Vendime pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendime pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave

Fjala e zëvendëskryeministres, njëherësh Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave

Përshëndetje të gjithëve!

Sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave bëmë disa ndryshime mbi projekt aktin normativ për marrjen e masave të veçanta gjatë kohëzgjatjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike. Ky akt normativ, ashtu siç ju e dini, konsiston në përcaktimin e masave detyruese që do të ndërmerren gjatë gjendjes së emergjencës së energjisë elektrike përsa i përket institucioneve shtetërore.

E kemi thënë këtë dhe më përpara që sigurisht ne duhet të bëhemi shembulli i parë sesi duhet kursyer energjia dhe sa e rëndësishme është kursimi i energjisë në këto momente. Për këtë arsye, përmes këtij projekt akti normativ, ne kemi vendosur një kërkesë për të gjitha institucionet shtetërore të cilat duhet të kursejnë 15% të energjisë së konsumuar me faturën e një viti më parë.

Kjo energji e konsumuar është ekuivalente me 1% të energjisë së konsumuar në total gjatë një muaji ose me një ekuivalencë në para që do të ishte e barazvlefshme me 3.4 miliardë lekë. Kështu që duke nisur nga të gjithë institucionet shqiptare ne do të fusim menjëherë në fuqi emërimin e një administratori energjetik i cili është një punonjës që ekziston sot në strukturat e çdo ndërmarrjeje, çdo institucioni shtetëror, do të emërohet nga titullari i institucionit dhe administratori i energjisë do të ketë si target uljen e konsumit të energjisë me 15% për ndërmarrjen që ai përfaqëson.

Sigurisht në këtë akt normativ parashikohen edhe masat që do të merren në rast se për dy muaj rresht ky target nuk do të arrihet nga institucioni. Masa shkon deri në 50 mijë lekë gjobë për drejtuesin e institucionit, administratorin e pronës apo përgjegjësin e emëruar të kësaj ndërmarrje apo institucioni shtetëror.

Gjithashtu duhet thënë që përmes këtij akti normativ ne sot miratuam kalimin e fondit përsa i përket programit që kemi lançuar në datë 1 tetor. Duke nisur nga 1 tetori dhe deri më 18 tetor Agjencia e Efiçencës së Energjisë ka hapur garën për të gjitha subjektet ndërtuese, tregtuese dhe instaluese të paneleve diellore të cilat do të jenë 2 mijë njësi. Gara do të hapet më 1 nëntor përsa i përket aplikimit të qytetarëve dhe këto 2 mijë njësi janë 2 mijë njësi gjeneruese të energjisë elektrike për ngrohjen e ujit. Nga të gjitha të dhënat tona 20% e faturës mujore e abonentëve familjarë shkon për ngrohjen e ujit, kështu që duke nisur këtë program dhe kjo është vetëm faza e parë e këtij programi që ne synojmë ta ezaurojmë deri në fund të këtij viti për ti dhënë mundësi nisjes së një faze tjetër dhe synimi ynë është që brenda vitit 2023 të arrijmë dhe të kemi mbi 20 mijë njësi të ngrohjes së ujit të vendosura për abonentët familjarë duke e ulur kështu ndjeshëm konsumin përsa i përket edhe kostos që ka çdo faturë, por edhe konsumin në përgjithësi në kushtet e krizës energjetike.

Për të gjitha këto veprimtari të cilat parashikohen nga akti normativ, si për vendosjen e administratorit energjetik dhe targetit të uljes së energjisë me 15% për çdo institucion shtetëror, si për programin që ne kemi lançuar në datën 1 tetor për subjektet ndërtuese dhe prodhuese të paneleve diellore, ashtu edhe për momentin e instalimit, pas datës 1 nëntor kur të hapet ky program për qytetarët, për të gjitha këto veprimtari që kanë të bëjnë me kursimin e energjisë, subvencionin e qytetarëve, do të angazhohet Task Forca e krijuar për të garantuar të gjitha hapat e mëtejshme dhe mbarëvajtjen e këtij procesi.

Faleminderit

Pyetje-përgjigje

Pyetje: Kryeministri Edi Rama pak ditë më parë deklaroi që fasha 800 kilovat nuk do të hyjë në fuqi nga 1 tetori, ndërkohë ditën e sotme është botuar në Fletoren Zyrtare vendimi i ERE që fasha 800 kilovat hynë në fuqi nga 1 tetori i këtij viti.

Shumë faleminderit për pyetjen. Është diçka që duhet ta sqarojmë, pavarësisht se e kemi bërë, por ndoshta është pak komplekse sepse është teknike. Atëherë, fasha 800 kilovatorë, kur shprehet ERE, ERE shprehet për miratimin e çmimit. Pra çdo kilovatorë mbi 800 do të kushtojë 42 lekë. Kjo është detyra e ERE, ne i kemi bërë kërkesën gjatë muajit shtator dhe ERE pasi e ka analizuar ka marrë vendimin që çmimi miratohet. Këtu mbaron fusha e përgjegjësisë së ERE. Tani Qeveria Shqiptare ka të drejtën, kur ka instrumentet financiarë të cilët varen nga përmirësimi i kushteve hidrologjike në kaskadën e Drinit, sigurisht edhe nga temperaturat më të ulëta, por edhe nga ndërgjegjësimi i qytetarëve të cilët kanë filluar të konsumojnë më pak, është e drejt e Qeverisë Shqiptare nëse e aplikon apo jo fashën. Ne jemi të lumtur që e ja kemi dalë siç thash për shkak të përmirësimit të kushteve të motit, por edhe për shkak të këtij konsumi më të ulur që nuk e aplikojmë fashën gjatë muajit tetor. Ti ndajmë, ERE ka marrë vendim për çmimin e kësaj fashe mbi 800 kilovatorë. Qeveria Shqiptare ka marrë një vendim në shtator të 2021 dhe vazhdon të mbajë atë vendim për të mbrojtur të gjithë abonentët familjarë, biznesin e vogël, sigurisht edhe biznesin e lidhur në tensionin e mesëm. Shpresoj të jem shpjeguar.

Pyetje: Dëshiroj t’ju pyes, edhe pse është jashtë fushës suaj të përgjegjësisë direkte për një vendim të djeshëm të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut që detyron shtetin shqiptar të rigjykoj një sërë gjyqtarësh të vetingut që janë shkarkuar nga një gjyqtar që u gjet i paligjshëm. Çfarë hapash merr shteti shqiptar për të zbatuar këtë vendim?

Nuk më rezulton që Gjykata e Strasburgut detyron shtetit shqiptar, pasi nuk është shteti shqiptar që kryen procesin e vetingut në Republikën e Shqipërisë, ka një trupë të veçantë dhe siç ju e dini sistemi i drejtësisë është i pavarur nga Qeveria. Megjithatë unë do të përgjigjem pasi e kam lexuar atë vendim. Vendimi i Gjykatës së Strasburgut nuk e cenon të gjithë procesin e vetingut dhe për më tepër është një vendim individual ku shprehet qartë dhe në vendim, nëse ju do ta lexoni vendimin e Gjykatës së Strasburgut, që nuk ka një fuqi përgjithësuese dhe kjo është e rëndësishme për t’u thënë. Është një vendim që i përket asaj çështje të gjykuar dhe nuk e përgjithëson procesin duke mos e cenuar.

Pyetje: Veç sulmit nga Irani a ka pasur tentativa të tjera për të sulmuar Shqipërinë nga hakera rusë dhe serb? Dhe së dyti, lidhet me pjesën e parë, pas sulmeve të vazhdueshme të Iranit, Qeveria Shqiptare a ka marrë masa shtesë për kampin e muxhahedinëve në Manzë dhe nëse po, çfarë masash?

Përsa i përket sulmeve të tjera ne kemi një vendim të cilin e kemi shpërndarë, pra nga të gjitha analizat që kanë dalë, ka qenë një komunikim me publikun dhe e kemi thënë qartë se nga cila strukturë ka ardhur sulmi. Nuk na rezulton që të kemi indicie të tjera për sulme të tjera, të paktën nga analizat që janë bërë. Sulmet kibernetike në ditët e sotme janë kthyer në një normalitet. Nëse ju do flisni me një nga drejtuesit e bankave do t’ju tregojnë sesa sulme ditore ka secila strukturë bankare apo telefoni celulare. Në rastin e sulmit të korrikut dhe atij të shtatorit padyshim kemi një sulm të organizuar dhe ashtu siç e thotë raporti vjen nga 4 burime, është një sulm devastant i cili ka pasur si synim “zero clear ëipe out” për të fshirë të gjitha sistemet tona dhe nuk ja ka dalë që të arrinte atë rezultat dhe siç është thënë vinte nga Ministria e Inteligjencës së Iranit. Ndërkohë, të gjitha të tjerat siç thash ne nuk kemi indicie.

Përsa i përket kampit MEK ne kemi vëmendje padyshim. Ministria e Brendshme që ka qenë gjithmonë, le të themi, pjesa e Qeverisë e cila ka pasur vëmendjen në kampin MEK. MEK në Republikën e Shqipërisë ka një marrëveshje me Qeverinë përsa i përket aktiviteteve të lejuara dhe të palejuara. Në këto momente, sigurisht ne kemi një vëmendje të shtuar. Jemi duke e diskutuar në tryeza konstruktive të gjithë marrëdhënien dhe të gjithë fushën e lirisë së veprimit që kanë. Nuk duhet harruar që MEK ka ardhur në Shqipëri si një grup për mbrojtje humanitare dhe nuk kanë ardhur si një grup politik, kështu që patjetër ne kemi një vëmendje atje.

Pyetje:  Mendohet që Qeveria të miratoj një amnisti në burgje brenda këtij vit? Faleminderit.

Amnistia penale është një procedurë që ka ndodhur dhe do të ndodh. Nuk e di nëse do të ndodh brenda këtij viti pasi është një analizë që propozohet gjithmonë nga Ministria e Drejtësisë dhe deri në këto momente nuk ka pasur një propozim nga Ministria e Drejtësisë. Amnistia e fundit, nëse unë nuk gabohem, ka qenë në vitin 2020, kështu që është një procedurë që siç thash ka ndodhur dhe do të ndodh. Nëse Ministria e Drejtësisë do ta gjykoj në bazë të analizave të saj që duhet të ketë një amnisti penale gjatë vitit 2022 ju do të njoftoheni ashtu siç ne bëjmë transparencë me të gjitha vendimet tona.

Shumë faleminderit të gjithëve.

Previous Skema Kombëtare e Trajnimit në Bujqësi, kapitull i ri i marrëdhënieve mes universitetit dhe prodhuesve bujqësorë

Leave Your Comment