Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka kryesuar delegacionin shqiptar që mori pjesë në Ministerialin e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor për Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme, organizuar nga presidenca spanjolle e BE-së dhe Ministria e Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut, përgjatë datave 27-28 tetor 2023.
Në fokus të forumit ishin sfidat në sistemin e drejtësisë, ngritja e besimit të qytetarëve dhe linjëzimi i qëndrimeve ndaj agresionit rus në Ukrainë. Eksperienca e sjellë nga homologët e drejtësisë në rajon konfirmoi sfidat dhe rrugën e përbashkët që duhet të përshkruajnë vendi ynë dhe fqinjët tanë drejt qëllimit final, Bashkimit Evropian.
Në fjalën e tij, ministri Ulsi Manja, solli një panoramë të reformës në drejtësi, punës së bërë në luftën ndaj korrupsionit, aksesin në drejtësi dhe bashkëpunimin rajonal në forcimin e shtetin ligjor.
Në përfundim të Ministerialit, deklarata e përbashkët tregoi vullnetin e palëkundur për adresimin e çështjeve të drejtësisë që prek çdo shtet të rajonit dhe BE-së. Vendi ynë është partner i besueshëm në sfidat e drejtësisë dhe sistem referimi për reformat në gjyqësor. Shqipëria është tërësisht e linjëzuar me partnerët tanë ndërkombëtarë BE-në dhe SHBA për sa i përket qëndrimeve dhe masave që kemi aplikuar për agresionin rus në Ukrainë.
Gjatë vizitës, Ministri Manja zhvilloi takime zyrtare me personalitetet shqiptare në Maqedoninë e Veriut, si Ministri i Drejtësisë, z. Krenar Lloga, Kryetarin e Parlamentit të MV, z. Talat Xhaferi, si dhe me Ministrin e Shtetit Për Çështjet e Parlamentit dhe zv. Ministër i Drejtësisë së Hungarisë, z. Robert Repassy.