“Inflacioni mbetet sfidë, ndërmarrim politika të kujdesshme për të mos cënuar qëndrueshmërinë ekonomike” - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

“Inflacioni mbetet sfidë, ndërmarrim politika të kujdesshme për të mos cënuar qëndrueshmërinë ekonomike”

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në konferencën vjetore me temë “Rikthimi i inflacionit: Si mund ta përballojmë në kushtet e pasigurive të shtuara?”, organizuar nga Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Shkollën Ekonomike dhe të Shkencave Politike të Londrës.

Ministrja vlerësoi se organizimi i konferencës është një mundësi shumë e mirë e shkëmbimit të mendimeve dhe eksperiencave të aktorëve të ndryshëm dhe një vlerë e shtuar në funksion të politikëbërjes fiskale dhe asaj monetare.

Në kushtet kur vendit po përballet me rritjen e normave të inflacionit, Ministrja tha se është e rëndësishme të zbatohen politika të kujdesshme, të cilat nga njëra anë duhet të adresojnë problematikat e inflacionit të rritur, por nga ana tjetër nuk duhet të cënojnë rritjen e qëndrueshme ekonomike.

Ministrja nënvizoi faktin se ekonomia e vendit arriti të përballonte krizën e tërmetit të vitit 2019 dhe pandeminë, ndërkohë që rritja e inflacionit tashmë është një sfidë, të cilën qeveria e ka adresuar dhe do të vijojë ta adresojë.

Në 9 muajt e këtij viti mesatarja e inflacionit ishte 6.3 %, duke arritur pikun në shtator me 8.1 %. Një rol të rëndësishëm në ruajtjen e nivelit të inflacionit ka pasur edhe politikan e ndërmarrë nga qeveria shqiptare për mos ndryshimin e çmimit të energjisë elektrike, e cila do të kishte ndikim direkt dhe indirekt në nivelin e indeksit të çmimeve të konsumit. Mos ndryshimi i çmimit të energjisë ka ndikuar në mbajtjen nën kontroll të rritjes së kostove të prodhimit në vend, duke ndikuar në pjesën e inflacionit që prodhohet në vend”, u shpreh Ibrahimaj.

Masat dhe reformat që ka ndërmarrë qeveria synojnë, ndër të tjera, rritjen e rezistencës së ekonomisë së vendit përballë goditjeve të ndryshme.

Efektet e krizës globale pritet të vijojnë edhe gjatë vitit të ardhshëm dhe në këtë kuadër, Ministrja përmendi disa prej drejtimeve kryesore ku do të fokusohet vëmendja e qeverisë, si:

Forcimi i sistemeve të mbrojtjes sociale për të mbrojtur shtresat më në nevojë, për të siguruar që kjo krizë do të ndikojë sa më pak në nivelin e jetesës së atyre që nuk mund të përballojnë rritjen e kostove;

Mbajtja e pandryshuar të çmimit të energjisë elektrike, diversifikimi i prodhimit të energjisë elektrike dhe rritja e efikasitetit të përdorimit të energjisë elektrike;

Vijimi i investimeve në rritjen e kapaciteteve digjitale të ekonomisë dhe qytetarëve;

Vijimi i konsolidimit fiskal dhe qëndrueshmërisë makroekonomike;

“Në një ekonomi rezistente ku risqet rriten, ne do të forcojmë bazat duke ndërtuar korniza të besueshme fiskale afatmesme, të cilat nxisin stabilitetin makroekonomik. Politika fiskale do të vazhdojë të ketë objektiv kryesor konsolidimin fiskal, i cili përveç rëndësisë thelbësore që ka në aspektin e qëndrueshmërisë së financave publike, ndihmon gjithashtu edhe në kontekstin e inflacionit dhe problematikës së inflacionit të shtuar dhe është në harmoni të plotë me politikën monetare”, tha Ministrja.

Po aq i rëndësishëm në kontenstin e ri makroekonomik, sipas Ibrahimaj, është dhe koordinimi i ngushtë mes politikës fiskale dhe asaj monetare, si dhe orientimi i politikave drejt zbatimit dhe përshpejtimit të reformave më inovative që gjenerojnë rritje ekonomike më të shpejtë dhe më të lartë.

Fjala e Ministres Ibrahimaj në konferencën e Bankës së Shqipërisë

I nderuar z. Guvernatori,

I nderuar z. Monastiriotis,

Të nderuar pjesëmarrës,

Jam shumë e nderuar që jam ftuar për të folur në këtë konferencë të përbashkët të Bankës së Shqipërisë dhe Shkollës Ekonomike dhe të Shkencave Politike të Londrës, në një moment kaq kyç për ekonominë shqiptare dhe ekonominë globale.

Organizimi i kësaj konferencë besoj se do t’i japë vlerë të shtuar politikëbërjes monetare dhe fiskale, nëpërmjet shkëmbimit të mendimeve dhe eksperiencave.

Vendi ynë, ashtu si edhe vendet e rajonit dhe të Europës e të mbarë botës, po përballet me një sfidë të paprecedenë, asaj të inflacionit të shtuar që është e ndikuar në pjesën më të madhe nga goditjet e ofertës, e cila në fakt është e ndërlidhur me goditjet e kërkesës që vinin që nga viti 2021. Megjithatë, goditjet e ofertës janë ato që janë më të shtuara dhe persistente shkaktuar nga lufta mes Rusisë dhe Ukrainës, nga ndërprerja e zinxhirëve të prodhimit dhe të tregtisë.

Politikat që duhet të ndërmerren në këtë moment duhet të jenë shumë të kujdesshme pasi nga njëra anë duhet të adresojnë inflacionin, por nga ana tjetër nuk duhet të cënojnë rritjen e qëndrueshme ekonomike, pasi duke ndikuar në inflacion ato mund të ndikojnë në buxhetet e familjeve shqiptare dhe në konsumin, që nga ana tjetër do të ndikojë në kërkesën dhe në rritjen ekonomike të vendit për periudhën në vijim.

Një nga ekonomistët më të shquar të kohërave, Xhon Heinz, ka thënë që për të studiuar dhe për të analizuar të tashmen ne duhet të kthejmë kokën pas dhe të analizojmë të kaluarën, me qëllim për të dhënë një perspektivë për të ardhmen.

Më lejoni që shkurtimisht në fjalën time hapëse dhe përshëndetëse të bëj një analizë të këtij lloji për ekonominë shqiptare dhe për çfarë ka ndodhur në të shkuarën, të tashmen dhe çfarë presim ne të ndodhë në të ardhmen.

Ne gjatë 3 viteve të fundit kemi pësuar disa goditje të paprecedente për ekonominë shqiptare, duke nisur që nga tërmeti i vitit 2019, i cili shkundi dhe financat publike të ekonomisë sonë. Fatmirësisht Shqipëria vinte nga një periudhë stabiliteti dhe konsolidimi, ku të gjithë parametrat makroekonomikë, përfshirë borxhin publik, ishin në një gjendje që mund të përballonin shpenzime të rritura dhe mund të përballonin një borxh më të madh, me qëllim financimin e shpenzimeve të rritura dhe kostos së rritur të rindërtimit.

Por, fill menjëherë pas tërmetit, ne u përballëm me një tjetër goditje, të një lloji tjetër, pandeminë, e cila preku dhe ngadalësoi të gjithë ekonominë botërore.  Pandemia i detyroi politikëbërësit të marrin masa të jashtëzakonshme, me qëllim mbrojtjen e familjeve, kompanive dhe pa to efektet e asaj krize do të kishin qenë më të shtuara. Pandemia i detyroi qeveritë të rrisin shpenzimet buxhetore dhe të përkeqësojnë parametrat e tyre makroekonomikë. E megjithatë, mes dy goditjeve të njëpasnjëshme dhe asaj të tretë, deri tani stabiliteti makroekonomik i vendit është ruajtur mjaft mirë. Recesioni i vitit 2020 ishte dukshëm më i butë se sa pritshmëritë fillestare. Ngadalësimi rezultoi 3.5 %, ndjeshëm më pak se sa parashikimet fillestare, qoftë të MFE, BSH apo dhe të FMN, që priste një ngadalësim me 8.5 %. Në të njëjtën linjë, rimëkëmbja e vitit 2021 ishte dukshëm më e fortë se ajo që pritej duke u materializuar në 8.5 %.  Pavarësisht disa parashikimeve dhe përkeqësimeve të përkohshme të parametrave kyç fiskalë të vitit 2020, për shkak të një politikë fiskale mjaft ekspansioniste, e cila jo vetëm ishte e pashmangshme por ishte e domosdoshme dhe e nevojshme për të zbutur ndikimin dhe për të shmangur pasoja më të rënda ekonomike dhe sociale në vendin tonë, situata e financave ka filluar të përmirësohet që në vitin 2021.

Ne kemi rihyrë sërish në një mënyrë të qëndrueshme në rrugën e konsolidimit fiskal, e cila u ndërpre përkohësisht në vitin 2020. Raporti i borxhit publik ndaj GDP në vitin 2020 shënoi 75 %, nga 66 % që ishte në vitin 2019. E megjithatë, edhe në këtë rast tejkalimi ishte më i ulët se sa parashikimi fillestar.

Në tetor të vitit 2020 FMN parashikonte që borxhi ndaj GDP në Shqipëri të ishte në nivelin 85 % në vitin 2020 dhe të vazhdonte të ishte i tillë për vitin 2021. Ndërkohë, viti 2021 u mbyll me një rezultat 73.2 %, në ulje në krahasim me rezultatin 74.5 % që ishte niveli i borxhit në vitin 2020.

Pra, në të dyja rastet, si në rastin e parashikimeve për GDP, por edhe në rastin e parashikimeve për borxhin dhe për tregues të tjerë makroekonomikë të vendit si deficiti apo balanca primare, ne në fakt duhet të pranojmë që në parashikimet gjatë viteve të fundit kemi devijuar.

Sa i përket të tashmes, dëshiroj të bëj një analizë të shkurtër të asaj që po ndodh në ekonominë shqiptare gjatë këtij viti.

Ndërkohë që në vitin 2021 ekonomia filloi të rikuperohej dhe rritja u përshpejtua, një krizë tjetër filloi. Që në fund të vitit 2021 ne filluam të përballemi me krizën energjetike dhe me rritjen e përshpejtuar të çmimeve të energjisë elektrike. Në fakt, në fillim të vitit 2022 jo vetëm që kriza energjetike u përshpejtua, por patëm një tjetër element. Agresioni rus ndaj Ukrainës ndikoi jo vetëm në çmimet energjisë elektrike, por në të gjithë nivelet e çmimeve në vend. Kjo na solli në një situatë me të cilën e kishim harruar ta jetonim.

Inflacioni që po përjetojmë, siç e përmendi edhe Guvernatori, nuk ka qenë kaq i lartë që prej vitit 1998 dhe ne jemi mësuar të hartojmë dhe zbatojmë politika fiskale dhe monetare krejt të ndryshme nga ato që duhet të zbatojmë sot.

Ne po përjetojmë një zhvendosje nga një periudhë stabiliteti makroekonomik, me norma inflacioni dhe interesi të ulëta drejt një periudhe ku normat e interesit janë të larta, inflacioni është i lartë dhe mbi të gjitha, pasiguria është e lartë për të ardhmen.

Ne kemi hyrë në një zonë rreziku të re ku bota është më e fragmentuar, më e brishtë dhe ku vendet po përjetojnë kriza të cilat nuk janë shkaktuar prej vetë këtyre vendeve dhe nuk kanë asnjë faj. Pasi kaluam me sukses dy kriza të jashtëzakonshme që nga viti 2019 e deri më sot, ne përballemi me të tjera sfida ndoshta më të forta.

E megjithatë deri më tani, ekonomia shqiptare, gjatë vitit 2022, e ka përballuar më së miri këtë goditje, ndonëse efektet janë ende dhe do të vijojnë të ndihen deri në fund të këtij viti dhe gjatë vitit të ardhshëm.

Në 6-mujorin e parë, ekonomia u rrit me 4.2 % dhe kjo rritje ishte e shpërndarë, si nga ana e ofertës, ashtu edhe në anën e kërkesës, në të gjithë sektorët e ekonomisë dhe komponentët e saj. Nga ana e kërkesës rritja ishte e shpërndarë si në konsum dhe në investime, ndërsa nga ana e ofertës ishte e shpërndarë në të gjithë sektorët e ekonomisë.

Në 6 mujorin e parë çmimet u rritën në mënyrë të përshpejtuar duke nisur që në fillim të vitit por më shumë në tremujorin e dytë dhe ne menjëherë ndërmorëm politika të cilat nuk dhanë goditje të menjëhershme në konsumin dhe në ecurinë e ekonomisë. Në gjysmën e parë të vitit papunësia arriti në nivelin 11.1 % dhe punësimi u rrit me 4.3 %.

E megjithatë, ekonomikisht, inflacioni dhe rritja e çmimeve qoftë në produktet ushqimore, qoftë në kostot e ndërtimit dhe mbi të gjitha në kostot e energjisë elektrike mbetet sfida jonë më e madhe.

Është e rëndësishme të theksohet që inflacioni në ekonominë tonë, në krahasim me të gjithë vendet e rajonit dhe me mesataren e BE-së ka qenë ndjeshëm nën nivelet e tyre. Fakt i cili në terma relativë përbën një amortizim në disa aspekte, si në atë makroekonomik, si në atë social dhe si në atë politik.

Në 9 muajt e këtij viti mesatarja e inflacionit ishte 6.3 %, duke arritur pikun në shtator me 8.1 %. Një rol të rëndësishëm në ruajtjen e nivelit të inflacionit ka pasur edhe politikan e ndërmarrë nga qeveria shqiptare për mos ndryshimin e çmimit të energjisë elektrike, e cila do të kishte ndikim direkt dhe indirekt në nivelin e indeksit të çmimeve të konsumit. Mos ndryshimi i çmimit të energjisë ka ndikuar në mbajtjen nën kontroll të rritjes së kostove të prodhimit në vend, duke ndikuar në pjesën e inflacionit që prodhohet në vend.

Megjithatë, një nga faktorët kryesorë të nivelit të sotëm të inflacionit dhe diferencimin favorizues midis inflacionit të ekonomisë sonë dhe atij të ekonomive të tjera i atribuohet dinamikës së kursit të këmbimit të lekut ndaj euros.

Prej dekadash Banka e Shqipërisë ndjek një regjim të kursit të këmbimit ndryshe nga shumica e vendeve të rajonit, që operojnë në një regjim të kontrolluar apo të ankoruar të kursit të këmbimit, ose kanë adoptuar euron si monedhë të tyre kryesore tregtare.

Një element tjetër që është i rëndësishëm është dinamika e flukseve hyrës edhe dalëse të valutës, e veçanërisht të euros, që reflekton performancën pozitive të ekonomisë shqiptare gjatë kësaj periudhe.

Ne duhet të punojmë për të ndërtuar një ekonomi sa më të qëndrueshme, një ekonomi rezistente, elastike dhe dinamike, e cila duhet të shoqërohet me një shoqëri po kaq elastike dhe dinamike.

Me anë të masave dhe reformave që qeveria shqiptare ka ndërmarrë, ne synojmë rritjen e rezistencës dhe elasticitetit të ekonomisë shqiptare.

Së pari, ne do të përforcojmë sistemet e mbrojtjes sociale për të mbrojtur shtresat më në nevojë, për të siguruar që kjo krizë do të ndikojë sa më pak në nivelin e jetës së atyre që nuk mund të përballojnë rritjen e kostove.

Së dyti, ne do të përqendrohemi në mbajtjen e pandryshuar të çmimit të energjisë elektrike, por jo vetëm, si dhe në mbrojtjen dhe diversifikimin e prodhimit të energjisë elektrike. Në rritjen e efikasitetit të përdorimit të energjisë elektrike drejt një tranzicioni të gjelbër për të siguruar një të ardhme më të qëndrueshme dhe për të forcuar stabilitetin ekonomik të vendit, por edhe atë financiar, duke qenë se energjia elektrike ka një kosto të konsiderueshme në buxhetin e qeverisë shqiptare, e duke rritur në finale sigurinë për qytetarët tanë.

Së treti, ne do të vijojmë të investojmë në rritjen e kapaciteteve digjitale të ekonomisë dhe qytetarëve.

Pandemia përshpejtoi zhvendosjen e ekonomisë dixhitale dhe të dijes që po nxit produktivitetin dhe prosperitetin në shekullin e 21. Ajo na nënvizoi rëndësinë e investimeve në të gjitha aspektet e kapitaleve, por mbi të gjithë në aspektet e kapitalit njerëzor. Kthimet nga investimet nga këto masa pro aktive dhe paraprake janë dhe do të jenë të mëdha. Ato do të ndihmojnë që njerëzit që janë të jenë të arsimuar dhe profesionistë të vazhdojnë ndërveprimin, por edhe të përshtaten, dhe të nxisim lulëzimin e industrive të reja. Ato gjithashtu do të na përgatisin për tu përballur më mirë me goditjet në të ardhmen, si të krizës klimatike që priten në një të ardhme afatmesme.

Së fundmi, në një ekonomi rezistente ku risqet rriten ne do të forcojmë bazat duke ndërtuar korniza të besueshme fiskale afatmesme, të cilat nxisin stabilitetin makroekonomik.

Në këtë drejtim, politika fiskale do të vazhdojë të ketë objektiv kryesor konsolidimin fiskal, i cili përveç rëndësisë thelbësore që ka në aspektin e qëndrueshmërisë së financave publike, ndihmon gjithashtu edhe në kontekstin e inflacionit dhe problematikës së inflacionit të shtuar. Pra, është në harmoni të plotë me politikën monetare.

Në kontekstin e ri makroekonomik ku po jetojmë, është shumë e rëndësishme koordinimi i ngushtë mes politikës fiskale dhe asaj monetare.

MFE dhe BSH, edhe në krizat që sapo kemi kaluar, kanë treguar se kanë pasur një bashkëpunim dhe koordinim mjaft të mirë, i cili ka rezultuar thelbësor në përballimin e krizave të njëpasnjëshme.

Sot po përballemi me një sërë sfidash komplekse që kërkojnë vizion dhe guxim për të kapërcyer pengesat ekonomike dhe për të sjellë perspektiva të ndryshme rreth të njëjtit vizion, duke u munduar të adaptojmë politikat globale, por në kontekstin ekonomik vendas.

Periudha kohore që po jetojmë ka shumë paqartësi, por gjithashtu na ofron një mundësi për të ndryshuar drejtimin e axhendave dhe të politikave dhe për të përshpejtuar zbatimin e reformave më inovative që gjenerojnë rritje më të shpejtë dhe më të lartë.

Nuk kam asnjë dyshim që kjo konferencë do të ofrojë një kontribut kryesor për të përballur këtë situatë dhe për të dhënë frymëzim, në mbështetje të modeleve të rritjes ekonomike që sjellin ulje të varfërisë dhe qëndrueshmëri të madhe.

Faleminderit.

Previous Presidentja e KE, Ursula Von Der Leyen në Tiranë për projekte madhore, si ai i hekurudhës Durrës – Tiranë me degëzim në aeroportin e Rinasit