Programi i Rindërtimit vijon me përfundimin e objekteve të reja të banimit në zonat e prekura nga tërmeti. Sot, në Golem u dorëzuan çelësat e apartamenteve të reja për qytetarët, streha e të cilëve u shkatërrua dy vite më parë, duke e çuar në 221 numrin e familjeve, në qytetin e Kavajës, që kanë tashmë një shtëpi më të fortë, më të bukur dhe më të sigurt se ajo që humbën.
Kryeministri Edi Rama ishte sot pasdite në Golem për të ndarë me banorët gëzimin e hyrjes në shtëpitë e reja.
* * *
Përshëndetje të gjithëve dhe shumë faleminderit për mikpritjen!
Erdha sepse kryetari i bashkisë e kishte me shumë merak që ta bënim edhe këtu këtë ceremoninë edhe pse tanimë prej disa kohësh edhe dorëzimi i shtëpive është bërë, por duke qenë se një pjesë e banorëve këtu janë familjet të cilat janë në emigracion, por që kishin faktikisht apartamente të tyret në pallatet e dëmtuara dhe nga ana tjetër, pjesa tjetër e familjeve i kanë marrë çelësat, ishte me rëndësi që të isha këtu për t’i plotësuar edhe kërkesën kryetarit të bashkisë, por edhe për të vazhduar me mesazhin që të gjithë ata që u goditën edhe ata që humbën shtëpitë, të gjithë ata të cilët u përfshinë në procesin e rindërtimit, do të marrin deri në apartamentin e fundit, atë që u takon.
Jo vetëm kaq, por do të marrin apartamente të cilat janë shumë më të mira, shumë më të bukura, shumë më të forta se ato që humbën, të cilat përndryshe nga sa kemi parë gjithë strukturën sociale të këtyre familjeve, e kishin të pamundur që t’i merrnin dhe të cilat siç e kemi thënë qysh në krye të herës, do të jenë pronë, pasuri e patundshme e këtyre familjeve pa asnjë detyrim ndaj shtetit.
Ne kemi parë shumë programe rindërtimi të vendeve të tjera pas tërmeteve dhe nuk ka asnjë program, ky është i vetmi në dijeninë tonë, ku familjeve që humbasin shtëpitë, iu jepen shtëpi jo me kredi dhe as me kredi të butë, por falas 100% dhe natyrisht që ne e bëjmë këtë se e dimë shumë mirë që nuk janë kohët më të mira jo vetëm për ne, por për gjithë botën dhe veçanërisht për Evropën dhe nuk është e drejtë që këtyre familjeve që siç thashë, në strukturën e tyre sociale hyjnë tek familjet me më pak të ardhura sesa të tjerat përgjithësisht, ne t’ju vëmë qoftë edhe një qindarkë plus barrë. Kështu që këto janë shtëpitë tuaja, janë të hipotekuara, janë prona juaj me të cilat mund të bëni çfarë të doni, mund ta mbani, mund ta shisni, mund ta jepni me qira, mund të bëni çfarë të doni njësoj si të tjerët dhe asnjëherë, në asnjë hap të kohës në vijim, shteti nuk do të mund të vijë tek ju dhe t’u kërkojë çfarëdo qoftë.
Nga ana tjetër unë dua të përfitoj nga rasti që t’ju them jo vetëm juve, por të gjithë atyre që na ndjekin se është një kohë e vështirë kur inflacioni të cilin nuk e ka sjellë qeveria, por e ka sjellë lufta dhe e ka sjellë për të gjithë botën dhe veçanërisht për kontinentin tonë, ka vështirësuar jo vetëm familjet, por ka vështirësuar edhe të gjithë procesin e zhvillimit të mëtejshëm kur ne kemi shumë besim dhe kemi bindjen se do t’ia dalim ashtu siç duhet. Ndërkohë që jemi shumë të vendosur që ta mbajmë të paprekur çmimin e faturës së energjisë për familjarët, për abonentët familjarë dhe biznesin e vogël, por kjo, nga njëra anë ka rolin e vet në njëfarë frenimi të inflacionit dhe po të shikoni krahasimisht me vendet e tjera të rajonit, ne kemi inflacionin më të ulët, çka nuk do të thotë se nuk është problem, përkundrazi, por sidoqoftë ka rolin e vet. Ama nga ana tjetër kjo kërkon vetëdije, vetëdije që ai çmim që çdo abonent familjar apo çdo biznes i vogël ka në faturë nuk është çmimi real dhe në faturat e energjisë që familjet marrin ka një shënim ku të gjithëve iu jepet mundësia që me një shumëzim të thjeshtë ta kuptojnë se cili është çmimi real dhe diferencën mes çmimit që vjen në faturë dhe çmimit real do vazhdojë ta mbulojë qeveria nga buxheti dhe do vazhdojë ta mbulojë me qëllimin që as çmimi të mos rritet, por edhe kufizime të mos ketë. Janë dy anë të një rruge shumë, shumë delikate dhe ajo që unë kërkoj nga të gjithë është që të kursejmë energjinë sa të mundemi, në radhë të parë, duke bërë çmos të mos harxhojmë energji kot, të mos lëmë drita ndezur kot. Kjo ka shumë rëndësi.
Nëse ne patëm mundësinë ta shtyjmë, të mos ta fusim që në tetor aplikimin e fashës 800 kËh për t’i lehtësuar të gjithë psikologjikisht, pavarësisht se ajo fashë nuk prek pjesën më të madhe, kjo erdhi si rezultat i faktit që nevoja për energji u bë më e vogël sesa parashikimi, qoftë për shkak të fillimit të një qasjeje kursimi e qoftë për shkak edhe të reshjeve, gjë që bën që të kemi më pak nevojë për importin. Ama, tetori nuk është muaji më sfidues. Pas tetorit vjen nëntori dhe dhjetori, bashkë me të ftohtin, bashkë me nevojën për konsum që rritet shumë, janari. Ndërkohë që, ne duam që në gjitha rastet, fasha të jetë një eksperiencë e cila përfundon me dhjetorin.
Kështu që, ju lutem shumë, të bëjmë të gjithë pjesën tonë. Ne do bëjmë çmos nga ana jonë, por nëse secili, nëse çdo abonent familjar, nëse çdo biznes i vogël bën pjesën e vet, thjesht duke mos e shpenzuar kot, duke mos e harxhuar kot energjinë, atëherë ne jemi shumë më të sigurt në këtë rrugë kaq delikate sepse, e përsëris, dua me patjetër që të mos e prekim çmimin dhe dua me patjetër që të mos i drejtohemi praktikës së kufizimeve.
Vendet e tjera po ndjekin rrugë të cilat, sipas arsyetimit të atyre vendeve, janë të pashmangshme. Po rrisin faturat. Ju të gjithë keni të njohur, miq, të afërm dhe familjarë në Itali dhe mjafton t’i pyesni për të dëgjuar se çfarë stresi i madh po e përshkon të gjithë shoqërinë për shkak të rritjes së vazhdueshme të faturave të dritave, faturave të gazit, faturave të energjisë në tërësi.
Po ashtu shikoni Kosovën që ka filluar prej kohësh praktikën e kufizimeve të energjisë, 6 orë, 8 orë ndonjëherë, ka vendosur edhe fashën. Natyrisht që struktura e prodhimit dhe struktura e shpërndarjes atje është shumë delikate dhe me një trashëgimi shumë të rëndë, nuk është si e jona, por gjithsesi, e kam fjalën që ne po ndjekim një rrugë të guximshme, por edhe të rrezikshme. Për të kaluar rrezikun, duhet që të gjithë të kontribuojnë, duhet që të gjithë të bëjnë të tyren, duhet që të gjithë të jenë të vëmendshëm që tu thonë fëmijëve të fikin dritën pasi dalin nga dhoma, të jenë të vëmendshëm vetë që sado pak, në çdo kohë të ditës të kursehet, aq më shumë ne e garantojmë këtë rrugë.
Ashtu sikundër unë besoj dhe kam bindjen që me rritjen e menjëhershme të gjithë atyre pagave që ka hyrë në fuqi dhe do jetë shumë shpejt një realitet në arkën e shumë familjeve duke filluar që nga pensioni dhe gjithë të tjerat, prapë do të jetë dhe kjo një lehtësi e ndjeshme në raport me inflacionin e luftës, dhe kështu sëbashku siç ja dolëm edhe me krizat e tjera do t’ia dalim dhe kësaj krizë edhe pse kjo është në një farë mënyre një sfidë jashtëzakonisht e fortë dhe duke qenë se vjen e treta në radhë, kërkon edhe një shtrëngim dhëmbësh më të fortë edhe një durim dhe vullnet edhe më të madh dhe një vendosmëri edhe më të madhe.
Unë kam shumë besim që ne i kemi të gjitha këto dhe i uroj të gjithëve çdo të mirë edhe t’i gëzoni këto shtëpi të reja. Kemi akoma të tjera në proces dhe siç thashë do iu shkojmë të gjithave deri në fund. Janë të gjitha për atë që secilit i takon, nuk i kemi ndarë njerëzit në palë kështu që mbajeni mirë, me sa më shumë dashuri dhe kujdes këtë bllok të ri. Kujdesuni për hapësirat e përbashkëta dhe kur vjen puna për kujdesjen për hapësirat e përbashkëta, harrojeni me çfarë partie jeni dhe për partitë pastaj bëjini debatet në kohën e lirë, gjithë kohën tjetër është një kohë shumë e çmuar për të bërë më të mirën bashkërisht.
Shumë faleminderit!