Fjala e Zëvendës Kryeministrit Ahmetaj sot në Kuvend - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Fjala e Zëvendës Kryeministrit Ahmetaj sot në Kuvend

Raporti i Autoritetit të Konkurrencës është një dritë mbi të gjitha problematikat që shfaq tregu, treg i vogël apo treg i hapur, treg me probleme në transparencë apo treg me probleme në monopolet e mundshme dhe në anën tjetër, të gjithë instrumentet që ka shteti, që i lejon shtetit një demokraci ose një shtet në demokraci dhe në ekonomi të hapur tregu për të ndërhyrë dhe për të ruajtur balancat, pra ky është thelbi.
Ndërkohë që, sigurisht, është temë e politizuar dhe është legjitime të jetë e politizuar, sepse kemi qëndrime të ndryshme për sa i përket ndërhyrjes së shtetit në treg, është qesharake, është edhe ironike që në njërën anë, pjesa e djathtë që duhet të ishte ndryshe është për ndërhyrje të madhe në treg dhe pjesa e majtë është për ekonomi të pastër tregu por, siç e ka treguar, me ndërhyrje sociale të drejtpërdrejta. Të thuash që çmimet janë rritur për arsye të tregut të brendshëm, në mirëkuptim politik do ta quaja të qëllimshme, profesionalisht do ta quaja, nuk dua ta përdor fjalën, profesionalisht do ishte e rëndë fjala, por po e quaj politike të qëllimshme. Të gjitha statistikat, analizat botërore, rajonale apo edhe të vendit tregojnë konseguencë të rritjes së çmimeve për shkak të krizës energjetike që erdhi për ato arsye të cituara ndërkombëtarisht por edhe lokalisht dhe çmimet e mallrave apo produkteve të ndryshme duke filluar që nga ushqimet dhe deri ato të ndërmjetmet, për shkak të invazionit rus në Ukrainë.
E kemi sjellë me fakte, e kemi sjellë me shifra, por gjithsesi e pranoj politikisht që të quhet sikur ishte, nga ana juaj, pra politikisht, është fenomen lokal, profesionalisht e theksoj që është përtej asaj që thuhet si fjalë për ndonjë të paditur. Tani, çfarë bën shteti? Po çfarë janë të dyja ndërhyrjet që ka bërë qeveria me grupet për transparencën e çmimeve, çfarë është? Çfarë mund të bëjë një qeveri më shumë se sa të ndërhyjë për transparencën e çmimeve? Sa efektive është? Për mendimin tim është shumë efektive. Pse? Shikoni nivelin e inflacionit. Niveli i inflacionit reflekton pak a shumë rritjen proporcionale të çmimeve ndërkombëtare dhe importimin e inflacionit këtu. Të thuash që shteti bën biznes me senjorazhin, po jua shpjegoj qytetarëve çfarë do të thotë senjorazhi se është leksioni i parë në makroekonomi, është e ardhura shtesë që vjen momentalisht nga e rritja e çmimeve. Momentalisht, pse momentalisht? Sepse inflacioni rëndon, godet konsumin, që do të thotë që shteti nuk bën dot biznes me rritjen apo buxhetin, nuk bën dot biznes, është alfa e gjësë, është të shtrembërosh, unë po ja vë qëllimshmërisë, nuk po ja vë pjesës tjetër, padijes, nuk po ja vë asaj, po ja vë qëllimshmërisë dhe po, nëse ka 2 lekë të ardhura më shumë, janë shpërndarë.
Ku janë shpërndarë? Janë shpërndarë e para tek energjia. Tek energjia subvencioni shkon 200 milionë dollarë, i bëni llogaritë mbrapsht, llogaritë mbrapsht i keni bërë gjithë kohës me gjithë atë inkuizicionin pervers që shprehni pafundësisht e pafundësisht. Janë shpërndarë në paketën sociale, do shpërndahen prapë në paketën sociale, këtë do bëjmë. Tek energjia 200 milionë, nuk paguan asnjë qytetar asnjë lek më tepër, asnjë biznes i vogël asnjë lek më tepër. Ku e keni parë, më jepni një shembull në Europë, një tek, ose në botë po deshët, tek, në vende të mëdha. A e dini që së fundmi Spanja dhe Portugalia kanë kërkuar të dalin nga Rregullat Bazë të Unionit të Energjisë, për shkak se nuk e përballojnë dot, ndërsa ne kemi marrë përsipër që qytetarëve t’ua subvencionojmë, po e them thjeshtë, t’ua paguajmë çdo cent nga çmimi i rritur i energjisë për shkak të krizës energjetike në botë dhe për shkak të luftës, invazionit në Ukrainë.
Po pjesa tjetër? Se iu referua Ministrja me statistika, flitet me statistika dhe politikisht, statistika tregon që ne kemi ndërhyrë aty ku çmimet janë rritur, tek shporta ne kemi ndërhyrë drejtpërdrejtë. Po kemi ndihmuar edhe sektorët, po u bënë tre herë, pa mendojeni një herë, është tërmeti, po shkon mbi 1.1 miliardë injektimi dhe e lexoni besoj raportin e Bankës Botërore që është një nga tre elementët kyç të rritjes ekonomike, një nga tre elementet kyç të injektimit të rritjes ekonomike dhe duhet të shikojmë konsumin sepse inflacioni mund të godasë konsumin dhe momentin që godet konsumin asnjë nga ju s’duhet të gëzohet për një spirale të mundshme negative ekonomike.
Çfarë, prapë ajo historia që do zoti marrim pushtetin mbi fatkeqësi? Nuk ndodh.
Përsa i përket konkurrencës në treg, sigurisht që gjithmonë do ketë probleme, kanë probleme vendet e mëdha, bëjnë hetime për kompanitë e mëdha, dhe deri sot tek diskutimet që bëjmë për tregun e vogël të Shqipërisë, janë legjitime të gjitha hetimet, të gjitha investigimet, të gjitha debatet, pse? Se duhet mbrojtur konsumatori. Praktikisht, ne të gjithë, shumica jonë këtu jemi për të mbrojtur konsumatorin, pa dëmtuar konkurrencën e lirë dhe kur vihet këtu flitet për Autoritetin, hajde ta pajisim autoritetin me instrumente më shumë nëse kemi problematika. Nuk po them që autoriteti është perfekt, po Autoriteti ka rekorde gjithmonë e në rritje, pozitive; dhe dua t’ju them edhe një gjë tjetër, në qoftë se profesionalisht doni të mbroni ose të godisni një fenomen të drejtë ose të gabuar, shikoni çfarë ndodh në treg, shikoni çfarë ndodh në doganë. Cilat kompani janë duke importuar? Sa kompani janë duke importuar? Sa janë marzhet e fitimit? Sa janë marzhet e çmimeve të importuara etj, etj, në mënyrë që kur vihet e flitet këtu, të flitet  jo përmbys por të flitet drejtpërdrejtë dhe për të vënë një tullë në atë që mund të përmirësohet.

Dhe në raport me qeverinë, qeveria do vazhdojë të bëjë investime strategjike, nuk diskutohet fare, do vazhdojë që ta aplikojë ligjin për investime strategjike; ligji për investimet strategjike është i hapur, nuk është një korridor i mbyllur, është i hapur për këdo që e konsideron në bazë të ligjit dhe referencave ligjore të sakta, kuantitative, numerike pra, të vijnë të paraqesin kërkesa për investime strategjike ashtu siç e kemi parashikuar në ligj.
Dhe së fundmi dua të them që, po, po të shohësh të ardhurat nga tatimet dhe doganat, janë në rritje. Akoma po shohim rritje të konsumit, gjë që duhet të gëzoheni dhe më besoni që e gjithë shtesa e të ardhurave do shkojë për dy shtylla kryesore, një për investimet publike, për t’i furnizuar më tej akoma dhe e dyta që është më e rëndësishme sesa e para në këndvështrimin tim, për paketa të mundshme sociale, se një qeveri nuk mendon sot për sot, mendon për atë që do të ndodhë pasnesër apo që do ndodhë pas një viti, se nuk e kemi në dorë çfarë ndodh në Ukrainë, nuk e kemi në dorë as çfarë mund të ndodhë përtej Ukrainës, kështu që një qeveri ka këtë detyrë, të mendojë për sot, të mendojë për nesër, të mendojë edhe për pas një viti e të mendojë për pas disa vitesh.
Faleminderit

Previous Ministrja Kumbaro në konferencën ministrore të Ballkanit Perëndimor: Hapja turistike e Ballkanit krijon treg të ri të përbashkët

Leave Your Comment