VIDEOMESAZHI I KRYEMINISTRIT RAMA
Askush, as opozitat
që nuk lënë akuzë pa bërë, as mediat që nuk lënë gjë pa thënë, as drejtësia jo
e jo, që nuk lë avlli apo papafingo nëpër periferi pa ndëshkuar, nuk i pa, nuk
i tha, nuk i dëgjoi, nuk i kërkoi katet dhe metrat e ndërtuara pa leje për
qëllim fitimi deri dhe në mes të Tiranës. Sepse të tërë, ose e kanë të ngjyer
gishtin, kush më shumë e kush më pak, kush direkt e kush indirekt, në mjaltin e
tullave e të betonit, ose i kanë sytë kaq të verbuara e veshët kaq tapë nga
urrejtja që i mbush gojën me shpifje, me gënjeshtra, me akuza që janë shumë të
fortë me të dobëtit, por shumë të dobët me të fortit.
Ama kush ka kujtesë e
di që luftën me ndërtimet pa leje dhe betejën për shijen urbanizuese dhe
modernizimin civilizues e kam nisur bashkë me politikën, pa e reshtur kurrë, me
shumë arritje, por dhe me disa dështime.
E kemi ulur dhjetë
fish numrin e metrave katrorë pa leje që
ndërtuesit e pallateve i kishin dikur bukë e djathë mu këtu në kryeqytetin e
Shqipërisë, por ende nuk i kemi ndalur dot për fare, sepse gjithsesi e
kanë gjetur gjithnjë rrugën për ta blerë
të drejtën që nuk e kanë, duke paguar inspektorë, ndonjë polic, ndonjë shef
komisariati, por sigurisht duke marrë
peng gjykatës e prokurorë të cilët kanë patur
gjithnjë kollaj ta tregojnë zellin e tyre me më të dobëtit, për një
avlli apo dhe një çati pa leje siç thashë.
Ama tani kemi ardhur
tek kapitulli i fundit i kësaj përpjekje të gjatë dhe pasi e kemi parë që
drejtësia e shitur për lekët e metrave
pa leje u ka hapur vazhdimisht një shteg shpëtimi, kemi marrë një vendim të ri qeverie dhe e kemi
mbyllur çdo shteg, sepse mua dhe këtë qeveri, ta harrojnë, nuk na blejnë dot,
askush! Unë e kjo qeveri jemi të
vendosur ta çojmë deri në fund çdo përpjekje pa u lodhur as nga kthesat shpesh herë të forta, as nga të
përpjetat, as nga tatëpjetat të
panumërta, të përditshme, në këto kohë
kaq të vështira.
Ja ku është edhe akti i parë i dorëzimit! 4646 metra katrorë pa
leje në mes të Tiranës, i kalojnë shtetit me kontratë noteriale. E ky është
vetëm akti i parë i marrjes për interes publik
të pasurive në metra katrorë të paligjshme, që do të pasohet nga të
tjerët deri në metrin e fundit katror. Prandaj, kush merret me mua e me ne duke
na treguar si ata që fshihen pas kullave e pas pallateve, le ta shohë mirë të
vërtetën ose le të vazhdojë të lehë, por unë i siguroj të gjithë ata që duan
një Shqipëri të drejtë e që duan një Shqipëri ku ligji të jetë njësoj për të
gjithë e të mos ketë të fortë para ligjit, se nuk do t’i tradhtoj kurrë!