Ka përfunduar investimi në shkollën 9-vjeçare “Skënder Libohova” në Lushnje, e cila do t’iu shërbejë sipas standardeve më bashkëkohore mbi 700 nxënësve dhe mësuesve të kësaj shkolle.
Gjatë inspektimit në shkollën e sapo përfunduar, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu e ka vënë theksin tek investimi në infrastrukturë dhe në unifikimin e bazës didaktike.
“Një investim i cili po përfundon në bashkinë e Lushnjes, një shkollë 9-vjeçare e cila jo vetëm është rehabilituar, por tashmë është zgjeruar në kapacitete të klasave, për të kaluar nga një shkollë me dy turne, në një shkollë me një turn, pra një shkollë tashmë në parametra dhe standarte bashkëkohore, e cila, pritet të hapet në muajin që vjen për të pritur rreth 700 nxënës”, tha Ministrja Manastirliu.
“Fokusi i investimeve të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit do të jetë në 3 shtylla kryesore” – tha Ministrja Manastirliu, duke folur për zgjerimin e investimeve në shkolla, unifikimin e bazës materiale-didaktike dhe investimet në terrene sportive dhe palestra në shkolla.
Kryetarja e Bashkisë së Lushnjes, Eriselda Sefa, ka vlerësuar investimin e bërë të mundur, në bashkëpunim me Minstrinë e Arsimit dhe Sporit.
“Falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Bashkisë Lushnje, ne sot kemi një shkollë tjetër, ku nxënësit do të kenë mundësi të qëndrojnë në ambiente me infrastrukturë më të mirë. Gjithashtu nje tjeter investim, palestra “Foto Puka” që falë financimit të MAS, ajo tashmë ka marrë përmasat e mini-pallati të sporteve dhe atje nuk do të zhvillojnë vetëm fiskulturë disa shkolla, por do të stërviten dhe luajnë ekipet profesioniste”,- u shpreh Sefa.
Shkolla “Skënder Libohova” i është nënshtruar rikonstruksionit dhe shtesës së godinës, një investim i financuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Bashkia Lushnje. Pas pajisjes me bazën materiale në klasa dhe laboratorë, kjo shkollë do të ofrojë mësim me standardet më të larta për 679 nxënësit dhe 43 mësuesit e kësaj shkolle. Në shkollë “Skënder Libohova” është investuar gjithashtu edhe për terrenet e reja sportive.
Aktualisht 60 shkolla janë në proçes rehabilitimi, rindërtimi dhe do nisin rikonstruksionin në të gjithë vendin, falë financimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, bashkive dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë.
mbyll
media
Kontakt
Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.
e-mail: info@mia.gov.al