Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, inspektoi punimet në hidrovorin e Karavastasë, që do të garantojë kullimin e rreth 7 mijë hektarë tokë bujqësore në bashkitë Divjakë e Lushnje.
Bashkë me kryetarin e bashkisë, Josif Gorrea, dhe deputetin e zonës Erion Braçe, ministrja Denaj, ndoqi nga afër ecurinë e investimit në këtë hidrovor që përfshin rikonstruksionin e plotë , zëvendësimin e pompave të vjetra, për ta bëjë më efikas në shmangien e përmbytjeve në zonën afër lagunës.
Hidrovori, një vepër e ndërtuar në 1970, është nga më të rëndësishmit në Shqipëri dhe ndër të mëdhenjtë në Ballkan.
“Prej më shumë se dy vitesh po punohet në strukturën ndërtimore të tij dhe për zëvëndësimin e 7 elektropompave ekzistuese, që do të mundësojnë largimin e ujërave, për çdo situatë të mundshme me reshje shiu. Kërkova zbatimin në kohë të kontratës dhe plotësimin e të gjithë kushteve teknike sipas standardeve”, deklaroi Denaj.
Rikontruksioni i tij dhe vendosja e pompave të reja elektro-mekanike japin siguri maksimale për evitimin e përmbytjeve të tokës bujqësore në këto zona. Sipas ministres Denaj, ndërhyrja e këtij lloji është e para dhe kërkon një vëmendje të veçantë.
Investimet në sistemet e ujitjes dhe mbrojtjen e argjinaturave, janë në fokus të objektivave në projektet që zbaton Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Ndërhyrjet në këtë sistem ndikojnë në rritjen e prodhimit bujqësor, por edhe reduktojnë rrezikun nga përmbytjet.
MBZHR po vijon me investimet në infrastrukturën vaditëse dhe kulluese për të lehtësuar punën e fermerëve, teksa po ecën paralelisht me programet mbështetëse për rritjen e prodhimit bujqësor vendas.
Denaj informoi se, ekipet e Bordit të sektorit të ujitjes dhe kullimit, janë në territor për të mundësuar infrastrukturën e nevojshme të ujitjes për fermerët.
Gjithashtu po vijohet me monitorimet në rrjetin kullues për të eliminuar ndotjen dhe pastruar vazhdimisht rrjetin, në të gjithë territorin, me qëllim rritjen e eficiencës së tyre , për parandalimin e pëmbytjeve gjatë sezonit vjeshtë- dimër.