Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në konferencën “Punësimi i të rinjve dhe e ardhmja e tregut të punës”. Kjo konferencë u organizua nën kujdesin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në bashkëpunim me Unionin për Mesdheun, GIZ dhe Bashkimin Europian. Konferenca mblodhi së bashku një spektër të gjerë partnerësh dhe palësh të interesuara mbi tregun e punës, me synim shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe praktikave më të mira për të adresuar mundësitë dhe sfidat aktuale në lidhje me përmirësimin e punësimit të të rinjve, në një treg që ndryshon me shpejtësi.
Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj u shpreh se punësimi dhe aftësimi i të rinjve është i rëndësishëm sa i përket zhvillimit ekonomik dhe social të vendit dhe qeveria në vitet e fundit i ka dhënë prioritet zhvillimit dhe përmirësimit të aftësimit dhe arsimit profesional. Ministrja tha se Shqipëria është një nga shtetet që ka popullatën më të re përsa i përket moshës në Europë, çka përbën një avantazh sa i përket tregun e punës dhe moshës së forcës së punës. Megjithatë, sipas të dhënave të INSTAT, shkalla e punësimit tek të rinjtë nga mosha 15-24 vjeç është 27% dhe në këtë drejtim, Ministrja shprehu bindjen se ka ende shumë hapësira që kjo përqindje të rritet.
“Synimi ynë nëpërmjet politikave është që ky numër të rritet, që t’i japim çdo të riu apo të reje një mundësi në të ardhmen, që ai të aftësohet apo të marrë një shërbim të punësimit, me qëllim që ai të punësohet”, u shpreh Ibrahimaj.
Ministrja theksoi faktin se politikat e qeverisë në drejtim të rritjes së punësimit mbështeten edhe nga partnerët ndërkombëtare, siç është rasti i skemës së Garancisë Rinore, e cila bashkëfinancohet nga qeveria shqiptare dhe BE. Garancia Rinore do nisë pilotimin këtë vit dhe synon që në 4 vite të ofrojë shërbime, punësojë dhe aftësojë rreth 18 mijë të rinj, me qëllimin kryesor investimin në kapitalin njerëzor dhe rritjen e tij.
“Ne synojmë që përmes politikës së Garancisë Rinore dhe politikave të nxitjes së punësimit të rrisim produktivitetin në vendin tonë dhe të zhvillojmë aftësitë e punëtorëve në sektorë të ndryshëm. Rritja e eficencës dhe produktiviteti është ngushtësisht e lidhur me përmirësimin e kapitalit, me investimin në kapitalin njerëzor, por edhe me përmirësimin e klimës së biznesit në përgjithësi”, tha brahimaj.
Gjatë fjalës së saj, Ministrja Ibrahimaj u ndal edhe në çështjen e emigracionit, i cili në vitet e fundit është theksuar si fenomen, në një kohë që vendi afrohet drejt integrimit europian. Ministrja tha se qeveria mbetet e angazhuar në sigurimin dhe përmirësimin e ofertës së duhur të punës në treg, për ta bërë atë të krahasueshme me ofertën e vendeve të rajonit apo BE, me qëllim që të rinjtë shqiptarë të kenë alternativë qëndrimin dhe zhvillimin e kapitalit të tyre brenda vendit tonë.
Nga ana tjetër, Ministrja theksoi faktin se një element i rëndësishëm lidhur me zhvillimin e tregut të punës dhe sektorë të ndryshëm të ekonomisë është edhe dixhitalizimi dhe inovacioni, i cili përbën dhe një prej objektivave të Strategjisë për Punësim dhe Aftësi, e cila sapo është miratuar. Qeveria, shtoi Ibrahimaj, është duke investuar në mënyrë që arsimi profesional të përmbajë elementë të dixhitalizimit dhe inovacionit. “Mund të gjendet inovacion në bujqësi, në turizëm, në manifakturë, dhe janë të gjitha këto drejtime që ne synojmë t’i nxisim nëpërmjet politikave tona të përmirësimit të cilësisë së arsimit profesional”, tha Ibrahimaj.
Në fund të fjalës së saj, Ministrja shprehu angazhimin e MFE për të dialoguar dhe bashkëpunuar me partnerë dhe aktorë të ndryshëm, në mënyrë që të arrihen rezultate konkrete dhe të shpejta në kohë sa i përket aftësimit dhe punësimit të të rinjve.
Fjala e Ministres Ibrahimaj:
Të nderuar pjesëmarrës,
Ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj dhe që zgjodhët Tiranën për konferencën mbi punësimin e të rinjve dhe të ardhmen e tregut të punës. Kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme për ne, e cila zhvillohet nën kujdesin e MFE, përmes nismës së ndërmarrë nga Unioni për Mesdheun, që në zbatim të deklaratës ministeriale të Marakeshit, promovon bashkëpunimin euro mesdhetar përmes iniciativave të cilat kanë tre objektiva kryesorë: stabilitetin rajonal, zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe integrimin ekonomik të rajonit.
Të tre këto objektiva janë të rrënjosura në të gjitha strategjitë dhe objektivat strategjikë të Shqipërisë ndaj ne sot ndihemi të nderuar që jemi bashkë organizatorë të kësaj konference, e cila na jep rastin të diskutojmë në detaje mbi një nga elementët kryesorë të zhvillimit ekonomik dhe zhvillimit rajonal, që është punësimi i të rinjve.
Uroj që kjo konferencë të shërbejë si një platformë komunikimi, për të shkëmbyer njohuritë, përvojat dhe praktika më të mira, të cilat kanë adresuar sfidat dhe mundësitë që vijnë me targetimit të të gjithë potencialit të duhur që sot ka rajoni në nivelin e qeverisjes përmes politikave, por edhe në nivel të sipërmarrjes private, për punësimin e të rinjve.
Bashkërisht ne sot do të njihemi histori të suksesshme të të rinjve që sot drejtojnë biznese novatore dhe që i shërbejnë zhvillimit të qëndrueshëm.
Strategjia Rinore e UfM 2030: “Rinia Euro-Mesdhetare drejt një qëllimi të përbashkët” – nxori në pah një nevojë urgjente për t’iu dhënë një përgjigje konkrete problemeve që të rinjtë kanë në rajon, përfshi edhe Shqipërinë, për të aksesuar tregun e punës, por edhe për të zhvilluar aftësitë e tyre.
Sot, rreth 48% e popullsisë në rajonin e Mesdheut të Jugut është në moshën 30 vjeç. Shqipëria mbetet ende një nga shtetet që ka popullatën më të re përsa i përket moshës në Europë, pra vijon të ketë një avantazh për tregun e punës përsa i përket forcës së punës dhe moshës së forcës së punës.
Nëse i referohemi të dhënave të INSTAT, shkalla e punësimit tek të rinjtë nga mosha 15-24 vjeç është 27%. Jam e bindur që ka ende shumë hapësira me qëllim që kjo përqindje të rritet. Ndërkohë, nëse shohim shifrat e pjesëmarrjes në forcën e punës, e shkallës së punësimit, dhe nëse analizojmë pjesën tjetër të të rinjve të cilët nuk janë të punësuar, niveli i atyre që konsiderohen NEET është shumë i ulët. Synimi ynë nëpërmjet politikave është që ky numër të rritet. Synimi ynë është që t’i japim çdo të riu apo të reje një mundësi në të ardhmen, me qëllim që ai të aftësohet apo të marrë një shërbim të punësimit, me qëllim që ai të punësohet.
Besoj se kjo është një politikë që ndahet nga të gjithë vendet e rajonit, të Mesdheut, por edhe më gjerë, dhe është një politikë e cila do ta na sigurohet nëpërmjet Garancisë Rinore, e cila është një nismë që ne e kemi ndërmarrë tashmë në bashkëpunim me BE, do të jetë pjesë e projekteve IPA dhe do të jetë pjesë e mbështetjes që BE do të japë për zhvillimin e vendit tonë, në bashkëfinancim me qeverinë shqiptare.
Ne do të fillojmë që këtë vit me qëllim pilotimin e nismës së Garancisë Rinore, e cila synon që në 4 vjeçarin e ardhshëm të mund t’i ofrojë shërbime, të punësojë e të aftësojë një numër relativisht të lartë të rinjsh, rreth 18, 000 të rinj, dhe ne besojmë se kjo është një nga zgjidhjet, me qëllim investimin në kapitalin njerëzor dhe rritjen e tij, shfrytëzimin e kapaciteteve të pashfrytëzuara që ne kemi në drejtim të kapitalit njerëzor.
Në fazën e zhvillimit ku Shqipëria është tashmë, është shumë e rëndësishme që ne të investojmë me qëllim rritjen e produktivitetit, nxitjen e atyre aseteve që ne i kemi dhe duhen shfrytëzuar. Në këtë drejtim, rritja e eficencës dhe produktiviteti është ngushtësisht e lidhur me përmirësimin e kapitalit, me investimin në kapitalin njerëzor, por edhe me përmirësimin e klimës së biznesit në përgjithësi.
Një tjetër problem që gjatë viteve të fundit është shfaqur në Shqipëri është ai i lidhur me migracionin. Sa më shumë ne i afrohemi rrugës drejt BE, aq më shumë konkurrencë ka për vende pune dhe për kapital njerëzor, dhe kjo është një arsye më shumë që ne na nxit për të investuar në kapitalin tonë njerëzor dhe të bëjmë të mundur që oferta e punës që Shqipëria ofron të jetë e krahasueshme me ofertën e punës që ofrohet nga vendet e rajonit, BE apo më gjerë.
Ne sigurisht nuk mund të ndalojmë emigracionin, është një dukuri e cila ka të mirat dhe të këqijat e veta. Patjetër që ndër vite emigracioni ka sjellë mjaft benefite për Shqipërinë, edhe në nivel të njohurive të marra në emigracion dhe të atyre që kanë zgjedhur të rikthehen në Shqipëri, por ajo që mund të bëjmë ne si qeveri është pikërisht të japim mundësinë dhe ofertën e duhur me qëllim që të rinjtë tanë të mos kenë alternativë ikjen, por të kenë alternativë qëndrimin dhe zhvillimin e kapitalit të tyre brenda vendit tonë.
Pra, ne synojmë që përmes politikës së Garancisë Rinore dhe politikave të nxitjes së punësimit të rrisim produktivitetin në vendin tonë dhe të zhvillojmë aftësitë e punëtorëve në sektorë të ndryshëm.
Sigurisht që zhvillimet ekonomike të viteve të fundit kanë bërë që ne të përqendrohemi në sektorin e turizmit dhe të hotelerisë ku ka nevojë për arsim profesional, për aftësim dhe inovacion, ka nevojë për dixhitalizim dhe të gjithë këto elementë janë të përfshirë në Strategjinë për Punësim dhe Aftësi që sapo e kemi miratuar, ku një nga objektivat kryesorë është inovacioni dhe dixhitalizimi.
Ne besojmë se dixhitalizimi dhe inovacioni është në çdo sektor të ekonomisë dhe jo vetëm në atë të TIK, ku në fakt Shqipëria është duke bërë shumë dhe nëpërmjet programeve të nxitjes, por ne besojmë që inovacioni mund të gjendet kudo dhe jemi duke investuar që arsimi ynë profesional të përmbajë dhe të ketë elementët e dixhitalizimit dhe inovacionit. Mund të gjendet inovacion në bujqësi, në turizëm, në manifakturë, dhe janë të gjitha këto drejtime që ne synojmë t’i nxisim nëpërmjet politikave tona të përmirësimit të cilësisë së arsimit profesional.
Duke iu rikthyer edhe njëherë së fundmi te Garancia Rinore, ne besojmë që kjo është alternativa e duhur. Ne besojmë se kemi shumë potencial në kategorinë e të rinjve 19-24 vjeç që janë pikërisht të rinjtë që kanë shkallën më të ulët të punësimit dhe potencialin më të lartë për integrimin në arsimin profesional apo në punësim, nëpërmjet programit të Garancisë Rinore i cili ka qenë mjaft i suksesshëm në shumë vende të tjera ku aplikuar dhe ne jemi të hapur për të dëgjuar eksperiencat tuaja në këtë drejtim dhe praktikat më të mira që kanë ndikuar në rritjen e shkallës së punësimit të kategorisë së të rinjve.
MFE do të jetë gjithmonë e hapur në këtë proces dhe dialog dhe uroj që ky bashkëpunim të jetë sa më i suksesshëm dhe besoj se ka elementët e duhur për të punuar së bashku, me qëllim që të arrijmë rezultate konkrete në një kohë të shkurtër, si në numrat, ashtu edhe në cilësi.
Faleminderit.