces, dhe po ashtu dhe agjencitë e tjera sikurse është Interpoli, Europoli. Të mos harrojmë, këtu mund t’ju marr një shembull, – vlerësimi i agjencive ndërkombëtare ligjzbatuese për vitin 2023, Policia Britanike dhe ajo Metropolitane e kanë shpallur Policinë e Shtetit si partnerin e tyre më të mirë, sa i përket bashkëpunimit.
Kjo lidhet drejtpërdrejt me besimin dhe punën efikase nga Policia e Shtetit. Por unë nuk e fsheh që ne ende nuk jemi aty ku unë dua të jemi, që ka të bëjë me gjykuesin tonë kryesor, dhe gjykuesi ynë kryesor është publiku. Unë pres dhe punojmë çdo ditë bashkë me çdo punonjës të Policisë së Shtetit për ta bërë këtë institucion dhe këtë organizatë partnerin më të besueshëm për qytetarët. Ata janë që na gjykojnë!