Fjala e Ministres Ibrahimaj në Parlament mbi raportin e Komisionit të Prokurimit Publik - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Fjala e Ministres Ibrahimaj në Parlament mbi raportin e Komisionit të Prokurimit Publik

Komisioni i Prokurimit Publik ka rritur performancën e tij gjatë vitit 2021, në respektim të plotë dhe rigoroz të statusit të tij si institucion i pavarur buxhetor.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, vlerësoi arritjet e këtij institucioni, gjatë diskutimeve në Parlament mbi raportin vjetor të Komisionit të Prokurimit Publik për vitin 2021.

Gjithashtu, Ministrja Ibrahimaj shprehu angazhimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për ushtrimin e rolit të saj për mbarëvajtjen e veprimtarisë së KPP, në drejtim të ushtrimit të përgjegjësisë shtetërore të lidhur me miradministrimin e Buxhetit dhe miradministrimin e fondeve publike.

Ministrja vlerësoi faktin se, Komisioni i Prokurimit Publik i ka kursyer buxhetit të shtetit rreth 119 milionë lekë (pa TVSH), nga vendimmarrja e tij në drejtim të ankesave të shqyrtuara gjatë vitit të shkuar.

“Efektet financiare të vendimmarrjes në ankesat për fazën e vlerësimit kanë sjellë një rezultat kursim të buxhetit të shtetit. Gjatë vitit 2021, nga totali i ankesave të shqyrtuara, 483 prej tyre janë paraqitur për fazën e vlerësimit të ofertave. Pas vendimmarrjes së Komisionit të Prokurimit Publik rezulton se pas ushtrimit të mjeteve të rishikimit, ankimit administrativ nga operatorët ekonomikë me anë të dorëzimit të ankesave pranë Komisionit të Prokurimit Publik, nga vendimmarrja e KPP pas shqyrtimit të ankesave i janë kursyer buxhetit të shtetit rreth 119 milionë lekë pa TVSH, llogaritur si diferencë e ofertës së kualifikuar nga vendimmarrja e autoriteteve kontraktore dhe e operatorëve ekonomikë të ankuar, ankesa e të cilëve është pranuar nga Komisioni i Prokurimit Publik”, u shpreh Ibrahimaj.

Referuar raportit vjetor të vitit 2021 të KPP, evidentohet se ka një përmirësim të dukshëm dhe të matshëm të indikatorëve kryesorë të performancës institucionale, të cilët janë të rëndësishëm jo vetëm për KPP por për tërë institucionet shtetërore dhe publike pasi lidhen ngushtë me Buxhetin e Shtetit dhe menaximin e financave publike, si rezultat i  ushtrimit të veprimtarisë në fushën e prokurimeve e kryer nga  autoritetet kontraktore sipas legjislacionit për “Prokurimet Publike në Republikën e Shqipërisë”.

Gjithashtu, performancë në rritje në veprimtarinë e KPP gjatë vitit 2021 paraqet edhe realizimi i buxhetit të këtij institucioni.

Ministrja Ibrahimaj evidentoi se pothuajse të gjithë zërat e buxhetit janë realizuar  brenda masës së planifikuar në Projektbuxhetin Afatmesëm 2021-2023, duke mos e rënduar buxhetin e Shtetit me kërkesa për alokimin e fondeve shtesë.

Fjala e Ministres Ibrahimaj:

E nderuar zonja drejtuese e seancës,

Të nderuar kolegë dhe deputetë,

Të nderuar pjesëmarrës në këtë seancë,

Siç theksohet edhe në fjalën hyrëse të Kryetarit të KPP, paraqitja e raportit vjetor para Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, si dhe grupeve të interesit, nuk është thjesht një detyrim ligjor për institucionin e Komisionit të Prokurimit Publik. Ky raport është një mundësi për të analizuar në detaje punën e një viti dhe për të evidentuar problematikat, por mbi të gjitha, për të ndarë së bashku sfidat e sistemit të prokurimit publik në të ardhmen.

Pa dashur të ri përsëris citimet e raportuara nga Kryetari i KPP, dua të përqendrohem vetëm në ato elementë të veprimtarisë së KPP, të cilat kanë efekte shumë të rëndësishme dhe domethënëse, me ndikim në fushën e përgjegjësisë së Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe institucioneve të saj të varësisë, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë.

Misioni i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë është arritja e stabilitetit ekonomik nëpërmjet detajimit dhe drejtimit me efektshmëri, efektivitet dhe transparencë të financave publike.

Gjthashtu, përveç të tjerave, MFE ushtron veprimtarinë në fushën e përgjegjësisë shtetërore në përputhje me legjislacionin përkatës, lidhur me:

  • Administrimin e Buxhetit.
  • Miradministrimin financiar të fondeve publike, i cili realizohet nëpërmjet ushtrimit të funksionit të thesarit, zbatimit të metodologjisë së kontabilitetit në sektorin publik dhe kontrollit të brendshëm financiar publik.

Gjithashtu, ne jemi përgjegjës për Inspektimin financiar publik, si funksion i parashikuar me qëllim:

  1. a) mbrojtjen e interesave financiare të njësive publike kundrejt keqmenaxhimit të rëndë financiar, mashtrimit dhe korrupsionit;
  2. b) rregullshmërinë e transaksioneve e të veprimtarive të tjera të menaxhimit financiar publik;
  3. c) përcaktimin e shkeljeve të akteve normative, si dhe dyshimeve për mashtrimet e kryera;

ç) zbulimin e parregullsive e të dëmeve të shkaktuara në pronën e njësive publike;

  1. d) identifikimin e shkeljeve e të individëve përgjegjës për parregullsitë e zbuluara.

Në këtë drejtim, referuar raportit vjetor të vitit 2021 llogaridhënës të KPP, evidentohet se ka një përmirësim të dukshëm dhe të matshëm të indikatorëve kryesorë të performancës institucionale, të cilët janë të rëndësishëm jo vetëm për KPP por për tërë institucionet shtetërore dhe publike pasi lidhen ngushtë me Buxhetin e Shtetit dhe menaximin e financave publike, si rezultat i  ushtrimit të veprimtarisë në fushën e prokurimeve e kryer nga  autoritetet kontraktore sipas legjislacionit për “Prokurimet Publike në Republikën e Shqipërisë”.

Në raport, gjatë ushtrimit të veprimtarisë së KPP për vitin 2021, evidentohet se:

  • Nga 5079 procedura të publikuara në Sistemin e Prokurimeve Elektronike gjatë vitit 2021, për prokurime publike me vlerë totale prej 149 miliardë lekë, vetëm për 566 prej këtyre procedurave me vlerë prej 13 miliardë lekë, janë paraqitur ankesa pranë Komisionit të Prokurimit Publik.

Në total, pranë Komisionit të Prokurimit Publik, janë paraqitur ankesa për 9.2 % të buxhetit të prokuruar në rang kombëtar, ç’ka përbën një tregues të peshës specifike të kësaj veprimtarie në Buxhetin e Shtetit.

Është e rëndësishme të theksohet fakti se efektet financiare të vendimmarrjes në ankesat për fazën e vlerësimit kanë sjellë një rezultat kursim të buxhetit të shtetit:

  • Gjatë vitit 2021, nga totali i ankesave të shqyrtuara, 483 prej tyre janë paraqitur për fazën e vlerësimit të ofertave. Pas vendimmarrjes së Komisionit të Prokurimit Publik rezulton se pas ushtrimit të mjeteve të rishikimit, ankimit administrativ nga operatorët ekonomikë me anë të dorëzimit të ankesave pranë Komisionit të Prokurimit Publik, KPP-ja pas shqyrtimit të ankesave, nga vendimmarrja e tij, i ka kursyer buxhetit të shtetit vlerën prej rreth 119 milionë lekësh pa TVSH, llogaritur si diferencë e ofertës së kualifikuar nga vendimmarrja e autoriteteve kontraktore dhe e operatorëve ekonomikë të ankuar, ankesa e të cilëve është pranuar nga Komisioni i Prokurimit Publik.

Një aspekt i rëndësishëm me efekt në Buxhetin e Shtetit përbëjnë gjithashtu efektet e vendimeve të proceseve  gjyqësore kundra vendimeve të shqyrtimit të ankesave nga KPP.

  • Në analizë të proceseve gjyqësore, referuar vendimeve të gjykuara të përfunduara në shkallën e parë dhe në apel, vërehet se Gjykata Administrative ka mbajtur të njëjtin qëndrim me Komisionin e Prokurimit Publik për 43.4% të çështjeve të përfunduara dhe ka shfuqizuar vendimmarrjen e Komisionit të Prokurimit Publik vetëm në 11.3% të çështjeve të përfunduara. Ky është një tregues që shpreh qartë:
  • se Komisioni i Prokurimit Publik është një organ i cili ka krijuar qëndrueshmëri në vendimmarrje, duke treguar për një konsolidim të qëndrimeve, qoftë të Komisionit të Prokurimit Publik, të cilat kanë sjellë qëndrueshmëri edhe në vendimet e Gjykatës Administrative për çështje të ngjashme. Ky konkluzion arrihet jo vetëm për shkak të përqindjes së lartë të konfirmimit nga gjykata të kësaj vendimmarrjeje në krahasim me vendimet e shfuqizuara, por edhe duke vlerësuar numrin e ulët të kërkesëpadive në krahasim me vendimet e marra nga Komisioni i Prokurimit Publik.

E rëndësishme në këtë drejtim të zbatimit të parimeve të transparencës, barazisë në proceset e prokurimit publik dhe rritjes së eficencës administrative dhe uljes së kostos së shërbimeve  është edhe digjitalizimi dhe transparenca si mjet i luftës antikorrupsion.

Gjatë vitit 2021, institucioni i Komisionit të Prokurimit Publik implementoi

reformën e rëndësishme të digjitalizimit të shërbimeve dhe menaxhimit të ankesave. Kjo reformë konsiston në dorëzimin në rrugë elektronike të ankesave dhe argumenteve, si dy shërbime të veçanta në portalin unik qeveritar e-albania.

Operatorët ekonomikë vendas dhe të huaj tashmë kanë mundësi që të dorëzojnë online të gjitha ankesat për procedurat e prokurimit publik, koncesionet/partneritetet publike private, ankandet dhe garat konkurruese të lejeve minerare, duke kursyer kohë, para dhe duke shkurtuar burokracinë.

Performancë në rritje në veprimtarinë e KPP gjatë vitit 2021 paraqet edhe realizimi i buxhetit të këtij institucioni.

Pothuajse të gjithë zërat e buxhetit brenda masës së planifikuar në Projektbuxhetin Afatmesëm 2021-2023, janë realizuar duke mos e rënduar buxhetin e Shtetit me kërkesa për alokimin e fondeve shtesë.

Masa më e madhe e mosrealizimit konstatohet tek shpenzimet korrente për paga dhe rrjedhimisht për sigurime shoqërore dhe shëndetësore, për shkak të mosplotësimit të vakancave në strukturë.

Komisioni i Prokurimit Publik, gjatë vitit 2021, ka realizuar gjithashtu edhe shpenzimet.

Në përfundim, duke e përgëzuar  KPP për rezultatet e arritura në vitin 2021, në respektim të plotë dhe rigoroz të statusit të tij si institucion i pavarur Buxhetor,  ri shpreh vëmendjen e MFE për ushtrimin e rolit të saj për mbarëvajtjen e veprimtarisë së KPP në drejtim të ushtrimit të përgjegjësisë shtetërore të lidhur me miradministrimin e Buxhetit dhe miradministrimin e fondeve publike.

Faleminderit.

Previous Kumbaro vizitë zyrtare në Beograd: Promovojmë destinacionet shqiptare në Serbi, turizmi i jep kuptim ekonomik Ballkanit të Hapur

Leave Your Comment