Parlament/ Ministrja Ibrahimaj: Paketa anti krizë, 44.15 miliardë lekë ose 2.32 % e PBB - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Parlament/ Ministrja Ibrahimaj: Paketa anti krizë, 44.15 miliardë lekë ose 2.32 % e PBB

Paketa anti krizë që qeveria shqiptare ka vënë në dispozicion deri më tani për përballimin e rritjes së çmimeve dhe pasojave në ekonomi si rezultat i luftës në Ukrainë arrin në vlerën e 44.15 miliardë lekëve ose 2.32 % e Produktit të Brendshëm Bruto.

Kjo shifër u bë e ditur nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, gjatë prezantimit në Parlament të Aktit normativ “Për kompensimin financiar të çmimit për disa materiale ndërtimi, sipas përcaktimeve në kontratat publike për punë, si pasojë e situatës së veçantë, të krijuar në treg gjatë vitit 2022”.

Ministrja Ibrahimaj hodhi poshtë pretendimet e opozitës se paketa e ofruar nga qeveria shqiptare për përballimin e krizës është më e ulët në rajon, duke theksuar se Paketa anti krizë në vlerën e 2.32 % të GDP është një normë më e lartë se sa mesatarja e rajonit, e cila lë pas Malin e Zi, Serbinë dhe Kosovën.

Ministrja tha se po merren masat e duhura për të ndihmuar bizneset, konsumatorët  dhe shtresat në nevojë, me qëllim që efektet e rritjes së çmimeve dhe krizës globale  të jenë sa më minimale në ekonomitë familjare dhe ekonominë e vendit.

Si pasojë e masave të marra, vijoi Ministrja, është bërë e mundur që inflacioni të jetë në norma të kontrolluara, ku inflacioni i ushqimeve dhe i pijeve jo alkoolike të jetë më i ulët se sa në gjithë vendet e tjera të rajonit.

Krahas mbështetjes së shtresave në nevojë përmes paketës së rezistencës, mburojës për të mbajtur të pa ndryshuar çmimin e energjisë për qytetarët dhe biznesin e vogël, subvencionin shtesë për naftën e bujqësisë, subvencionit për transportin publik, garancinë sovrane për produktet më të prekura nga agresioni rus mbi Ukrainë, të cilat janë rreth 38.15 miliard lekë, nëse shtojmë edhe 6 miliardë për vazhdimin e punëve publike, përmes Aktit Normativ që po diskutojmë sot, Paketa Anti Krizë në Shqipëri shkon në vlerën 44.15 miliardë lekë ose 2.32% të Produktit  të Brendshëm Bruto”, u shpreh Ibrahimaj.

Duke iu referuar Aktit Normativ, Ministrja tha se ai është pjesë e paketës anti krizë dhe synon të zgjidhë disa problematika të krijuara në ecurinë e punëve publike, si pasojë e rritjes së çmimeve të disa materialeve të ndërtimit.

Ai parashikon që kompanitë që kanë kontrata për realizimin e punëve publike të kompensohen në masën nga 5% deri në 30% të vlerës që zënë në kontratat publike materialet e ndërtimit të përcaktuara në Akt Normativ.

“Qeveria ka për detyrë të ndërhyjë, të garantojë ecuri ekonomike dhe rritje ekonomike në një sektor kaq të rëndësishëm. Ky Akt prek investimet në infrastrukturë dhe investimet në rindërtim, të cilat janë nevojë jetike, jo vetëm për ekonominë e vendit, por dhe për pasojat e tërmetit që tashmë të gjithë i dimë. Do ta konsideroja si një emergjencë ndërhyrjen në këtë sektor”, tha Ministrja.

Fjala e Ministres Ibrahimaj në Parlament:

E nderuar drejtuese e seancës,

Të nderuar deputetë,

Që prej fillimit të agresionit rus ndaj Ukrainës, të gjithë në, deputetët e majtë dhe të djathtë, në mënyrë të vazhdueshme në debate publike, në seancat plenare dhe në komisionet parlamentare, kemi diskutuar gjatë mbi efektet e luftës dhe masat që mund të merren për parandalimin e efekteve të saj.

Kemi diskutuar gjatë se çfarë po ndodh në ekonominë globale, çfarë po ndodh në ekonominë shqiptare, rritjen e çmimeve të konsumit, rritjen e çmimeve të prodhimit, rritjen e çmimeve të ndërtimit, mungesën e ofertës në tregjet ndërkombëtare për produktet e prodhuara kryesisht në Rusi dhe Ukrainë.

Kemi diskutuar gjatë për masat që ka marrë qeveria në drejtim të reduktimit të pasojave negative që ekonomia shqiptare mund të ketë dhe do të ketë në të ardhmen.

Ky Akt që ju paraqitet sot është pjesë e paketës anti krizë. Është pjesë e politikave që qeveria shqiptare po ndërmerr me qëllim reduktimin e efekteve negative që pasojat e kësaj lufte do të sjellin te ne.

Konkretisht, në Akt propozohet zgjidhja e problematikave të krijuara nga rritja e çmimeve të hekurit, çimentos, bitumit, tubave plastike, aluminit, bakrit dhe zinkut, në kontratat publike.

Rritja e çmimeve të këtyre produkteve në tregjet ndërkombëtare nuk filloi me luftën në Ukrainë, por filloi që në vitin 2021, nisur nga kërkesa e shtuar e ekonomisë globale për këto produkte, nga rritja ekonomike e cila preku të gjithë botën, pas ngadalësimit që pësoi prej pandemisë.

Nëse do t’i referohemi shifrave në Shqipëri, çmimeve mesatare të INSTAT, nga viti 2020 deri në tremujorin e parë të vitit 2022, çmimet mesatare të çimentos  janë rritur me 47.8% dhe në krahasim me dhjetorin e këtij viti ato janë rritur me 20 %.

Nga viti 2020, çmimet mesatare të hekurit janë rritur me 56,26%, ndërkohë që në krahasim me dhjetorin e këtij viti janë rritur me rreth 30 %. E kështu me radhë kanë pësuar rritje çmimet e produkteve që janë pjesë e këtij Akti Normativ që prezantohet sot për miratim.

Kjo situatë nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Po ndodh në të gjithë botën dhe vendet e rajonit. Rritja e çmimeve po impakton dita-ditës të gjithë vendet e rajonit dhe ka krijuar një problematikë me ecurinë e investimeve publike.

Rritja e ndjeshme e çmimeve në treg për materialet e ndërtimit ka ngadalësuar një pjesë të madhe të kontratave publike, pasi ecuria e mëtejshme e tyre do të shkaktonte humbje të parikuperueshme për kompanitë e ndërtimit, deri në falimentim të tyre.

Kjo situatë do të detyronte ndërprerjen e punimeve dhe si pasojë do kishim ngadalësim të përfundimit të objekteve që janë të parashikuara këtë vit në buxhet, mosrealizim në kohë të grafikut të punimeve, e mbi të gjitha nxjerrjen në papunësi të një numri të konsiderueshëm punonjësish të përfshirë në këto punime.

Gjithashtu, ky ngadalësim do të ndikonte ecurinë e ekonomisë shqiptare.

Nuk duhet të harrojmë që ndërtimi zë 8.3 % të Produktit të Brendshëm Bruto dhe rreth 8 % të peshës së punësimit në ekonomi.

Qeveria shqiptare ka qenë dhe mbetet e angazhuar në mënyrë që të reduktojë efektet negative të kësaj krize, siç ka bërë edhe në të kaluarën, në mënyrë që të reduktojë ndikimin që kriza ka qoftë në ekonomitë familjare, pjesë e paketës që ne kemi prezantuar në këtë Kuvend, qoftë në bizneset.

Edhe në të kaluarën, gjatë pandemisë, ne bëmë pikërisht këtë. Për familjarët dhe për të punësuarit dhamë pagat e luftës, ndërkohë që për bizneset shtymë pagesën e taksave dhe të tatimeve, si dhe dhamë garanci sovrane me qëllim që t’i mbështesnim.

Pikërisht këtë po bëjmë edhe sot. Ne po mbështesim ato biznese për të vijuar vazhdimësinë e ciklit të tyre ekonomik, që jo vetëm të ndihmojnë ekonominë shqiptare, por edhe që të ruajnë normat e punësimit, të cilat ndikojnë në mënyrë të pandreqshme në ekonomitë familjare të personave të punësuar në këtë sektor.

Duke analizuar shifrat e zbatimit të buxhetit të shtetit për periudhën 5-mujore, vërehet një ngadalësim në ecurinë e investimeve publike. Ato kanë qenë në nivelin 14%, ndërkohë që gjatë vitit të kaluar, por edhe në mesataren e viteve të mëparshme, kanë qenë më të larta.

Nga ana tjetër, referuar shifrave të qarkullimit të sektorit të ndërtimit, ne kemi një ngadalësim me 1.6 % në krahasim me vitin e kaluar.

Ndonëse sektori i ndërtimit në tremujorin e parë të këtij viti rezultoi me rritje ekonomike, dy muajt e fundit kanë pasur impakt në ngadalësimin e qarkullimit të këtij sektori.

Qeveria në këto raste ka për detyrë të ndërhyjë dhe ka për detyrë që të garantojë ecuri ekonomike dhe rritje ekonomike në një sektor kaq të rëndësishëm.

Ky Akt Normativ prek investimet në infrastrukturë dhe investimet në rindërtim, të cilat janë me nevojë jetike, jo vetëm për ekonominë e vendit, por dhe për pasojat e tërmetit që tashmë të gjithë i dimë. Unë do ta konsideroja si një emergjencë ndërhyrjen në këtë sektor.

Procedura e përfitimit të kompensimit është përcaktuar me detaje në Aktin Normativ dhe realizohet në formën e kontratës shtesë për pune që kryhen pas miratimit të këtij Akti Normativ.

Kompensimi i secilit prej operatorëve ekonomikë që përmbushin kriteret e këtij akti normativ bëhet në masën nga 5% deri në 30% të vlerës që zënë materialet e ndërtimit të mësipërme në kontratat publike respektive.

Ne nuk i njohim rritjen deri në 5 %, pasi këto janë të parashikuara në kontratat e lidhura tashmë me qeverinë, ndërkohë që ndonëse çmimet që prej momentit të lidhjes së kontratës mund të jenë rritur më shumë se 30 %, ky është një risk që ne do të ndajmë me kompanitë, ku qeveria dhe kompanitë do të bëjnë secila pjesën e tyre.

Përfitues të këtij kompensimi janë rreth 300 kompani, janë një numër i lartë kontratash, të cilat janë të lidhura që prej fillimit të përcaktimit të këtij Akti normativ dhe efekti maksimal i parashikuar në buxhet është 6 miliardë lekë, që jo domosdoshmërisht do të përdoret i gjithë, pasi fondet do të lëvrohen bazuar në fatura që do të dorëzohen pranë autoriteteve kontraktore dhe bazuar në një analizë të realizimit të punimeve.

Ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me çmimet e ndërtimit në të ardhmen. Nuk e dimë nëse do të vijojnë të jenë kaq të larta deri në përfundim të situatës së veçantë apo jo. Ne do të njohim deri në 30 % të shpenzimeve që janë të parashikuara dhe të lidhura me këto produkte.

Të nderuar kolegë të opozitës,

Që prej fillimit të krizës, jemi cituar nga opozita që nëpërmjet këtij Akti Normativ, por edhe përmes Paketës së Rezistencës, ne po rëndojmë biznesin dhe po rëndojmë qytetarët. Jemi cituar për çmimet e karburanteve dhe se duhet të ndërhyjmë për të reduktuar taksat lidhur me këto çmime.

Por a e dini ju se Shqipëria ka taksat më të ulëta për 99 % të bizneseve të regjistruara? A e dini ju se Shqipëria ka tatim zero për pagat deri në 40 mijë lekë? Ka ndër tatimet më të ulëta për sa i përket kontributeve të sigurimeve shoqërore në rajon.

Kur bëhet një analizë taksash, ajo duhet të jetë e përgjithshme dhe jo analizë taksash për një produkt të caktuar.

Juve thoni se ne kemi krijuar disa Borde fashiste apo komuniste, të cilat kanë ndikuar negativisht në çmimin e karburanteve. E keni gabim. Bordet kanë bërë të mundur që marzhi i fitimit bruto, përfshirë kostot operacionale këtë vit, që nga krijimi i Bordeve, të jetë nga 5 deri në 6 %, ndërkohë që gjatë vitit të kaluar ky marzh ka qenë 15-18 %. Kjo do të thotë që nëse Bordet nuk do të ishin ngritur, atëherë ne do të kishim çmimet e karburanteve më të larta se ato që kemi sot.

Ju thoni se ne nuk kemi mbështetur familjet në nevojë dhe ato të varfra. Por si mund ta thoni këtë? Nëpërmjet Paketës së Rezistencës ne mbështetëm më shumë se 500 mijë shqiptarë, të cilët nuk mund të përballojnë çmimet e rritura të konsumit.

Përveç subvencionit që i dhamë këtyre familjeve shqiptare në nevojë, ne me politikat tona kemi bërë të mundur që të kemi normat e inflacionit më të ulëta nga të gjitha vendet e rajonit.

Qeveria Shqiptare, krahas mbështetjes së shtresave në nevojë përmes paketës së rezistencës, dhe duke mos harruar mburojën për të mbajtur të pa ndryshuar çmimin e energjisë për qytetarët dhe bizneset e vogla, duke mbajtur të subvencionuar dhe kontrolluar rritjen e çmimit të energjisë për bizneset e mesme, ne kemi bërë të mundur që inflacioni të jetë në norma të kontrolluara, më të ulëta se sa të gjithë vendet e rajonit, që inflacioni i ushqimeve dhe i pijeve të jetë më i ulët se sa të gjitha këto vende.

Me subvencionin për transportin publik, me subvencionin për naftën, të cilat në përbërje të paketës shkojnë rreth 38.15 miliardë lekë, nëse do t’i shtojmë dhe 6 miliardë lekë që do të vihen në dispozicion për ngadalësimin e ecurisë së punimeve publike dhe për mbështetjen e sektorit të ndërtimit, Paketa Anti Krizë në Shqipëri shkon në vlerën 44.15 miliardë lekë, duke përbërë 2.32 % të Produktit të Brendshëm Bruto.

Është thënë disa herë këtu që Shqipëria ka pasur paketën më të ulët në rajon. Jo. Ju nuk llogarisni energjinë elektrike. Ju nuk llogarisni mbështetjen për fermerët, mbështetjen për shoqëritë e transportit dhe mbështetjen tashmë për të gjithë sektorin e ndërtimit.

2.32 % e GDP është një normë më e lartë se sa mesatarja e rajonit, lë mbrapa Malin e Zi, Serbinë dhe Kosovën.

Ju thoni që masat që ka marrë qeveria shqiptare kanë qenë të gabuara e arrini të përmendi dhe një situatë staglacioni.

Por Shqipëria, sipas INSTAT, ka pasur rritjen ekonomike më të lartë në rajon të tremujorit të parë të vitit 2022. Rritja ekonomike për këtë periudhë është rreth 6 % dhe e shpërndarë në të gjithë sektorët prodhues të ekonomisë. Vendet e rajonit variojnë nga 1,9% Kosova në 4.9% në Malin e Zi, ku mesatarja e rajonit për këtë tremujor është 3.4%.

Pra, sipas metodës së prodhimit të gjithë sektorët kanë pësuar rritje, ndërkohë që sipas metodës së shpenzimeve, konsumi i familjeve shqiptare për tremujorin e parë të vitit arriti në nivelin 8.63 %, ndërkohë që edhe investimet patën një rritje dy shifrore.

Dua të theksoj se këto shifra nuk janë të lidhura me rritjen e çmimeve, pasi janë të përjashtuara nga efektet e çmimeve. Këto janë shifra të rritjes reale, që pasqyrojnë aktivitetin ekonomik në Shqipëri në tremujorin e parë të vitit.

Të dhënat tona për ecurinë e dymujorit të dytë të vitit vijojnë të jenë pozitive, që tregojnë se ekonomia shqiptare po vazhdon të rritet edhe në këtë periudhë, pavarësisht krizës.

A do të vazhdojë kjo rritje gjatë gjithë vitit? Ne po ndërmarrim të gjitha masat që kjo rritje të vazhdojë. Po ndërmarrim të gjitha masat që të ndihmojmë bizneset dhe të ndihmojmë konsumatorët, me qëllim që efektet në konsum të jenë sa më të ulëta, që efektet e rritjes së çmimeve dhe të krizës globale të jenë sa më të përmbajtura në ekonominë shqiptare.

Ky është misioni i qeverisë sonë dhe ne do të vijojmë me këto paketa dhe mbështetje, pasi është detyra jonë që të mbrojmë jo vetëm familjarët, por edhe biznesin, pasi është biznesi ai që gjeneron punësim, e jo vetëm qeveria.

Në 5 muajt e parë të vitit, numri i bizneseve të regjistruara ka vijuar të rritet, numri i të punësuarve ka vijuar të rritet, tregtia e jashtme ka vijuar të rritet, kredia për ekonominë ka vijuar të rritet.

Të gjithë parametrat makroekonomikë kanë vijuar ecurinë e tyre dhe falë gjithë mbështetjes që qeveria shqiptare po i jep ekonomisë.

Të gjithë shifrat e mësipërme të cilat përmenda janë një fakt i cili garanton që rritja ekonomike do të vazhdojmë.

Ne do të vazhdojmë të mbështesim investimet publike. Do të vazhdojmë të mbështesim shtresat në nevojë, pasi kjo është një formulë e suksesshme që ka funksionuar në të kaluarën dhe do të vazhdojë të funksionojë.

Ju ftoj ta miratoni këtë Akt Normativ.

Faleminderit.

Previous Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi mori pjesë në Samitin e NATO në Madrid

Leave Your Comment