Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Ervin Mete, priti në një takim Drejtorin e Zhvillimit të Tregjeve Kapitale dhe Financiare në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, z. Alex Pivovarsky, së bashku me Drejtuesen e BERZH-it në Shqipëri, znj. Ekaterina Solovova.
Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi lidhur me mundësitë e thellimit të bashkëpunimit dhe asistencës nga BERZH për zhvillimin e tregjeve të kapitalit në Shqipëri.
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka shprehur gadishmërinë për asistuar Shqipërinë në zhvillimin e tregut të obligacioneve nga ndërmarrjet shtetërore, korporatat dhe bashkitë. Gjithashtu, BERZH, nisur nga eksperienca në këtë fushë, ka shprehur gadishmëri për të asistuar sa i përket ngritjes së kapaciteteve për emetuesit e mundshëm, si edhe për rregullatorët.
Ministri Mete vlerësoi se asistenca e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të jetë me rëndësi për zhvillimin e tregjeve të kapitalit në vendin tonë, ku aktualisht është miratuar kuadri ligjor dhe rregullator, si edhe është plotësuar infrastruktura e tregtimit dhe pastregtimit.
Ministri theksoi se Dokumenti i Politikave “Për krijimin e një mjedisi mundësues për zhvillimin e tregjeve të kapitalit në Shqipëri, 2023-2027”, i miratuar në prill 2023 nga Këshilli i Ministrave, është një bazë e mirë për ndërmarrjen e veprimeve konkrete.
Ky dokument parashtron disa objektiva kryesorë për zhvillimin e këtij tregu, si: rritja e pjesëmarrjes së emetuesve, zgjerimi i bazës së investitorit dhe zgjerimi i gamës së instrumenteve financiare, eficienca dhe transparenca e tregut të kapitaleve, si edhe zhvillimi i tregut sekondar të Titujve të Qeverisë.
Objektivi i përgjithshëm është promovimi i tregjeve eficiente të kapitalit nëpërmjet nxitjes së zhvillimit të këtyre tregjeve dhe mbikëqyrjes efektive të tyre.
Gjatë takimit, palët diskutuan edhe mbi ecurinë e bashkëpununimit mes qeverisë shqiptare dhe BERZH, mbështetjen për Shqipërinë në fusha të ndryshme të zhvillimit ekonomik, përmes financimit të projekteve konkrete, si dhe axhendën e reformave në kuadër të integrimit europian të Shqipërisë.