Miratohet projektligji, 30 milionë euro mbështetje për investimet në sektorin e turizmit - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Miratohet projektligji, 30 milionë euro mbështetje për investimet në sektorin e turizmit

Kuvendi miratoi në seancë plenare projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, me Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin shtesë për projektin e zhvillimit të integruar urban dhe turizmin”.

Në prezantimin e projektligjit, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, tha se ky projektligj ka për qëllim marrjen e një shtesë huaje prej 30 milionë euro nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin e projektit për zhvillimin e integruar urban dhe të turizmit, në bashkitë: Sarandë, Gjirokastër, Përmet dhe Berat.

Ministrja theksoi se turizmi është kthyer në një prej sektorëve kryesorë që kontribuon në rritjen ekonomike të vendit, falë mbështetjes së qeverisë me politika fiskale lehtësuese si dhe rritjes së investimeve në këtë sektor vit pas viti.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja Ibrahimaj i kushtoi një vëmendje të veçantë çështjes së borxhit, lidhur me problematikat e likuiditetit dhe rritjes së normave të interesit.

Në këtë kuadër, Ministrja nënvizoi se dhënia e huas shtesë për mbështetjen e zhvillimit të sektorit të turizmit në vendin tonë dëshmon besimin që kanë institucionet ndërkombëtare.

Ministrja shprehu angazhimin se Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të vijojë të ndjekë një politikë të kujdesshme për të siguruar konsolidimin fiskal, zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë dhe uljen e nivelit të borxhit në nivelin  69 % në fund të vitit 2022.

Fjala e Ministres Ibrahimaj:

E nderuar Kryetare e seancës

Të nderuar deputetë,

Të nderuar qytetarë,

Vijmë sot përpara jush për tu prezantuar projektligjin që parashikon ratifikimin e marrëveshjes së huas shtesë për projektit për zhvillimin e integruar urban dhe të turizmit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, pjesë e Bankës Botërore.

Përpara sesa të filloj me parashtrimin e këtij projektligji, doja të merrja pak nga koha juaj për të diskutuar për një çështje të krizës, e cila deri më tani nuk është diskutuar por, ndërkohë, diskutohet gjerësisht dhe thellësisht në të gjitha arenat dhe institucionet ndërkombëtare. E kam fjalën për çështjen e financimit, çështjen e rritjes së normave të interesit dhe çështja e likuiditetit, ose e thënë ndryshe, çështja e borxhit.

Në fakt, që prej fillimit të krizës, ne jemi marrë gjerësisht me krizën energjetike dhe efektet që ajo ka sjellë në ekonominë botërore. Jemi marrë me ndërprerjen e zinxhirëve të furnizimit, të cilat gjithashtu kanë pasur një impakt të madh në ekonominë botërore. Kanë pasur impakt qoftë në rritjen e çmimit të produkteve energjetike e gjithashtu në rritjen e çmimit të produkteve të konsumit, inflacionit.

Ne kemi ndjekur situatën ditë pas dite dhe hap pas hapi pasi është detyra jonë dhe përgjegjshmëria jonë që t’i përgjigjemi në çdo moment këtyre efekteve të krizës dhe kostove të luftës, të pushtimit rus ndaj Ukrainës. Kemi paraqitur para jush paketa të ndryshme e ndryshime ligjore, me qëllim për ta mbajtur ekonominë shqiptare, konsumin në ekonominë shqiptare, xhepat e familjeve shqiptare sa më shumë të jetë e mundur ta pandryshuar, duke mos ndryshuar çmimin e energjisë elektrike, duke ndërhyrë me paketa sociale me qëllim që të subvencionojmë ata që më shumë kanë nevojë.

Por nuk jemi marrë me ato kosto dhe me ato efekte të raundit të dytë. Çfarë ka ndodhur sot dhe çfarë po diskutohet sot ndërmjet komunitetit të financave publike është pikërisht konsolidimi fiskal, është shtrëngimi i politikave fiskale dhe atyre monetare.

Në të gjithë librat e ekonomisë dhe në të gjithë politikat që bota po ndërmerr, me qëllim për të luftuar inflacionin, inkurajohet rritja e normave të interesit. Kjo është dhe ajo që ka bërë dhe Banka e Shqipërisë gjatë këtij viti.

Ne vijmë nga një periudhë ku normat e interesit ishin jashtëzakonisht të ulëta sepse vinim nga një periudhë ku inflacioni ishte nën nivelet e targetuara të bankave qëndrore.

Gjatë këtij viti, Banka e Shqipërisë e ka rritur normën e interesit me 1.75 %, duke çuar atë në 2.25 %. Kjo me qëllim reduktimin e kërkesës, e cila do të sjellë me tutje uljen e inflacionit.

Rritja e normave të interesit është domosdoshmërisht e lidhur me normat e interesit që qeveria shqiptare paguan për borxhin e saj, është e lidhur me normat e interesit që ne paguajmë për borxhin tonë ndërkombëtar dhe të jashtëm.

Po ku qëndrojmë ne këtu? Deri më sot, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka ndjekur një politikë të konsolidimit fiskal. Sigurisht që ne e rritëm borxhin gjatë vitit 2020 për të rritur financimet me qëllim injektimin e likuiditetit në ekonominë shqiptare. Borxhi vinte nga një nivel rreth 65 % dhe arriti në 74.5 % në vitin 2020, njësoj siç bënë edhe të gjitha vendet e Europës apo të botës. Kishte një nevojë për rritje investimesh me qëllim luftën ndaj recesionit që kishte prekur të gjitha vendet. Ndërkohë, ky borxh dhe këto investime u përkthye në rritje ekonomike pasi në vitin 2021 ne patëm një rritje ekonomike prej 8.5 % dhe bashkë me rritjen ekonomike ne arritëm që ta reduktojmë borxhin publik ndaj GDP në nga 74.5 në 73.5 %. Në atë kohë ne të gjithë ishim këtu dhe diskutonim mbi këto problematika, mbi nivelin e lartë të borxhit në Shqipëri dhe se sa ky borxh përkthehej në zhvillim ekonomik, si dhe se sa ai do të rritej.

Nga deputetët e opozitës shpeshherë thuhej dhe lakohej se borxhi në Shqipëri do të shkonte mbi 80 % e PBB. Por nuk ndodhi kështu. Arsyeja pse nuk ndodhi kështu ishte se rritja ekonomike ishte më e lartë se sa rritja e borxhit. Kjo bëri që ne të kishim një reduktim të borxhit në 2021. Edhe në vitin 2022 rritja e borxhit në 80 % deklarohej shpesh. Por, edhe për vitin 2022, në 6 mujorin e parë të tij, borxhi është në nivelin 69.1 % dhe në presim që ky borxh të jetë në këtë nivel edhe në fund të vitit. Pra, nga 74.5 % ne do të shkojmë në rreth 69 % në fund të vitit 2022.

Është e rëndësishme se kur bota po përballet me krizën të çmimeve të energjisë dhe të çmimeve të konsumit, si dhe me krizën globale të rritjes së normave të interesit dhe të mungesës së likuiditetit në tregjet ndërkombëtare, ne të jemi shumë të kujdesshëm që Shqipëria të ketë financa publike të konsoliduara, pasi financat publike janë baza e qëndrueshmërisë së një vendi. Ne mund të bëjmë shumë politika populiste dhe shumë politika shpenzuese. Por, nëse këto do të ndikonin në qëndrueshmërinë e financave publike të vendit, shteti do të shkonte në falimentim, siç ka ndodhur në historinë e botës ku shumë shtete kanë shpenzuar, kanë shpenzuar në rritje pagash dhe pensionesh të pamenduara dhe kanë përfunduar në faliment.

Qeveria shqiptare është këtu që të mos e lejojë këtë. Është këtu që nga njëra anë të kujdeset për ata që kanë më shumë nevojë, siç ka bërë deri më tani: duke mos e ndryshuar çmimin e energjisë elektrike; duke rritur pagat dhe pensionet për aq sa mund të përballojë buxheti i shtetit; duke subvencionuar ato kategori që më shumë kanë nevojë dhe më shumë preken nga kriza; duke mbështetur sektorë si ai i bujqësisë apo i transportit, të cilët nuk mund ta përballojnë rritjen e çmimit të karburanteve; duke mbështetur ato që marrin pagë minimale dhe duke e rritur atë për dy herë brenda një viti, gjë që nuk kishte ndodhur për shumë vite.

Këto janë ato paketa që ne kemi ndërmarrë, të kujdesshme dhe për tu përkujdesur ndaj popullatës dhe biznesit shqiptar, duke e mbështetur në total të gjithë popullatën shqiptare dhe rreth 99 % të biznesit shqiptar.

Po ku qëndrojmë ne sot sa i përket borxhit dhe treguesve kryesorë të tij?

Problematika për të cilën unë po flas sot është mungesa e likuiditetit në tregjet ndërkombëtare, që lidhet me riskun e rritjes së normave të interesit, të cilat pa dyshim që do të rriten. Ne sigurisht këtë gjë e kemi parashikuar, qoftë në buxhetin e vitit 2022, qoftë në buxhetin e vitit 2023 që do të paraqitet nesër në konferencën e kryetarëve.

Ne kemi bërë të mundur që gjatë gjithë viteve të fundit të ulim riskun e rifinancimit të borxhit duke rritur maturitetin e tij.

Në vitin 2015 kur borxhi u rrit për arsye të daljes mbi det të gjithë detyrimeve të prapambetura që qeveria Berisha kishte lënë të pakontabilizuara, jetëgjatësia mesatare e borxhit ishte 705 ditë. Ndërkohë sot, në vitin 2022, jetëgjatësia mesatare e borxhit është 850 ditë. Kjo është një punë e përditshme që ka bërë Ministria e Financave dhe Ekonomisë, me qëllim që risku i financimit të ulet sa më shumë.

Nga ana tjetër, ne kemi ulur interesat për borxhin, duke përmirësuar ndjeshëm atë, nga 5.3% në vitin 2015 në 3.5% në vitin 2021. Sigurisht që risqet që kemi përballë janë të larta, lidhen me kursin e këmbimit dhe çfarë na pret për të. Por, ne kemi treguar që kemi pasur një industri dhe një ekonomi atraktive ku të hyrat në ekonominë shqiptarë kanë qenë mjaftueshëm të larta për ta mbajtur kursin e këmbimit stabël dhe të pandryshueshëm. E në një kohë pasigurie si kjo e sotmja ne kemi pasur një mbivlerësim të Lekut shqiptar ndaj Europës dhe ashtu sikurse ju e dini shumë mirë Euro është monedha kryesore me të cilën ne tregtojmë, ashtu sikurse kemi pasur një nënvlerësim të Lekut në krahasim me dollarin, të ndikuar kryesisht nga konjukturat ndërkombëtare. Por në total, ekonomia shqiptare nuk ka vuajtur nga risku i kursit të këmbimit përgjatë gjithë këtyre viteve.

Të gjithë këto parametra që unë po ju përmend janë të padukshme për punën që qeveria shqiptare bën me qëllim që qëndrueshmëria fiskale të jetë aty ku është.

Mora gjithë këtë kohë për të bërë këtë parantezë për t’i bërë hyrje projektligjit që ju prezantohet për miratim. Ky projektligj ka të bëjë me një shtesë huaje që ne marrim nga një institucion financiar, pjesë e Grupit të Bankës Botërore, me qëllim për të mbështetur me 30 milionë Euro investimet në fushën e turizmit dhe të zhvillimit të integruar.

Që prej vitit 2013 ne kemi treguar qartë qasjen tonë për zhvillimin e turizmit. E kemi mbështetur turizmin në të gjitha format e politikave që mund ta mbështesnim, duke filluar që nga investimet qoftë në infrastrukturë rrugore, qoftë në infrastrukturë aeroportuale apo në infrastrukturë turistike. Gjithashtu, e kemi mbështetur edhe nëpërmjet legjislacionit tonë.

Ne kemi bërë një regjim fiskal për sektorin e turizmit i cili është atraktiv si për investimet e brendshme, ashtu edhe për investimet e huaja. Por nuk kemi ndaluar këtu. Ne kemi bërë projekte të cilat kanë qenë gjithëpërfshirës, që nuk kanë të bëjnë vetëm me infrastrukturën dhe regjimin fiskal, por kanë të bëjnë edhe me shërbimin dhe cilësinë e shërbimit që ofrojmë në turizëm.

Kemi investuar në shkolla profesionale, në rritjen e kapaciteteve profesionale të stafeve që punojnë në industrinë e turizmit, me qëllim për ti shërbyer sa më denjësisht këtij sektori kaq të rëndësishëm për ekonominë tonë. Për rrjedhojë rezultatet janë aty dhe flasin vetë. Nuk ka nevojë që ne të zgjatemi në rezultatet, pasi fluksi i turistëve jo vetëm që duket në shifra, por mjafton të ecësh në rrugët e Tiranës në një ditë të rastësishme të vitit për të kuptuar se sa turistë vijnë në Tiranë, se sa interes ka për Shqipërinë dhe sa i rritur është ky interes për Shqipërinë nga viti në vit.

Vetëm në vitin 2022, në krahasime vitin 2019 që ishte një vit që konsiderohej si viti më i mirë i turizmit në vend, hyrjet e shtetasve të huaj në vend janë rritur me mbi 16 %. Ndërkohë, nëse marrim periudhën më intensive të turizmit, hyrjet janë rritur me 18.6 %, pra nëse konsiderojmë qershorin dhe gushtin. Ky element nuk konsideron të gjithë turistët nga Kosova që vijnë në Shqipëri, pasi ne ia hoqëm detyrimin që ata të regjistroheshin në kufi. Pra, shifra duke konsideruar edhe turistët nga Kosova do të ishte shumë më e lartë.

Gjithë këto vijnë si rrjedhojë e të gjitha politikave që kemi ndërmarrë në vite me qëllim fuqizimin e sektorit të turizmit. Si ka ndikuar kjo në sektorin e turizmit? Turizmi ka qenë një amortizator shumë i mirë i krizave të njëpasnjëshme me të cilat ekonomia shqiptare është përballur.

Në vitin 2020 e gjithë bota u ngadalësua dhe në vitin 2021 kur akoma pjesa më e madhe e botës ishte e mbyllur, ne patëm një rritje domethënëse të turizmit. Turizmi pati një efekt domethënës në GDP-në e vendit tonë.

Për vitin 2022 ende nuk kanë dalë shifrat e GDP-së për tremujorin e tretë por unë jam e bindur që do të ketë një efekt shumë më të madh në GDP se vite më parë.

Nëse do ta kthejmë kokën prapa dhe të shohim se sa ka qenë GDP që sillte turizmi në vitin 2013, konsiderohet si me efekte direkte dhe indirekte në një nivel rreth 4 %. Ndërkohë që kontributi që bizneset që lidhen me turizmin në GDP-në tonë në vitin 2021, që nuk ka qenë viti më i mirë, është 7.5 %. Brenda këtij kontributi nëse ne do të llogarisim dhe efektet e sektorit ushqimor që lidhet me turizmin, apo sektorë të tjerë që lidhen me zhvillimet infrastrukturore që po ashtu lidhen me turizmin, atëherë ky kontribut dyfishohet. Këto shifra ishin të paimagjinuara më parë. Ne vinim nga një ekonomi ku pjesa kryesore e GDP lidhej me bujqësinë dhe sektori i turizmit ishte i harruar. Ne nuk kishim turizëm të huaj, por kishim turizëm vendas dhe ai i limituar në kohë dhe në shpenzime, por me ardhjen e turizmit të huaj vijnë më shumë shpenzime për vendin tonë.

Për t’ju rikthyer projektit konkret, ky projekt, i cili ka filluar në vitin 2017, ka mbështetur një sërë bashkish në vendin tonë, bashki si Saranda, Gjirokastra, Përmeti dhe Berati. Cilat kanë qenë përfitimet që këto bashki kanë pasur gjatë zbatimit të këtij projekti?

Zbatimi i projekteve ka sjellë dyfishimin e kohës së qëndrimit të turistëve në vend; rritja e prenotimeve për këto 4 bashki; rritjen e shpenzimeve ditore për çdo turist që ka vizituar këto bashki me 21%; rritjen me 36% të nivelit të kënaqësisë së turistëve; si dhe rritjen me 40% të nivelit të pastërtisë së ambienteve të këtyre bashkive.

Pa ju marrë më shumë kohë, në fjalën time doja të nënvizoja dy fakte:

Se sa e rëndësishme është në këtë moment që ne të marrim kredi të cilat norma interesa preferenciale, në një moment kur tregjet ndërkombëtare po vuajnë për financim dhe kur normat e interesit janë shumë të lartë;

Se sa i rëndësishëm është ky projekt në zhvillimin e ekonomisë së vendit dhe në zhvillimin e sektorit të turizmit, i cili është sektor prioritar për ekonominë tonë.

Për të gjitha këto arsye ju ftoj ta votoni projektligjin.

Faleminderit.

Previous “Medalja e Artë” për të rinjtë e të rejat që kurorëzuan gjimnazin me rezultate të shkëlqyera, duke zgjedhur të jenë më të mirët