Për Vjosën, me një projekt të ri për mikpritjen dhe informimin, një fazë e re e konservimit, por edhe e zhvillimit të këtij Parku të jashtëzakonshëm Kombëtar - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Për Vjosën, me një projekt të ri për mikpritjen dhe informimin, një fazë e re e konservimit, por edhe e zhvillimit të këtij Parku të jashtëzakonshëm Kombëtar

Vjosa, lumi i fundit i egër në Europë, i shpallur Park Kombëtar, i cili gëzon mbrojtje të plotë kombëtare dhe ndërkufitare, nga burimi i tij, deri te derdhja në det, duke përfshirë të gjitha degët, -do të ketë së shpejti edhe odën e mikpritjes së vizitorëve.

“Qendra Multifunksionale dhe Stacionet e Informacionit”, – është projekti më i ri që do t’i shtohet Parkut Kombëtar, si një vend takimi, informacioni, dialogu, kërkimi shkencor dhe shkëmbimi midis vizitorëve të ndryshëm, admirues të kësaj mrekullie natyrore.

Në Konkursin Ndërkombëtar të organizuar për këtë qëllim nën kujdesin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, si dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, garuan  me idetë e tyre novatore 16 studio të huaja dhe shqiptare, nga të cilat në fazën finale u kualifikuan tre studio prestigjoze: Casanova+Hernandez Architecten; CEBRA A/S & Arup Internatioonal Projects Limited & Barker Langham Limited & UNO; Ensamble Studio.

Sot, studiot e përzgjedhura do të prezantojnë projektet e tyre, për të shpallur më pas projektin fitues nga një juri e përbërë nga ekspertët më të mirë shqiptarë dhe ndërkombëtarë, me pjesëmarrjen edhe të Kryeministrit Rama.

* * *

Përshëndetje të gjithëve!  Më vjen shumë mirë sot që ne kurorëzojmë një proces për të hapur më në fund konkursin ndërkombëtar për Qendrën e re Multifunksionale dhe Stacionet e Informimit përgjatë lumit të Vjosës dhe hymë faktikisht në një fazë të re të konservimit, por edhe të zhvillimit të këtij parku të jashtëzakonshëm kombëtar.  Nuk ka asnjë vend në Evropë të paktën, se bota është shumë e madhe për të folur me siguri që të ketë një park kombëtar, i cili e përshkon gjithë trupin e vendit dhe nga ana tjetër nuk ka asnjë vend në Evropë sot, që të ketë një lum të egër, gjë për të cilën shpesh herë kemi qenë të detyruar t’ua kujtojmë miqve evropianë kur këmbëngulnin se duhet ruajtur lumi i fundit i egër në Evropë që po, patjetër duhet ruajtur, por më parë sesa të na japin ne leksione se si ruhet një lum i egër, duhet të kujtohen që të egër kanë qenë dhe lumenjtë e tjerë të Evropës por ata i kanë zbutur për qëllime, që natyrisht, nuk kanë pasur të bëjnë me mbrojtjen e natyrës.

Dhe ne jemi shumë mirënjohës për nxitjen dhe e them këtë me shumë sinqeritet për inkurajimin, për gjithçka që kemi mundur të mësojmë në një proces që nuk ka qenë i lehtë deri në konfirmimin e vullnetit tonë për ta transformuar Vjosën në një Park Kombëtar, por nga ana tjetër, ne nuk mund të mos e themi, që leksionet morale për se si duhet të sillemi me natyrën, qeveria jonë nuk i pranon dot. Nuk i pranon dot, aq më tepër në një botë ku ndotësit më të mëdhenj dhe burimet më të mëdha të rrezikut për mjedisin, në kushtet e një përpjekjeje globale apo një sfide globale përballë ndryshimeve klimatike, janë në një pjesë të madhe ata që bëjnë edhe moralin më insistues si dhe ushtrojnë, madje edhe presione të papranueshme ndaj shumë vendeve të tjera  që mund të kenë 1001 probleme, mund të kenë 1001 boshllëqe dhe të meta, por nuk e kanë  në kurriz mëkatin e të qenit në klubin e ndotësve dhe shkatërruesve më të mëdhenj të mjedisit  në planet.

Mua më vjen shumë mirë që një vizion i shpallur qysh në krye të herës nga ne për ta mbrojtur trupin e mahnitshëm të Shqipërisë dhe për të ripërtërirë hap pas hapi me durim shumë nga pjesët e atij trupi që janë dëmtuar rëndë në vite, duke pasur këtu parasysh natyrën, por edhe trashëgiminë kulturore është mishëruar në këtë vendim madhor të qeverisë shqiptare për të pasur një Park Kombëtar të këtyre përmasave, që do të ishte njësoj sikur Franca të shpallte Park Kombëtar ¼ e trupit të saj apo sikur të tjera vende të shpallnin Park Kombëtar një pjesë të konsiderueshme të trupit të tyre.

Ka qenë një proces sepse kemi dashur të jemi shumë të sigurtë që  do të arrijmë të balancojmë nevojën për të mbrojtur dhe për të ripërtërirë këtë territor të mahnitshëm me nevojën e njerëzve të këtij territori për zhvillim ekonomik dhe për zhvillim social.

Dhe këtu kthehem përsëri tek ata që na bëjnë leksione morale, të cilët për hir të vërtetës shohin të parën, por nuk duan t’ia dinë për të dytën dhe do të ishin krejt të lumtur që ta shihnin çdo pjesë të natyrës së Shqipërisë si një xhungël, të numëronin speciet, të numëronin llojet e bimësisë pa numëruar njerëzit, ndërkohë që Parku Kombëtar i Vjosës përshkon një numër të konsiderueshëm bashkish, qytetesh, qytezash, fshatrash të cilat kanë nevojë për një rrugë dhe për një perspektivë të zhvillimit ekonomik dhe në këtë pikë, unë jam shumë mirënjohës një pjese të atyre organizatave lokale dhe ndërkombëtare, të cilat e kanë kuptuar ndjeshmërinë tonë dhe të cilat kanë kuptuar që ne nuk kemi qenë hezitues për të shpallur Vjosën Park Kombëtar sepse kjo ka qenë pjesë e vizionit të shpallur qysh në krye të herës, por kemi dashur të mësojmë dhe të kuptojmë sa më mirë se si do t’i ekuilibrojmë që të dyja. E këtu dua t’i bëj një falënderim shumë të veçantë Patagonias sepse ka qenë krah për krah me ne, me një ndjeshmëri shumë të lartë për mjedisin, por edhe me një sensibilitet të admirueshëm, në raport me këtë aspekt tjetër dhe faktikisht konkursi i sotëm i hap rrugë, pikërisht këtij aspekti të vizionit të konservimit, po edhe të zhvillimit të Parkut Kombëtar sepse të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm që Shqipëria është një vend që ka të drejtën dhe detyrën të ketë ambicie për t’u rritur ekonomikisht në mënyrë të vazhdueshme dhe të konsiderueshme.

Është një vend që ka të drejtën dhe ambicien që këtë pasuri të madhe natyrore, këtë larmi të madhe të natyrës, këtë dhuratë kaq bujare të Zotit ta vërë në dispozicion të vetvetes dhe të familjeve që jetojnë në këtë vend, që nuk kanë pse të mos meritojnë standardet më të larta ekonomike. Dhe standardet më të larta ekonomike në një vend që industrinë e vet kryesore qartësisht do të ketë turizmin, nuk mund të krijohen thjeshtë dhe vetëm nga ajo pjesë turistësh që vijnë në Shqipëri me një çantë në krah, që janë të gjithë të mirëseardhur, por duhet të kombinohen me atë pjesë turistësh që i përkasin kategorisë së konsumatorëve më të lartë të botës së madhe të turizmit. Dhe në këtë aspekt, Vjosa dhe Parku Kombëtar është për ne njëkohësisht edhe një shkollë, shkollë shumë e rëndësishme për të kuptuar dhe për të mësuar hap pas hapi sesi këto të dyja mund të bashkëpunojmë me njëra-tjetrën, sesi ne duhet t’u japim një perspektivë komuniteteve që jetojnë tanimë në kufijtë e këtij Parku Kombëtar se pranë kufijve të këtij parku kombëtar, zhvillimet nuk janë të pamundura, por duhen bërë me një sens krejt të ri dhe krejt largpamës të luksit. Ne na duhet turizmi i luksit, na duhet për njerëzit e  zakonshëm se është përmes turizmit të luksit që njerëzit e zakonshëm, që prodhuesit e vegjël, që shërbimet marrin dhe të ardhurat më të mëdha.

Sot, ne jemi në një fazë rishikimi të zonave te mbrojtura që vijnë si rezultat i një kërkese të vazhdueshme këmbëngulëse të një numri të konsiderueshëm kryetarësh bashkish, të cilët janë të vetëdijshëm për nevojën e konsolidimit të natyrës, por të cilët janë natyrshëm me ambicie dhe nën presionin  e madh për zhvillim ekonomik dhe social. Dhe kombinimi i këtyre të dyjave është një domosdoshmëri. Kështu që, as fantazimi symbyllur i njërës palë për të kundërshtuar çdo gjë dhe as pa diskutim nevoja për të prekur çdo gjë në emër të zhvillimit, nuk duhet të na pengojë që ne të gjejmë një ekuilibër sa më harmonik mes të dyjave, gjë që programi dhe projekti i Vjosës si park kombëtar do të vazhdojë të na udhëheqë dhe cilido që do të jetë përballë nesh për të na treguar sesi mbrohet natyra, sesi duhet të jemi të vetëdijshëm për mbrojtjen e natyrës, sesi nuk duhet të prekim asgjë rreth e rrotull ne do t’i kujtojmë Parkun Kombëtar të Vjosës.

Është nga vendimet më të mëdha dhe më të guximshme dhe më të rëndësishme për të ardhmen që një qeveri mund të merrte. Ashtu sikundër e  tha dhe zoti Hardcastle  nuk është e rastit që dhe në një forum global si ai në Montreal ku ishin mbledhur shtete shumë më të mëdha me shumë më tepër resurse sesa Shqipëria dhe me shumë më tepër natyrë për të mbrojtur sesa Shqipëria, ky vendim është konsideruar si një vendim realisht i fortë dhe i admirueshëm për këtë. Por të admirosh këtë vendim duke e parë Shqipërinë nga larg dhe duke u kujtuar vetëm për zogjtë, për peshqit dhe për lulet pa pasur parasysh komunitetet e njerëzve, dhe familje, dhe të reja dhe të rinj që duhet të kenë një perspektivë ekonomike në gjithë atë territor dhe duhet të kenë arsye për ta parë të ardhmen e tyre aty në atë territor është shumë e lehtë. Ndërsa ta shohësh të parën, duke mos harruar kurrë të dytën është një sfidë më vete dhe ne jemi të gatshëm që ta përballim këtë sfidë dhe ndihemi shumë të fortë në përballjen e kësaj sfide sasë nuk jemi vetëm, por kemi një aleat shumë të fuqishëm siç është Patagonia dhe nuk është vetëm Patagonia. Pantgonia është si të themi aleati lider në një koalicion aleatësh. Janë institucione, që janë shoqata, që janë grupe dhe organizata mendje hapur, me eksperiencë dhe jo vetëm me dëshirë dhe mbi të gjitha me respekt, me respekt ndaj të gjitha arsyeve tona. Ne çdo gjë e mirëpresim kur vjen si kritikë, kur vjen si rezervë, kur vjen si kërkesë, kur vjen si sugjerim, por ne jemi gjithmonë e më pak të prirur të mirëpresim mungesën e respektit dhe këtu besoj që duhet ta mbyll pa harruar të falënderoj të gjithë ata që konkurruan për të hyrë në këtë finale, arkitektë, peizazhistë, ekspertë të mjedisit me eksperience të madhe ndërkombëtare. Dua t’ju uroj sukses finalistëve. Dua të falënderoj edhe anëtarët e jurisë që na janë bashkuar në përpjekje për të bërë këtë përzgjedhje dhe nuk do jetë e lehtë pasi të tre finalistët janë vërtete njëri më i mirë se tjetri për ta kryer këtë punë dhe dua t’ju them të gjithëve që unë kam bindjen e plotë që ky projekt, i cili do fillojë të materializohet menjëherë pas përzgjedhjes së fituesit do të jetë projekti që do të hapë pikërisht edhe atë shteg të perspektivës së të ardhmes, jo vetëm për peshqit dhe për zogjtë dhe për lulet, por dhe për njerëzit dhe mbi të gjitha për vajzat dhe djemtë që rriten në mes të kësaj mrekullie të natyrës, por që nuk mund të jetojnë vetëm duke parë natyrën, por kanë nevojë të gjejnë të gjitha arsyet që jetën e tyre ta ndërtojnë në atë zonë, duke pasur mundësinë të jetojnë po aq mirë sa vetë Vjosa, të mbrojtur, të mbështetur dhe të financuar nga aktiviteti i tyre ekonomik dhe social.

Previous Ministrja Balluku merr pjesë në Samitin Botëror të Ndryshimeve Klimatike