“Klima e biznesit, produktiviteti dhe kapitali njerëzor”, Ibrahimaj: Po hartojmë politikë industriale për mbështetje buxhetore drejt sektorëve më produktivë - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

“Klima e biznesit, produktiviteti dhe kapitali njerëzor”, Ibrahimaj: Po hartojmë politikë industriale për mbështetje buxhetore drejt sektorëve më produktivë

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, mori pjesë hapjen e Forumit “Klima e biznesit, produktiviteti dhe kapitali njerëzor”, i cili po organizohet në ambientet e Pallatit të Kongreseve, në datat 24-26 prill. Paralelisht me këtë aktivitet, në të njëjtat ambiente do të zhvillohet edhe Panairi i Punës dhe Aftësive, në datat 25-26 prill 2023, organizuar nga Agjencia Kombëtare për Punësim dhe Aftësi.

Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj vlerësoi organizimin e forumit si një mundësi shumë të mirë për të shkëmbyer ide mbi punën e bërë deri më tani dhe për sfidat në kuadër të zhvillimit ekonomik, ku përfshihen dhe klima e biznesit, produktiviteti dhe kapitali njerëzor.

Në kontekstin e zhvillimeve të reja teknologjike, të cilat ndikojnë te biznesi, zhvillimi i qëndrueshëm i tij dhe produktiviteti, Ibrahimaj vuri theksin në nevojën e hartimit të strategjive afatgjata të mbështetura në ekonominë e dijes.

“Ne si qeveri përmes angazhimit tonë duhet të hartojmë politika që synojnë krijimin e një mjedisi të favorshëm ku bizneset të rriten, të gjejnë tregje të reja dhe të aftësojnë më tej kapitalin e tyre njerëzor, që ai të mos largohet, por të mbetet investimi më i rëndësishëm që bizneset mund të bëjnë”, u shpreh Ibrahimaj.

Nga ana tjetër, Ministrja nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve shtetërore dhe biznesit në funksion të rritjes së produktivitetit. Në këtë aspekt, Ibrahimaj vuri në dukje faktin se Ministria e Financave dhe Ekonomisë është duke punuar për të hartuar një politikë industriale e cila do të kanalizojë mbështetjen buxhetore drejt atyre sektorëve që janë më produktivë dhe sjellin rritje ekonomike.

Nga ana tjetër, një tjetër element i rëndësishëm për rritjen e produktivitetit mbetet edhe investimi në dixhitalizim, në mënyrë që bizneset të aftësohen, që proceset e tyre të punës të jenë me sa më pak kosto dhe të përdorin sa më shumë kapital njerëzor me dije të nivelit të lartë.

Fjala e Ministres  Ibrahimaj:

I nderuar Kryeministër Rama,

E nderuar znj. Hohmann,

I nderuar z. D’Oria,

Përfaqësues, zonja dhe zotërinj të biznesit,

Me lejoni t’ju uroj mirëseardhjen në këtë forum tejet të rëndësishëm që do të na shërbejë si një platformë për të shkëmbyer ide për punën që kemi bërë, por edhe për të ndarë sfidat tona të përbashkëta të një trinomi që më shumë se kurrë është kthyer në kryefjalën e diskutimeve të zhvillimit ekonomik, siç është Klima e Biznesit, Produktiviteti dhe Kapitali Njerëzor.

Ne jemi duke jetuar në një botë pa kufij, ku kapitali njerëzor qarkullon në mënyrë të vrullshme, ku koncepti i punës ka ndryshuar rrënjësisht, ku zhvillimet e teknologjisë po ndikojnë që sipërmarrjet gjithnjë e më shumë të synojnë rritjen dhe modelet e qëndrueshme të saj, të rritjes së produktivitetit, por edhe të zhvillimit të kapitalit njerëzor që kërkojnë strategji afatgjata të mbështetura në ekonominë e dijes.

Shqipëria nuk mund të bëj përjashtim nga këto zhvillime dhe ndaj ne jemi duke punuar fort për të adresuar të gjitha sfidat, si dhe për të krijuar një model të ri ekonomik që mbështet tranzicionin e gjelbër, dixhitalizimin, krijimin e një ambientit të përshtatshëm për zhvillimin e start up-eve e më konkretisht atyre inovative, por edhe integrimin me ekosistemet ndërkombëtare.

E për të gjitha këto duhet të ndërhyjmë që zhvillimi të jetë i qëndrueshëm, duke punuar për të krijuar aftësitë e nevojshme dhe për të nxitur të rinjtë drejt edukimit.

Edukimi është një sfidë pasi me zhvillimin ekonomik dhe atë teknologjik nevoja për dije vjen gjithmonë e më shumë duke u rritur.

Pra, duhet të kemi njerëz të aftë dhe të trajnuar, për të mësuar dhe për tu zhvilluar, të aftë për t`ju përgjigjur kontekstit të ndryshimeve digjitale në ekonomi.

Nuk mjafton më që ne t’i aftësojmë për aftësi teknik edhe specifike. Ne duhet t’i aftësojmë të rinjtë për ndryshimin.

Ne si qeveri përmes angazhimit tonë duhet të hartojmë politika që synojnë krijimin e një mjedisi të favorshëm ku bizneset të rriten, të gjejnë tregje të reja dhe të aftësojnë më tej kapitalin e tyre njerëzor, që ai të mos largohet, por të mbetet investimi më i rëndësishëm që bizneset mund të bëjnë.

Ndaj nuk është rastësi që sot ne kemi vendosur që këtë Forum kaq të rëndësishëm ta ndërthurim me Panairin e Punës dhe Aftësive, një mundësi e shkëlqyer që punëdhënësit të ndërveprojnë me punëkërkuesit, të eksplorojnë mundësitë për zhvillimin e aftësive dhe të karrierës së tyre.

Janë mbi 1,200 vende të lira punë që po paraqiten në këtë panair nga 35 kompani, nga të cilat 15 janë të huaja.

Oferta e punës nuk mund të shihet vetëm këtu, por të gjithë punëkërkuesit mund t’i drejtohen platformës e-Albania dhe portalit puna.gov.al, ku aktualisht janë rreth 3,300 vende të lira.

Ne gjithashtu po punojmë për vënien në dispozicion dhe përdorim të Inteligjencës Artificiale për të digjitalizuar të gjitha shërbimet e tregut të punës, si dhe për të krijuar një dritare unike për të papunët, punëkërkuesit dhe emigrantët që rikthehen në atdhe.

Bizneset që janë sot në këtë Panair Pune dhe Aftësish janë shembulli më i mirë sesi sipërmarrja është transformuar, sesi kompanitë po zhvillohen dhe po gjejnë rrugët  për të qenë sa më konkurruese në tregun e brendshëm dhe të jashtëm, në sektorë, si: teknologjia, industria, shërbimet etj, ku paga mesatare është rreth 110,000 lekë.

Modeli i ri ekonomik që ne synojmë të zhvillojmë është ai i kalimit nga avantazhi i krahut të lirë të punës tek rritja e aftësive dhe e njohurive, duke u mbështetur te ridimensionimi total i arsimit profesional.

Do doja të ndalesha tek programi i Kodimit, i lançuar në Janar nga qeveria shqiptare, në mbështetje të të rinjve për tu përshtatur me aftësitë dixhitale më të kërkuara të momentit përmes marrjes së kurseve afatshkurtra në degët më të kërkuara të teknologjisë, përmes subvencionimit deri në 100% të kostove të trajnimit.

Deri tani kemi rreth 2,800 aplikantë, çka tregon edhe interesin e lartë të të rinjve për t’u aftësuar më shumë në këtë drejtim.

Adresimi dhe ndjekja e sfidave që do të adresojnë panelet gjatë këtij Forumi në fakt janë një rrugëtim që ne nuk mund ta bëjmë pa partnerin tonë kryesor në këtë sfidë që është biznesi.

Bizneset duhet të gjejnë në Shqipëri punonjës të kualifikuar dhe këtë duhet ta bëjmë të gjithë bashkë. Sigurisht që qeveria duhet të bëjë shumë duke ndikuar me politikat e saj buxhetore dhe një pjesë e madhe e rritjes së produktivitetit është investimi në rritjen e produktivitetit të kapitalit njerëzor. Për këtë arsye, për të nxitur dëshirën për të mësuar më shumë dhe me eficencë ne kemi filluar një  reformë madhore të pagave, e cila filloi me rritjen e pagës minimale që prej vitit të kaluar, si një nevojë dhe domosdoshmëri. Por ndërkohë duke bërë analiza të thelluara të sektorëve dhe të ndikimit që kjo pagë minimale do të kishte në produktivitetin e kompanive, ne në bashkëpunim dhe me biznesin arritëm në rezultatin që paga minimale mund të ishte më e lartë. Bashkë me pagën minimale ne kemi filluar një politikë të pagave në të gjithë administratën publike, e cila do të tërheqë më shumë produktivitet dhe eficencë në administratën publike, por do të ndikojë dhe në pagat në të gjithë sektorin privat.

Këtë e kemi diskutuar gjerë e gjatë në forume të ndryshme biznesi dhe me shoqata biznesi dhe rezultati e konkluzioni që kemi arritur është një dhe të gjithë vetëm, ne duhet të punojmë të gjithë bashkë në mënyrë që produktiviteti i biznesit privat të rritet. Kjo është dhe arsyeja pse Ministria e Financave dhe Ekonomisë është duke punuar për të hartuar një politikë industriale e cila do të kanalizojë mbështetjen buxhetore drejt atyre sektorëve që janë më produktivë dhe sjellin rritje ekonomike.

E megjithatë, shumë është bërë për të ndikuar në uljen e kostove të biznesit.

Ne prej vitesh tashmë po punojmë për të ndërtuar një infrastrukturë rrugore, aeroportuale apo portuale, me qëllim që kostot e biznesit të jenë sa më të ulëta, sidomos ato të lidhura me transportin.

Por rritja e produktivitetit nuk mbaron këtu. Është e rëndësishme që ne të gjithë së bashku të investojmë në dixhitalizim, është e rëndësishme që të gjithë së bashku të mundohemi që bizneset të aftësohen me qëllim që proceset e tyre të punës të jenë me sa më pak kosto dhe të përdorin sa më shumë kapital njerëzor me dije të nivelit të lartë.

Produktiviteti në vend është rritur gjatë viteve të fundit. Nga viti 2017 ne kemi pasur rritje të produktivitetit me 16.2 % në të gjithë ndërmarrjet prodhuese të të mirave dhe shërbimeve.  Por për të analizuar dhe për të bërë politikat e duhura në këtë drejtim duhet të analizojmë dhe strukturën e ekonomisë vendase. Janë 6.7 % e bizneseve që kanë më shumë se 10 të punësuar që sjellin 70 % të vlerës së shtuar në vend dhe kanë 55 % të të punësuarve. Ne duhet të orientojmë bizneset që të rrisin kapacitete e tyre, që të rrisin numrin e të punësuarve dhe të orientohen drejt atyre sektorëve që nxisin produktivitetin dhe fitimin.

Element i rëndësishëm në rritjen e konkurrueshmërisë dhe produktivitetit është gjithashtu gjithë rruga jonë drejt anëtarësimit në BE dhe gjithë politikat dhe reformat strukturore që jemi duke ndërmarrë me qëllim arritjen e niveleve të duhura që biznesi shqiptar të jetë më konkurrues, të jetë më i aksesueshëm nga tregjet ndërkombëtare.

Këto janë politika dhe marrëveshje që ne tashmë i kemi nënshkruar qoftë në kuadër të Procesit të Berlinit ashtu edhe të procesit të Ballkanit të Hapur që kanë ndikuar në mënyrë të ndjeshme te të gjitha ato biznese që po punojnë dhe po shfrytëzojnë atë që do të bëhet në të ardhmen tregu i përbashkët europian.

Ne jemi duke zbatuar një Plan Veprimi rajonal 4 vjeçar, me masa konkrete në katër fusha kryesore: Tregti, Investime, Digjitalizim dhe Inovacion.

Të gjithë këto synojnë përmirësimin e mëtejshëm të klimës së të bërit biznes në vend.

Megjithatë, nuk duhet harruar ajo që është bërë deri tani.

Në vitet e fundit ne kemi punuar fort me qëllim që të reduktojmë burokracitë dhe të ulim procedurat. Ne kemi rritur aksesin në shërbime dhe në financë.

A kemi bërë mjaftueshëm? Sigurisht që asnjëherë nuk është mjaftueshëm. Për të arritur nivelin optimal ne duhet të bashkëpunojmë më shumë së bashku dhe jam e bindur që nëpërmjet tryezave ku ne diskutojmë në mënyrë të vazhdueshme, nëpërmjet zhvillimit të dialogut me biznesin, por edhe nëpërmjet forumeve të tilla, ku hapur do të diskutohet problematikat dhe sfidat dhe mënyra e adresimit të tyre, të cilat do të arrihen në bashkëpunim, ne do të arrijmë të ndërtojmë një model të qëndrueshëm ku Shqipëria të jetë e aftë për tu shndërruar dhe për tu përballur çdo sfidë që inovacioni do të na sjellë.

Faleminderit.

Previous Forumi i Klimës së Biznesit 2023, platformë e shkëmbimit të ideve mbi klimën e biznesit, produktivitetin dhe kapitalin njerëzor